Furra / Tregim nga Namik Selmani

Furra

 


Tregim nga Namik Selmani

Paramithia, Margëllëçi, Spatari, Mazreku e shumë fshatra atë vit të 1942-shit po jetonin ngjarje të mëdha. Ishin ditë që jetoheshin rrallë. Sikur ishin futur në një kazan që kishte kohë që ishte hedhur uji e nikoqirja e shtëpisë mezi priste të ngrohej e të lante më tej rrobat e palara, fëmijët. Shumë herë në brigjet e lumit shihje gratë çame që merrnin për dore fëmijët e shkonin për të larë. Gjellën e kishin bërë që një ditë më parë në furrë. Merrnin edhe ca shkarpa sa për ta ndezur se në brigje edhe gjenin dru që kishte sjellë lumi. Edhe ngjarjet e atyre viteve i ngjanin pikë për pikë atij zjarri që ishte plot me dru se edhe rrobat që do të laheshin ishin shumë. Ishte një lloj zjarri më i madh se i atyre grave se i atyre furrave që ndizeshin në mëngjes e shuheshin vonë shumë vonë të gatshme që të rindizeshin të nesërmen. Poshtë këtij kazani jetësor nëse do ta quanim kështu marrëdhëniet e çamëve ortodoksë dhe myslimanë kishte pak më shumë sherr se sa duhej. Një prush që digjte më fort. Një zjarr që ndizej edhe më shumë nga politika. Të mjerët çamë myslimanë! Ata nuk e dinin se vetëm pas dy vitesh do të ndizej në trojet e shtëpitë e tyre një zjarr nga më të mëdhenjtë që do të digjte shtëpitë, përrelet, si i thoshin gëmushave të vogla, ullinjtë , djepet, tavanët, pemët, grunjërat, rrobat e trupit e mijëra njerëzve të pafajshëm. Vërtet kishte një lloj qetësie mes ortodoksëve çamë dhe atyre myslimanëve. Qeverisë greke natyrisht nuk i duhej kjo qetësi. Duhej përgatitur zjarri i madh i një furre të madhe. Të digjej kush të digjej vetëm në kuzhinën që e kishin bërë ata të përgatitetj ajo që duhej. Vazhdonin që të lëviznin në shtigjet e mbushur më drurë ullinj, agrumesh tregtarë që dërgonin mallra që ishin shumë të domosdoshëm për jetën kripën, vajgurin, diçka për nuset, sendet që i duheshin kuzhinave, dybekë për të rrahur qumështin, rroba për fëmijët e djemtë, për pleq që kishin nisur të mbillnin tokat e tyre të mbushura me lule të bardha. Tespihe për besimtarët që shkonin xhamive.
Lufta bëhej në male e rrisku i karvanëve tregtare po bëhej i vështirë dhe i rrezikshëm. Ende në Margëllëç kujtonin bëmat e çetës së vrasësve të drejtuar nga Vasil Bolimi që për tre vjetët e fundit kishin vrarë Velon, Beqirin, Muhametin Të gjithë këta ishin tregtarë të vegjël që shkonin si shumë herë në fshatra. Ua merrte mallin e gjënë e këtyre karsellave, si i thonin atyre arkëzave që ata i ngarkonin në kuaj për të bërë atë udhë të gjatë. Më shumë nga të gjithë këto vrasje mbanin mend një familje nga Luarati, atë të Izet Llavizës që e vranë me gjithë familje dhe lanë gjallë vetëm vajzën e tij. Një vajzë e vogël që nuk e dinte se fati i saj ishte më tragjik se i jati, e ëma. Ajo do të martohej me forcë me vetë vrasësin që e mori nuse për djalin. Kur u rrit, vrasësi e mori nuse për djalin e tij Edhe ajo mbledhje që do të bëhej në Margëllëç nga paria e qytetit për të shuar ndonjë konflikt të mundshëm mes ortodoksëve dhe muslimanëve përfundoi keq. Po atë natë atë që donte të pajtonte fiset e vranë. E vranë në gjumë. Quhej Jasin Sadiku.
E më tej në male nisën të rrëmbeheshin barinjtë myslimanë. Jo ata të rriturit, se ua dinin frikën, po të vegjëlit atë që ishin edhe të paarmatosur se të gjithë barinjtë e mëdhenj në moshë që mbanin edhe armë me vete. Edhe po të kishin armë ata edhe nuk mund të qëllonin saktësisht.
E mund edhe të harroheshin tërë këto vrasje tërë këto pabesira po të mos vinte ajo, e paemra, gjëma e Gjinikajve. Të lashtë në moshën e jetës së tyre Gjinikajt. Që atë kohë kur kishin nisur jetën e tyre katolikët e më vonë fisi i Gjinajve kishin marrë në trupin e mbiemrit të tyre Nikun. duke u bërë Gjinikaj. Gjithë malin e Bozhurit mbulonin dhitë e Gjinikajve. Shumë kishin e dhitë nxirreshin nga djemtë e vegjël që e kishin marrë zanatin që herët. Oooo, sa paqësorë që ishin!. Në punën e tyre natën dhe ditën. Lindnin fëmijë, rrisnin grurin, mblidhnin ullinjtë, shkonin në xhami dhe falnin të xhumatë. Gratë e Gjinikajve bënin gjalpë të freskët në dybekët që mbusheshin dingaz me qumësht ose me klumusht si thonin në vatrat e tyre me erën e atij gjalpi mund të deheshe që larg para se të hyje në shtëpi, në oborre ose në voronje.…Rrinin tërë ditën pranë furrave dhe gatuanin tërë ato gjellë të mira ku vaji i ullirit ishte në duar në çdo gjellë e ëmbëlsirë që bënin.
.. Atë ditë tetori radha e bagëtive ishte e Nailit. Ishte vjeshtë e ullinjtë ishin gati në të vjelë. Bari kishte nisur që t’i ikte pak njomështia, po lart në Malin e Bozhurit ende ai ishte i njomë, i freskët. Sikur të ishte palca e majit. Po atje larg, shtëpisë së tij margëlliçiote duket se Naili ishte paksa i vetmuar e grupi i kriminelit Vasil nuk e kishte të vështirë që të shkonte e ta kapte. Një fëmijë me sa e sa burra. Njëri më mizor se tjetri. E zunë e si fillim dhe nisën ta rrihnin njëri pas tjetrit. Trupi i njomë i Nailit nisi të kullojë gjak sa në fytyrën e padirsur, sa në këmbët e tij të njoma, sa në duar . Ai nuk po kuptone se ç’po bëhej me veten e vetëm ato mizorë e dëgjuan se çfarë I thoshin para kësaj torture . E lidhën me një litar që e kishim marrë që më parë dhe e nisën në udhë. Që më parë ishte bërë gati furra te shtëpia e Vasil Ballunit. Furra që kishte bërë sa e sa burekë, ëmbëlsira, kishte pjekur bukë e qengja, kishte bërë sa e sa tepsi me perime. atë ditë do të kishte në atë hapësirë të zezë mes një zjarri të kuq një djalë të njomë. Njëri nga ata të ligjtë e Vasilit kishte bërë një lesë të vogël për të shtrirë trupin e Nailit. E lidhën me të. Hapën atë llamarinë që e kishin vënë në grykën e furrës për të mos ikur nxehtësia dhe e futën mes prushit dhe flakëve të druve që po e shtonin edhe më shumë nxehtësinë e furrës. Naili trupnjomë përnjëherë nisi të bërtiste mbarë të kërkonte ndihmë atje ku askush nuk mund ta ndihmonte. Dhe aty për aty në atë kutërbim të mishit të pjekur të atij djali të vogël, dikur nisi një valle . Vallja e Vdekjes. Vallja e Urrejtjes. Vallja e Fundit.
Mirë ia bëmë Gjinikajve
Që i dogjëm djalin
Në furrën e druve
Të marra nga mali

Jemi trima që s;ka bota
Jemi trima sa më s’ka
Kush me ne do masë forca
Do ta vëmë në zjarr..
Duket se edhe fjalët e këngës më të re po digjnin edhe më shumë në atë zjarr grykat e tyre të egra shumë më fort se ai zjarr me dru vjeshtore që po digjte Nailin të gjallë ashtu si kishte qenë me vite e vite të tëra. Po dhitë ç’u bënë? Ah, të kishin gojë dhitë e gjora!!! Vetë do shkonin pas djalit të tyre e do ta shpëtonin nga duart e vrasësve. Po ashtu të gjorat, kokëulurat shkuan një nha një te lesa e shtëpisë prej nga niseshin që në të gdhirë dhe vinin në të ngrysur kur fshati mbushej me tringëllimat e zileve të këmborëve të cjepëve dhe të deshëve që vinin nga meraja e malit. Kur i panë ashtu pa çoban bagëtitë, të gjithë grarisë po dhe burrave që kishin ardhur nga arat, menjëherë u shkoi mendja në të keq, po askush nuk kuptonte çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe se deri në cilin kufi mund të shkonte kjo e keqe. Ç” kishte ngjarë me Nailin? Ai asnjëherë nuk gabonte në detyrën e tij që e kryente me shumë dashuri. Mos??????!!!! Kërko këtu e kërko atje e lajm s’po merrnin? Si është e mundur? Blegërima e dhive pak më e zgjatur se herët e tjera ende nuk e zbulonte të fshehtën e madhe dhe të dhimbshme. Por atë që s’e bënë ata , e bënë spatariotët. E njoftuan familjen se çfarë kishte ngjarë. Ishte një nga ato lajme që nuk t a thitrë as goja, as mendha nuk ta rrok dot.Edhe vetë kriminelët e kishën shpënë lajmin në një mënyrë ose në tjetrën tek ata . Mbase donin që të mburreshin edhe më shumë për atë që kishin bërë. O zot, a ka në botë njerëz që të tregojnë bëma të tilla?????? . Helbete , botë e madhe është. I kishin goditur Gjinikajt atje ku të dhemb më shumë. Atje ku në një farë mënyre është një nga kufinjtë e fiundit të dhimbjes njerëzore. Atje ku dhimbja bashkohet dhe me turpërimin. Një bolori e madhe . E madhe sa shpirti sado i fortë që të jetë edhe thyhet si të qe një copë xhami, mbi të cilin bie një gur i rëndë i fortë , një copë metali e rëndë. Nuk e morën vesh ata, por i gjithë Margëllëçi, e gjithë Çamëria. Deri tutje në Prevezë, Deri tutje në Konispol me fjalët e rrugëtarëve , të tregtarëve të krushqive. Ca e zmadhonin sa e tregonin nën zë,. Ca ulnin kokat dhe grushtet i shtrëngonin fort sikur bolorima të ishte pjesa e shtëpive të tyre.
E diçka do të bëhej për të mbyllur këtë kapak të madh kazani.Mbase e kishin fjalën pushkët.
Po, po , pushkët mbase e kishjin radhën pas asaj bolorime. Dhe nuk ishin pak Gjinikasit. Mbase dhe të tjerë pas atij vargani burash do të rreshtoheshin në radhët e atyre që do ta merrnin hakun. Nisi lufta me bandën e sojzëzit që kishte marrë Nailin dhe e kishte futur në furrë. Kishte bërë atë që bënin gratë e fisit të tij Ishte bërë grua e keqe, ishte bërë kuçedër më një kokë. Ishte bërë gjarpër që kishte helmuar jo vetëm një trup, po një fis. mbarë Çamërinë. Ata burracakë e kuptuan menjëherë dhe e lanë fshatin Spatar. Trimat e Gjinikajve u futën dhe në shtëpinë e Vasilit. Ikën për të shpëtuar kokën se e dinin se urrejtja do të bënte punën e vet. I kapnin . Morën shumë vetë , po dhe i lanë të lirë. Mbajtën një. Një dhe vetëm një. Mbajtën një djalë me trupin e Nailit. Me moshën e tij , me sytë e tij. Me ditët e jetës së Nailit. Mbase donin që të zgjonin Nailin e bërë hi atje te furra që pak nga pak po shuhej atje larg. Por ah! Ahhhhh!!! Mos fol më . Mos na e kujtoj djalthin e nënës! Të gjithë në një zë menduan që ta dërgonin te nënë Feruzeja. Te Feruze Gjinika. Ajo dhe vetëm ajo duhet që ta bënte gjyqin e tij. Me një palë tumane me lule ajo ishte ndër më të pastrat e fisit. Trupi i dridhej. Ç’të bënte??? Të hapte ksodhim pa trupin e Nailit? Pa kokën e tij? Tani nuk kishte më kohë që të mendohej
-Merre këtë djalë! Merre e bëj ç’të duash! Na ke ne pranë. Është nipi i Ballunit që na e dogji të gjallë Nailin tonë. Na thuaj neve se ç’duhet të bëjmë. Të ndezim furrën? Të bëjmnë gatyi pushkët? Na thuaj që të shkojmë me kalin më të mirë në pyll e të presim dru nëse nuk mjaftojnë! Sa të duash ka dru. Nga më të mirat . Nga ato që bëjnë prush më të mirë. Që të bëjnë sa më shumë flakë.
Feruzja dëgjonte. Shikonte të tërë këro burra që rrinin si ushtarët më të bindurit e botës para saj që në shumë raste ishte më e vogël se shumë prej tyre. Një lëmsh i madh iu mblodh në grykë. Shumë më i madh se vetë mali i Bozhurit që i bënte hije shtëpisë së saj dhe të mbarë fshatit. Mbarë Çamërisë. Po e shihte djalin me mallin e asaj dite kur e përcolli në mal djalin e saj të mirë Nailin. I erdhi në mendje ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë në Çamëri. I erdhi keq që i ndodhi kështu asaj që kishte vetëm atë djalë. Të paktën sa kujtonin më të moshuarit e fshatit nuk ishte bërë kjo hata. I erdhi keq për atë djalë të vetëm që kishte pranë. Nuk kishte tela, zinxhirë, hekura në duart e tij të njoma po ai ishte shumë më i trembur edhe pa to. E pa me sytë e nënës. Jo të nënës së tij, po me sytë e të gjithëve nnave. E dihet se të gjithë sytë e nënave janë njëlloj. Një lloj ndrijnë. Një lloj tremben. Një lloj ngrijnë. Një lloj murrëtohen nga loti që sjell shirat A kishte faj ky djalë??? U afrua dhe e përkëdheli ngadalë. Djali ishte shumë i frikësuar. Ishte i madh dhe e kuptonte se ishte marrë si peng se duhet të sakrifikohej për xhaxhain e tij vrasës, djegës të një djali në moshën e tij. E dërgoi nënë Feruzeja djalin te dhoma e ndenjes, në kuzhinë. Djali ishte bërë si një trumcak dimëror që kërkon qoftë dhe një kokërrr grurë. Edhe ai nuk po kuptonte se çfarë po bënte kjo nënë, kjo grua në vështrimet e të gjithë aqtryre burrave dhe grave që i bindeshin në mënyrë të heshtur me ca sy të gatshëm që të kthehesin si lumenj me lotët për djalin e tyre , për nipin e tyre, për bashkëfshatarin e tyre që një ditë do të bëhej baba, gjysh, ….
-Ndize zjarrin e vër kazanin me ujë!- ia ndërpreu mendimet djalit zëri urdhërues i nënë Feruzesë. që kësaj radhe po i thoshte kunatës së saj –Mbushe me dru të mira.
-Ti xhexhe, (gruaja e xhaxhait) merr dhe ca vashaz dhe ndize furrën. –ishte urdhëri i dytë që po jepte Feruzeja.-Shiko dhe tepsitë a janë të lara . Po qe se nuk janë larë, i lani mirë.
Ndërkohë që një djalë rrinte gati me një kalë të kapur fort prej freri që të shkonte të merrte dru edhe pse stiva e druve që ishte pranë furrës mjaftonte që të bënte furrën me shumë flakë e shkrumb për të bërë atë që donte të bënte nënë Feruzesë. Mos donte të piqte në furrë trupin e këtij djali që ishte tamam sa Naili???? Me tërë atë zjarr që u vu poshtë kazanit të ujit, uji u ngroh shpejt. Shkoi në dhomë dhe mori ca rroba të pastra të Nailit. I vuri në sqetull dhe i tha djalit që t’i vinte pas saj. Bashkë me kunatën rregulloi ujin dhe në një kënd të kuzhinës nisi ta lante. Ngadalë. Ngadalë me ca duar butësore . Me një ligjërim kënge brenda vetes që sikur kishte nisur 15 vjet më parë kur lindi Naili. E lau mirë e mirë dhe e veshi me rrobat e Nailit. Kur doli në oborr, i tha Brahimit:
-Dëgjomë , do të marrësh kalin më të mirë e më të shpejtë dhe do të shkosh në Janinë ku do të marrësh një palë rroba të reja për këtë djalë . Më të rejat , më të mirat e më të shtrenjtat. Shiheni dhe njën herë para se të ikni!
Pastaj shkoi të karsellë, si i thonin disa arkëzave ku mbanin zahiretë e shtëpisë dhe nxorri një matara të madhe me mjaltë. Në furrë vuri një tavë me pulë dhe shpejt e shpejt bashkë me dy grate e tjera nisi të bënte ca kuleçë nga ato që ia jepnin burrave kur shkonin në male apo kur nisnin udhë të gjatë kurbeti . Djali duhet të ishte i larë, i pastër pa mëkatet e fisit prej nga vinte. Duhet të ishte i ngopur me gjellët më të mira që bënte Çamëria . I vuri përpara dhe një tas me qumësht të dhive që tashmë nuk do të kishin më rojtar Nailin e saj të vetëm pas disa kohësh kali i Janinës erdhi në shtëpi. I nxorri rrobat e reja dhe ia veshi dalngadalë. Trëk, i rrinin në trup, sikur ishin bërë për këtë djalë. Ishte ushqyer gati me detyrim përballë frikës që ende nuk i kishte ikur. Djali shihte se ç’po ndodhte. Ai nuk fliste, por dhe ata që i rrinin përrreth as që e pyesnin. Nuk donin të flisnin me të. Feruzeja po bënte “luftën” më të madhe se kriminelët që kishin bërë me djalin e saj para një dite të paemrën. Atë natë i tha të gjithëve se do ta mbante në dhomën ku flinte vetë ajo djalin. E vuri në një dyshek të larë me ca çarçafë që vinin erë borziloku nga to që ajo ua vinte mysafirëve të rrallë e shumë të largët që kalonin derë e konakut të tyre kaqë të njohur në tërë kazanë. Pas dy ditësh e mori vendimin . Djali i kapur nga djemtë e fisit Gjinikaj do t’i shkonte i gjallë nënës së tij. I veshur me rrobat më të mira, gati si një dhëndërr i pabërë. Do të shkonte i ngopur me gjellët më të mira që mund t’i viheshin mikut më të nderuar. Madje i dha me vete dhe një trastë me kuleçë dhe me ëmbëlsira, me disa kokrra vezë. Ishte një vendim që e mori dhe me pleqësinë e fshatit Margëllëç. Në momentin ku do ta niste, në fshat thirri dy djemtë më të fortë
-Dëgjoni, djema! Do ta merrni këtë djalë dhe do t’ia dërgoni nënës së tij kështu si po ua jap unë. Asnjë fjalë nuk do t’i thoni rrugës! Do ta dërgoni në shtëpinë e tij. Asgjë nuk do t’i bëni djalit rrugës. Unë nuk kam fuqi që të marr hak tek ju nëse do të bëni këtë gjë të keqe. Po nëse ju bëni këtë gjë, unë do të vras veten . A doni ju që bashkë me Nailin të iki dhe unë nga jeta? A doni ju që të turpërohet dhe më fisi ynë tek ata emërmallkuar që na dogjën djalin tonë?
Nuk do të fliste më. Në tërë këto dy ditë vetëm kishte heshtur. Kishte larë, kishte gatuar. Djali po shkonte te nëna e tij. Askush në Spatar nuk e besonte këtë gjë. E dërguan deri në një farë vendi djalin dhe lajmëruan që të vinin e ta merrnin djalin të gjallë e të dëmtuar as dhe në një fije floku. Askush nga ata nuk po i besonin syve. Askush. Po shihnin djalin e tyre të rinuar, të veshur bukur, të shëndoshë. Frikë nderim, një ndjesi e çuditshme e kishte bërë edhe më të madh këtë djalë që po jetonte një jetë të dytë pas hakmarrjes së pabërë. Të nesrmën pas një jave hapi ksodhin. Hapi vajtimin. Në odën e madhe u mblodhën gratë njëra pas tjetrëës dhe qanin fatin e Nailit. Një vajtim pa trupin e tij në dhomë, në odë. Po qanin një djalë që nuk e kishte marrë sëmundja, nuk e kishte vrarë rrufeja që jo pak herë merrte dhe barinj të tjerë të këtyre anëve pa i pyetur për moshën që kishin në supe.
Nuk e kishte marrë sëmundja. E kishte marrë një dorë e egër. Një mendje sterrane. Hiri i trupit të Nailit u shpërnda në tokën çame si një flamur kombëtar shumë më të madh se ato që mbanin gratë në sepetet e tyre ku mbanin dhe florinjtë e nuseve. Po mbulonte cep më cep lumenjtë, grykat, krojet, ullinjtë. Lëmenjtë ku porsa kishte nisur që të shihej gruri i ri, luturvitë e vajit që mezi prisnin që të bluanin vajin e ullinjve që kishte mbushur degët plot me kokrra. Dhe aty për aty nisi kënga. Një këngë e dhembshur që këpuste shpirtin e të gjithëve. Kishte mbetur pas nëna
Bir o bir si s’të ujdisa
Kur të poqën me dy driza.
Bir, o bir, s’të bëra dhëndërr.
Po të shoh kaherë në ëndërr.
Bir, o bir, dil prapë në male,
Se të presin kroje, shpate.
Se të pret ujë i mullirit.
Eja, prapë të hedh te gjiri
Eja, prapë të të kreh flokun
Të të sjell në supe zogun.
Asnjë sy nuk mbeti i papërlotur. Lotë nënash,. Lotë motrash. Lotë njerëzish të thjeshtë. Burrat mes të cilëve dhe Rizai, babai i Nailit, heshtnin dhe thithnin fort duhanin e llullave. Bozhuri bënte hijen e tij mbi këtë vaj nënash. Mbi këtë heshtje burrash. Për muaj e muaj të tërë nuk pati asnjë grindje, qoftë dhe më të vogël. Jooo, nënë Feruze Gjinika i kishte shuar të gjithë luftrat, sherret, grindjet e burrave e të grave të shumë fshatrave duke u bërë së pari Kapedania e Vetvetes. Fitmitarja e vërtetë e atyre viteve..
Më vonë pas disa javësh një këngë e re u stis për Nailin
Doli lumi në vorua
Ç’lumë e det u bë për mua!
Hingëllin kali me shalë
Klaj moj e shktreta kërrabë
Mbenë dhitë pa dalë në mal
Tundin fushën, tundin malin
Se kërkojnë natë e ditë djalin
Moj Feruze nanë e fortë
Ç’na çudite mbarë një botë
.. Pas një jave do të niste ramazani. Atë vit edhe Naili do të futej në radhën e agjëruesve më të rinj. Aty do të kujtohej në namazet e ditëve të shënuara sidooms të xhumave me atë kod hyjnor. Atë djalë të vrarë që kishte ikur larg shumë larg në qiell. Nga minarja e Xhamisë së Margëllëçit që dhe sot mbahet fort pas 70 e kusur viteve në këmbë si për të kujtuar dhe të këtë dekadë të paharruar, ai do të bëhej pjesa e burrave të fshatit. Nënë Feruzeja kishte fituar një jetë të një fëmije të pafajshme. Tani, kur e tregojnë ata që jetojnë akoma fëmijët e tyre fëmijët e fëmijëve të tyre, e kanë të vështirë që të besojnë se ka qenë e vërtetë. Një legjendë e vërtetë kjo e Nailit dhe e nënë Feruzesë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s