Arti i harruar i Musine Kokalarit ( pjesa I) / Studim nga Xheni Shehaj

Arti i harruar i Musine Kokalarit

(pjesa I )

Arti i të shkruarit i përmbahet pikë për pikë misionit të tij: mos harresës. Ai sjell në orën e caktuar, nga humbëtirat e kohës, nga skajet më të largëta e të errëta, mesazhet, shkrimet, kumtet, e atyre që heshtën me zë por jo me penë. E tillë ishte dhe Musineja, emri i së cilës është ndër më të lakuarit por fatkeqësisht jo në sferën letrare por në atë politike. E cilësuar si shkrimtarja e parë shqiptare femër, Musineja do të linte një testament letrar jo të pakët: tregime, skica, vargje të lira, ditar, mbledhje përrallash, hulumtime, etj. Ky do të jetë dhe synimi ynë në këtë studim, analizimi i krijimtarisë së Musine Kokalarit, një vështrim panoramik, një vështrim i përgjithshëm në krijimtarinë e saj.

 

 

Studim nga Xheni Shehaj

 

“Siç më thotë nënua plakë” – 1939

Vepra përmban dhjetë  tregime në të cilat preken tema të ndryshme. Tematikat janë të mbledhura në një rreth të ngushtë, ngjarje nga jeta e përditshme e grave, thashethemnajat e tyre, jeta shtëpiake, doket e zakonet. Të krijohet përshtypja sikur të gjitha ngjarjet zhvillohen në një lagje të qytetit dhe i jepen lexuesit në formë kronike. Një stil i pazakontë ky në letërsinë shqipe. Veçantia e tregimeve qëndron në dialektin dhe frazeologjizmat e përdorura si dhe në mënyrën e të rrëfyerit.

– Dialekti, frazeologjizmat.

“Për titujt e tregimeve Musineja ka perferuar frazeologjizmat e së folmes së Shqipërisë së jugut. Autorja ka si mision ngulitjen në kujtesën e lexuesit, përveç mesazhit dhe evolucionin e gjuhës në shtresën përjetuese, duke nënkuptuar etnicitetin. Titujt e tregimeve: “Burri shoku i qenit”, “Paç fatin e të ligave”, “Udhën e mbarë pastë”, “Kulloi odaja”, etj.”[1]

E folura e zonës jugore është prezente në të gjithë veprën e Musinesë. E vënë në gjuhën e plakave gjirokastrite ajo tingëllon ëmbël kur uron dhe ashpër kur mallkon e nëm. Shprehje të urta, këngë të folklorit gjejnë vend e shtrohen qetësisht në tregimet e autores. Nuk ka tregim të mos ketë ndonjë togfjalësh a shprehje të njohur popullore. Po përmendim disa të tilla: “Për mustaqet e Çelos”, “burri shoku i qenit”, “paç fatin e së ligave”, “u mbush qelqi e u derth”, etj.

Në disa nga tregimet nuk mungojnë dhe këngë popullore për kurbetin e vdekjen. Në tregimin “Udhën e mbarë pastë” trajtohet tema e kurbetit, djali i shtëpisë do marrë udhën e largët të mërgimit. Gratë e lagjes, të afërmit, miqtë, janë shtruar në drekë dhe më pas asistojnë në ndarjen dhe largimin e djalit. Gjatë drekës vajzat e gratë e pranishme ngrihen e këndojnë këngë kurbeti. Te kënga e vajzave të reja dallohet dëshira rinore për të qenë afër me kurbetqarët. Kënga e grave që i kanë burrat në mërgim është gati – gati vajtuese, e dhimbshme, e ndjerë.

Kënga e vajzave:

“U nise ku do të veç

O pullumb, more pullumb.

Atje lark e në gurbet

Moj thëllëza gur mbi gur.

Të vi edhe un’ me ti

O pullumb, more pullumb.

Është lark e bie shi

Moj thëllëza gur mbi gur.

Bëhem zok e hi në gji

O pullumb, more pullumb.

U t’harroj e të lëshoj

Moj thëllëza gur mbi gur.

Kam golë të kuvëndoj

O pullumb, more pullumb…”.[2]

Pas këngës së vajzave janë gratë ato që ja marrin këngës për burrat e tyre larg, në dhe të huaj. Edhe këtu ndihet dëshira për të pasur pranë njeriun e dashur, por ndryshe nga hovi rinor i vajzave që dëshironin të shkonin bashkë me të dashurit në kurbet, gratë duan që burrat të kthehen.

“Imzot me kë më le mua

Hesht, xhane, mos qaj për mua.

Se të lë nënën e babanë

Nënë e baba s’i dua,

Ri imzot këtu me mua.

 

Imzot të të vijë keq

Mos më lë këtu me pleq.

Se më duken verkolleq

Mos më lër këtu me plaka

Se më duken verkollaka.”[3]

Përveç këngës për kurbetin, autorja përfshin në një nga tregimet e saj dhe këngë për të vdekurin. E qara me vaje, me ligje, është mjaft e njohur në zonat jugore të Shqipërisë. Në tregimin “Kulloi odaja” rrëfehet vdekja e një djali. Vargjet e ndjera të marra nga goja e popullit trondisin vajzën e re, e cila i rrëfen së ëmës detajet e mortit ku kish marrë pjesë.

“Ç’u këput ili nga hëna,

Djali se ç’u – nda na nëna,

Djalë nënës kë i le,

Bir për kë të bëj be.

Djalë shkove m’u – largove,

Bir nënën s’e mendove.”[4]

Dhimbja e nënës është më e madhe ndaj dhe autorja i jep fillimisht prioritet kësaj dhimbjeje. Por nuk harron të ndërfusë në rrëfim vajin për dhimbjen e atit.

“Ç’u – këput ili e ra,

Mbeti babai pa kra.

Djalë baban s’e mendove,

Pleqërinë ja shkretove.

Krah’ e djathtë se ç’i theve.

Bir s’të erdhi keq për neve?”[5]

 

 

Një tjetër tipar karakteristik i tregimeve është se protagonistët  janë femrat. Femrat e përdorura në tregime janë kryesisht gra të moshura por ka dhe nuse të reja. Musineja i sjell të vërteta ato, ashtu siç janë, me mentalitetin e vjetëruar vitesh, me futat e shamitë e kokës, me punët e shtëpisë e fjalët e shumta. Natyrshëm dhe thjeshtë paraqiten grindjet mes kunatave, nuses e vjehrrës, gjitoneve. Po aq natyrshëm rrëfehen thashethemet, hyrjet e daljet ku gratë nuk lënë kënd pa përgojuar. Jo rrallë herë autorja vë theksin në mentalitetin shqiptar. E formuar jashtë vendit, e shkolluar, e ngjizur me ide përparimtare, Musineja kishte një mendje evropiane. Në penën e saj mentaliteti merr ngjyrime jo aq të ashpra. Ajo nuk gjykon, nuk ironizon, thjeshtë paraqet, si një kronikane biseda, ngjarje, të përditshmërisë, i paraqet realisht, i ngjyros me shprehjet e larmishme gjuhësore që i japin një nuancë të lehtë humoristike dhe të butë.

– Rrëfimi dhe rrëfyesja

Një nga të veçantat e mënyrës së të shkruarit të Kokalarit është rrëfimi në vetvete dhe pozicioni i saj si rrëfyese. Ajo thuajse nuk ndërfutet në tregimet e saj, i sheh së jashtmi dhe në raste të veçanta ndërhyn për të mbyllur rrëfimin në vetën e tretë.  Tregimi, titullin e së cilit mban dhe vepra, (Siç më thotë nënua plakë) ka një formë rrëfimi tejet moderne. Rrëfyesja është plaka, nëna.

Nga fjalët e saj del në pah se ajo është pyetur nga dikush (mbesa në këtë rast), por në asnjë moment nuk ndihet zëri apo prania e personit që pyet e që është përballë nënos. Tregimi në fjalë është rrëfim i gjyshes për kohën e shkuar, për zakonet e vajzave dikur, të cilat me evoluimin e kohës kanë ndryshuar shumë. Nënoja, ja vë fajin shkollës, arsimit që po u hap sytë vajzave, pasi sipas saj vajza e ka vendin në shtëpi, të merret me pajën, me punët, me qëndisma.

Por edhe pse tek gjyshja ka elementë të vjetëruar, në asnjë moment nuk ndërhyn personi që ndodhet përballë saj (mbesa). Në tregimet e tjera, rrëfimi kryhet nga persona të tjerë që dialogojnë, dhe në të rrallë autorja merr fjalën dhe ndërfutet për ti dhënë fund tregimit ose për të mbyllur një situatë. Ajo që duhet pranuar është se Kokalari ka një stil të veçantë të të shkruarit, mund të klasifikohet si moderniste për kohën.

 

“Rreth vatrës” – 1944

Vepra në fjalë përmban një cikël përrallash. Që në titull krijohet ndjesia e të qënit pranë zjarrit, në një ambjent miqësorë e familjar, me të vegjël nëpër këmbë të cilët mund ti mbash nën kontroll nëse u rrëfen përralla me mbretër e princa, qerosa e të bukura të dheut, unaza e fyella. E ndërtuar në një linjë tepër solide, vepra ecën gradualisht nga një mëngjes i rrëmujshëm i familjes në një mbrëmje pranë zjarrit me babazotin në krye.

“Përrallat e saj të japin ndjesinë e përrallave të “Njëmijë e një netë -ve” në një formë të re, në një vend, që dallohet lehtë se është nga Shqipëria, që përkryen moralin me daltën e mënçurisë.”[6]

Ngjarjet zhvillohen në një shtëpi gjirokastrite, është dimër, ftohtë, zjarri bubullon në oxhak, secili merret me punët e veta, vetëm dy fëmijët çapkënë (Astriti dhe Hasua, Qemali është në djep), lëvizin sa në nje cep në tjetrin. Gjyshja për ti mbledhur e që të rrinë urtë i merr pranë vetes dhe u rrëfen përralla. Por përralla rrëfen edhe teto Laleja që ka ardhur për vizitë e që fëmijët e dëgjojnë më ëndje. Por të vegjëlve nuk u rrëfejnë vetëm përralla, çdo natë ndryshon argëtimi, një natë përrallë, një natë gjëza, një natë lojëra popollore.

Kishte raste kur kur fëmijët luanin vetë, me njëri – tjetrin pasi nënua i premtonte që të nesërmen do i rrëfente përrallë. Dhe lojrat ishin tepër argëtuese për ta, lojra të thjeshta, me duar e gishta dhe me vjersha që ndiqnin lëvizjen e duarve.

“Ono… mana,

dono… mana,

Triafili,

Karafili,

Lenxe,

Plenxe,

Zifiriqe,

Mere hiqe,

Këtë gisht.”[7]

 

E gjithë vepra është ndërtuar në një formë të veçantë dhe moderne për kohën, kur është shkruar, me rrëfim brenda rrëfimit. Musineja i rrëfen lexuesit për familjen në fjalë, nënua plakë u rrëfen të vegjëlve përralla. Edhe zgjedhja që autorja ka bërë për t’i dhënë fund veprës është interesante. Me ikjen e dimrit, ikin dhe përrallat. Dimri i merr me vete përrallat, zjarrin, gështenjat, dhe i lë vendin pranverës dhe diellit. Nënua nuk u rrëfen më përralla se ato e kanë lezetin në dimër, pranë vatrës.

“Iku dimri me shi e me breshër. Ikën netët e gjata kur rreth vatrës nënua – plakë me flokë të bardha si dbora e me size majë hundës rrëfente pralla. Dhe erdhi pranvera e bukur, gjithë lule dhe kopshtet me pemë të lulëzuara bashkë me cicërimin e zogjve pritnin Astritin, Hason dhe Qemalin e vogël të dilnin e të losnin ndënë rezet e diellit që shkëlqejnë si ari.”[8]

Në mbylljen e veprës vihet re një lloj lirizmi, një pastërti e kulluar e ndjenjave për të bukurën, të mirën. Është pikërisht ky lirizëm që i jep fund veprës duke përçuar tek lexuesi ndjesinë e qetësisë.

 

“…Sa u tunt jeta” – 1944

Le ta quajmë roman, por jo si romanet që jemi mësuar të lexojmë. Është sërish i njëjti stil i veçantë dhe tërheqës njëkohësisht. Është fjala për një vepër me karakter etnografik, me elementë të shumtë të traditës e kulturës sonë e veçanërisht zonës së jugut.

“Është fjala për dasmën shqiptare, shprehje e plotë e identitetit, sa të hysh në arkitekturën e saj. Dasëm që kryhet në Gjirokastër, me të gjitha parametrat, me të tëra ritet, zakonet, traditat dhe përgjegjësitë e zbatimit nga aktorët, që janë banorët e kësaj treve.”[9]

Në gjithë veprën përshkruhen me përpikëmëri edhe detajet më të vogla të dasmës gjirokastrite. Hyrja e veprës është një ftesë e hapur për lexuesin, të cilin autorja e merr përdore dhe në një farë mënyre e përgatit për atë që do ti tregojë. Dhe nuk është fjala vetëm te dasma, por nis që te zakonet më të vogla të jetës së përditshme për të arrirë te ritualet e dasmës. Njohja që rrëfyesja u bën lexuesve me ambjentin, personazhet, mendimet e tyre, sjelljet, vjen shkallë – shkallë.

“Ja, përpara sive keni një udhë të ngushtë. Në funt të saj hapet një shesh’ i vogël. Në anë të djathtë është një portë e madhe me di sufa dhe në të mëngjërtë një tjetër. Shtëpia me portë të madhe është m’e re dhe brënda një avli e kselhasur. Asnjë shamata nuk dëgjohet… është mëngjes dhe burrat kanë dalë pazarit.”[10]

Përmes kësaj hyrjeje, lexuesi merr informacion mbi mjedisin, kohën, zakonin që kanë burrat për të dalë në pazar në mëngjes. Nuk vonon shumë dhe rrëfyesja përmes një fjalosjeje mes grash bën me dije “hallin” e teto Qibros, e cila ka një vajzë në moshë për martesë. Më tej shfaqen në sfond një nga një personazhet, teto Qibrua, Xhemua (vajza që do martohet), mblesja Haxho, Nexhipi (dhëndri), familjarët e familjeve përkatëse, fëmijë që luajnë, vajza që qëndisin e këndojnë, Kako Pinua (personazh i njohur edhe në romanin “Kronikë në gur” të I. Kadaresë), etj. Dhe kështu rrëfimi merr rrjedhën e tij duke u nisur nga mblesëria, ikjet e ardhjet, prerja e fjalës, llafet e njerëzve, parja e nuses prej vjehrrës, nigjahu, caktimi i dasmës, stolisja e nuses, përgatitja e pajës, e deri në ditën e fundit të përcjelljes së nuses. Mjedisi është thuajse i njëjti, odat tipike gjirokastrite, sa te shtëpia e dhëndrit e sa tek e nuses.

Autorja  nuk ka harruar asnjë rit e zakon pa përmendur. Në të shumtën e herës ritet janë shoqëruar edhe me këngë popullore të zonës. Gjen aty këngë për gjithfarësoj situate, për gojët e liga që kanë përgojuar çiftin, për dashurinë e djalit dhe vajzës (gjë që bie ndesh pasi ata nuk njiheshin dhe u martuan me mblesëri), për nusen që është e bukur perri, dhëndrin që është trim e nga derë me emër.

“Ç’thon’ për mua e për t’inë,

Trëndelin’ oj trëndelinë.

Dojnë të prishnin krushqinë,

Trëndelin’ oj trëndelinë.

Dhan’ e dhan’ e dot se prishnë,

Trëndelin’ oj trëndelinë.

Kot që vejn’ e kot që vijnë,

Trëndelin’ oj trëndelinë.

Neve kishmë dashurinë,

Trëndelin’ oj trëndelinë.”[11]

 

E gjithë vepra ka karakter etnografik dhe përshkruan një mori dokesh e zakonesh jo vetëm të dasmës. Megjithatë pjesën më të madhe e zënë ritet e dasmës, një ndër të cilat është mjaft i njohur ndër trevat tona, kur nusja e re që ndodhet ende në shtëpinë e babait del për herë të parë para vjehrrës. Mirëpo në vepër jepet e veshur me emocion, pasi rituali po kryhet nga një personazh, që ka një emër, një histori dhe që lexuesi e ka njohur. Diferenca qëndron në atë që nëse do përshkruhej ky zakon do merrej si shembull një nuse çfarëdo, ndërsa në vepër nusja ka një emër, ka një histori dhe situata bëhet më e ndjerë.

“Kur erdhi përpara zonjës Ruho, theu gjurin e këmbës së mëngjërtë dhe i zuri dorën. Mori tepsinë me gliko dhe ja dha vjehrrës më parë… e të tjerave. Hodhi  çape, prapa e prapa dhe kur pruri kafenë, me tepsi zbrazur ndenji shtruar në funt të odasë. Në funt mblodhi filxhanet dhe vate andej.”[12]

Ka dhe plot rite e zakone të tjera që flasin për etnicitetin e popullit, dhe Musineja i paraqet të thelluara mirëpo në sytë e saj edhe pse kjo shoqëri ka vlera duhet të emancipohet, të evoluojë. Në fund të veprës vihet re karakteri feminist i autores, largpamësia, dhe dëshira për t’u emancipuar e qytetëruar si popull.

“… Sa u tunt jeta” është ëndra e shkurtër e pak ditëve të vajzës gjirokastrite që pas asaj, vihet ndënë thundrën e vjehrës, rron ndënë tmerrin e vjehrit, me frikën e burrit që fjala e tij është urdhër për të. Na bota e besimeve të kota, të zakoneve, mbeturina të fanatizmit oriental, pas shumë brezave, pas shumë sakrificave, pas shumë të rejave të varrosura për së gjalli nga ndryshku i jetës, prangat e forta të robërisë së kohës së shkuar me mundime të mëdha më në fund u thyen. U – thyen për të lindur jeta e re, jeta e vërtetë me hidhërime e gëzime ku gruaja mer pjesë vetë, është e ndërgjegjshme për atë që bën dhe kërkon të rojë krah më krah me burrin e saj, jo e robëruar si një herë po shoqe e vuajtjeve të përbashkëta, të lidhur ngushtë me njëri – tjetrin, për të kapërcyer shtigjet e ashpra të jetës, duke kërkuar ngrehjen e familjes së mbështetur në ndjenjë e dashuri.”[13]

[1] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë,: “Vajza uragan Musine Kokalari”, Novruz Xh. Shehu, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 48 – 49.

[2] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Seç më thotë nënua plakë”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 223.

[3] Po aty, f. 224.

[4] Po aty, f. 229.

[5] Po aty, f. 229.

[6] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Vajza uragan Musine Kokalari”, Novruz Xh. Shehu, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 55 – 56.

 

[7] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i dytë, “Rreth vatrës”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 291.

[8] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i dytë, “Rreth vatrës”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 339.

 

[9] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Vajza uragan Musine Kokalari”, Novruz Xh. Shehu, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 54.

 

[10] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i dytë, “Sa u tunt jeta”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 11.

[11] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i dytë, “Sa u tunt jeta”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 31.

[12] Po aty, f. 41 – 42.

[13] Po aty, f. 229.

 

   – vazhdon- 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s