Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

SA HERË QË FRYNË MURLANI

Sa herë që frynë murrlani
Era e vesh këmishën e vdekjes
Statujat e mermerta
Këndellen si në kohën e Gjergjit

Ringjallen rrapet
Drurët kanë një ecje madhështore
Rreshtohen si dasmorët
Sytë e peshkatarëve kacafyten me dallgët

Sa herë që fryn murrlani
Rrënjët çohen peshë
Gjethet gjethojnë edhe në dimër
Atdheu s’pyet për dhembje.

 

KUR I HAPA SYTË

I munduar deri në alivanosje
Mbështeta kryet mbi flokët e mjegullave
Më zuri një gjumë i rëndë
Kur i hapa sytë
Dita veç kishte ikur përtej maleve

Dhe sërish e sërish desha ta mbështes kokën
Për shtatin e lodhur të natës
Nëpër male po thyhen degët e gështenjës
Një grusht mendimesh të huazuara
Më ranë si kumbullat e kalbëta për tokë

Rruga ishte e gjatë deri te ëndrra e jote
Shtatëqind vjet udhëtove
Nëpër monopate dhembjesh
Askund vend ku ta mbështes
Kokën time të dërmuar prej trishtimeve.

 

HIÇ MË LARG SE DJE

Për çudi të gjithëve
Çdo ditë më kujtohen ndarjet
Një epigram mbi dollapin e harresës
Një qiri i ndezur
Fanari në detin e hapur
I përshëndet peshkatarët fatlumë

Nga retë e dendura
Dielli na shikon vetëm me një sy
Kurse me syrin tjetër
I përcjellë krushqit e vonuar
Te dy rrapet
Dëgjohen rapsoditë e së kaluarës

Hiç më larg se dje
U pamë fshehurazi
Me statujat e mermerta të atdheut
Vetëm në atë çast të lumtur
Dielli kishte një shkëlqim të tejdukshëm
Nga sytë e gurit të latuar
Pas njëqind vjetëve pikuan lotët e gëzimit.

 

FLENË MBULUAR ME ÇULL KUAJSH

Ecim nëpër fragmente të thyera
Rrugëve të vetmuara shohim
Njerëz të mermertë
Diku përmendore ngadhënjimi
E diku tjetër
S’dua as të mendoj se çfarë shoh

Shiringa mbështjell me copëra gazetash
Kukulla me duar dhe këmbë të thyera
Shkelim si somnambul
Mbi baltën e përditshmërisë së jetës
Nëpër lagjet e boshatisura
S’pushojnë as lehjet e qenve të tërbuar

Nën urat e qytetit muze flenë të dehurit
Flenë mbuluar me çull kuajsh
Mëngjeset i presin me shishe nën sqetull
Të zhdehurve vetëm etje e padurueshme
Ua gërryen gurmazin e tymosur
Trupin tim të dërmuar
E përkund një furtunë e posa lindur.

 

NJË KALË I EGËR KISHTE ETJE TË MADHE

Ishte një mëngjes i turbullt
Këndesi i zgjoi nga gjumi dimëror
Çatitë e përgjumura
Zgjoi edhe përroin
Pak më vonë pushuan ulërimat

Thonë se atë ditë
Një kalë i egër kishte etje të madhe
Malet ndizeshin flakë
Edhe drurët vuanin nga e njëjta sëmundje
Sa që thaheshin rrënjët e rrapeve

Po ai kalë i egër rra në dy gjunjë
Jo për tu lutur
Por për ta kafshuar dheun
Dhe e kafshoi gurin e murrmë
Nga i cili buroi uji i kthjelltë si loti

Tregonin pleqtë se nga ky kafshim
Lindi Lumëbardhi
Edhe malet u bënë konak njerëzve
Që aq shumë e deshën lirinë
Sa që për atdhe e flijuan edhe jetën.

 

ASGJË KËTU ASKURRË NUK PUSHON

Rrugëve pa rrugëdalje të qytetit tim
Si hijet e padukshme
Lëvizin veladonët e të gjitha ngjyrave
Lëvizin hijet e shpirtrave paganë

Mjerisht asgjë këtu
Asnjëherë s’pushon
Gjërat në këtë qytet të vogël
Ngjajnë me thashethemet e trilluara

Nëpër kajsishtat e shkulura
Kanë zënë e po mbinë
Barojat e këqija
Po mbijnë si të ligat e njerëzve

Rrugëve të errëta të qytetit tim
Bredhin hijet e dyshimta
Bredhin edhe trishtimet
E netëve të zeza të thikave

Asgjë këtu askurrë nuk pushon
Prej çastit në çast ndryshon rrjedha e ujit
Edhe ky lumë sonte po i përngjan
Historisë së përdalë të Ballkanit ziliqar.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s