NJË TREGIM DASHURIE / Nga: Albina IDRIZI

NJË TREGIM DASHURIE
 
 
Nga:  Albina IDRIZI
 
‘Sa bëri të nisej, ajo u ndal. Mori frymë thellë dhe përsëriti pa zë për të kusheditësatën herë: qetësohu, mos u rrëmbe, mos u trego histerike, mos bërtit me zë të lartë dhe, kurrsesi (mos e harro këtë), kurrsesi mos e fyej qoftë edhe sikur të të dalin pikërisht atë çast dhëmballët e saj që shpërfaq duke u qeshur me zë të lartë sa herë sheh tët shoq. As mos e përqesh.  Edhe nëse zemra të qan  për të shtrembëruar hovin e saj t’i bëjë përshtypje burrit tënd. Ncuk. Po e bëre këtë ke marrë fund. Është pika më e ulët e xhelozisë dhe ti nuk guxon të rrëshqitësh.
 
Eci drejt tij me hap të ngadaltë ndonëse zemra po i rrihte në galop të papërmbajtur duke e lënë mbrapa mospërfillëse me krejt ato që provoi në mendje pak më parë. Duart i qenë djersitur dhe fytyrës po i lozte një refleks i pakontrolluar muskuli. E dinte, nuk dukej bukur me buzët e shtrëngura teksa përpiqej ta ndalonte.
 
-Ti e more atë në punë?! Dëshiron t’i japësh rast të më përçmojë edhe më shumë se gjer tani? Si munde ta bësh këtë?
 
Shpërtheu me të parën në një çirrje plot histeri. Mos, mos, mos, dëgjonte vazhdimisht zërin e një çasti më heret. Mos bërtit, dreqi e marrtë! Mos bërtit kaq shumë! Nuk e sheh a larg e ke shpjerë me zërin tënd.
 
Ai e shikoi me një zhbirim të tillë sikur të kërkonte në të gjurmët e gruas që kishte dashuruar dikur. Si duket, nuk  gjeti. Edhe ajo e ndjeu. Jo që nuk ishte mësuar me këtë shikim, aq të shpeshtë kohëve të fundit. Zakonisht ai pasonte me një: si thua të zgjasësh flokët pak më shumë? Besoj se do të të shkojnë më mirë. Apo: fshije pak faqen. Ke një njollë në anën e djathtë.
 
E kishte mërzi kur e shikonte. Gjithmonë e kapte një siklet nga ajo çfarë do t’i thoshte. Siklet që e torturonte deri sa e dëgjonte. Shpeshherë i ikte. Ishte bërë mjeshtre në shmangien e shikimit të tij. Vërtet sakrifikonte edhe shikimin e saj, por ja që ia vlente. Gjithnjë e më pak shikime. Gjithnjë e më pak fjalë.
 
Tani edhe kjo.
 
– Je çmendur? – foli ai. Sigurisht që je çmendur përderisa nuk di gjë. Nuk di si qëndrojnë punët. Nuk di nëse kisha ndonjë zgjidhje tjetër. Nuk di gjë prej gjëje.
 
Vërtet po çmendej? Ajo kurrë më parë nuk kishte vepruar ashtu, paçka se po ndjehej gjithnjë e më e vetmuar. Ishte mënyra më e keqe për të poshtëruar, jo ate. Veten. Sa e sa herë kishte këshilluar shoqet e saj se vetëpërmbajtja tregonte respekt për veten dhe se xhelozia ishte opozita më e ligë e saj. Ç’po ndodhte me të? Po, ishte e vërtetë se nuk dinte gjë prej gjëje në punët e tij por, e kishte ajo fajin për këtë?
 
Dëgjoi hapat e tj si u ngjitën me të shpejtë shkallëve. Kishte ngelur vetëm. Vetëm me pjesën më të shëmtuar të saj. Të tjerat, të bukurat i kishte vjedhur dikush gjatë njëzet viteve dhe nuk dinte si ti kthente.
 
Mos po gabonte? Edhe mund të gabonte. Ajo as që e njihte ate. Disa herë kishte dashur ta përshëndeste por ajo kishte qenë tepër e zënë, tepër e përqëndruar në të shoqin, sa kësaj i kishte ngrirë buzëqeshja në buzë. Madje kishte qenë aq e duruar sa të priste radhën, të mbaronte me të shoqin e ti kthehej. Përsëri do ti buzëqeshte. Nga fillimi. Nuk kishte ndodhur. Gjithë bujë e potere ajo përherë qeshej e llafosej me të shoqin dhe ikte që andej pa ia lëshuar sytë as për një herë të vetme.
 
Deshi të ngjiste shkallët dhe ti kërkonte të flisnin hapur. Të shpjegoheshin një herë e mirë çfarë kishte ndodhur që ishin larguar aq shumë sa të binin pre e provokimeve më të lira. Në cilën pjesë të rrugës bashkëshortore kishin harruar njëri tjetrin sa tani nuk po njiheshin dot.
 
Nuk bëri asgjë. Ngeli aty poshtë me zemërimin e fashitur por me një uragan dhembjeje brenda vetes që po përlante edhe dromcat më të imta të dëshpërimit si për ta nxitur të nisej thellësive. Jo drejt tij. Drejt vetes.’
 
Fund.
 
   Pritni! Ju e lexuat këtë? Joooo! Jo, jo! Gabim. Më është ngatërruar personazhi i një tregimi tjetër. Sa të pafytyrë dijnë të jenë nganjëherë. Shfrytëzojnë rastin më të vogël të mosvëmendjes së autorit dhe fap, kërcejnë në skenën e tjetrit. Kodoshët!
 
Dëgjoni tani!
 
‘Sa bëri të nisej, ajo u ndal. Iu bë se dëgjoi derën të hapej. Pastaj hapat. I njohu. Ishte ai. Ndodhte shpesh të kthehej para kohe në shtëpi dhe sa herë ndodhte kjo, ajo mbushej frymë të qetësonte të rrahurat e gëzuara të zemrës e cila sa nuk fluturonte nga lumturia. Vrapoi t’i dilte përpara sikur hovi i saj të mos kishte të bënte me njëzet vitet e kaluara bashkë. Përherë ngjante i ri. Në rastet kur e priste, rregullohej në pasqyrë dhe i dilte e përgaditur. E qetë dhe e qeshur. Por, kur vinte kështu si tani, ngutej ashtu si ishte e  pushtuar me emocionet e një çupëline që vetëm ai arrinte t’i zgjonte tek ajo.
 
– Hëëëëm… sa e ëmbël kjo çokolata në faqen tënde. Tani e gatove? Si i thonë, çokofaqe? – e puthi ai.
 
– Ah! – qeshi ajo dhe fshiu me dorë atë që kishte mbetur nga e puthura.
 
U zhyt në syt e tij me vetëdëshirë të përhumbej gjersa të tretej gjithçka përreth. Si nuk i shterri njëherë kjo magji?, pyeti veten. Si arrinte ta bënte gjithmonë të ndjehej e bukur, e dashur, e veçantë. Ishte e lumtur dhe ai e ndjente këtë. E shihte. Sikur sheh krijuesi i palodhur ditë për ditë përsosjen e veprës së vet, ashtu shihte ai mrekullinë e dashurisë së tij. Dhe kënaqej së admiruari.
Ishte i bindur se e gjithë shtëpia vallëzonte me këngën e zemrës së saj.
 
– E di çfarë? Sot ishte në intervistë pune ajo vajza që takuam atë ditë. Ajo të cilën e ndërpreva duke i thënë se,  njëherë para se të bisedojmë, duhet të të njohtoj me gruan time të bukur. Të kujtohet?
 
Sigurisht që i kujtohej. Lulja që kishte mbirë në zemrën e saj çastin që ai i kishte folur ato fjalë, vazhdonte të jipte aromë buzëqeshjes dhe ngjyrë shikimit të saj sa herë e shikonte të shoqin.
 
– Dhe?
 
– Nuk e di! Stafi është duke shqyrtuar disa konkurues. Ti si thua?
 
– Them se i duhet dhënë rasti të tregojë zotësinë e saj me punë, shpirti im. Ti mund ta bësh këtë.
 
I hodhi krahët në qafë dhe e puthi të shoqin gjatë në buzë. Nuk ishte e sigurtë nëse e kishte fshirë tërësisht çokolatën.’
 
   Fund
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s