T’I KËRKOSH ZEUSIT TË BIJËN PËR NUSE… / Fragment nga Vullnet Mato

T’I KËRKOSH ZEUSIT TË BIJËN PËR NUSE…

 

Fragment nga Vullnet Mato

Teksa isha duke lexuar tragjedinë antike të Eskilit “Prometeu i mbërthyer ” që më kishte pëlqyer aq shumë, pashë nga dera e hapur e dhomës, Klean me të ëmën që dolën atë pasdite për vizitë. Ato kapërcyen të heshtura gardhin me listela të kopshtit dhe hynë në shtëpinë përdhese të komshiut. Në mënyrë të pavetëdijshme ktheva vështrimin poshtë dhe pikasa sharrëxhiun gjigant, teksa po ngjitej për në shtëpi, me supe të përkulur përpara.
Më trokoi zemra menjëherë. Në çast e gradova trurin vendosmërisht dhe u nisa drejt dhomës së tij. Nuk e kuptova as vetë, se si i bëra ato pak metra që ndanin banesat tona. Këmbët kishin ecur pa i komanduar koka. Pothuaj, si një robot i shtyrë nga energjia e fuqishme e baterisë që ushqen lëvizjen e tij. Bateria ime me energjinë e dashurisë për vajzën e tij, kishte aq fuqi sa mund të më shpinte pa frikë edhe te tehu gjerë i sëpatës së madhe që mbante kurdoherë me vete. Mirëpo kur u afrova, befas u rrëqetha i stopuar në vend, sikur të kisha shkelur mbi një varr. Po sikur tani që ishte i zemëruar rëndë, ai të bënte vërtetë ndonjë të pabërë aq të tmerrshme? S’më kishte ndodhur ndonjëherë më parë të pësoja një tronditje si ajo që ndjeva, kur pashë se ndodhesha ballë për ballë me derën e tij. Megjithëse largësia nga njerëzit e kishte bërë kolosin e pyjeve të afërt në shoqëri, thoshin se ai kishte një damar të egër, të fshehur, që, po t’i shfaqej ndonjëherë, duhej t’i hapje rrugë se të pinte e zeza. Ndonëse kjo ndodhte rrallë, pikërisht atë rast të rrallë, kur shfaqet me gjithë egërsinë e vet një damar i tillë i mbetur prej kohëve të vjetra, pata fatin e keq ta provoja unë.
Një grimë herë e kundrova derën e tij hijerëndë me një frikë mistike, sikur ajo të ishte vetë porta e Zeusit. Dhe nuk mund të rri pa bërë edhe përngjasimin paksa hiperbolizues. Se m’u duk vetja si i biri i Prometeut të dënuar mizorisht. Përfytyrim ky që më vinte nga përjetimi i subjektit në tragjedinë e sapolexuar.
Këmbët e kishin bërë punën e tyre pa pyetur fare ç’pësonte koka… Por pasi u ndërmenda një çast, u mbusha me frymë dhe e konsiderova veten një copë frikacak ordiner, që, prapëseprapë, shkon për të kërkuar nuse. Në mënyrë të pavetëdijshme pyeta veten: A do të pranoja të vritesha, sikur Klea të ishte vërtetë bija hyjnore e Zeusit?… Po, po, pa asnjë hezitim. Vdekja nuk më tremb, kur ashtu si në tragjeditë greke fati e detyron heroin të zgjedhë vdekjen dhe asgjë s’e ndalon dot.
Atëherë me njërën dorë shtrëngova dorezën dhe me tjetrën trokita dy herë. S’prita përgjigje. Hyra brenda trimërisht, por pa frymë.
Zeusi gjigant ishte aty fare vetëm. Ndonëse aq të afërt dikur, gjendeshim tani ballë për ballë, në një situatë dramatikisht të ndryshme. Ai u ngrit përgjysmë nga kanapeja. Shajnitja e tij ishte aq e madhe, sa e bardha e syve iu zmadhua deri në masën e një zgurdullimi të pazakonshëm. Dhe vështrimi i tij i egër më goditi në zemër, sikur të ishte shigjetë indianësh nga ato me tri pupla në bisht, që kisha parë nëpër filma. Pastaj i befasuar nga kjo vizitë krejt e papritur, ai shtangu në atë pozicion, si i mbërthyer me gozhdë kovaçi. Nga stepja e tij aq e rënduar, ndjeva se m’u prenë gjunjët dhe më rrahu fort damari i qafës.
Kaluan kështu disa sekonda memece. Fytyra e tij e rreptë, si e farkëtuar prej metali, ishte ftohur krejtësisht. E vetmja gjë që mund të thuhet për këtë çast, është kjo: kishim mbetur të dy pa gojë.
Megjithatë, vështrimi i egër i tij nuk më sprapsi. Për një çast e përmblodha të gjithë guximin tim dhe iu drejtova, duke i ngrënë fjalët padashur:
– M… fal, erdha të bisedoj pak me ty…
Nuk mund ta marr me mend ç‘farë ndodhi në trurin e tij, që nuk më flaku nga dera përjashta.
– Për çfarë? – pyeti ai me ton të rëndë e po me atë pamje të egër.
– Po qe se ke pak durim të më dëgjosh… – i thashë duke m’u dridhur zëri.
– Hë, fol! – thirri me zërin si jehonë dhe drejtoi trupin e stërmadh.
Ndjeva se m’u zu fryma dhe ndërrova pozicion. Nuk di pse e bëra këtë, por padashur u kollita lehtë dhe njoma buzët.
– Nuk mund të flas, kur ti më qëndron kaq ashpër…
– Pse, si do të të rrinë ty? – ma ktheu me armiqësi të dukshme.
– Siç rri shqiptari kur i vijnë njerëz në shtëpi… – pëshpërita.
U duk se ai u ftillua për traditën. Hodhi sytë mbi një karrige aty pranë të bërë me drurin e panjës së bardhë.
– Hë, ulu! – pranoi me një zë grykor të trashë, duke i lëshuar fjalët si ato ashklat gjatë prerjes së trungut.
Ra heshtje. Ai u lëshua në kanape dhe me peshën e rëndë shkaktoi kërcitjen e dërrasave. Unë drejtova vështrimin e thyer.
– Dikur bisedonim bashkë si miq të mirë… – ia nisa me keqardhje.
– E ç’farë do të thuash ti me këtë? – ma preu shkurt.
– Nuk ka pse të krijojmë armiqësi mes nesh… – vijova, duke e ditur mirë reagimin e tij.
– Do, pa i krijon. – u përgjigj me qepallat gjysmë të mbyllura, që i dukeshin si dy plasa të vogla dhe ngjeshi nofullën fort. Kishte dëgjuar fjalët e përhapura se i vardisesha së bijës dhe ishte bërë si i tërbuar. Kontrasti midis lëvizjeve nervoze të duarve të mëdha dhe fytyrës së ftohtë, ishte aq i madh, sa më ngjalli shqetësim padashur.
– Dua të bëhemi miq më të mirë nga ç’ishim, – shtova për t’i dhënë zemër vetes. – Më prano të fejohem me Klean…
Zeusi gjigant u drodh një grimë si për ta kapërdirë mirë frazën time të fundit. Vetullat e kreshpëruara me ca qime të bardha të pabindura që i zgjateshin tej të tjerave, i ranë si gardh i rrëzuar. Sytë iu shkopsitën, sa u duk se i mbetën dy të çara kopsash mbi ballë. Pastaj kërceu vrikthi në këmbë, sikur ta kishte shpuar nënvete një gozhdë.
– Si the, more? – shkrofëtiu në kupë të qiellit me një shpërthim të papritur nervash.
Nga Nofulla e gjerë e rrasur fort, nga grushti i madh i shtrënguar dhe nga vështrimi zhbirues i syve, arrita të dalloja dëshirën e tij për të më shtypur, si të isha një harabel i mardhur nga acari. Sa s’më doli zemra nga kraharori. I hodha një sy vetes dhe u habita tepër, kur pashë se gjendesha gjithashtu në këmbë pa e ditur se si.
– Të lutem, prit pak ta marrim më shtruar, – pëshpërita nëpër dhëmbë, i mbuluar i tëri nga djersë të ftohta dhe u ula i pari.
– Mos fol broçkulla që s’janë për të folur! – gjëmoi ai me ton të lartë.
Lexova zemëratën e egër në shprehjen e fytyrës së tij dhe prapë guxova t’i buzëqeshja një xhindi, duke u përpjekur t’i flisja sa më i shkujdesur që të ishte e mundur.
– Ke qenë vetë i ri dhe më ke treguar se ke vuajtur shumë në atë kohë, pse i bën të tjerët të vuajnë sot?
– Kë bëra? – pyeti ashpër duke turfulluar.
U stepa me mëdyshje një grimë.
– Mua dhe Klean. – kuturisa e thashë gjithë siklet e me një zë të shuar, që m’u duk sikur ato dy fjalë i nxori dikush tjetër nga goja ime dhe unë vetëm sa dëgjova vetveten duke u përgjigjur.
Zeusi u përndez sërish dhe sytë e përskuqur nga zemërimi i shkreptinë.
– Vajzën time mos guxo ta zësh me gojë, se të zura e ta përdrodha zverkun si të pulës! Ajo s’ka punë me ty, dëgjove! – shfryu ashpër me vështrim kërcënues të ndezur, duke i lëshuar fjalët me gulshe të rënda sikur të çante ca dërrasa.
Kuptova se fjalët e mia për të bijën i nguleshin në trupin e stërmadh si gozhdë kovaçi të pamëshirshme. Përveç ndjenjës së tmerrit që shfaqi me fjalë, kjo u duk edhe në bebëzat e zvogëluara të syve të tij, ku dallova bindjen që kishte për atë ç’ka thoshte. Heshta pakëz sa u mbusha me frymë dhe i mblodha të gjitha forcat për të ruajtur një pamje të qetë.
– Dikush do ketë punë ta kërkojë, si të gjitha vajzat…
– Ty nuk të duhet gjë prej gjëje. Ne ia kemi gjetur të sajin…
– Çfarë, Çfarë? – belbëzova me zë të trishtë, duke m’u dridhur zemra.
– Ajo s’ka fare punë me ty, po mbylle të thashë! – ulëriu trashë si i ndërkryer.
Vura re i shqetësuar, se tashmë Zeusi mezi po më duronte. Nofulla e poshtme kishte zënë t’i përpëlitej nga nervozizmi dhe dukej se po tërbohej fare. Aq, sa edhe hija e stërmadhe e tij në mur filloi të dridhej frikshëm, sikur nga çasti në çast do të më mbulonte të tërin.
Isha ende i tronditur e i mbërthyer nga emocione të forta, kur u dëgjua pas derës e qeshura me dredhule e Kleas. Ajo hapi derën dhe hyri brenda krejt e shkujdesur. Njësoj si një rreze e fuqishme dielli, që depërton befas e bie mbi dy stalaktite të mëdha akulli në një shpellë. Tamam siç kishim mbetur atë çast të ngrirë ne burrat e zymtë, në dhomën e ndriçuar nga një llambë elektrike e dobët. Pas saj hyri e ëma, e cila për rastësi të habitshme, kishte emrin e Perëndeshës së Luftës Athina. Por ato mbetën të dyja te pragu një grimë, të stepura nga befasia. Pastaj u shtynë ngadalë për të zënë vend brenda dhomës.
Për pak sekonda zotëroi heshtja. E prishi Zeusi gjëmimtar:
– E more vesh?… – përsëriti edhe një herë duke këqyrur i çakërritur nga e shoqja. – Vajza jonë s’ka punë me ty… Shko gjej ndonjë nga sëra jote !…
Sakaq Klea me të ëmën kishin qëndruar kokulur në cep të dhomës, të dyja fytyrëzbehta dhe të nemitura.
– O Shënmëri, ç’më dëgjuan veshët!… – kërceu rrëmbimthi përmendorja e thinjur e Perëndeshës së Luftës Athina, kur dëgjoi përse kisha shkuar. – More ti, në ke ardhur për të kërkuar vajzën, shko andej nga turqit dhe gjej ndonjë ! Mos e dhëntë perëndia, turk nuk i japim Kleas ne, sikur kaq ta bësh dhëmbin! – ajo zgjati gishtin tregues.
Ndjeva menjëherë një ngashërim në zemër dhe një spazmë e zjarrtë më shtrëngoi fytin. Por atë çast pikasa një kundrim të ëmbël në fytyrën e së bijës që ma mbushi shpirtin me ngazëllim. Atëherë mendova papritmas se s’isha vetëm i përpirë nga dëshpërimi për përbuzjen që po më bëhej, por edhe i përndezur nga kureshtja, se cila mund të ishte fjala e fundit prej vetë gojës së asaj vajze, për të cilën po duroja të gjithë atë poshtërim. Nëse e gjithë kjo që kishte ndodhur aty, ishte veç përpjekja ime e njëanshme dhe Klea do të shfaqej kundra meje, atëherë duhej të rishqyrtoja të gjitha vlerat e saj, tek të cilat kisha besuar deri në ato çaste. Sepse ka një pikë fatale, ku tej saj peshorja fillon të lëshohet nga ana e kundërt. Dhe ajo pikë rrëqethëse për të gjithë ne sapo kishte arritur.
– Mirë, – thashë qetësisht, duke marrë fuqi me një frymëmarrje të thellë. – Megjithëse turq e kaurë s’ka sot, se zoti na ka bërë të gjithëve nga i njëjti brumë, po në qoftë se Klea thotë këtu, se më pranon, atëherë ju do bini dakord?…
U duk sikur atë çast u paralizua çdo gjë papritur. Për një periudhë që u duk sa përjetësia, pasoi një heshtje e plotë dhe e mistershme, ku dëgjohej edhe miza. Të gjithë sytë tanë kureshtarë u drejtuan vetvetiu nga Klea. Te buzët e saj të kyçura, te zëri i saj i ngrirë, në një pritje të ankthshme tërë nerva.
Ajo u dërrmua përnjëherësh dhe zuri të dridhej sikur të ishte mbi një mjet lëvizës që troshitej nga rruga. Fytyra iu zvogëlua, sytë iu errësuan dhe buza iu zbardh.
E dija thellësisht, se kjo ishte për të prova më e rëndë, gati e tmerrshme, po s’kisha si veproja ndryshe. Mora parasysh, se ajo nga frika edhe mund ta mohonte dashurinë tonë. Ose i ati do ta rrihte keq dhe mua do të më qante shpirti për shumë kohë. Por duhej ta kryeja patjetër urdhrin që më diktonte zemra. Ia mbërtheva e s’ia hiqja sytë, asaj fytyrës së saj magjike, që kishte marrë një shprehje aq të zbehtë vuajtjeje, duke pritur përgjigjen e saj vendimtare, me një makth të paduruar e të paprovuar ndonjëherë.
Teksa kishte pllakosur qetësia e plotë, shigjetat e mprehta të syve të Perëndeshës së Luftës, të tërhequra vrazhdët në harqet e vetullave të thinjura, ishin gatitur të lëshoheshin me flakërimë. Me nerva të tendosura nga pritja dhe ankthi, Zeusi e kishte zgjatur aq shumë qafën muskulore drejt së bijës, sa dukej se do t’i shqyhej nga trupi.
Jashtë u dëgjua fisha e kaldajës, si ndonjë hingëllimë pele e zgjatur.
– Ti e ke kuptuar, baba, që ne duhemi… – tha Klea befas tërë dinjitet, duke marrë zemër papritmas, me një zë paksa të nemitur. Por që e grisi tejpërtej atë heshtje të shtangur, sikur të ishte shkreptima tronditëse e një rrufeje tejet të fuqishme, nga ato që tundin edhe muret.
E vështrova si të ishte një fytyrë shenjtoreje dhe shfryva nga gjoksi ajrin e tejngjeshur gjer në dhimbje. Kjo shprehje kulminante, ky pohim i fortë i ndjenjave të palëkundura të Kleas, i hapi tejpërtej dyert e shpirtit tim. Dhe më bëri të ndjehem tepër krenar për dashurinë e saj të sigurt e për guximin madhështor. Në atë mjedis aq të tmerrshëm e në ato rrethana aq të tensionuara, një pohim aq i madh, aq i guximshëm dhe aq i mrekullueshëm, quhej vërtetë i merituar të bëhej vetëm prej buzëve të një vajze aq të re, që e ndjente me shpirt atë që kishte thënë. Ka gëzim, magjepsje dhe mrekullim, unë u mrekullova.
Por nga ana tjetër, nuk mund ta përshkruaj kurrë me saktësi efektin e llahtarshëm që shkaktoi ai pohim aq i madh e i papritur tek të dy prindërit. Fjalët e saj i habitën dhe i irrituan aq shumë ata, sa mamaja e tmerruar dhe e xhindosur përpoqi duart me llahtarë dhe nxitoi ta pyeste të bijën mos ishte çmendur. Kurse i ati, sapo dëgjoi fjalën e fundit, brofi në këmbë i tërbuar nga zemërimi i shfrenuar. Tiparet e tij u dukën tmerrësisht të shfytyruara, të ngrysura dhe të frikshme si prej bishe. Dy damarë të trashë i kishin kërcyer te balli e te tëmthat, aq sa iu dukën rrembat, që iu frynë e i rrihnin, si të ishin ndezur dy fitila dinamiti. Tani ai kishte marrë tamam pamjen e përfytyruar të Zeusit mitologjik të tërbuar nga zemërata.
– Do të ngordh, moj e zezë, do të marr shpirtin me duart e mia, do të lë pa frymë! – shpërtheu Zeusi rrufenë e përflakur, me sy të zgurdulluar e me një shprehje agresive të paparë ndonjëherë. Dhe duke shfryrë me atë energji gjiganti, krahu i tij i stërmadh u rrotullua me mjaft forcë në ajër për të goditur të bijën.
Por atë çast, dora e tij si panxhë ariu, rrëzoi padashur nga tavolina një nuse të vogël prej porcelani. Kukulla e bukur shkoi duke tingëlluar drejt e te këmbët e Kleas dhe atje u bë tri copash. Në mënyrë krejt të papritur e të pabesuar, ai i largoi në çast sytë e egërsuar nga e bija dhe vështroi atë të pandreqshme të vogël, me një keqardhje të habitshme, sikur ishte gati të vajtonte për të. Më shkoi ndërmend se po të ishte edhe Klea pa gojë si ajo kukull, ai nuk kishte për ta ngritur kurrë dorën kundër saj.
– Mos! – klithi perëndesha Athina një fjalë të vetme. E kapi shpejt për krahu dhe me pushtetin e saj absolut e uli, sikur të ishte një fëmijë që shkon për të thyer lodrat.
– Po e the edhe një herë atë fjalë, unë të bëra gjëmën, e do shkoj t’i them burgut, hapu!… – turfulloi hyjnia i tërbuar me gjakun në kokë dhe me vështrim të flakëruar mbi të bijën.
Duke ndjekur Klean me bisht të syrit, vura re se fytyra e saj ishte bërë tani krejt bojë hiri. Kuptohej se në kraharorin e saj të njomë ziente tani një shakullinë tejet e rëndë. Për një çast e harrova veten, faktin që qëndroja aty i ulur për të kërkuar me durim dorën e saj. Duhej patjetër që në një farë mënyre t’ia lehtësoja gjendjen e tejrënduar.
– Të kam në vend të babait, po s’ke pse nxehesh nga e vërteta!… – ia ktheva me guxim Zeusit zemërgur, duke u munduar ta zbut paksa tonin e zërit.
– Shko, ik, kërko ndonjë… Zenepe ! – gjëmoi ai me një ton të ftohtë përbuzës e zemërthyes dhe ngjeshi nofullën me potere.
Më pushtoi një ndjenjë pakënaqësie aq e hidhur, sa u hodha të dyve një vështrim keqardhës të shpejtë. Pastaj menjëherë e kapa situatën nga një këndvështrim që nuk u shkonte mendja.
– S’kam ardhur nga Turqia, – u shpreha me pezëm. – Po të mos kishte ardhur Turqia këtu, sot mund ta kisha emrin Thanas…
– More djalë, more djalë, hiqu, mor aman, gjej sërën që të takon! Hiqu pa u bërë hataja, në ke besuar perëndinë! – rënkoi plaka Athina me një zë të hollë kumbues, duke u dridhur e tëra e duke zotëruar nervat e të shoqit me goditje ritmike në krahun e tij.
Po mua tani s’më shkonte ndërmend të besoja as djallin, sepse ashtu si pikënisjen, kisha marrë parasysh edhe pikërrëzimit tim. Kur pashë, që ashtu të tronditur siç ishin nga pohimi i bijës së tyre, ata nuk dinin si të më hiqnin qafe duke frenuar njëri-tjetrin, sikur më lindi më tepër besim në vetvete.
– Feja juaj, që po e ngrini aq lart, nuk duhet t’ju bëjë njerëz pa shpirt!…- thashë me gjakftohtësi.
– Jo, or, jo, ne ia bëjmë mishtë copë kësaj çupëline, e ty s’ta japim, – shpërtheu Zeusi i pyjeve me zërin e trashë gati të ngjirur e duke u dridhur i tëri. – S’të ndrit te ne, po shko gjetkë, dëgjove?… Dhe shiko këtu, se po të pashë t’i afrohesh edhe një herë çupës, të zura të çapëlova e të bëra katërqind copa për egërsirat e pyllit, që mos të të gjendet gjëkundi nami e nishani, more vesh, mora thuaj !…
Në çast e përfytyrova veten duke u tretur i shpërndarë në stomakun e egër të ujqërve, derrave e arinjve. Dhe u tmerrova, pa mundur të shpreh rënkimin tim të brendshëm: “U bu, bu, moj nënë, që do më mbeten kockat në këto pyje të largët!”. Shkabat që hanin mëlçinë e Prometeut të lidhur, i sillnin atij një vdekje më fisnike se kjo llahtarë shkalafitëse që kishte përzgjedhur Zeusi i këtushëm për mua…
Pikasa me bishtin e syrit, se pas këtyre fjalëve të prera ashpër për ne të dy, Klea e kishte humbur krejt ekuilibrin shpirtëror. Ajo tani ishte tulatur kokulur në një cep të tryezës, mjaft e pikëlluar dhe e brengosur. Sytë e saj të trishtuar ishin fshehur krejt nën qerpikët e gjatë e të dendur. Zemra m’u tkurr e mezi po e përballoja idenë, se ç’gjëmë torturuese e priste atë pas melodramës së kësaj ngjarjeje të hidhur. Dhe ç’fund i llahtarshëm më priste mua, po të komunikoja më tej me të.
Përpjekja ime me këtë aventurë tragjikomike kishte dështuar plotësisht. Orteku i mendimeve, dëshirave dhe ëndrrave të mia, ishte përplasur në murin e trashë të kundërshtisë së tyre dhe ishte shkërmoqur tërësisht. Tashmë e kisha krejt të qartë se guximi im, për të kërkuar prej tyre të pamundurën, ishte fund e krye një marrëzi e lajthitur. Nga ky këndvështrim, edhe ata kishin të drejtë. Por kjo nuk e përligjte aspak sjelljen e tyre aq të vrazhdët, aq të egër dhe aq fyese, për vetë natyrën e një kërkese të tillë të sinqertë.
Në këtë situatë tejet të vështirë për ne të dy dhe kur tek secili prej prindërve dallohej paniku i shkëputjes së vajzës nga gjiri i tyre, ndjeva se kishte ardhur tamam çasti. Për të shpëtuar jo vetëm pohimin e Kleas nga ndëshkimi i rëndë që e priste, por edhe pasojat e mia të mëvonshme. Atëherë i udhëhequr nga një zë shpëtimtar i brendshëm rizgjodha fjalët me të cilat mund t’i qetësoja.
– Ju lutem, mos u egërsoni kaq shumë, sikur po bëhet kiameti! Unë shfaqa një dëshirë për vajzën tuaj. Pas meje, mund të vijnë edhe njëqind të tjerë ta kërkojnë. S’keni pse u hidheni për fyti, as atyre, as vajzës. Se fundja, fajin s’e ka ajo, po vetë ju që e keni bërë aq të mirë… – u orvata për ta mbyllur sa më fisnikërisht dhe vështrova nga Klea, e cila papritmas i zmadhoi në mënyrë të habitshme sytë e saj të kaltër, e të përlotur.
Pashë befas, se nga këto fjalë, në fytyrat prindërve u ravijëzua një vezullim i çuditshëm, një lloj shkëlqimi, që shprehte lehtësim dhe deri – diku shtendosje të situatës. Por në të vërtetë, fjalët që kisha thënë, shprehnin veçse tërheqjen time taktike për të përgatitur ndonjë sulm grabitqar të mëvonshëm.
Pastaj u ngrita dhe dola si i goditur në tru, pa e kthyer kokën prapa. Dhe qysh në hapat e parë kuptova se atë natë nuk do t’i shqisja lehtë nga mendja sytë e përlotur e të trishtë të Kleas. Shpirtvrerosur dhe me sy të errur nga gjaku i tensionuar, ika marrakëmbësh përmes barishteve të kërleshura, pa mundur të ecja asnjë hap së mbari në rrugën e shkelur. E ndjeja veten aq të kapitur, sa më dukej se nga çasti në çast do të rrëzohesha në mes të rrugës.
E brengosur për “tërheqjen” time, Klea më dërgoi letër të nesërmen me një arixheshkë të vogël. Më shkruante se meqë ata s’donin në asnjë mënyrë, edhe ajo u kishte premtuar se nuk po ua prishte qejfin. Por të vërtetën e thoshte në mbyllje të letrës: “ Unë o me ty, o vdes ! “
Tri fjalët e fundit i rilexova tridhjetë herë, sikur po u merrja erë me ëndje tre trëndafilave të kuq në tufëzën e fjalëve të parfumuara të saj.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s