Poezi nga Eliverta Kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

KUR BIE SHI…

Si gota vere ma ngrohin trupin kujtimet e tua
Që lagen nga shiu dhe ndrisin
Si qelqe, edhe më të bukura
Të tejdukshme krejt…
Më duhet të të puth ndryshe tani
Në distancë
Me shkrime, që si puthje pa buzë të vijnë
Por më beso, nuk është keq
Është sprovë dashurie dhe kaq…
E tmerrshme është
Të mos kesh kë të puthësh a të duash
Sidomos kur bie shi…

ELIVERTA

 

TËRHIQE MOS E KËPUT

Është tërhollur kaq shumë peri mes nesh
Nuk habitem nëse një ditë do të këputet
Mos u trishto as ti
Do ta lidhim një nyjë
Nga ato që dhembin
Por sigurojnë vazhdimin
E do rinisim përsëri bashkë
Çdo ditë
Tërhiqe e mos e këput…

Nëse këputet peri mes nesh
I stërholluar nga zemërata
Që nuk vjen prej zemre
Po zemrat na provon
Ti rezisto
Se dashuria është një miks rrethanash
Ne jemi produkt i saj
Edhe perit i duhen ca nyje sprovash
Gjerdan me perla dhimbjesh kjo jetë
Nga skaji në skaj…

Nëse këputet ai pé
Sepse kështu ka qenë e shkruar
Gëzohu gjithsesi
Se jeta të hedh e të pret
Siç nuk e pandeh
Çdo fund është një fillim i ri
Për ty dikush Zotin lut
Jeta vazhdon edhe vetëm
Tërhiqe e mos e këput…

Nëse këputet peri mes nesh
S’është e thënë ta vuajmë
Nëse s’e duam
Mbase nuk jemi aq të zotë
Sa ta ndalim të ndodhë
E nëse ndodh
Mbi buzët mbetur pa puthur
Lotët do të bien
Si perlat nga gjerdani i këputur
Nise e mos e ndal vajin!

Vdekja do ta ketë fajin…

ELIVERTA

 

UDHËKRYQ

Nuk di si të sillem përballë teje
s’di ku të vë duart që gjithmonë shkojnë ku s’duhet
ngatërrojnë shpjegimet me xheste pa pikën e domethënies
prekin flokët orë e çast
të gatshme të numërojnë çdo fije nëse duhet
Por ti hesht e më sheh
dhe mua vetja më del tepër …

Nuk di as si të flas me ty këto kohë
si të drejtohem ,si të të quaj
ti do pyetje të mençura dhe s’pëlqen asnjë përgjigje timen
aq sa fjalët skuqen nga turpi e shkojnë vetë në koshin e plehrave
ndonjëherë direkt nga mendja,pa u artikuluar
ti di t’mi zhuprosësh mendimet e fshehta
dhe unë si guackë e zbrazur mbetem para teje
Por ti nuk vë re mungesën e perlës
ty ,as që të duhet nga mua një e tillë…

Unë nuk di si të të dua më tej
si mund të të qasem, si puthjen ta marr buzëve
edhe pse për dashurinë lexova shumë
as bibla, as kurani s’më bëjnë punë
madje as kanuni i mësuar përmendësh
nëse ti nuk përpiqesh të më kuptosh
nën lëkurën time një çast të rrish
e prej andej të më duash
aq sa të ndiej…

Mbetur si analfabete dashuria ime
kërkon abetaren e ndjesive të gërmëzojë
guidë do në këtë shtrirje gjeografike ndjenjash
që thyhen sipas relievit e më marrin përpara
duke rrjedhur pa e gjetur detin të derdhen
E ti ,i realizuar ndihesh
nuk të duhen kordinata,afate,kufij jo se jo
tashmë e di vazhdimin e përrallës
të luash apo të duash për ty është e njëjtë
E njëjta ,s’jam unë më…

ELIVERTA
Nga libri i dytë “MJELLMA ËNDRRASH TË PURPURTA

 

PËR ATË QË S’MUND TA KEM

Pendohem ndonjëherë
Për zgjedhjet që në jetë kam bërë
Kjo botë vezullon e më trullos
Si fëmijën
Lodra e bukur pas vitrinës.
Tundohem gjithandej
Sikur kështu…
Sikur ashtu…
Ndihem keq me sikur-et që më mbysin
Kur përpëliten
Si bisht gjarpri rreth meje
Hutohem, veten duke e parë
Nga çdo kënd i kësaj bote
Derisa mendja shuan luhatjet
Nga shilarsi i ëndërrimeve
Drithërohem
Zbres në tokë
Shkundem nga tundimet…
Marr frymë thellë
Ç’frikë e kotë!
Foshnjërisht ngazëllehem
Tek kjo botë e madhe shtrij këmbkat
Nën jorganin tim ndihem ngrohtë…

ELIVERTA

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s