/ p a l i m p s e s t / KËRKIM BOTËSH TË FSHEHTA / Nga: Salajdin Salihu

KËRKIM BOTËSH TË FSHEHTA

/ p a l i m p s e s t /

E bukura flet vetë dhe nuk mund të komentohet nëpërmjet gjuhës së zakonshme. Me gjuhën e zakonshme flet mendja. Me gjuhën e poezisë flet shpirti. Gjuha e poezisë, artit, siç thotë një studiues, mbart informacion të shkallës më të lartë. Komentimi i “gjuhës së harruar” me gjuhë të zakonshme është përpjekje me rrezik, prandaj shkrimet e mia për poezinë shpesh i kam quajtur palimpseste, përfshirë edhe shkrimin për poezinë e poetes dhe prozatores Entela Safeti – Kasi, një emër i respektuar në sistemin tonë letrar, libri më i ri i së cilës është i veçantë për ndjeshmërinë dhe shprehjen poetike.
Palimpsesti është dorëshkrim në papirus apo pergamenë, ku është fshirë teksti paraprak dhe mbi të është shënuar një tekst i ri.
Në këtë palimpsest timin është fshirë poezia dhe është shkruar me gjuhë të zakonshme diçka për të fshirën.

 

Entela Kasi

E bukura është brenda palimpsestit. Autorit të tekstit i mbetet ngushëllimi se nëpërmjet këtij shkrimi mund ta nxis lexuesin të sheh pjesën tjetër të ajsbergut; ta lexojë poezinë e Entela Safeti – Kasit, duke zbuluar shtresa të shumta të saj.
Poezi e Entela Kasit na shpërfaq shumë imazhe për të cilat edhe mund të kemi menduar se i janë fshirë botës sonë. Këta imazhe mund të jenë ndryshe prej atyre që i “vizaton” autorja me ngjyra malli, dashurie, zhgënjimi, pikëllimi apo shprese. Alen Boske thotë se poezia mundëson takimin e vetëdijes së poetit me të lexuesit, i cili teksa e lexon një poezi, ai njëkohësisht e lexon vetveten.
Njeriu i mbart me vete edhe kohërat e ikura, bashkë me imazhet, tronditjet, dashuritë e tyre. Poezia si kthim drejt vetvetes shpesh bëhet shpëtim dhe mundësi për të zbuluar botët e fshehta, botën e fëmijërisë, të vendlindjes, imazhet e së cilës i mbartim me vete ku(r)do. Ato e freskojnë jetën kur sundohet nga rutina, refreni dhe pagjuhësia. Na krijojnë një paralele ndërmjet dy botëve të ndryshme. Këto imazhe poeti i ringjall dhe i ripërmason nëpërmjet “gjuhës së harruar”, nëpërmjet poezisë, sikurse këtë e bën me mjeshtri edhe poetja Entela Kasi, në një mënyrë mbresëlënëse dhe me gjuhë mjeshtërore.
“Bota tjetër” është botë qetësie, e paqtë, me shpresa, iluzione, dëshira e vizione të një qenie të brishtë. Entela Safeti – Kasi e paraqet këtë botë imazhesh artistikisht, me dashuri të thjeshtë njerëzore, si çdo dashuri që s’e duron komplikimin e panevojshëm. Në këtë botë e kërkon një ëndërr për shpirtin e mbushur me dhembje e zhgënjime. Njeriu ka nevojë për ëndrra, sepse siç thotë një varg popullor, kur na lëshojnë ëndrrat, na kapin dhimbjet. Poetët i rrëfejnë ëndrrat e tyre nëpërmjet një gjuhe simbolike.

 

Bukuresht, Rumani

Bota e mëpastajme, e të rriturve, mjerisht, është shpërfytyruar, është e egër, ngulfatëse, e dehumanizuar esencialisht. Ajo sundohet nga bezdia, makutëria, rutina, refreni, trivialiteti, uniformiteti. Aty ka humbur ekuilibri ndërmjet faktorit shpirtëror e material. Aty shëmtia kudo ka lënë gjurmët e saj. Është “ishull i shkretimit”, me “gjurmë pikëllimi” e me ndonjë “thërrmijë parajse”. Është botë pa përralla gjyshesh, pa nanurisje ëndrrash e pa ninulla. Kjo botë shfaqet e trishtë në poezinë “Daullet prej lëkure njerëzish”. Turma endet si somnambul. Aty ka kupa helmi, varreza zogjsh, lavdi të rrejshme, ikanakë pa adresë, që ikin nga bota dhe nga vetvetja. Në këtë botë “liria arratiset nga çdo qenie njerëzore”, “pikëllimi hedh rrënjë”, ka “skena të marrëzisë së përhershme”, “askush nuk lëndon ëmbëlsisht”, “s’ka perla puthjesh”, ka rrugë të trishta dhe muzgje trishtimi gri.
Entela Safeti – Kasi shpesh e shfrytëzon një bazament për lartësimin e kështjellës së saj poetike. Janë baladat popullore, gatuar prej dashurisë e dhembjes së autorëve të paemër. Atyre u vesh petk të ri ndjeshmërie të thellë femërore. U jep tjetër frymë e tjetër shpirt.
Autorja beson në fuqinë e dashurisë. E do një jetë, që nuk i mungon kjo ndjenjë, sepse “kur dashuria humb, zogjtë bien gjithkund”.
Me mjeshtërinë e saj arrin të krijojë “një mozaik ëndrrash e rrënjësh”, me “kopertina gjethesh”, me “fletë druri”, ku “e pathëna thuhet pa frikë”. Fryma e poezisë së saj është skajshmërisht humane. Njeriu është gjithçka. Është krahu i “shkëputur prej engjëlli”, fati i të cilit është shkruar në një perlë. Jeta e tij kuptimësohet nëpërmjet dashurisë, qoftë kjo dashuri çasti. Kohëzgjatja ka tjetër kuptim në dashuri. Mjafton një çast që vlen sa një jetë. Një çast që fiksohet përgjithmonë në kujtesë. Apo sikurse thotë poetja: “më i rëndë se ndarja qenka harrimi”, që ta kujton vargun e bukur të Nerudës: “sa e shkurtër dashuria, sa i gjatë harrimi”. Ashtu siç në një botë pa dashuri mund të ndodh një jetë, që nuk ka se çfarë t’i kujtosh, madje as një çast.
Libri i Entela Safeti – Kasit na zbulon botë të fshehta, brenda e jashtë nesh. Na zbulon nëpërmjet “gjuhës së harruar”. Na e vë pranë këtë botë, siç Hamleti vë një pasqyrë, për të parë të zitë e botës ku gjallojmë. E këtë e bën me mjeshtri prej poeteje. E për ta shijuar këtë mjeshtri mjafton që të shohim diku më thellë në palimpsest.

Nga: Salajdin Salihu

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s