“Historia e natës së 1002-të” ( Roman ) – JOZEF ROT / Shqipëroi: Aristidh Ristani

“Historia e natës së 1002-të” – JOZEF ROT

(Roman)

Në pranverën e vitit 18.., Shahinshahu, monarku i madh, shenjtëria dhe lartësia e tij, sundimtari absolut dhe perandori i të gjitha shteteve të Persisë, nisi të ndiente njëfarë sëkëlldie, si kurrë ndonjëherë më parë.
As mjekët më të famshëm të perandorisë nuk e shpjegonin dot sëmundjen e tij. Shahinshahu ishte tejet i shqetësuar.
Një natë, kur s’po e zinte gjumi, dërgoi e thirri Patominin, kryeeunukun, njeri i ditur dhe njohës i botës, sado që s’ishte larguar kurrë nga oborri mbretëror. Dhe i tha kryeeunukut këto fjalë:
– Jam i sëmurë, o miku im Patomin. Kam frikë se jam shumë i sëmurë. Mjeku thotë që jam mirë me shëndet, por unë s’i besoj. Po ti, o Patomin, a i beson?
– Jo, as unë s’i besoj! – tha Patomini.
– Pra, edhe ti mendon se jam shumë i sëmurë? – e pyeti Shahu.
– Shumë i sëmurë, jo, këtë s’e besoj! – iu përgjigj Patomini. – I sëmurë, po! Patjetër që jeni i sëmurë, Madhëri! Sëmundjet janë të shumta, Madhëri. Mjekët nuk i shohin të tëra, sepse janë mësuar të dallojnë vetëm sëmundjet e organeve të trupit. Por ç’i hyn në punë njeriut një trup i shëndetshëm me organe të shëndetshme, kur shpirtin e ka të molisur?
– Nga e di ti që e kam të molisur shpirtin?
– Mund ta marr me mend.
– E pse e kam të molisur shpirtin?
– Kjo, – ia ktheu Patomini, – është diçka që më duhet ta mendoj pak.
Eunuk Patomini bëri sikur u krodh në mendime, pastaj tha:
– Madhëri, shpirti juaj i molisur ka nostalgji për vende ekzotike, për shembull, për vendet evropiane.
– Pra, një udhëtim i gjatë?
– Një udhëtim i shkurtër, Madhëri! Udhëtimet e shkurtra të japin më shumë kënaqësi sesa udhëtimet e gjata. Udhëtimet e gjata e sëmurin njeriun.
– Po ku të shkoj?
– Madhëri, – tha eunuku, – në Evropë ka gjithfarëlloj vendesh. Gjithçka varet nga fakti se ç’kërkon njeriu hollë-hollë në këto vende.
– Ç’mendon ti se duhet të kërkoj unë?
– Madhëri, – vazhdoi eunuku, – një njeri kaq mjeran si puna ime nuk e di se ç’mund të kërkojë një sundimtar i madh.
– Patomin, – i tha Shahu, – ti e di se për javë të tëra s’kam zënë më grua me dorë.
– E di, Madhëri, – ia ktheu Patomini.
– Dhe mendon se një gjë e tillë bën mirë për shëndetin, Patomin?
– Madhëri, – tha eunuku duke u drejtuar paksa nga qëndrimi i vet i përkulur, – duhet thënë se burrat si puna ime s’marrin vesh dhe aq shumë prej gjërash të tilla.
– Jeni për t’u pasur zili.
– Po, – ia ktheu eunuku dhe e drejtoi krejtësisht trupin. – Për burrat e tjerë më vjen keq me gjithë shpirt.
– Pse të vjen keq për ne, Patomin? – e pyeti Shahu.
– Për shumë arsye, – u përgjigj eunuku, – por sidomos ngaqë burrat i nënshtrohen ligjit të variacionit. Ky është ligj i rremë, sepse në të vërtetë nuk ekziston kurrfarë variacioni.
– Me këtë mos deshe vallë të thoshe se bash për hir të këtij variacioni do të më duhej të nisesha për të shkuar ndokund?
– Po, Madhëri, – tha Patomini, – që të krijosh bindjen se nuk ekziston kurrfarë variacioni.
– Dhe kjo bindje do të mjaftonte për të më shëruar?
– Jo kjo bindje, Madhëri, – i tha eunuku, – por ajo përvojë që i duhet njeriut për të arritur në një bindje të tillë.
– Si i ke fituar këto njohuri, Patomin?
– Duke qenë i tredhur, Madhëri! – ia priti eunuku dhe u përkul sërish.
Eunuku e këshilloi Shahinshahun të shkonte diku larg. Dhe i propozoi Vjenën.
Monarku u kujtua dhe tha:
– Atje kanë shkuar muhamedanë qysh shumë vjet më parë.
– Madhëri, për fat të keq, asokohe nuk arritën të hynin në qytet. Përndryshe, sot mbi kullën e katedrales së Shën Stefanit s’do të ishte kryqi, por gjysmëhëna jonë.
– Kohë të lashta, histori të lashta. Ne rrojmë në paqe me perandorin e Austrisë.
– Sigurisht, Madhëri!
– Atëherë, le të nisemi! – urdhëroi Shahu. – Njoftoni ministrat!
Dhe u bë ashtu siç pati urdhëruar ai.

(Joseph Roth: “Historia e natës së 1002-të”,
Titulli i origjinalit: “Die Geschichte von der 1002. Nacht”,
Roman, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012, 303 faqe.)

 

Shqipëroi: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s