Krenaria dhe ëndrra e një vajze (Sevasti Qiriazi ) / Nga Zhuljeta Grabocka Çina

 

Krenaria dhe ëndrra e një vajze
 
 
I. “ I quaj heronj ata që sakrifikojnë veten për hir të të tjerëve dhe jo ata që sakrifikojnë të tjerët për hir të vetes”
 
 
Sevasti Qiriazi
1871 – 1949
 
Në historinë e arsimit shqiptar pas hapjes së shkollës së parë shqip më 1887 në Korçë, Shkolla e Vashave më 1891 do të ishte një tjetër arritje e madhe dhe një domosdoshmëri e kohës. Ajo u ideua si një projekt i Gjerasim Qiriazit, por u realizua dhe u bë kuptimi i gjithë ëndrrave e sakrificave të jetës së motrave të tij, Sevasti edhe Parashqevi Qiriazi.
 
Arsimi shqiptar lindi e mori tiparet e tij kombëtare në mëngjesin e përpjekjeve shtetformuese. Platforma e tij si një diell iluminizues i siguroi që në hapat e para një të ardhme qytetare civilizuese të aftë për të ecur përkrah vendeve të moderuara. Shkollat e para shqipe u bënë vatrat e kristalizimit të platformës së Rilindjes sonë Kombëtare. Zgjidhja e çështjes së alfabetit, shënon fillimin e përpjekjeve për standardizimin e gjuhës së shkruar shqipe. Hartimi i teksteve e vizioni perëndimor i orientimit të arsimit së bashku me eksperiencat e metodikës amerikane të edukimit të befasojnë me prioritet e treguara. Rruga e përhapjes së dijeve ka heronjtë e saj. Sakrificat e tyre i ngjajnë misionit Prometian të vetësakrifikimit. Në fluturimin vizionar ata i ngjajnë nositit fjalëzjarr të Lasgushit. Në fund të jetës Sevastia edhe familja e saj u kryqëzua si një Krisht. Por në rrugën e ndërgjegjësimit shpirtëror e kulturor të brezave figura atdhetare e mësuesit mbetet nga më të respektuarat. Për çdo shqiptar të thjeshtë mësuesi mishëron edukatorin e së ardhmes së vendit. “Mësueset e popullit” Sevasti dhe Parashqevi janë konceptuar të pandara në këtë mision pavarësisht kontributeve të tyre të veçanta.
Shembulli i tyre është aktual edhe sot, se “Ne mundemi” të ngrejmë arsimin në lartësinë e detyrave të epokës digjitale dhe nxënësin të aftë të zgjedhë informacionin në një botë të re e përherë në ndryshim. Çdo hap individual duhet të vlejë si fara e një bime të mbarë, frytet e së cilës do të vilen në të ardhmen.
 
II. “Jeta ime”
 
jetëshkrimi i pabotuar i “Mësueses së popullit”
 
Sevasti Qiriazi – Dako
 
Në vitin 2016 u botua jetëshkrimi i pabotuar i
 
“Mësueses së Popullit” Sevasti Qiriazi – Dako
“Jeta ime”nën përkushtimin e kërkimeve hulumtuese prej dy dekadash nëpër arkiva e dokumente të studiueses Dana Stucky. Ky libër u botua së bashku me koleksionin e botimeve me rastin e përvjetorit të 500- të të Reformacionit Protestant në Europë, të 200 vjetorit të projektit për përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe e tjera ngjarje që lidhen me botimin e Ungjijve dhe themelimit të Vëllazërisë Ungjillore në
 
Shqipëri. Vepra “Jeta ime” përshkruan përjetimet vetiake “të romancës heroike” të “Mesueses së Popullit” siç vlerësohet vetë jeta e saj, por dhe prej studiuesve ky libër. Nëpër faqet librit vetërrëfimi i Sevasti Qiriazit rrjedh i natyrshëm e modest, me vetëpërmbajtjen e një protagonisteje në vorbullat e historisë kur duheshin marrë veprime të guximshme e të mençura. Hapja e Shkollës së Vashave, në qytetin e Korçës ishte një akt historik, jo vetëm i domosdoshmërisë së edukimit të vajzave për të thyer konceptet që i mbanin mbërthyer brenda 2 të shtëpisë, por synimi i tyre ishte më i madh, përgatitja e vajzave e grave si misionare e veprimtare të së ardhshmes emancipuese të shoqërisë. Në këtë mision prijetar shikuesit shqiptarë të ekranit të madh e kishin përjetuar figurën e Sevastisë në filmin kushtuar Mësonjtores. Skenari i Natasha Lakos i jepte mundësi aktores së madhe Roza Anagnosti të mishëronte shpirtin idealist deri në therrori të Sevasti Qiriazit. Të gjitha elementet regjizoriale të filmit e sjellin epokën e udhës së shkronjave të plotë në detaje: si një aspiratë, si një luftë midis së mirës e së keqes, si rruga e vetme e davaritjes së errësirës shpirtërore drejt dritës së diturisë, drejt prosperitetit të vendit. Askush nuk e përmendte në kohën e diktaturës, se vepra i kushtohej jetës së Sevastisë e Gjerasimit Qiriazit, as nuk thuhej se ekzistonte një jetëshkrim i pabotuar i saj. Autorët e filmit ia kanë dalë të përjetësojnë “monumentin” e ngritur në kujtesën e gjallë, që njerëzit e thjeshtë e ruanin nëpër zemrat e tyre për anëtarët e familjes Qiriazi. Korça do të ishte amfiteatri, që priste krahëhapur bijtë e bijat e tij të realizonin ëndrrat më të guximshme e të sfidonin kohërat. Prej veprës së tyre buron qytetaria e krenaria e ligjshme që ndjen sot i madh e i vogël për veprën e tyre atdhetare e humaniste. Bilbili i gjuhës shqipe do të bekonte nismën e shenjtëruar të Sevastisë në shtëpinë tij që ishte shndrruar në vatër të shqiptarizmës.
– Motër, ti nuk mund të bësh për Shqipërinë punë më të mirë, se kjo që tashmë ke vendosur të bësh së bashku me vëllanë tënd për emancipimin e grave të vendit tonë të vogël e të varfër. Këtyre fjalëve Naimi u shtoi urimin më të madh të shqiptarëve:
 
“Dalsh me faqe të mbarë!”
 
Prej mbrothësisë së këtyre veprave të mira Naimi i madh do të shuante flakët e shpirtit të drithëruar, kur shkruante vargjet e poezisë antologjike “Korça”
 
….Lumja ti, o Korça lule që le pas shoqet e tua…
Korça ende vazhdon të rrezatojë spektrin kulturor e atdhetar në dimensionin e aspiratave të një Rilindjeje të përjetshme.
 
Libri i Sevastisë është njëherazi edhe një sprovë historike. Ajo sjell një analizë të detajuar të fakteve dhe protagonistëve të drejpërdrejtë të ngjarjeve para edhe pas vitit 1912, si stade të historisë së Ballkanit…”në se faktet e mia, – shkruan ajo, shkaktojnë dhimbje nuk ështe faji im. Është faji I atyre që i bënë të këqijat dhe shpuan zemrat e të pafajshmëve”. Drama e kufijve e luajtur në kurriz të copëzimit të trojeve shqiptare prej fuqive të mëdha nga kancelaritë e Europës, janë faqet ku dhimbja e Sevastisë për humbjet e gjymtyrëve të trupit të tretur prej robërisë i nënshtrohet objektivave të qarta të njohjes dhe të mbrojtjes së të drejtave universiale të popujve të vegjël! Ajo nuk rresht së përmendur lashtësinë, indentitetin kulturor dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, si një degë e veçantë në trungun e pemës së gjuhëve indevropiane. Pasioni i hershëm i saj për historinë, njohjet e drejtpërdrejta me personazhet historikë të kohës e
 
bëjnë përshkrimin e saj lehtësisht për të konceptuar kurthet e pabesa të historisë. Ajo udhëton prej Manastirit në drejtim Turqisë kontinentale në një moshë shumë të re, por e rritur në shpirt prej ëndrrës së saj të madhe. Çdo udhëtim i saj nëpër Europë e deri në Amerikën e largët ishte në funksion të “idealit të hershëm” siç shprehet ajo,- të ngrija popullin tim drejt shkollimit dhe pavarësisë!
 
III. Idhujtaria
 
Sevastia ishte një prej katër fëmijëve të familjes Qiriazi. Vëllezërit e saj Gjerasim e Gjergji janë veprimtarë të ungjillizimit, aq sa janë dhe protagonistët e shembullit për drejtësi në zgjidhjet e fateve të kombit! Protagonizmi i tyre në ngjarjet e kohës, sidomos në Kongresin e Manastirit edhe me vonë i motrave Sevasti e Parashqevi kanë lejtmotiv
 
ndërtimin e Atdheut. Kanë lejtmotiv fjalët himn të këngës së alfabetit. Atë që Skënderbeu e bëri me shpatë në shekullin e XV, ato si veprimtare e intelektuale do ta bënin duke shenjtëruar rrugën e artë të shkronjave, të bindura se vetëm dituria do të na hapte perspektiva të mëdha zhvillimi në shekullin e ri. Edhe në kohët më të errta mund të gjendet një shteg i hapur. Ajo eci në gjurmët më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
 
Çdo epokë ka një idhujtaritë e veta. Epoka e Rilindjes Kombetare kishte heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Aksioni i tij historik e ushtarak është shembulli i liderit botëror të qëndresës kristiane dhe mbrojtjes së kulturës europiane. Kujtimi i prijësit nën tisin e legjendës përjetohet mes vetive që mishërojnë kalorësin e paqes e virtytin liridashës, liderin përparimtar e bashkëkohor. Koha e robërisë otomane po perëndonte nuk kishte kohë për të humbur. Evokimi i lavdisë së motit të madh do të bëhej lejtmotivi i gjithë aspiratave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për arsimin dhe kulturimin në gjuhën amtare.
 
“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar”
… duhet të shkruhet në ballin e shqiptarit të çdo kohe!
 
“Jam shqiptare”. – shkruan në faqen e parë të jetëshkrimit të saj Sevastia. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës, mbase më të rëndësishëm se dhe familja”.
 
Shqipëria shpaloset në penën e saj jetëpërshkruese me një bukuri të virgjër, “primitive dhe e pashtruar” që ngre krye me bëmat e saj historike. Fatalisht, aty ku ndahen kufijtë kulturë – formues të kontinentit të vjetër. Sevastia e shkruante jetëshkrimin e saj “Jeta ime” më 1935, si shembull i luftës së përditshme për realizimin e ëndrrës së saj të paqtë e të pa koruptuar me çdo forcë që binte ndesh me idealin e saj. Ajo ishte e ndërgjegjshme për sakrificat e realizimit të kësaj sipërmarrje. Historia e Sevastisë është historia e hapave themelues të arsimit shqiptar në kohët më të errta kur nuk mund të bëhej fjalë për shkrimin e gjuhës shqipe dhe hapje shkollash edhe aq më tepër për edukim e të drejta arsimimi të vajzave te reja. Largpamësia e Sevastisë është rrjedhë e natyrshme e formimit të saj, e aktit të parikthyeshëm të “aventurës së parë”. Kur në burgun e famshëm Jedikule të Bosforit do të takonte një ndër shqiptarët me të shquar të kohës Koto Hoxhin. Historia herioke e jetës së tij e bëri Sevastinë të mos lerë gur pa lëvizur e ta takojë atë atdhetar, që kishte dhënë gjithë forcën e mendjes dhe energjitë e tij në ndihmë të vendit! E veshur si djalë pa marrë parasysh rreziqet arrin të futet në labirintet e burgut ku nga të gjitha anët dëgjoheshin rënkime, psherëtima e mallkime; një ferr i vërtetë, do të shprehet Sevastia, më real se ai i Dantes! Pas një dere të vogël, në një vrimë të qelbur, nën një vazhdë drite që binte nga një frëngji, ajo mundi të shihte një figurë të mjerueshme pa mundur të dallonte në ishte një qenie njerëzore. Mbi një rrasë guri, mbi një grumbull leckash rrinte kruspull Koto Hoxhi! Në sytë e saj nuk fshihej dilema, se si në atë trup të mjerë e të frikshëm mund të jetojë shpirti i Kotos udhëheqësit të madh shqiptar! Asnjë penë nuk mund të përshkruante gjendjen e mjerë në të cilën jetonte shpirti këtij martiri!
“Kam ardhur atë, – kumboi perëndijshëm zëri i vashës, në atë birucët ë thellë, të të them se fara që ti ke mbjellë po jep frytet e veta, se shpirti yt jeton në zemrën e popullit tënd”. Vasha e ndjente thellë në shpirt se historia e tij do të ishte një frymëzim për të. Ajo kishte vendosur t’i kushtonte jetën ndriçimit e mëkëmbjes së motrave shqiptare. Do të ndiqte mësimet e Lidhjes Shqiptare, për të cilën Parta e Lartë kishte arritur ta përçante por jo ta mposhte. Sulltani i kishte premtuar Kotos faljen e jetës me kusht, që ai t’i jepte emrat e njerëzve që organizuan Lidhjen Shqiptare.
Koto, – i pat thënë Sulltani, a nuk e di se koka jote është në dorën time? Po, Madhëri ia kthen Kotoja, koka ime është në duart e Madhërisë suaj, shpirti i takon Perëndisë, mirëpo nderi është imi!
Politika “përça e sundo” e Sulltanit e kishte bërë punën e vet. I lumtur për sa kishte dëgjuar nga vasha, edhe Kotoja i jep bekimin. Arsimi është arma
që vret tiraninë. Si një Zhan d’ Arkë, Sevastia do tëhidhej nga krahët e ëndrrës në frontin e realizimit të idealeve te larta që ushqenin shpirtin e saj. Duke menduar rreth veprës e fatit të këtij martiri, nën shembullin e Kotos, Sevastia do të marrë vendime të patundura. Ajo i kishte shembuj frymëzimi, simbolet e qendresës historike, gjithçka tani ishte çështje nderi dhe e mbajtjes së fjalës së dhënë. Sevastia e njihte shpirtin e popullit të saj, dhe si bijë e tij nuk e zhgënjeu. Në faqet e librit të saj gjen copëza të mrekullueshme siç janë tregimet legjendat e babait të saj rreth zjarrit të vatrës familjare. Histori të edukimit e modelimit prindëror. Prindërim që buron virtytshëm, prej detyrës sublime me shpresën se bijtë përgatiten për kohë të reja e detyrime të reja.
Një popull i virtytshëm ka të ardhme!
Shkolla e Vashave është një “Pishtar flakërues!”
Ajo është një krenari e një ëndërr për çdo vajzë të re!
 
 
Nga: Zhuljeta Grabocka Çina
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s