Kur flet cilësia njeriu i kulturuar di t’i bëjë diferencat ( Rreth dokumentarëve të Mevlan Shanaj ) / Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Kur flet cilësia njeriu i kulturuar di t’i bëjë diferencat
 
Rreth dokumentarëve të Mevlan Shanaj
 
 
Nga: Zhuljeta Grabocka Çina
 
Dokumentari në historinë e ekranit të madh është konceptuar si gjini e kronikës së ditës. Ai mbledh kohërave gjurmët që lë në vite historia njerëzore, e përditësuar me synime të caktuara historike, kulturore e shpirtërore. Ngjarje e figura të shquara, dokumente e dukuri të përvjetorëve e vëzhgimeve treten e rimerren me ngjyrat vjeshtake të përroit nostalgjik të kujtesës në dimensionin e një reflektimi të ri e aktualizues të papërsëritshëm . Tipari kronikal i tyre nuk humbet kurrë. Por objektiviteti rrezikohet prej mjegullimeve subjektive të kohës. Aq më tepër kur po mbyllet epoka nistare e historike e zhvillimit të artit skenik e kinematografik. Regjizori i mirënjohur Mevlan Shanaj ka kohë që në dokumentarët e tij pasqyron e reflekton këtë dukuri. Jo vetëm si protagonist i vendosjes së disa gurëve në këtë ngrehinë, por edhe si refleksion në kohë, së bashku me të gjithë protagonistët e bashkëudhëtarë e tjerë. Merita e tij qëndron në fokusimin e përvijimin e thelbit të asaj kinematografie. Periudhë që mund të quhet periudha e “kalorsëve të një kryqëzate”. Nga atelitë e kinostudios ata përshkuan të gjitha krahinat jug e veri e udhëve të Atdheut për të ndërtuar magjinë e artin e shtatë. Pionierët e parë të saj vinin nga shkolla e lindjes, vendeve ku ata u formuan si artistë dhe u duhej me intuitën e artistit të përballeshin e të përfitonin prej neorealizmit italian në bregun tjetër të Adriatikut. Është meritë e këtij brezi, krijimi i kësaj traditë e cila duhet të vlerësohet për gjetjet cilësore regjizoriale edhe karakteret e spikatura të luajtura prej një kaste aktorësh shumë të individualizuar. Koha që po jetojmë po na penalizon, por brezat e ardhshëm do të jenë më objektive për gjithçka ka ndodhur e po ndodh sot. Artisti i merituar M.Shanaj e di shumë mirë këtë. Prandaj ai e vendos objektivin e vetërrëfimin e tij në rrjedhën e këtyre njëzet viteve. I bindur, se kështu do të zbërthehet drama e protagonizmit qytetar e secilit prej nesh. Koha historike e dokumenton në të gjitha përmasat dramën e jetuar. Përditshmëria e rutina zhvishen prej rastësisë. Optika poetike e kamerës qëmton detajin me fuqinë e përgjithësimit artistik. Mevlani filmon gjithçka ndodh në rrugë rreth njëqind metrave të shtëpisë dhe punës së tij pa nënvlerësuar asgjë për të kaluar në protagonistët e ngjarjeve të mëdha të bulevardit të madh të kohës. I tillë është dokumentari i tij “Rrugët”. Kronika e jetës së jetuar! Ai është aty, si njeri nga ne, si një personazh balzakian i sapo zbuluar!
 
Eposi homerik fishtian do të shkruante një shekull më parë eposin më të ri shekullit XX, “Lahutën e Malësisë”. Nga njësia e individit dhe e fisit ai përgjithësonte fatin historik të kombit. Edhe fundshekulli i XX solli një mundësi të re për të reflektuar artistikisht kthesën e shumëpritur të proçeseve demokratike. Përsëri dekori historik është natyral. Emëri i rrugës Hoxhat Tasimi dhe i sheshit Avni Rustemi na çojnë afër e larg në kohë. Aty ku ulërijnë erërat historike lindje – perëndim në vendin më të lashtë të gadishullit ballkanik, shumë afër kryeqyteteve më të rëndësishëm të botës, ku janë luajtur fatet e popujve të vegjël të kontinentit plak. I ndodhur larg prej disa kohësh, kthimi në atdhe ka specifikën e vet. Përballjen, me Itakën dhe vizionin e shqiptarit ravgimtar. Ai e ndjen domosdoshmërinë e shprehjes. Atë të ëndrrës e zhgjëndrës që sjell mosrealizimi historik. Shikuesi e ndjen se monologu e meditimi i tij është më shumë se një zë i brendshëm, që kërkon të sjell pragvitin e “97, vitin e kaosit të madh dhe e ndërpret në pikë zero të atij marsi të marrë, kur ngrehina e shtetit ra. Ai flet edhe me heshtjen. Ndërpreja e filmimeve është brenga më e madhe e një krijuesi. Por dinamika e një reflektimi tre dimensional, që fillon nga vetvetja për t’u përthyer si ndjesi e secilit prej nesh në udhëkryqin historik nën goditjet e daltës së kohës që zhvesh prej shkëmbit të madh të ditëve “bukurinë që vret” ashtu si dikur Odise Paskali me daltën e tij të parë gdhente“urinë” e përgjithshme të viteve tridhjetë. Njëri në celuloid, tjetri në gur sjellin poetikën e epokës së tyre. Mevlan Shanaj në çdo krijim të ri sjell risinë e protagonizmit intelektual e të përgjegjshëm edhe në gjininë e dokumentarit. I gjithë arkivi i kontributit filmik të tij ka prekur prej kohësh përsosmërinë e pjekurisë së tij artistike.
 
 
Mevlan Shanaj 
 
Para pak kohësh u dha për studentët e universitetit “Fan Noli” në Korçë dokumentari: “Përcjellja”. Një tjetër dokumentar i Mevlan Shanaj, kushtuar aktorit të shquar të skenës dhe ekranit, pedagogut të Akademisë së Arteve, Vangjush Furxhiut. Një tjetër arritje pas dokumentarit ”Të fala” kushtuar ikonës Ndrekë Lucaj. Ku Ndreka i pa arritshëm nga çdo cep i monumentit të tij krijues nëpërmjet imazhit të flet për thellësinë e karakterin e shqiptarit. Thellësi e dimension që të drithëron. Njerëzorja, loja e partneriteti janë shkolla që sfumon kornizën ideollogjike të kohës. Galeria e roleve të sjella në dokumentar prej Mevlanit në funksion të zbërthimit të personalitetit krijues të tij, janë ndoshta të lakmuara prej çdo aktori të ri. Ai ishte formim i qytetarisë shkodrane e talentit të lindur. Ashtu si edhe Vangjushi i qytetarisë korçare. Por kulturën, dashurinë për artin ja falën pa kushte misionit më fisnikërues të krijimit të vlerave.
 
Përjetimi i dokumentarit në “shkallët e amfiteatrit” ku mbruhen të kulturuara e të pa indoktinuar shijet e brezit më të ri të studentëve të një treve si Korça, në rastin e tyre të vendlindjes, e sillnin figurën e aktorit Vangjush Furxhi si një histori suksesi, që merrte mbi shpatullat e njoma shpirtin artistik të qytetit për të plazmuar në celuloidin e ekranit, shpirtin e Atdheut. Rikujtesat njerëzore të qëmtuar natyrshëm që nga fëmijëria e rinia e deri në “burrërimin artistik” përmes lojës së papërsërishme të Furxhiut e sjellë me mjeshtëri prej Mevlan Shanaj, trokiti në portën e zgjimit, atje ku flenë ëndrrat e trembura të një kohe ku zhbëhen ndjenjat. Nuk është fjala vetëm për modelet, që sot nuk u mungojnë të rinjve e që shuhen shpejt si meteorë, por tek eksigjenca artistike e Shanaj me përvojën si aktor, regjizor e skenarist e kritik arti i një shkolle realiste që e përdor syrin e kameras, me elekuencë aty, tek është tabani i patjetërsueshëm i vlerave. Ai di ta japë në dimensioni e masës atë pragfillimi të kinematografisë së re shqiptare, që lindi nga pasioni e ëndrra e që sot përbën historinë e aktrimit shqiptar të lindur me aq privacione e sakrifica. Regjizura, skenari e batuta flasin në çdo mizanskenë për ditë e muaj pune të pa imagjinueshme që kanë thithur çdo sekondë, pra edhe jetën e tyre, të cilën nuk mund t’i ndash nga kontributet artistike. Kontributi i tyre mbyll një epokë. Prej të cilës ka ende heronj të gjallë! Koha e çdo brezi është memorja e nisjeve të reja pa të cilat njerëzit nuk mund të jenë vetvetja. Ai është “ditari e arkivi” më i kërkuar të cilin duhet t’ua lemë të sistemuar brezave. Janë institucionet e politikat përkatëse e pse jo edhe individë që duhet të investojnë pa humbur kohë për to. Asnjë leksion nuk mund të sillte ato mbresa të pashlyera që studentët përjetuan në mënyrë të drejtpërdrejtë. Dokumentarë të tillë duhet të bëhen pjesë ilustrative e debatuese e kurrikulave të shkollave e auditoreve, e mendimit teorik e estetik të podiumeve sepse koha është seleksionuesi i madh edhe i pafalshëm. Shikuesit bashkëkohorë e përjetuan në çdo sekuencë të dokumentarit shpirtin vlerësues e afirmues të autorit të dokumentarit, që i buronte prej shpirtit si një poezi dedikuese! Sekuencat nga arkivi i filmave të luajtur prej Furxhiut e intervistat e bashkëkohësve, familjarëve e partnerëve të skenës që endnin indin e tij, janë dhënë si rivlerësim e risi. Alternimi i tyre me pamjet e natyrës e thellojnë meditimin e reflektimin nostalgjik të kohës që ikën pakthim në universin e përjetshëm. Kontributet në art edhe emrat e personaliteteve të tij, janë thesari i indentitetit kombëtar. Mevlan Shanaj ka një platformë estetike e atdhetare panshqiptare, tashmë të mishëruar në realizimet e tij filmike. Edhe dokumentari “Shkronjat e pavarësisë” fle në shtratin e shenjtëruar biblik, ku fjala si fillim e fjala si krijim janë një realitet i përjetshëm lashtësie e krenarie, shtetformimi kulture e ekzistence historike. Në skenaret ndihet dora e poetes së talentuar bashkëpunëtores së tij Natasha Lakos për të dhënë dinamikën e proçeseve të dokumentimit të shkrim krijimit letrar të një prej gjuhëve më të veçanta indoevropiane siç është shqipja, e aftë për krijuar letërsinë e saj të lulëzuar. Ai plazmon epizmin e gjuhës filmike të fakteve unikale me dinamikën lirike të gërshetimit të kohëve. Gjetjet e regjizurës dhe skenarit janë origjinale e mbresëlënëse. Vizioni i interpretimeve historike e gjuhësore është bashkëkohor. Bukuria poetike e gjuhës së dokumentarit është si një fllad pranvere, që fryn pluhurin e kohërave mbi të cilën Mevlani me durimin e kërkuesve të arit e nën ethet e tij, ka për të na dhënë edhe vlera të tjera që do të frymëzojnë brezat e do t’u flasim edhe kohëve e reja.
 
Në pritje të dokumentarit të ri, kushtuar Xhanfize Kekos, një tjetër regjizore e filmave të suksesshme për fëmijë, na kujton shkollën regjizoriale që këta mjeshtra formuan!
 
Kur flet cilësia njeriu i kulturuar di t’i bëjë diferencat!
 
Zhuljeta Grabocka
10 .6. 2017
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s