Poezi nga Adem Abdullahu
TANI LIRISHT MUND TË MOS MË DONI
Nuk i dua ata që të rrahin shpinën
sepse nga goditja të lëndojnë veshkat.
Nuk i dua ata që në vend të buzëqeshjes
zgërdhihen, sepse i ngjajnë qenit.
Nuk i dua ata që aktrojnë dituri
sepse duken të zbrazur…!
Nuk i dua ata që pëshpërisin si sorra
sepse shtohen krrokamat e sorrave.
Nuk i dua ata që rrahin gjoks për trimëri
sepse zgjatet robëria…!
Nuk i dua ata që shiten humanë
kur në derë iu vdes lypësi për bukë.
Nuk i dua … ata që shiten për diplomatë
e në thellësi të shpirtit iu mbisundon
psikologjia e akraballëkut e mentalitetit
të alivanosur fshataresk…!
Pasha Zotin nuk i dua,
nuk i dua as ata që neveritin
me ligjerata shterpe edukative…,
e për vete nuk kanë gram edukatë.
Nuk i dua as ata
siç ka thënë Demokriti:
“… që kryejnë vepra të turpshme,
mbajnë fjalime të shkëlqyera”.
Tani lirisht ju mund të thoni
që nuk më doni mua,
shkaku i gjith kësaj mosdashurie
që kam në shpirtin tim.