BËHU: Cikël me poezi nga Hamdi Meça

Cikël me poezi nga Hamdi Meça
 
 
JETA TË JETOJË
 
Ngarkesa e pandalshme,
globi pak mënjanë nga rëndesa e barrës,
drejt rrëzimit bota,
trupin tim për shtyllë nën të po i vë, sa të rroj,
pikëmbështetja- te zemra më këmbë gjer në mbarim,
kështu bëj dhe ti me trupin tënd, sa të rrosh,
pas teje tjetri, tjetri, tjetri, me trupin e vet sa të jetojë,
deri te njeriu i fundit dhe e fundit e tij frymë,
vetëm në atë moment globi në vend të vet,
pa peshën e halleve të njerëve.
 
 
 
VROJTIM I THUKËT
 
E para
rrugë
e botës-
e lotit
vijë.
 
 
 
MBYTJA E ANIJES
 
Dëshmitare ajo, era, kush dot s’e sheh,
anija u mbyt,
edhe valët- gjurmë të saj dallgët i zhdukën,
ligji i transfomimit atë nga është në s’është,
pra, nga anije pa çati sipër ujit,
në shtëpi me çati poshtë ujit,
rreshta- rreshta tjergullat e dallgëve lart,
rrymat- shalë të lëmuara atë thepisura poshtë,
iriqi i zi peshkun e vogël e josh, e tërheq, e thith,
vrimën e gojës iriqi me të e mbush,
metafora çmendet në fund të ujit,
me shpatulla krejt detin përpjetë kjo gjigante e ngre,
-Më mirë një natë me lirinë brënda lëkurës,-
ulëret,-
se 100 vjet me robërinë jashtë saj.
 
 
 
TRI FOTO
 
Kryeministri i vendit
me presidentin amerikan Obama në foto,
(kënaqësi e paguar boll),
kryetari i opozitës
me presidentin amerikan Tramp në foto,
(kënaqësi e papaguar dot),
me milingonën në foto
kokë më kokë, unë.
 
 
 
NGARKESA E ANATOMISË
 
Ju, të papunë, pa ndihmë nga shteti,
por me ndihmë nga kafshët e punës,
gjynah t’i ngarkosh ato me gur e me rërë, uhh,
anatomia- letërthithëse,
edhe prej saj shkretëtirat, po.
Kjo shtëpi me gur e me rërë e ngritur,
brenda në pesë mure më mbyll,
mur dhe tavani me hark i urës shekullore të shpresës,
mbi lumin e ndarjes këndej dhe andej,
çatia me kapakët e syve për tjergulla,
dritaret me llapa të veshëve.
Nga ujë në fëmijëri e lëng në rini- mosha rrjedh,
sikur gjaku zë e trashet në pleqëri, gjersa ngrin,
gur duke u bërë në të dy anët e shpatullave,
i moshuari ec,
sikur kafsha e punës
me gur a me rërë në kurriz, ai ec,
anohu andej,
këndej
anohu.
 
 
 
ZEMËR
 
Forma,
ngjyra,
masa,
distanca,
dukje,
zhdukje
të trupave qiellorë,
dallimi?
Vetëm kur ty të prek, zemër.
 
 
 
VLERA E NJERIUT
 
Zero- atom i hekurit në statujën e Brukselit
dhe çdo atom tjetër,
zero- pika e shiut dhe rrethi në ujë ,
zero- pika e lotit dhe bebja në sy,
zero- përmbi qafën e mashkullit dhe të femrës
dhe i tyre përqafim, ama fort,
zero- goja pa fjalën,
zero- me trup foshnja në bark para se të lindë,
zero- plaku i kërrusur para se të vdesë,
zero të ndezura e të shuara nëpër javën me qiej,
zeron, të parët arabët e caktuan si numër.
Zero- ky rruzull tokësor,
e përmenda të fundit globin, o njerëz,
para vehtes këtë zero secili ta mbajë,
fryma e baltës të shtohet.
 
 
 
PLAGËT E DASHURISË
 
A thua
eklipsi- drezgë
e plagëve të dashurisë?
Njëherë në shumë vjet,
mbyllen.
 
 
 
PEIZAZHI NË PIKTURË
 
E bardhë drita nga shtatë ngjyrat,
e kuqja nga e hëna,
e portokallta nga e marta,
e kaltërta nga e mërkura,
e verdha nga e ejtja,
e gjelbërta nga e premtja,
bluja nga e shtuna,
manushaqja nga e djela.
Kombinim dhe përzjerje
i kolorëve mbi dhe,
i kolorëve nën dhe- ngjizja e fëmijës.
Një bark gruaje piktori në dorë
për tavoloc.
 
 
 
NATA E VETMISË
 
E përqafoj natën e vetmisë,
përnatë e rrok,
e shtydh errësisën e saj fort e më fort.
Me flokë të artë
dhe sy të zinj-
shpuza.
 
 
 
BËHU
 
Mos thuaj një, dy, tre,
“njeri- erë” bëhu,
jo “njeri-merimangë”,
vepro shpejt,
ku mund,
gjithëkund,
pluhurin në gurin e varreve fshije,
dhe mbeturinat satelitore po munde
e të tjera mbetje në kozmos,
shpirtrave ndaja dy ngjyrat e tymit,
terrin dhe dritën,
përfshije dhe një krimb nën dhe,
degët e pemës- horizont shkundi,
fruta falas për tokë sa më plot,
bëj kujdes me mëngjezin, fort kujdes,
i nusërisë, i dhëndërisë së jetës- agu,
ylli Afërdita- diamant nga Parajsa,
qielli rrethor- unazë për këtë gur,
shpirt binjak të dy,
unaza e martesës
jo në gisht.
 
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s