Poezi nga Eliverta Kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

AS MISH, AS PESHK

Lumë, liqen, det e oqean
I ndan toka, guri, shkëmbi e rëra
Ti, harrove se në Tokë bëhen të tëra?
Zoti na ka bërë tokësorë
Me mëkatin na bekoi…
Mos u sill si peshk!
Ujë, ujë, ujë gjithandej
I ëmbël a i kripur
Rrethon Tokën
Ndan kufij
S’lan mëkate
Dritëshkurtin s’e bën jetëgjatë
Zjarret nuk i shuan mes nesh
A shuhen shpirtrat prej mishi e gjaku
Kur mortja që përgjon tek veshi
Në çast i ndez?
Përndizen yjet
Përflaken pyjet
Kaq ujë mes nesh
Digjen toka, shtëpitë, pemët, njerëzit
Nëse vazhdon mes ujrave
Hyr e dil si peshk
Flaka do ti dalë edhe detit…

 

SHKUMBINIT

Dashuria, shënon mallin për vendet
I thashë Shkumbinit kur më doli në ëndërr
Për mua teksa shkumon mall fëmijërie
Të lashtë më bën të ndihem si rrapat buzë lumit
Kur si varka hedh drejt meje kujtimet
Më përmall, duke ma zhbërë rritjen…

Ajo komordarja e zezë gjithë mballoma
Që babi më sajoi nga një gomë makine
Ndoshta ishte trageti im i parë
Që nëpër hurdhat e lumit më voziste
Sheja, Kosumi, Hasa, Rrapuni e Murrashi
Ishin resortet e dikurshme, pa yje
Plazhet e fëmijërisë time
Pa teka dhe wifi, veç bukë me vete
Pa prenotime turistësh e oferta
Gëzueshëm pranë lumit veronim …

Kuqëlonim në ujin nga dherat plot hekur
Kurrë s’u kthjellua ai ujë që më kaltëroi fëmijërinë
Edhe pse si të tillë ndërmend e sjell
Liria që ndieja, ma bënte të qielltë?
Nga malli për vendlindjen
I kaltër, si një princ pas më ka ndjekur
Me lumin, si shall përcjellje në ikje
Qyteti më ka përshëndetur…

Rrymë e shkumë më trazonin shpirtin
Muzë e vargje shtrati i lumit mblidhte
Ishte gjarpërimi i tij nëpër rrapishte
Bulevardi i ëndrrave vajzërore
Që lindën, u rritën e shëtitën aty
Aty mbetën hijeve
Por Shkumbin
Unë s’mbeta tek ty…

Ndonjë djalë po të më kish puthur në prehrin tënd Shkumbin
Si stacion dashurie
Ndoshta do të më mbaje peng
Siç mbajta unë zallin tënd
Në cikatrice që gjakosen e dhembin
Sa herë që ti mi kafshon ëndrrat
Me puthjet që dot s’mi dhe…

 

E PAKUPTIMTË

Në një botë
Që s’më bezdis me andrrallat e saj
Jetoj gjithë bezditë e mia
Kënd pa cekur…
Po ju o njerëz
Që s’rrini dot pa futur hundët
Tokë e qiell duke bërë lesh e li
Pse nga kjo ndiheni keq
Keni bezdi?

 

NË NJË BULË LUMTURIE

Lumturia
Nuk është lulja e paprekshme mbirë në shkëmb
As ishulli i thesareve të pazbuluara
Teksa gjendem në paqe me veten
Është një bulë që më mban brenda saj
E më bën të shijoj çdo çast
Kur si gërshet, më thuren në shpirt
Ajri, dielli, uji
Dhe hapësirë e pamatë…
E pakumtimtë
E pashije më bëhet
Një abstrakt
Nëse dikush nuk e prek
Nuk e ndien dhe jeton si unë
Lumturia nuk zgjat…
Me dikë duhet ta ndaj
Këtë bulë tejdukshmërie të stërmadhe
Shend e gaz
Ti
Që shkak i lumturisë time je
Eja
Mos rri larg
Eja ti strukemi njëri tjetrit
Si fatlumë
E vuajmë bashkë…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s