T’i largohemi sa më shpejt udhëkryqeve të gjuhës amtare / Nga: Namik Selmani

T’i largohemi sa më shpejt udhëkryqeve të gjuhës amtare

 

Nga: Namik Selmani

Përtej 35 viteve punë në mësimdhënien e gjuhës në shkollat e mesme kam krijuar bindjen se të mësuarit e gjuhës amtare nuk është vetëm një proces teknik, por edhe me shumë vlerë atdhetare për brezin e ri. Gjuha amtare është identiteti më i spikatur i një kombi. Natyrisht kjo është e njohur edhe për ne. Ne jemi një komb që e kemi shkruar vonë atë dhe shkollimi në gjuhën amtare ka nisur relativisht me vonesë. Rrallë ndodh në botë që njerëzit e shquar të tij, madje deri edhe te më të rinjtë dhe fëmijët që mësojnë tingijt e shkronjat e para t’i kenë kënduar kaq shumë dhe kaq bukur gjuhës amtare. Jo rastësisht edhe qarqet nacionaliste fqinje e kanë patur gjuhën tonë shqipe dhe ata që e kanë shpërndarë atë në popull si një shinjestër ku do të godisnin fort, dhimbshëm duke dashur kështu të godisnin të ardhmen tonë. Simbolika e Bauleve më Shkronjat Shqipe të përzier më gjakun e mësuesit Dhaskal Todri do të na ndjekë në vite e shekuj. Në shkollën tonë gjuha amtare zë një vend të konsiderueshëm, por kujdesi për të edhe në shkolla apo edhe në mjediset publike është shumë i pakët. Presioni i guximshëm i shoqërisë civile, i prindërve, i nxënësve dhe i elitës kulturore të vendit, bëri që pas disa vitesh gjuha shqipe të vihet edhe në tekstet e programet e shkollave të mesme. Por nëse kjo punë u nis relativisht mirë, ende formimi drejtshkrimor apo dhe drejtshqiptimor i gjuhës shqipe lë shumë për të dëshiruar. Mungojnë në shkollat tona qoftë edhe në ato 9-vjeçaret librat bazë si Fjalorët e Gjuhës Shqipe, Fjalorët Drejtshkrimorë, Fjalorët e Terminologjisë Letrare, Rregullat e Drejtshkrimit, Rregullat e Pikësimit. Nga anë tjetër bashkimi i njohurive gjuhësore me njohuritë e historisë së letërsisë sikur e ka zbehur motivin e mirë të futjes së gjuhës amtare. Akoma ka mangësi edhe te drejtshkrimi i gjuhës edhe nga vetë mësuesët e shkollës duke mos u bërë para nxënësve modele të gjuhës amtare. Këto modele, për fat të keq, nxënësit nuk i shohin aspak në mjediset publike të qyteteve dhe fshatrave tona gjë që do të ishte një problem më vete për t’u diskutuar. Mesazhi është i qartë: “A jemi nolianë, konicianë, naimjanë përballë Evropës së kulturuar në përdorimin e gjuhës së folur e të shkruar shqipe?” Po të flasim me gjuhën e shifrave tëe popullsisë shqiptare që flet shqipen në Ballkan mund të themi se është e tillë. Në Kosovë gjuha flitet nga rreth 2 milion shqiptarë, në Maqedoni ka rreth 500 000 shqiptarë, në Mal të Zi ka rreth 50 000 shqiptarë dhe 70 000 të tillë në krahinat shqiptare që sot varen drejtpërdrejta nga shteti serb në Preshevë, Bujanovsk, në Metvegjë Përhapja demografike e kombësisë shqiptare në shumë vende të Ballkanit ka bërë që edhe problematika që ka njohja dhe vendi që zë shqipja në to të jetë e ndryshme. Shteti ynë duke qënë se quhet ndryshe edhe “shteti amë” në bazë të Kushtetutës së tij ka për detyrë që të kërkojë që të drejtat e bashkëkombasve tanë të respektohen sa më mirë, por edhe në bazë të reciproicitetit. Në Kosovë ka patur një rritje të vlerësimit të gjuhës amtare në të gjithë institucionet arsimore dhe kulturore. Në Maqedoni akoma edhe sot integrimi i gjuhës shqipe po kalon në problem të mprehtë politik. Duket se edhe Marrëveshja e Ohrit që e ka patur si një nga kushtet më parësore të saj nuk po e kryen mirë detyrën. Pra, nëse në Shqipëri ne ngrejmë nevojën e një përvetësimi cilësor të saj në Maqedoni, Greqi e Mal të Zi bëhet fjalë për mbijetesën e saj.
Prej kohësh unë jam pjesë e Instititiu të Integrimit të Kulturës Kombtare. Në kuadrin e objektivave shumë entuziaste që ka ky Institut, i shtrirë në të gjithë hapësirën ballkanike, por edhe në Diasporë, është parë dhe do të shihet në vazhdimësi edhe problemi i gjuhës shqipe në Greqi. Në këtë vend gjuha amtare përbën rastin më të veçantë, pse jo edhe më të dhimbshëm Problemi do të shihet në disa plane, në atë të njohjes së gjuhës shqipe në shkollat ku ka emigrantë dhe popullsisë shqiptare në kuadrin e të drejtave që ka ky komunitet që tashmë është shumë i madh në numër. Nuk duhet harruar se shteti shqiptar që nga koha e Zogut e ka respektuar të drejtën e hapjes së shkolës greke në zonat e minoritetit grek në Shqipëri, ndërkohë që në bazë të reciprocitetiti kjo nuk është bërë në Greqi. As atëherë e as sot. Është e vërtetë. Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje historike se gjuha shqipe ka qenë gjuhë zyrtare deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Si gjuhë zyrtare e këtij shteti edhe pse kërkesat diplomatike të shtetit shqiptar dhe të organoizmave botërore kanë qenë të vazhdueshme në krahinën e Çamërisë me popullsi etnike të pastër shqipe nuk u hapën shkolla shqipe për 30 vjet deri sa në fillimin e Luftës së Dytë Botërore u ndalua edhe me ligj kjo gjuhë për të vazhduar me dëbimin masiv të popullsisë myslimane drejt Shqipërisë. Në Greqi jetojnë sot tre shtresëzime shqiptarësh që i bashkon gjuha amtare. Atje jeton një komunitet i madh dhe i spikatur shqiptar si ai i arvanitësve. Jeton një komunitet çamësh ortodoksë që banojnë në veri të Greqisë. Vetë fjala e studiuesit të shquar Niko Stillo në vitin 2007 është një klithëm për të mbrojtur gjuhën shqipe në këtë vend. “Jam kutu edhe u (unë). Jemi kutu edhe na shqiptarët e krishterë të Thesprotisë, Çamërisë. Ne i kaluam të gjithë furtunat..E ruajtëm gluhën e nanës, bëmë më kriesoren, jemi gjallë nuk kemi dekur! Mos na harroni, po kujtohuni edhe për na!” (“Niko Stillo” f. 55). Nga statistikat zyrtare mendohet që të jenë rreth 100 000 banorë që flasin shqip në veri të Greqisë. Natyrisht klithma më e madhe i takon mijëra emigrantëve që kanë shkuar në këtë vend pas vitit 1990. Fëmijët që kanë lindur në atë vit sot janë 20 vjet. Numri I shqiprarëve emoigrantë sot shkon me qindra mijë vetë. Atje ende nuk ka shkollë shqipe. Tekstet e gjuhës greke janë me gabime historike kur është fjala për historinë e shqiptarëve. Në to qarqet e Vorio Epirit mbjellin shpesh propogandën antishqiptare. Për fat të keq, organet e shtetit shqiptar nuk janë treguar këmbëngulës qoftë në planin politik, në atë kulturor, të respektimit të reciprocitetit me hapjen e shkollave, me dërgimin e librave në gjuhën shqipe duke nisur që nga Abetaret. Janë të njohura përpjekjet gati idealiste të disa mësuesve shqiptarë në Greqi që kanë marrrë përsipër me disa Shoqata Emigrantësh që të bëjnë diçka për përhapjen e gjuhës shqipe. por kjo nuk mjafton.

Më 25 Nëntor 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit me përfaqësues nga të gjithë trojet amtare. Një Kongres i këtij niveli ishtë bërë më 1908 në Manastir për të vendosur alfabetin shqip. Gjuha është një element shumë jetësor i një populli që ndryshon shumë ngadalë. Nuk bëhet fjalë që të ndryshojmë parimet kryesore të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit . Duhet thënë se vendimet që mori ky Kongres ende nuk njihen nga brezat më të rinj që më tej edhe të diskutohen për to për të mos thënë edhe të kundërshtohen për të dhënë ide të reja të ndryshme nga të tij. Dihet se Kongresi e vendosi normën duke u mbështetur kryesisht mbi dialektin toskë. Kohët e fundit vihet re një lëvizje masive kulturore për të rivlerësuar dialektin gegë në tërësinë e gjuhës standarte, natyrisht për ta pasuruar edhe më shumë këtë standart me vlerat gjuhësore të këtij dialekti.. Do të ishte mirë që të kishte më shumë ballafaqime me problemin e mëvetësisë së gjuhës shqipe në trojet amtare, ka ikur kohë që të diskutojmë sot edhe pas 20 viteve për ABETARET që duhet të jenë të njëjta. Duhet shkuar tek njësimi i të gjithë teksteve të gjuhës amtare, i teksteve të letërsisë, por edhe të historisë, të gjeografisë ku shumë herë shtetet fqinjë kanë abuzuar dhe e kanë shtrembëruar historinë e kombit shqiptar. Shumë vlera kulturore dhe letrare që krijohen në trojet ku banojnë shqiptarët, janë të panjohura. Ndoshta duhet hedhur ideja që të qarkullojnë në shkollat shqipe të Shqipërisë, Kosovës, të Malit të Zi, Maqedonisë, Preshevës apo edhe në Itali dhe Greqi edhe mësues me përvojë në mësimdhënien e gjuhës amtare që të punojnë në një kohë të caktuar. Ky nuk do të ishte vetëm shkëmbim përvoje, por edhe një lloj harmonizimi i gjuhës sonë në trojet shqipfolëse. Përvoja e fituar në shkollat e larta na e jep fort mirë mundësinë e organizimit të këtij shkëmbimi. .Nëse do ta shikoja gjuhën në raport me shtetin që drejton edhe këtë proces nga ana administrative, do t’i kërkoja lexuesve që të shikonin pak më me vemendje zyrat e shtetit! A ka në to sidomos në ato që mbulojnë Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun ndonjë libër të drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe? A testohen edhe nga aftësia drejtshkrimore e sekretareve të panumërta të institucioneve të shtetit pa folur për firmat private të panumëruara? Besoj se jo. Dhe kjo është e dhimbshme dhe e pafalshme.
Së pari, duhet thënë se që nga vitet ku ai është botuar Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe më 1972, nuk është ribotuar më Mund ta gjesh këtë kopje të vetme vetëm në bordurot e tortuarëve. Me dhjetra gabime që sheh në shkresat zyrtare, tabela dyqanesh në të gjithë gjuhët e globit (vetëm jo në shqip) qoftë edhe në kryeqytet, të bëjnë të trishtohesh në mos të revoltohesh për një pafuqi për të reaguar. Ka laboratorë të gjuhëve të huaja, por asnjë nuk kujtohet që të ndërtojnë edhe kabintet më funksionalë të Gjuhës Shqipe. Ne e dimë se në Evropë ka modele shtetërore si në Francë që kanë një reagim tepër të drejtë për këtë prishje të rregullit që nuk është vetëm një lajthitje e një pronari butiku apo të një floktoreje. Jo, ne kemi braktisur vetveten në këtë “betejë” pa plumba ndaj kulturës kombëtare. Për fat të keq, edhe presioni i shoqërisë civile është ende anemik. Mungojnë protestat publike. Mungojnë vendimet që duhet të ndëshkojnë këta njerëz që me dashje e pa dashje e bëjnë një gjë të tillë. Këtë mungesë e gjejmë edhe në gazeta e sidomos në librat e botuara . rendja pas një kostoje të ulët për punën e caktuar ka bërë në shumë Shtëpi Botuese të mos paguajnë korrektorë për librat që botohen në to. Për botimin e një libri ku ka me mijëra gabime drejtshkrimore, që më tej futen edhe në dyert e bibliotekës kombëtare si (anti)vlerë mjafton që të ketë një disk me fjlalët e librit. Asnjë nuk mban përgjegjësi e asnjë nuk ndëshkohet për këtë faj. Kemi një Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit, por jo të lexuesit ( lexo: të konsumatorit) që kërkon korrektesë në librin që blen apo lexon. Mbase edhe ngritja e një Policie Gjuhësore të përkohshme me specialistë të fushës do të ishte një lloj pengese për këtë shtrembërim që i bëhet asaj.. Në jo pak raste e sheh këtë varfëri rregullash kaq të domosdoshëm për t’u realizuar në praktikë nga ata që janë edhe ligjvënës. Kur dëgjon diskutimet e deputetëve tanë, sheh shumë herë edhe mjerimin ku ka rënë gjuha shqipe. Nuk besoj se do të ishte një gjë e tepërt, por fare mirë që ata të bënin edhe një kurs të Drejtshkrimit, sepse ata e shmangin kaq shumë gjuhën sa e ke të vështirë që të besosh se ata janë “pushtuesit” e foltoreve.. Do të ishte mirë që të kujtonim mençurinë e Faik Konicës që shkruan: “Gjuha është shumë e gjallë dhe e hollë aq sa po i shtrembërove pakëz një nyjë apo një dell, trupi i tërë tronditet , vuan dhe humb forcën bashkë me bukurinë.”
***
Përtej mësimdhënies së përditshme të lëndës së gjuhës shqipe përvojën time e kam pasqyruar edhe në disa libra të tematike së rrënjosjes së kulturës gjuhësore pa folur për dhjetra e dhjetra shkrime në shtypin pedagogjik shqiptar dhe në atë botëror. Këto shkrime dhe libra shërbejnë edhe për të shtuar kulturën letrare të një mase të madhe njerëzish, qofshin këto edhe me një diplomë në xhep por që nuk kanë formimin e tyre gjuhësor. Brenda tyre kam hartuar edhe një fjalor të fjalëve të huaja që duhet të ndërrohen me fjalë të shqipes sonë Të tillë, mund të përmend librin “Arkivi i Fjalës“ dhe “ Filizët e fjalës gjimnaziste”. Me këtë rast do të thoja që mësuesët e shkollave të mesme duhet që të bëjnë sa më shumë libra të përdorimit masiv për nxënësit e kësaj kategorie shkolle. Të shkruhen e të botohen përpjekjet që ka bërë ai dhe shkolla për rrënjosjen e normës së gjuhës amtare. Do të ishte mirë që të botoheshin edhe libra xhepi në formën e fjalorëve ku të vihen fjalët e huaja që duhet të përshtaten në gjuhën shqipe. Mungojnë në shkolla këndet e Gjuhës shqipe. Mungojnë punët më të mira me shkrim të nxënësve që mund të ishin shembull për ata që vinin te ajo shkollë.Mungojnë konkurset e Shkrimit më të bukur në shkollë, të detyrave më të mira nga ana drejtshkrimore, pa harruar edhe takime me mësues veteranë të gjuhës shqipe që do ta bënte edhe më qartë detyrimin që ka e duhet të ketë nxënësi për të.Janë harruar ekspeditat e Fjaës së Rrallë Shqipe që mund të zëvendësojnë fare mirë fjalët e huaja. Nuk është utopi që të themi se edhe prindërit duhet të marrin në dorë sa më mirë këtë problem. Është një fakt pozitiv që niveli kulturor i tyre ka ardhur në rritje dhe kjo e lehtëson në planin teknik, por duhet që të ketë një qëllim të mirë dhe të motivuar..
Indiferentizmi që ka sot shteti për të ndjekur të drejtat e bashkëkombasve shqiptarë në vendet ku ata kanë shkuar si emigrantë të kohëve të fundit, por edhe të atyre që kanë shkuar atje shumë më herët, ka bërë që për disa vite më pas fëmijët shqiptarë në botë të kenë nevojë për përkthyes. I ashtuquajturi globalizëm ka goditur së pari gjuhën. Edhe pse jemi në një kohë të së ashtuquajtur moderne apo edhe demokratike, shkollat shqipe janë të pakta. Kam patur rastin që të bëj një vizitë në Amerikë në Njy Jork e në Boston. Në Boston mësimdhënia e gjuhës shqipe bëhej në një nga mjediset e kishës ku kishte shërbyer dikur Imzot Fan Noli. Në Njy Jork ishte hapur një shkollë shqipe në fundjavë që kishte suksese, por që ishte ende pak. Drejtuesve të shkollës Qemal e Këze Zylos iu duhej që të merrnin vetë në çdo fillimviti shkollor librat në avion për nxënësit në një kohë që shteti me mekanizmat e tij mund dhe duhet që t’ua dërgonte atje ku ato duheshin. Ministria e Jashtme me Drejtorinë e Diasporës , ajo e Arsimit dhe e Shkencës duhet të kenë në çdo kohë kontaktet me të gjithë shqiptarët që kërkojnë të përtërijnë në mënyra të ndryshme gjuhën e kombit të tyre dhe natyrisht t’i ndihmojnë sa më shumë. Besoj se motoja më e mirë që mund ta udhëheqë këtë detyrë sa zyrtare, atdhetare, po edhe fisnike që ushqen identitetin shqiptar në një shoqëri të hapur dhe globaliste mund të ishte thënia e një dijetari të shquar gjerman: “Më jepni një gjuhë të bukur, t’ju jap një komb me qytetari të mbaruar!”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s