Poezi nga Lida Lazaj

Poezi nga Lida Lazaj

 

Bosh

Bosh e harruar ngjasoj në këtë çast,
si një gotë uji e sapo pirë,
që buzët ja puthin të gjithë dhe e shtyjnë mënjanë,
si një sy i madh pa trup,
si sferë drite pezull në hapësirë.

Dita e dalë nga mugëtira ecën në rrugë,
me dorën qumështore
ushqen veten me një biberon me shpresa të purpurta,
me tjetrën dorë shtyn karrocën diellore.

Në çastin kur kalon para meje me tingëllima lilkash
dhe më shkel syrin,
me syrin e gotës bosh, e shoh në fund të rrugës,
teksa futet në mugëtirë me kërcinj të tharê,
kockë e lëkurë.

 

Bulëza jete

Një ki-ki-ri-ki-ko,
një cicërimë,
një e qarë foshnje,
skalioni i parë i betejës së verës,
pa të mundur e triumfatorë.

Poret mbushur me zjarr,
flokë të flakëruara dielli nëpër trup,
si gishtërinj të zjarrtë,
na kthejnë në bulëza djerse.

Një bulëzë ti,
një bulëzë unë,
bëhemi lumë
ku jeta lëng jete pi,
mbështillet me natë
dhe zgjohet në mëngjes e freskët,
për betejën e radhës.

 

O shpirt i shpirtit tim

Po vjen mëngjesi
dhe unë një ëndër sonte se mbolla në sy
ah, eshkë e ndezur kjo zemër digjet
nga malli për ty.

Tri luledele janë nisur
të të sjellin lajmet e fundit,
ditën ecin
natën freskohen burimeve,
ku hëna ujë pi.

Ende s`kanë mbërritur?

Sa e largët rruga për tek ty,
o shpirt i shpirtit tim.

Babush,
në tokën, që për at të njeh ty,
bari, si kot më kot ka marrë përpjetë,
kumbulla e moÇme sivjet asnjë gjethe s`pati
myshku i murrmë i ka pushtuar trungun e zgavruar
degët si krahët e tua i kërcasin.

Kumbullat e reja dhe ftoi,
me ndihmën e flladeve të korijes
i dërguan petale
dhe jargavani i dërgoi aromë për ngushëllim.
dërgoje dhe ti fluturën tënde,
i duhesh kumbullës,
i duhesh tokës,
më duhesh mua,
o shpirt i shpirtit tim.

Gjethen e paprekur të lëpjetës
kërcelli i së cilës është trashur sa llëra ime,
kur të rrija ngjitur si kopsa e këmishës,
një familje kërmijsh e ka kryqosur me ar.

Babush, o atë
tokës tënde po i ofrohet mbiemër të ri,
një tjetër zot mund ta shalojë si kalë lufte.
dhe mund të bëjë me të si me Çdo send, që blihet e shitet.
dhe dheu do bindet.

Por kurrë më nuk do të gufmojë si brumi në magje
kurrë më kopshti nuk do të kullojë musht si gjinj mëndeshe.

Kurrë më,
sepse nuk është më dora jote,
që miklonte e llastonte Çdo grimcë dheu,
që ledhatonte Çdo bimë si foshnje gjiri.

Babush, a më dëgjon,
jam gati të bëj me veten harakiri,
që të të krijoj sërish prej gjakut tim.

Babush, o shpirt i shpirtit tim.

 

Thesari

Në qytetin shumëngjyrësh,
ku busulla sklerotike ka humbur kujtesën,
ku ngjyrën më të zbërdhylët, 
veshin njerëzorja dhe mirësitë,
ku morri dhe horri kapardisen me frak e papion,
ku huri dhe guri shesin dëngla dhe dritë,
kohë më kohë
kur qielli i korruptuar, snob e i pacipë
më trajton si një copë tw çfarwdoshme pa vlerë,
e me thonjtë ku strehohen krejt palavitë,
m`a zë fjalën në grykë
edhe vetë ndjehem si kukull argjile.

Kur e kur,
kur ndodh kështu
me buzëqeshje dhe heshtje mbuloj poret e lëkurës,
që marrin atributet e gojës e klithin:
“Jam bija e farëhedhësit,
të cilit, sapo hidhte farën e grurit në ugar,
në brazdat e duarve i mbinin kuleçë të ngrohtë
dhe supeve i qëndronin zogj.

Në secilëin mur të fisshëm të shtëpisë
kishim dritësore të mëdha
ku bujtte dielli njëzetekatër orë në njëzetekatër,
e në secilin pezul të secilës dritësore
kishim libra, ku ati im lexonte filozofitë”.

Eh, diellori Ati im,
më njerëzori ndër njerëzi,
me lugë të madhe më mëkoi njerëzoren dhe mirësitë
dhe lugë pas luge,
hapësirën midis të dëshëruarës dhe mundësisë,
trashëgim dhe amanet më la.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s