Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

KURSE SHIU IDHNAK TROKET

Nëse i lëndojmë degët e lëmekura
Rrënjët i zhveshin këmishët
Vrapojnë të pakontrolluar rrugëve
Nëpër çatitë e dyshimta
Ngjajnë me somnambulët

Po ashtu edhe njerëzit
Nuk i ngjajnë më njëri – tjetrit
Nëpër sokakët e kalldrëmta
S’pushojnë piskamat e pragjeve
S’pushojnë as ulërimat e shthurura

Era kontrollon frymëmarrjen e kallamishteve
Nëpër oborret e braktisura
I dëgjojmë thirrmat e mullarëve
I dëgjojmë edhe zërat e nëntokës
Ata zëra të shurdhëta të ndërgjegjes

Kurse shiu idhnak troket
Troket si i çmendur nëpër raftet e librave
Të çarat e mureve zgjohen nga kllapia
Zgjohen dhe këndojnë baladat
E një kohe të përmbytjeve.

 

ASKUSH NUK PATI KOHË

Më befason kjo dritë e zverdhur
Lulet nuk po çelin sivjet
Ana e errët e diellit
Po i përngjan mjellmës së sëmurë
Dhe po duket si një mashtrim pamor

Sa bëmë rrugë të gjatë
Derisa mbërrimë afër kujtesës
Hëna qëndronte e zhveshur
Në majat e kallinjve
Digjeshin kallamishtet
Digjej edhe zymtësia e një dite të lodhur

Askush nuk pat kohë për të humbur
Secili njeri doli nga lëkura e vet
Një hardhucë lëkurë zhubravitur
Lëpinte pikëllimin e gurit
Lëpinte etjen e murrme

Te varret e qytetit
Era i ledhatonte përmendoret e mermerta
Një kambanë e vjetër
Dhe e ndryshkur
Me mija vjet
S’pushon së buzëqeshuri me zërin e lotit.

 

MBI NJË KEP TË VETMUAR

Atë ditë pata një kokë dhembje
Në retinën e syrit të majtë
Çuditërisht
E përjetoja përmbytjen e dritës

Asnjë anije e humbur mbrëmë
Nuk u kthye në mol
Një kohë të gjatë fanari i vjetër
Bisedoi me gratë e peshkatarëve

Binte edhe një shi me sqotë
Në shpirtin e dallgëve zgjohej
Si makthi
Zëri i përmbytur i këndesit
Zgjohej trishtimi mëngjesit të plagosur

Shumë kohë para agullimës
U larguan anijet
Në shpirtin e një guacë të verbër
Këndonte deti i kujtimeve

Po ikin edhe anijet e fundit të shpresës
Mbi një kep të vetmuar
Bunaca si një foshnje e braktisur
Qante fatet e përmbytura të marinarëve.

 

KËSHTU KUR ISHTE DIMRI I ZI

Tani nga kjo perspektivë
E zogut të verbër
Shikoj lashtësinë e këtyre muranave
Shoh se si përdridhen hijet konvekse
Përdridhen mbi syprinën e lotit të turbullt

Një këndes që kurrë nuk e ndal këngën
I njeh o sa mirë i njeh
Trarët e çatisë
Të cilët akoma i thajnë
Këmishët e dhembjes së heshtur
Dhe bisedojnë me lejlekët e verdhë

Netët këtu në këtë fshat të humbur
I ngjanin netëve të Bartolomeut
Për çdo natë
Vjen sterra e padukshme dhe leh nën çati
Ku më vonë zhduket një njeri i fisëm

Kështu kur ishte këtu dimri i zi
I vitit 1956
Ungjin tim e përpiu nata e sertë
Dhe kurrë më nuk e pamë
As nuk e dëgjuam qeshjen e tij gurgulluese.

 

BISEDONIN PLEQTË E KËRRUSUR

Shtëpia ime dhe ëndrrat e mia
Ishin të gjalla dikur këtu
Njëra qëndronte krenare si rrapet
Kurse të tjerat
Ndryshonin përherë me ardhjen e shirave

Mes këtyre murishtave të rrënuara
Rritej një bar i gjelbër
I cili ngjante
Me koralet e fëmijërisë

Pakëz më tutje
Mbi një mullar të kalbur sane
Për çdo menatë
Na zgjonte nga ëndrrat tona
Zëri i trishtueshëm i skamjes

Ju thashë edhe më parë
Se dikur isha unë këtu me ëndrrat e mia
Dhe shtëpia ime ku në pragun e saj
Bisedonin pleqtë e kërrusur
Dhe i shkundnin mollët
Në kopshtin e një pritjeje të madhe.

 

KËPUCËT

Pa u ndalur në asnjë çezme
Ecin kalldrëmeve tërmal
Prej shuplakave të gjetheve
Pinë ujë të kristaltë
Këpucët e mia të shqyera
Dashurohen nga dy herë në ditë

Dikur vonë pasi të ulen gjethet
Në përparësen e ditës
Zbresin të pushojnë në mjerimin e pluhurit
Dhe ia nisin këngës blu
Nuk flenë
Derisa i zë gjumi meteorët

Të nesërmen zgjohen para këndesit
Dhe nëpër faltoret e qytetit
Diku marrin avdes
E diku
I bien kambanave të ndryshkura

Sa herë që bie shi në këtë qytet
Me ëndrra të trishtë
Pas këpucëve të arnuara
Fare pa nguruar
Vrapojnë arkivolet e kalbura.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s