Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Janë të tilla dashuritë

Dymbëdhjeta ra ngadalë,
Dritat koten në lokal.
Sa mezi na del një fjalë…
Eja, mik, të kam në zemër,
Pse më hedh vështrime shtrembër?
Dhe më pyet: Brodhe botën?
Do ta them, po mbushma gotën!

Mbushe dhe një gotë për vete,
Të këndojmë, kemi siklete!
Ule radion, le t’ia themi
Këngë të vjetra, xhan i kemi!
Nga ato që vetëm flasin,
Dashurinë në shpirt e ngasin,
Si me thikë në gjoks godasin.

Dhe gjëmon kjo zemra ime,
Po zërat mezi dëgjohen.
Jepmë dhimbjen, dritën time!
Këta gjela pse nuk zgjohen?!…
Brenda gotës seç pikokan,
Pika loti s’u mbarokan,
Verës ngjyrën ia kthjellokan!

Dashuritë të tilla janë,
Kur mërziten rrinë mënjanë.
Si udhëtarët udhëve mbesin,
Llogari pashlyer tresin.
Eja, mik, ta ngremë një gotë,
Mos më hidh vështrime kot,
S’e ndryshojmë dot këtë botë!…

 

E deshëm atë natë

Një rreze drite vjen,
Një dhele ere shkon,
Ca zëra që s’janë më
S’ka ditë që s’m’i kujton.
Një dallgë deti vjen,
Një dhimbje loti shkon,
Ca këngë me vete merr,
Dhe kurrë nuk i harron.

Qyteti i tërë që fle,
Ca ëndrra më kujton:
Gjithmonë fëmijë je mbret,
Dhe në bodrum kur rron.
Je mbret edhe pa qiell,
Kur topit pas i shkon,
Në gris dhe kanotierë,
S’ka nënë që të mallkon.

Te qoshja në rrugicë,
Nën llambën me neon,
Të parën herë e ndjemë
Të dashurisë aromë.
E deshëm atë natë,
Që jeta desh e zboi
Por erdhi dita prapë,
Mbi leshterik na zgjoi.

Se detin kam në gjak,
Me kripë ma ëmbëlton
Dhe pse shkojnë vitet varg,
Ta sjell ndër mend s’është vonë.
Këtë diellin bredharak,
Që hijet m’i largon,
Shkëndi e kam n’oxhak,
Gëzim e shpresë më zgjon.

 

Atje ku mbaron deti

Atje ku mbaron deti
E nisa jetën time.
Edhe pse gjallë u ktheva,
Më rridhnin plagë pas shpine.
Se, si një dallgë qe jeta.
M’u desh veç të përshtatem.
Të numëroj frymëmarrjet.
Në çdo hap dhe të matem.
Atje ku mbaron deti,
Një poezi të shkrova,
Më thërriste amaneti,
Me emrin tënd e kova.
Kjo jetë nuk qe kohë flirti,
M’u desh veç të përshtatem
E pa gulçima shpirti,
Në çdo hap dhe të matem.
Atje ku mbaron deti,
Askund unë nuk të gjeta.
Rinia atje ç’më mbeti,
Ca udhëve të shkreta.

 

Si erë e lirë

Shikoj kaltërsinë e qiellit, përtej.
Vallë, a do të ketë botë më të mira?!
Ndaj si Ikari ngjitem lart mbi diej.
Dua të dal nga errësira.
Tani që veten e ndjej më të lehtë,
Po thith oksigjen, atë blunë e vërtetë.

Kërkoj të gjej shpirtin tim binjak,
Nuk lë skutë pa rrëmuar planetin
Dhe kjo udhë nuk më ndal aspak.
Unë jam erë që përkëdhel detin.
Nuk kam frikë nga errësira që zbret,
As nga heshtja e madhe që vret.

Ndërsa ti je gjithnjë si ylli polar.
Shfaqesh si drita e parë në mëngjes.
Ngurim te ty asnjëherë nuk kam parë.
Shpirtin ma mbush me qëndresë.
Kur të shoh, më bën të këndoj.
Jam ky që jam, nuk mund të ndryshoj.

Ti thith oksigjen atë blunë e vërtetë.
Dhe ti je erë që përkëdhel detin.
Mëngjezet e mia m’i mbushe me jetë.
Gati je të sfidosh tërë qytetin.
Ndaj s’ke frikë nga errësira që zbret.
Heshtja e madhe as ty nuk të vret.

Ne thithim thellë atë blunë e vërtetë.
Jemi ne era që trazon detin.
Kohën e shkundim me forcë si tërmet,
Se nuk flirtojmë kurrë me pushtetin.
Mbetëm të rinj’ dhe pse vitet përpjetë.
Si erë e lire vrundullojmë përmbi retë.

 

Violinë dhe rrebesh

Qan violina aty, mes nesh,
Nuk ka fund ky dreq rrebesh.
Puthen notat, veshin xhamat,
Iso e shiut zbut vikamat.

S’kemi drojë, se na sheh kush,
Ti violinën ke nën gushë.
Partiturat radhë,… Belini,
Mendelsoni, Paganini.

Hënë s’ka, u shkreh në vaj,
Buzës tënde don t’i ngjajë.
Gishtat telave vërtiten,
Herë zvarriten, herë kapiten.

Mos është natë e fundit bashkë?
Dridhet era aty jashtë.
Qan violina midis nesh.
Fati ynë, vallë ndarjen ndesh!?

Ti nuk flet, as unë nuk flas,
Mos ky qiell dashka t’na vrasë?
Me rrebesh po na qëllon…
Teli MI seç më trazon.

Do ta pres, le t’më godasë.
Ky qiell plumb më bën të flas.
Se lirinë gjallë s’ma merr dot.
E kam Zot e përmbi Zot.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s