Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

VELORE ZYMTËSIE

*
Shtigjeve të melankolisë bredhë rëndueshëm
mendime t`sfilitura, në labirinthe ngatërruar
në kohë të grisura hedhë hapin mendueshëm
rrugëve ëndërrimtare, me ditën t`perënduar.

*
Fati braktisur ndër çapitje të jetës, vrullshëm
shkarje n`rrëpirat e ngashnjimit, pamshirshëm
ngrysje muzgjesh shaluar zhgënjimin, ngutshëm
e ambiciet e kotësisë defilojnë në shpirt, lirshëm.

*
Ndër horizonte lundrojnë veloret e trishtimit
hijëzohet shikimi n`vijëza puthitëse t`lartësisë
vështrim ftohtësie e kyqë portën e ngazëllimit
buzëqeshjet ngarendin adresash t`hipokrizisë.

*
Egoja e vrarë, nëpër shtytje t`huajësimi ngelet
ndër skuta harrimi mbuluar me tis zymtësie
venitet dlirësimi dhe virtyti përditshëm velet
nga shfrim pasioni ngjitur në flatra neverie…

xh. a. ç.

 

ARS

*
Ti, art i bezdisshëm
pse s`na lë rehat
n`këtë vapë të nxehtë
ku përcëllon koha,
mbi e nën rrogoz,
ku digjet butësia
n`skemlinë e uruar;
ç`na nxjerrë avaze
ti art, ç`na çanë kokën,
me cingla-mingla,
që s`ua kemi ngenë.

*
Jo, ti nuk ngjitë dot
shkallët e shpirtit
tek shpirti i tharë,
tek shpirti i njomur
n`moçal monedhash.
aty s`ke qasje,
se s`di të numërosh,
por di të ëndrrosh;
ti s`je mall për treg,
se ëndrrat treten,
jehonat mbeten
në rrugët e zbrazëta
të vëmendjes.

*
Na, një fjalë t`lustruar
sa për desert,
një buzëqeshje shablon
dhuratë për ty, art;
për ty që përplitesh
nën guna t`cinizmit
e xhubleta injorance
dhe sfidon mashtrimin
që lëvrinë përbrenda,
në unin tënd,
në brishtësinë tënde;
na, një cope kartë,
si ledhatim
a si ngushëllim,
për katandisjen
nën sigla ofiqësh
e orekse maliqësh…

xh. a. ç.

 

THJERRËZIM ÇASTI

*
Ti trim i trimave që fjalë nuk duron
dhe nuk do t`ia dish për asnjë njeri,
fut kokën në rërë, asgjë nuk shikon
se bota shtegëton tutje me hapa të ri.

*
Trimëria përflaket në prak e brënda,
dhëmbë për dhëmbë sa digjet shtëpia,
trimoshi do t`shtriqet si t`ia ketë ënda,
n`përdhosjen e vatrës i ngopet mania.

*
Në rolin e strucit shpeshherë defilon,
se trimëri e gjora, molisur nga vapa
e koka vënë kallo, urtësisht mediton,
fryrje kaposhërie dyndet nga prapa.

*
Kështu e do puna e herë e do rendi,
që vrulli trimëror të eci zvarritshëm,
n`qymeze kaposhët s`i zë dot vendi
se ndonjë dhelpër gëlltitë rrufitshëm.

*
Opinga t`përbaltura herë, herë sfidohen
nga thnegla të dheut që tokës gumzhijnë,
kur ecin në sheshe n`lustrime harbohen
rendin rëndueshëm sikur qiellin arrijnë.

xh. a. ç.

 

KUINT – AT

*
Reflektorë drite përball lëshuar
që sytë i lëbyrë si dielli n`mesditë
prapa në errësirë intrigat gatuar
në pjata shekujsh mjerimi gëlltitë.

*
Engjuj sarkastik defilojnë maskuar
shpirtin veshur në kostume cinizmi
shkëlqim i gënjeshtërt skenat ndriçuar
vetëdijen stërmbushur stoqe manizmi.

*
Aktorë plagjiatë të kohëve tragjike
inskenuar dramën e jetës së pështirë
lozur ndër akte mashtrimet magjike
fytyrash fiksuar buzëqeshjen e ngrirë.

*
N`role aktrimi, mbretër në miniaturë
mbretërisht paraduar n`teatro hutimi
skenarë anakronizmi vënë si kreaturë
dhuruar bujarisht në regji denigrimi.

*
Kalorës të ç`motshëm kohën shaluar
ëndërr kalëruar revan mbi shpresën
sinorët e vënë dhelpërisht ripagëzuar
dhe prapa kuintash rimprehur kmesën.

xh. a. ç.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s