DREJTËSI / Tregim nga Teuta Keli

DREJTËSI

 

Tregim nga Teuta Keli

Seanca gjyqësore fillon pas dy orësh, mendoi ai me vete. Kam kohë mjaftueshëm që të bëhem gati dhe të pi një kafe afër gjykatës, përpara fillimit të seancës gjyqësore, ashtu sikurse bëjnë avokatët e vërtetë.

Besoj se sot duhet të jem krenar për veten, vazhdoi ai mendimin më tej, sepse sot kam arritur atë çfarë kam menduar, jo ëndërruar se është ca e vështirë të bësh ëndrrat realitet, por më pëlqen më shumë kur them menduar. Ka çaste kur njeriu duhet të ndihet krenar me veten dhe sot nuk e ekzagjeroj nëse e them këtë gjë, tha ai heshturazi, ndërsa rregullonte flokët para pasqyrës së vogël, në dhomën e tij të gjumit.

Unë sot jam avokat, sepse sot unë përfaqësoj klientin tim të parë, sot të gjithë presin performancën time.  Mos e teprova ca me fjalën performancë? mendoi  i trembur, thua sikur të ishte para një gjyqi dhe të tjerët po gjykonin mendimet e tij. Jo, e pse e teprova? i ktheu përgjigje i lehtësuar vetes, edhe mësuesi im këtë fjalë përdor hera-herës, kur përshkruan një avokat të mirë.

I ishte dashur shumë kohë që të rrinte pas mësuesit të tij, kështu e thërriste ai avokatin, tek i cili duhej që të ndiqte praktikën, me qëllim që të bëhej edhe ai një avokat i mirëfilltë.

E mbante mirë mend kohën e studimeve, ishte bërë shpesh lëmsh midis asaj çfarë donte, çfarë mundej dhe çfarë duhej të bënte dhe pasi kishte pritur pak kohë, se cila prej tyre do dominonte brenda tij, kishte zgjedhur atë që duhej të bënte. Kishte studiuar shumë për këtë profesion, por ashtu sikurse i kishin thënë edhe në universitet, më e rëndësishmja do të ishte ajo çfarë do të mësonte gjatë praktikës me avokatin që do të zgjidhte.

Ai kishte intuitë të mirë, imagjinatë po ashtu dhe nuk e kishte pasur të vështirë që në qytetin e tij të vogël të shquante avokatin më të mirë. Avokati, apo mësuesi, ashtu sikurse ai i thërriste, ishte një burrë në moshë, sepse patjetër eksperienca e gjatë në këtë profesion e kishte bërë një avokat të mirë. I kujtohej e afërt dita, kur ai e kishte takuar për herë të parë mësuesin e tij.

-Ti më pëlqen, i kishte thënë mësuesi, sapo e kishte parë, po, po më pëlqen, kishte vazhduar ai më tej me bindje. Ti ke sy të mprehtë, dukesh djalë i zgjuar dhe unë e ndjej që do të bëhesh avokat i mirë, i kishte thënë mësuesi i tij, me një siguri të çuditshme, të cilën nuk e kuptoi, por pavarësisht kësaj, fjalët e mësuesit e kishin entuziazmuar shumë dhe e bindi veten që ashtu duhet të jetë patjetër.

E kishin rrëmbyer kaq shumë fjalët e mësuesit, sa nuk kishte ngurruar aspak që t’i kërkonte atij pa ndroje ta merrte me vete qysh në seancën e parë.

Mësuesi nuk kishte si ta refuzonte, pasi e njihte këtë dëshirë të papërmbajtshme, e kishte parë dikur, diku, ndoshta tek vetja e tij.

Pas disa orësh ai mori pjesë si dëgjues në seancën e parë gjyqësore. Sa ishte zhgënjyer prej asaj çfarë ai kishte parë. Asgjë nuk ishte e ngjashme me çfarë kishte përfytyruar. Gjithmonë i kishte menduar sallat e gjyqit me podiume të larta, ku gjykatësi rrinte dhe shikonte palët me një fytyrë të qetë, të ftohtë, por ky gjykatësi që kishte përballë, gjatë gjithë kohës tërhiqte, këciste gishtërinjtë me zhurmë, shpërqendronte palët pjesëmarrëse në proçes me stilolapsin, të cilin e rrotullonte pa pushim dhe ishte më nervoz se ai që ishte në sallë në rolin “I pandehuri”. Të gjithë bashkë kishin qendruar në një zyrë të vogël dhe gati ngjitur me tavolinën e gjykatësit dhe ky i fundit vetëm gjysmë tavoline kishte për veten, se gjysmën tjetër e ndante me sekretaren e tij, e cila e vonoi edhe më shumë proçesin, sepse nuk gjente dokumentat e depozituara së fundmi nga pala paditëse.

Po, e kuptoj se sa tension ka, mendoi ai me vete, teksa vëzhgonte me kujdes tiparet e sekretares së gjykatësit. Vuri re se si asaj i rrëshkisnin syzet prej djersës dhe nuk i pëlqeu aspak ngjyra e flokëve që kishte zgjedhur. Kishte një fytyrë zeshkane dhe ajo ngjyrë nuk i shkonte aspak. Teksa po humbiste rreth mendimeve për sekretaren e gjykatësit, ndjeu dorën e mësuesit të tij që e tërhoqi lehtë prej xhakete.

-Po, këtu jam! i tha ai, si i zënë në faj.

Më tej, seanca ishte mbyllur shpejt, pasi me mundim ishin gjetur dokumentat që mungonin, sepse i ishte lënë kohë palës paditëse që të njihej me faktet e reja.

Kaq kishte qenë ajo që e kishte imagjinuar kaq gjatë dhe shumë ndryshe, por kjo e sotmja është tjetër gjë, justifikoi mendimin e vet, ndërsa po e ndjente që po i trishtohej, sapo i dilte prej vetes.

Sot jam unë një prej protagonistëve, mendoi për veten, sot unë jam avokati i çështjes. Kjo është çështja ime dhe nuk është një çështje dosido, mendoi. Në atë çast bëri disa hapa, por i shtriu ata më shumë se zakonisht, thua sikur kush e di ku do shkonte brenda asaj dhome të vogël.

Në të vërtetë, ashtu sikurse shumë të tjerë, ai ishte habitur që kishin zgjedhur pikërisht atë për të përfaqësuar një çështje kaq të rëndësishme. Ishte mësuesi i tij që e kishte referuar klientin tek ai:

-Duhet të shkosh vetëm tek ai, i kishte treguar mësuesi klientit. Këtë çështje të vështirë e zgjidh vetëm ai, sepse ai ka një imagjinatë të tillë, e cila do të ndihmojë për këtë çështje, i kishte shpjeguar klientit mësuesi plot pathos.

Ishte një çështje që kishte bërë bujë në qytetin e tij të vogël. Jo se gjërat e vogla në këtë qytet nuk bënin jehonë, por kjo çështje pritej gjithë kërshëri, se si duhet të mbaronte, sepse në të ishte i përfshirë një nga personazhet kryesorë të qytetit dhe shumë prej qytetarëve e ndiqnin jetën e tij, sikurse ndiqnin episodet e një telenovele të gjatë. Këtë herë nuk ishin episodet e tij dashurore, aktoret e të cilave i ndërronte në çdo episod, por tani telenovela kishte arritur pikën kulminante: ai akuzohej për spekulim me shifra marramendëse dhe nëse ai do të përfundonte në burg, nuk i dihej si do i vinte fati edhe shumë prej aktoreve të telenovelës.

“Askush nuk më njihte përpara kësaj çështje” mendoi avokati për veten, por tani më përshëndesin dhe ndjej që banorët e qytetit janë ndarë në dy kampe: disa më adhurojnë se jam bashkëprotagonist me heroin e tyre të telenovelës, disa të tjerë më përçmojnë si antihero të saj. Pak rëndësi ka e gjithë kjo, tha me vete dhe ndjeu se pak nga pak po e pushtonte ajo ftohtësi ndjenjash, të cilat ia kishin shpjeguar avokatët e vjetër dhe e kishin paralajmëruar se edhe atij do t’i ndodhte.

Vazhdoi të ecte nëpër dhomë, duke mbledhur disa dokumenta, të cilat i kishte lënë për t’i vendosur në çantë në çastin e fundit. Duhet t’i shikonte edhe një herë, t’i gjykonte dhe t’i mendonte edhe një herë. E ndjente se çdo herë që i lexonte, i interpretonte ato ndryshe, thua sikur lexonte ndonjë poezi dhe mundohej që të nxirrte prej saj pjesëza copash si prej vetes.

Mbante mend që gjatë një bisede miqësore me mësuesin e tij, ai i kishte thënë se i pëlqente letërsia dhe kishte guxuar dhe e kishte çuar me tej bisedën dhe i ishte shprehur që hera-herës shkruante edhe tregime.

Mësuesi i tij, sapo kishte dëgjuar këto fjalë, kishte lënë kafen në tavolinë dhe i ishte drejtuar me habinë më të madhe, duke i folur:

-A e kupton djalë se çfarë më the?! i kishte thënë ai i shtangur, e kupton që kjo që më the është gjeniale?!

Nuk i kishte kuptuar aspak fjalët e mësuesit, sepse në të vërtetë nuk shikonte asgjë normale në atë çfarë pëlqente dhe çfarë i duhej të bënte dhe aq më tepër ta përkufizonte si gjeniale.

-Nuk jam shkrimtar profesionist, i kishte thënë më tej mësuesit, si për t’i ulur tjetrit euforinë që e kishte pushtuar papritmas. Ja, thjesht sajoj, ja ngatërroj ca gjëra me ca personazhe, ca janë të vërteta, ca janë trillime, ca….

Këtu ai ndaloi, se nuk dinte se si duhet ta përkufizonte dhe të ulte rëndësinë e asaj çfarë bënte, u mundua të gjente një fjalë të vetme, por nuk e gjeti dot. Po është thjesht letërsi, dreqi ta hajë! i tha disi i nervozuar mësuesit të tij. Po pse e ekzagjëron kaq shumë? vazhdoi ai më tej, se thjesht po më vë në siklet…

-Jo, ju përgjigj mësuesi, aspak nuk dua që të vë në siklet, nuk është ky qëllimi, por kuptoje edhe ti si e kuptoj unë, i kishte thënë ai me një ton gati lutës. Ti fantazon, ti krijon dhe ti tregon histori për gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë, vazhdoi mësuesi bisedën dhe ti je kombinimi perfekt i asaj çfarë duhet në këtë profesion, më kupton, i tha mësuesi me vetëkënaqësi.

Ai, sapo dëgjoi fjalët e mësuesit ndjeu një habi të frikshme në atë çfarë mësuesi po mundohej t’i thoshte:

-Tani le të bëhemi praktik, i kishte thënë serioz mësuesi. Ti do krijosh një histori të bukur dhe unë do fus në të elementë real, është si në jetë, është  kaq e thjeshtë. A e kupton qe ti njeh fjalën dhe arrin të luash me të, i tha mësuesi nxënësit të tij, të cilin po e adhuronte, se kishte diçka, të cilën ai e kishte ëndërruar gjatë për veten. Çdo fjalë ka pushtet, në çdo fjali ka pushime fjalësh, të cilat kanë nevojë për frymë, a e kupton? Me kaq çdo çështje është e fituar, i tha mësuesi si për t’i dhënë fund bisedës së tij.

Ai pa orën, po afronte ora për seancën gjyqësore, duhet të kishte edhe kohë të mjaftueshme për të pirë kafen, ashtu sikurse e mendonte ai. Pa edhe njëherë dokumentat që duhet të fuste në çantë: ishin pak, vetëm disa fletë me shumë pak rreshta të shkruara në to, por që rëndonin shumë, sepse ishin ato hapësira boshe fjalësh, të cilat ai duhet t’i mbushte me çfarë të mundej, ashtu si do donte. U lumtura, njëlloj si në letërsi mendoi…

Mbylli çantën dhe u nis drejt gjykatës, disa njerëz e prisnin atje.

-Eh mendoi, njerëzit gënjejnë njerëzit, por edhe njerëzit besojnë njerëzit dhe dikush përfiton në të dyja rastet…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s