PUTHJA E RRËMBYER NË PLAZH  / Tregim nga Vita Blloshmi

PUTHJA E RRËMBYER NË PLAZH
 
Tregim nga Vita Blloshmi
 
-Doktoreshë, është edhe një grua jashtë që po pret , -më tha Lili, infermieria, tek po hapte derën.
-Po lëre të hyjë,- i them unë, pa e ngritur kokën nga një bllok recetash.
Në derë u shfaq një grua goxha në moshë, por pleqëria nuk kishte arritur të fshihte gjurmët e bukurisë.
-Mirëdita moj bijë!
-Mirëdita nënë, urdhëro çfarë ke?
-Po ja, moj bijë,- vazhdon ajo,- kam disa ditë që një dhimbje e vazhdueshme më shtrëngon në gjoks. Mbase do jem ftohur ndonjë çikë.
-Ja, mos u mërzit, tani do të shikojmë,- i thashë, duke marrë stetoskopin për ta vizituar.
-Nuk doja të vija, por Aleksi, im bir ,që punon këtu në llogarinë e spitalit, është ai që u shpërndan rrogat,- vazhdonte nëna ,-shko që shko se doktoreshë Alma është e mirë, më thoshte.
-Faleminderit,- u përgjigja unë, duke mos u kujtuar kush ishte Aleksi.
-Nëna, duhet të bëjmë një kontroll më të detajuar për atë dhimbjen në gjoks,- i them duke mbushur një recetë. -Mos u mërzit, çdo gjë do të shkojë mirë,- i buzëqesha përsëri. Ajo mori recetën dhe u largua duke më uruar.
-Doktoreshë, është koha për të ikur,- dëgjoj Lilin, – sot është ditë rrogash, do kalojmë andej nga llogaria?
Në moment m’u kujtuan e moshuara dhe i biri që punoka atje …
-Po,- i thashë,- kalojmë.
Atë ditë isha pak e shqetësuar. Nuk kisha ndonjë motiv të veçantë, por isha pak ndryshe nga ditët e tjera e as vetë nuk e kuptoja përse …
Ndërsa kalonim koridorin e spitalit, përshëndetëm kolegë e sanitare. Ishim një kolektiv modest në atë qytet të bukur bregdetar, ku thuajse njiheshim të gjithë me njëri-tjetrin.
-Shpresoj të jetë akoma Aleksi,-tha Lili teksa trokiti në derë. Nga brenda derës u dëgjuar një hyrë dhe ne u gjendëm në një zyrë të thjeshtë. Mbi tavolinë ishin fotot e dy vajzave, njëra rreth të 15-ave dhe tjetra rreth 7 -8 vjeçe . Disa shkresa të hedhura njëra mbi tjetrën pak rrëmujshëm. Nga dritarja disa rreze dielli binin mbi fotot e vajzave, të cilat unë vazhdoja t’i vështroja.
-Vajzat e mia,- buzëqeshi Aleksi, sikur të kuptonte atë që unë po mendoja me veten . Ai ngriti kokën dhe fytyra e tij e qeshur u ndrit më shumë dhe sytë po i shkëlqenin.
-T’i kesh me jetë,- i thashë unë,- shumë të bukura.
-Mamaja ime erdhi sot?- më pyeti ai, duke më zgjatur borderonë për të firmosur për rrogën.
-Ahh! Ajo zonja e bukur ishte mamaja juaj?- i thashë duke bërë sikur nuk kujtoja …-Po erdhi dhe duhet të bëjë disa ekzaminime,ju lutem mos e nënvleftësoni.
-Diçka serioze?- pyeti gjithë- merak Aleksi.
-Nuk mund të them asgjë pa parë analizat,-i thashë.
Mora në dorë zarfin me rrogën dhe, duke e falënderuar, u larguam.
-Sa djalë i mirë,- tha Lili ndërsa po dilnim nga dera e spitalit .
Unë isha e re në atë spital, sapo kisha mbaruar shkollën dhe isha emëruar aty. Më pëlqente puna ime dhe pacientet po bëheshin për mua si njerëzit e mi të dashur. I vizitoja me kujdes e përkushtim dhe herë-herë më dukej sikur i vuaja edhe unë shqetësimet e problemet e tyre shëndetësore. Isha nga natyra e ndjeshme dhe kam përshtypjen se kjo është një cilësi e mirë në profesionin tim. E bën mjekun më njerëzor dhe më të kujdesshëm e të përkushtuar ndaj pacientëve.
-Alma, do vish nga unë?- më tha Lili,-mbrëmë kam bërë një lakror me qepka, nga ata me dy petë, e kam qarë,- qeshi ajo …
-Faleminderit Lili, por më duhet të mbaj ca linjat, ndryshe mbeta pa martuar,- qesha unë tek e përshëndesja.- Shihemi nesër, e dashur.
Tek po kthehesha në shtëpi, nuk e kuptoj pse mendja më shkoi tek Aleksi. Me aq sa e vështrova gjatë marrjes së rrogës, pashë që ishte djalë i shëndetshëm, me një trup nga të atyre që praktikojnë sport, kishte sy të bukur e gjithë jetë. Për një copë rrugë më mbeti në mendje…-Ehhh, të mirët janë gjithmonë të zënë, – i thashë vetes duke u munduar ta largoja nga mendja dhe nisa të kërkoja çelësat e shtëpisë në çantë.
Kishin kaluar disa ditë dhe unë e kisha harruar që kisha njohur Aleksin, kur në derën e dhomës sime të vizitave u shfaq ai sëbashku me të ëmën.
-Mirdita doktoreshë Alma!,- përshëndeti ajo ëmbëlsisht e me përzemërsi.
-Mirdita,- ju përgjigja unë, duke buzëqeshur instinktivisht.
-Ja ku i kemi analizat që ju më keni kërkuar,- tha ajo, ndërsa nxirrte nga çanta përgjigjet e analizave.
Mbas kurrizit të saj Aleksi rrinte i heshtur, veç sa më kishte përshëndetur lehtë me kokë, dukej që kishte një ankth lidhur me rezultatin e analizave të mamasë së tij. Ndiqte me vëmendje shprehjen e fytyrës sime ndërsa shikoja fletët.
-Hë, çfarë thonë?- nuk iu durua atij.
Unë i vështrova me vëmendje dhe e përqëndruar deri në fund, pastaj i ngrita sytë dhe ju përgjigja: -Asgjë që ne nuk mund ta kurojmë…Pasi i fola për rëndësinë dhe kujdesin për sëmundjen e saj, i mbusha një recete me ilaçe dhe ia zgjata pacientes. Ajo më puthi duke më thënë “lum kush do të të ketë fat ty, moj gojëëmbël” . Aleksi, që tani dukej qartë në fytyrë që ishte më i qetë, duke më shtrënguar dorën, më tha:-të kam borxh një kafe. Unë qesha, duke e falënderuar dhe i thashë se kisha bërë thjesht punën time…
Ditët kalonin njëra pas tjetrës, të ngarkuara me punën e zakonshme e të përditshme, pa patur ndonjë gjë të veçantë për të shënuar. Si pa kuptuar kishte ardhur vjeshta, por kishte edhe ditë të nxehta që të kujtonin fundin e verës. Pikërisht në ndonjë nga ato ditë, pak përpara përfundimit të punës, tek dera e dhomës u shfaq Aleksi dhe, pasi më përshëndeti, më tha:- Nuk e kam harruar atë kafenë, por është gjynah që në këtë të ngrohtë të mos shkojmë të pimë diçka të ftohtë. Si thua?
Unë u zura ngushtë dhe nuk po dija çfarë të thoja. Ai me sa duket e kapi hutimin tim dhe me një shkathtësi që nuk e prisja më tha:- Të pres te porta pasi të mbarosh punën…
U gjendëm të dy në breg të detit .Plazhi ishte i qetë. Bënte ende ngrohtë në atë fund tetori dhe tek tuk shikoje ndonjë çift klandestin që donte t’u largohej syve kureshtrarë të qytetit … Deti ishte i qetë dhe kaltërsia e tij të ftonte të hidheshe vrik dhe të bëheshe një me të. Unë e dua shumë detin, pasi aty gjej veten, sidomos në ditë të tilla. Po të mos isha në shoqërinë e një burri që nuk e njihja dhe aq mirë, nuk do kisha rezistuar dhe do isha kredhur në ujë. Por prania e Aleksit më bënte të frenohesha. Ai po më dukej më i çpenguar, qeshte e bisedonte lirshëm. Kapërcyem një pellg me ujë dhe u gjendëm përpara një dune të vogël rëre. – Mbase dikush e ka përdorur për jastëk mbrëmjen e kaluar,- tha duke qeshur Aleksi … Po ecnim ngadalë në kërkim të ndonjë lokali. -Si thua ulemi këtu? – tha ai, duke bërë me kokë nga një lokal aty afër, pas tentativave të dështuara për të gjetur një vend të rehatshëm. Unë pohova me kokë dhe të dy u drejtuam për në lokal. Një mesogrua, që ishte pronare e lokalit siç dukej, mërmëriti një “mirdita” nëpër dhëmbë sikur t’i kishim prishur rehatin. U ulëm në një qoshe, për të qenë më të qetë dhe porositëm nga një birrë….
Vura re se Aleksit disa bulza djerse i ishin mbledhur mbi ballë. -Bën nxehtë sot,- u shfajësua ai sikur ta kishte kuptuar që unë e dija që ato bulëza djerse s’kishin lidhje me të nxehtin. Isha ulur përballë atij edhe ndieja që duart më dridheshin. Përpiqesha të buzëqeshja dhe mundohesha të mos ndeshja vështrimin me atë. As vetë nuk po e kuptoja atë kontraktim timin. Jam vajzë e shoqërueshme, kam dalë edhe herë të tjera me djem a me kolegë për një kafe a një pije freskuese, por ja që prania e Aleksit po më bënte këtë lloj efekti.
-Gëzuar, Alma, të falënderoj për kujdesin ndaj mamasë time dhe të uroj veç suksese në karrierën tënde,- e prishi heshtjen ai duke ngritur gotën e birrës. E ngrita edhe unë dhe e takova me të tijën. Sytë e mi u ndalën në të tijtë. Ata ishin bërë edhe më të bukur nga ç’më ishin dukur ditën e parë kur morëm rrogat. Me sa duket deti u jepte një shkëlqim tjetër e disi të veçantë. A mbase nuk ishte efekti i detit, më pëlqeu të mendoja për një çast…
Përballë pronarja e lokalit nuk po na i ndante sytë. Më jepte bezdi një gjë e tillë. Gjithmonë i kam konsideruar banale e mungesë qytetarie kureshtjet e tilla të tepruara të njerëzve e sidomos të femrave, që duket sikur duan të hetojnë se çfarë i lidh dy persona të ulur normalisht në një lokal. Në qytetet e vogla kjo është edhe më e dukshme, pasi thuajse të gjithë dinë gjithçka për lidhjet familjare e farefisnore dhe plot gjëra nga jeta e njëri-tjetrit. Mbase ajo grua e kishte shumë boshe jetën e saj e mundohej ta mbushte duke u marrë me jetën e të tjerëve. Pashë që edhe Aleksit po i jepte bezdi kjo gjë. E pimë birrën thuajse në heshtje, Aleksi vajti e pagoi dhe dolëm nga lokali. Na u duk sikur një fllad i freskët na e hoqi atë sikletin e lokalit. Një makinë policie kaloi aty pranë mbase për të kontrolluar, siç bëjnë rëndom dhe tutje disa te rinj loznin në rërë.. . Filluam të ecnim krah njëri – tjetrit të heshtur. Dëgjoheshin vetëm përplasja e lehtë e valëve në breg dhe larg zërat e të rinjve që po loznin.
Vura re që ishim larguar goxha nga zona e zakonshme e plazhit dhe po ecnim mbi rërë fare afër valëzave që gati na çiknin këmbët. Kjo zgjoi vajzën çapkëne në unë, hoqa shpejt sandalet dhe fillova të vrapoja nëpër pjesën ku vala shtrihet si tantellë e bardhë mbi rërën. Dy pulëbardha u ngritën në ajër dhe dukej sikur po më ndiqnin me fluturimin e tyre. Aleksi kishte mbetur i hutuar duke më parë, ndërsa unë largohesha me sandale në dorë. Pastaj, edhe ai i hoqi këpucët dhe filloi të rendte për të më arritur. Stërkalat e ujit ngriheshin si të trembura dhe i lagnin pantallonat. Unë fillova të rend edhe më shumë, si për ta sfiduar. Por ai e kishte hapin më të gjatë e vëreja që distanca mes nesh po shkurtohej. Pikërisht ne momentin kur ai do më arrinte, u pengova në diçka dhe rashë përmbys. Ndjeva freskinë e ujit dhe të rërës së lagur në fillim në gjunjët, pastaj më lart, në mesi, në gjinjtë, në fytyrë. Një ndjenjë mirëqenie më pushtoi, duke e flakur tej ndjenjën e turpit për shkakun që isha rrëzuar ashtu në sy të tij dhe fustani im ishte lagur thuajse i tëri, duke u bërë transparent. Në këtë gjendje pak fshihte nga trupi im…Nuk bëra asnjë përpjekje të ngrihesha. Ndihesha mirë në atë freski të valëve.
Aleksi në fillim u ndal i trembur. Kur pa që nuk po ngrihesha u shqetësua edhe më shumë. Më zuri nga supet e më ktheu fytyrën nga vetja. Faqet e mia të skuqura kishin shenjat e rërës dhe të tantellës së dallgëve. Pashë përsëri sytë e tij. Ishin bërë edhe më të bukur në praninë e detit por edhe të atij shqetësimi se mos unë isha vrarë…-Nuk kam asgjë,-i thashë, – veç jam bërë qull nga valët dhe buzëqesha me shqetësimin e tij.
Ai më zuri nga mesi. Dy duar të fuqishme burri e mbërthyen fort belin tim dhe më ngritën në këmbë. Tashmë fytyrat tona ishin fare pranë. Sytë e tij kishin njëfarë hutimi e dukej sikur vështronin përtej meje, sidoqë ishin ngulur thellë në të mitë.
– Alma,-mërmëriti ai emrin tim, Alma…
Po prisja se çfarë do më thoshte. Por ai u bë i heshtur e i menduar. Befas ma zuri kokën me duar dhe më puthi pa më lënë asnjë mundësi të reagoja. U shkëput një çast, duke ma mbajtur kokën gjithnjë mes duarve, më pa thellë në sy e më puthi sërish me vrull pa më lënë kohë as të merrja frymë. Ishte një puthje e gjatë, pasionale, shija e së cilës përziehej me shijen e kripës që ishte mbi buzët e mia.
Mbeta e shtangur nga veprimi i tij. Nuk dija asgjë më shumë për atë përveçse punonte te ne dhe kishte dy vajza …
-Po ti je i martuar… Ishte fraza e vetme dhe më budallaqe që më erdhi në mendje të shqiptoja…
-Shëëët,- tha ai duke vënë gishtin mbi buzët e mia e duke ma shtuar edhe më shumë hutimin. E midis atij hutimi i zhyti sërish buzët e tij mbi të miat, më pushtoi me krahët e tij të fuqishëm për beli dhe më tërhoqi drejt vetes. Nuk gjeta dot forcë ta kundërshtoja. Fillova t’i përgjigjem fillimisht e ndrojtur puthjes së tij e pastaj ia hodha krahët në qafë, duke e puthur me afsh, Valë të nxehta përshkonin trupin tim, duke ua zënë bendin atyre valëve të freskëta që pak më parë më kishin bërë qull. Ashtu të lagur të dy vazhduam të putheshim nën diellin vjeshtor, buzë detit pa njerëz, nën vështrimin e pulëbardhave që luanin të lira mbi kokat tona…
 
***
Me pretekstin e kujdesit për shëndetin e nënës ai vazhdonte të vinte më shpesh te dhoma ime e vizitave e unë nuk po reagoja me ftohtësi si ditët e para pas puthjes në plazh. Më pëlqente prania e tij. Këtë e kishte vënë re edhe Lili, e cila një ditë ma hodhi batutën: -Si shumë ka filluar ta frekuentojë studion tonë ky shpërndarësi i rrogave. Mos vuan gjë nga zemra, apo ka marrë vesh ndonjë lajm të mirë që do na ngrenë rrogat?…Unë qesha me gjithë zemër nga fjalët e saj e ajo nuk pati nevojë për tjetër përgjigje.
Një ditë Aleksi më kërkoi të dilnim bashkë për darkë. Nuk kundërshtova. E kisha të këndshme praninë e tij, por edhe doja të mësoja diçka më shumë rreth tij, ta njihja më mirë cubin që ma kishte rrëmbyer puthjen atje në plazhin e boshatisur.
Shkuam në një lokal të qetë jashtë qytetit. Isha veshur hijshëm me një fustan ngjyrë mjalti që më rrinte pak mbi gju dhe një xhaketë të zezë. Aleksi ishte veshur sportiv, por bukur, me një palë pantallona xhins dhe një këmishë me kuadrate, që i jepte hijen e një djali të ri. Në supe kishte hedhur një triko ngjyrë gri, që e bënte edhe më tërheqës.
Kisha filluar të ndieja për Aleksin. Më mungonte kur nuk e shikoja apo dëgjoja e për këtë i kisha folur edhe mamasë time. Reagimi i saj më kishte stepur e ftohur pak, por në të njëjtën kohë fjalët që më tha më rrinin si çekan në kokë: Po pse moj korbë, pak djem të ri ka bota, por duhet të duash një të martuar e me fëmijë? Po e di ti moj që do të jesh gjithmonë në plan të dytë? Ai gjithmonë do të jetë për vajzat dhe ato sigurisht do të mbajnë anën e sëmës… Kishte momente që edhe unë mendoja njësoj si mami, por sapo shikoja Aleksin harroja gjithçka.
Porositëm për të ngrënë. Mbrëmja ishte e bukur, ndonëse fund nëntori dhe preferuam të rrinim në tarracë…-Po për të pirë_- pyeti kamerieri, një djalë simpatik me sy jeshilë dhe me çufon e flokëve që i binte mbi ballë…-Verë,- thamë të dy me një gojë …Pasi solli verën që ne kishim porositur, një verë të kuqe toskane, Aleksi me një delikatesë prej kavalieri, mbushi gotat dhe, duke më shikuar në sy, trokiti goten time duke thënë: “Për ne, për këtë moment të bukur”! Buzëqesha dhe duke e vështruar thellë në sy e trokita gotën time me të tijën. Vërtet kisha ndiesinë që po jetoja një moment të bukur dhe se ajo mbrëmje do të ishte e veçantë…
Aleksi dukej se e kishte kapur atë ndjenjë të lehtë trishtimi e pasigurie që më kapte herë pas here dhe nisi vetë të më flasë. Më tregoi se vajzat kishin shkuar nga e ëma për disa ditë, se ata kishte mbi tre vjet që ishin ndarë dhe jetonte secili në hesap të tij. Vajzat mbanin marrëdhënie të mira me të dy dhe kalonin kohën herë nga mami e herë nga babi, çka nuk krijonte asnjë kontradiktë midis dy prindërve. Kjo bisedë e tij ma lehtësoi shumë barrën që kisha marrë mbi vete e ma bëri mbrëmjen më të bukur. Isha më e çpenguar, madje në një moment iu afrova duke i thënë: Ma ke borxh një puthje, se timen ma rrëmbeve. Dhe e putha gjatë, gjatë, aty në tarracën e mbuluar nga një pjergull që nuk i kishte humbur ende të gjitha gjethet e përmes të cilave një hënë e bukur e bënte mbrëmjen të argjendtë.Darka vazhdoi me batutat e bukura të Aleksit, me të cilat unë qeshja me gjithë shpirt, madje në një moment mora edhe guximin të imitoja mamanë kur më thonte që nuk duhej të shoqërohesha më me Aleksin. Pa e kuptuar e kishim rrëkëllitur shishen e verës.
-Si thua, çohemi? i thashe Aleksit
-Ok tha ai dhe vajti e pagoi llogarinë.
Makina mori rrugën që gjarpëronte kodrinave derisa hymë në qytet. Mbrëmja ishte aq e bukur e ato rrugë që i kisha bërë aq herë, sonte po më dukeshin edhe më të bukura. Edhe rrugët e qytetit, edhe dritat e tij, edhe njerëzit …
 
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s