Refleksion rreth librit “Sabri Maxhuni zbërthyes i kodeve” / Nga : ENTELA SAFETI- KASI

 

Refleksion rreth librit “Sabri Maxhuni zbërthyes i kodeve”
 
 
Nga : ENTELA SAFETI- KASI
 
1.
 
Ky libër është një ndër librat e shumta që janë shkuar për Sabri Maxhunin, nga autorë e studiues të ndryshëm. Në vazhdën e studimeve mbi librat e Sabri Maxhunit, Demir Behluli shkruan: ‘ në moshën time pasionet nisin e zbehen dhe dëshirat mpaken, por disa gjëra sa më shumë kohë që kalon dhe sa më shumë shtyhem në vorbullën e viteve, aq më në pah dalin dhe aq më këmbëngulëse bëhen. Një nga këto “vese’ siç e quan Umberto Eko, është leximi, që më ka shoqëruar në rininë time të hershme dhe vazhdon të më mbajë gjallë edhe sot. ( Demir Behluli- Sabi Maxhuni zbërthyes i kodeve, faqe 5)
‘ Sot kur kriza e mendimit është në krye të listës së krizave të një shoqërie, të ndarë mes vetit me kufij e barriera të shumta, një zë ndryshe, është një zë që ngrihet kundër krizës, kundër injorimit të së vërtetës dhe amplifikimit të demagogjisë’- shkruan D. Behluli në parathënien e librit të tij, duke e shtjelluar mendimin e tij në 21 kapituj ku trajton përmes argumentesh të sintetizuara tezat bazë të librave të Sabri Maxhunit.
Autori i librit ndalon në disa prej momenteve kyçe të historisë trajtuar në librat e Sabri Maxhunit, e na i sjell përmes një analize të sintetizuar mbështetur mbi leximin që i ka bërë librave të tij duke sjellë kështu edhe mendimin e tij personal në lidhje me çështje të rëndësishme si: shqiptarët përgjatë Perandorisë Bizantine, Perandorisë Osmane, Rilindjes kombëtare, totalitarizmit, luftës për çlirimin e Kosovës, dhe aktualitetit politik të faktorit shqiptar përkrah Aleancës Euro- Atlantike.
Demir Behluli në faqen 116 shkruan: ‘ Maxhuni është i vetëdijshëm se politikat e ditës shkojnë e vijnë , partitë, liderët dritëshkurtër e të lidhur si mishi me thoin me interesin e ngushtë të oborrit partiak vijnë e ikin, por e vërteta mbetet”
Në mendimin e tij D. Behluli shprehet: ‘ Nuk mund të shkosh askund me tymnaja propagandistike, pasi të ishte për këtë soj do ta kishim kapur qiellin me dorë në kohën e perandorisë sllavo-komuniste….në ekonomi në administrim nuk mund të ketë spontanitet. Ka drejtim. ( faqe, 151)
D. Behluli i është referuar disa çështjeve thelbësore trajtuar në librat e Sabri Maxhunit, duke u përpjekur të sjellë të thjeshtëzuar thelbin esencial të tyre. Në marrëdhënie me historinë, fenë, kombin, shtet-formimin, luftërat për çlirimin e trojeve shqiptare, rolin e figurave historike dhe momenteve kyçe të historisë së shqiptarëve, ndërtimin e shtetit, funksionin e shtetit, zhvillimin ekonomik, dhe faktorizimin e shqiptarëve në aktualitetin e sotëm, përkrah aleancës euroatlantike.
Ky libër i shkruar prej Demir Behlulit i ndarë në 21 kapituj, është një analizë e autorit në bazë të leximit që ai i bën librave të Sabri Maxhunit. Libri shoqërohet me pasthënie nga Hysen Këqiku.
Me të vërtetë jo rrallë herë është hapur debati për rishikimin e teksteve të historisë së Shqipërisë, dhe me të drejtë, tekstet e historisë duhen rishkruar pasi me historinë është kryer jo thjesht një gabim, por një masakër ndaj identitetit në aspektin jo vetëm kulturor e gjuhësor , por në tërësinë e identitetit shqiptar.
Sot lajmet e zakonshme që shpërthejnë në mediat tona të gjuhës shqipe, qoftë edhe në portale sundohen prej një masiviteti anti- kulturë, e për më tepër prej një shtirje të përmasave qesharake, për dashurinë ndaj atdheut, pra ndaj këtij atdheu të kufizuar me vetveten, në kufij politikë, e të rrënuar po prej nesh me gjithë ‘pasionin tonë’ prej turmash të shpëlara trush prej gjysmë shekulli izolim edhe një çerek shekulli tranzicion.
Zbrazja apo boshatisja e Shqipërisë, e territoreve shqiptare në mënyrë të vazhdueshme, pra boshatisja e atdheut cili mpaket e rrudhet në numër popullate, është nja fakt kokëfortë, tregues se kjo nuk është thjesht një ngjarje migruese e zakonshme, por zbatimi i një projekti, për të cilin intelektualët, studiuesit, akademikët, analistët shqiptarë duhej të kishin vendosur alarmin, jo të fshiheshin pas tezave e ideve se kjo që ka ndodhur e ndodh është diçka krejt e zakonshme.
E vërteta jonë e dhimbshme është se në territoret shqiptare nuk prehen në qetësi as figurat e rëndësishme historike të popullit shqiptar, pasi me to mund të luash si të duash mes ditës me diell. Kjo është diçka tepër e rëndë.
Cilët janë zbatuesit e projektit të Qubriloviqit për shqiptarët në Ballkan? A është kjo një pyetje për të cilën duhet të shqetësohen jo vetëm akademikët por po ashtu drejtuesit e shteteve dy shteteve shqiptare në Ballkan?
Përse luhet një lojë e rrezikshme me figurat emblematike të shqiptarëve? Përse nuk ka ende një histori të argumentuar mbi dokumente autentikë për figura të rëndësishme të historisë si Hasan Prishtina?
Përse nuk është sjellë Kuvendi i Taksimit, si ngjarje në lëndën e historisë? Përse principatat e arbrit, në periudhën e Shqipërisë mesjetare ende mbeten veshur me pluhur apo edhe më keq përbaltje ose harresë? Përse nuk mbështeten me argumente e dëshmi autentike tekstet e historisë së Shqipërisë?
Përse historianët tanë madje edhe shkrimtarët shqiptarë të cilët tema historike përpiqen ti sjellin në letërsi, ende edhe sot kanë një qëndrim subjektiv në marrëdhënie me figura të caktuara, rolin e tyre, përgjatë shekujve, përfshirë shekullin e XX-të e më gjerë?
Jo rrallë herë është hapur debati për rishikimin e teksteve të historisë së Shqipërisë, dhe me të drejtë, tekstet e historisë duhen rishkruar pasi me historinë është kryer jo thjesht një gabim, por një masakër ndaj identitetit në aspektin jo vetëm kulturor e gjuhësor , por në tërësinë e identitetit shqiptar.
Kush është Sabri Maxhuni? Cilët janë librat e tij?
Sabri Maxhuni- Novosella autori i shumë librave, të cilët hedhin dritë mbi ngjarjet historike, veçanërisht në ato aspekte delikate të historisë së shekullit të XX dhe në aktualitet, është lidhur herët me çështjen kombëtare shqiptare.
Sabri Maxhuni – Novosella, është lidhur herët me çështjen kombëtare shqiptare.
 
 
Sabri Maxhuni
 
Në vitin 1963, kur u shënjua formimi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, ( LRBSH) Sabri Maxhuni Novosella, u zgjodh anëtar i komitetit të qarkut të Prishtinës, për këtë lëvizje të rëndësishme të kohës në Kosovë. Në vitin 1964, Sabri Maxhuni u dënua me nëntë vite burg, ndërsa Adem Demaçi me 15 vite burg. Pas rënies së Rankoviçit dhe rigjykimit vitet u zbritën. Ndërsa në vitin 1968, Sabri Maxhuni, së bashku me Metush Krasniqin dhe Shefqet Jasharin u vendosën në krye të demonstratave. Në vitin 1969 ai u dënua përsëri me dy vite burg. Në vitin 1977 ishte themelues i lëvizjes nacionale për çlirimin e Kosovës, së bashku me Metush Krasniqin, Jusuf Gërvallën, etj. Në vitin 1980 merr pjesë për formimin e degës së LNCK, në Turqi. Për afro 20 vite qëndroi në emigracion si i përndjekur politik, duke u vendosur në krye të lëvizjeve për çështjen e Kosovës në Evropë e më gjerë. Në vitin 1990 ishte pjesëmarrës i Kuvendit të New Yorkut, të organizuar nga Dio Guardi. U angazhua maksimalisht në luftën e Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës ndihmoi dhe mbështeti qindra shqiptarë të Kosovës që u shpërngulën në Shqipëri.
Është një personalitet shumëdimensional, i cili u vendos përfundimisht në Kosovë duke investuar në rindërtimin e saj. Është autor i shumë librave, të cilët hedhin dritë mbi ngjarjet historike, veçanërisht në ato aspekte delikate të historisë së shekullit të XX dhe në aktualitet. “At Fishta profet i shqiptarizmës” dhe “At Fishta vizionar, filozof- profet i shqiptarizmës” janë dy prej librave të fundit të Sabri Maxhunit, botuar në Prishtinë në vitet 2014 dhe 2015. Librat e tij studimorë janë shoqëruar shpesh me parathënien e personaliteteve të botës akademike shqiptare. Midis tyre, Prof. Dr. Resmije Kryeziu, shkruan se; ‘në kushtet e rrethanat e sotme, kur prirjet globaliste gjallojnë e mbisundojnë me agresivitet në qarqet kulturore botërore, ky libër, me mendimet profetike të At Gjergj Fishtës, i ofron lexuesit një vlerë kombëtare, bazuar në të drejtat, lirinë dhe pavarësinë e individit e të një kombi të tërë, për të ruajtur ekzistencë, dinjitetin dhe rolin progresiv nën shoqërinë globale në zhvillim’ (Prof. Dr. Resmije Kryeziu, f, 8, Sabri Maxhuni- Novosella, “ At Fishta Profet i shqiptarizmës’, Prishtinë 2015)
Autori i këtij libri të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët e veçanërisht për studiuesit e veprës së At Gjergj Fishtës, shkruan se ; At Fishta nuk është profet i fesë, është profet i kombit, që bashkoi shqiptarët e tri feve’ At Fishta në Optikën e Sabri Maxhunit, duket se i ka rrënjët tek kujtesa e një kohe të largët të fëmijërisë, kur autori i librit dëgjonte vargjet e At Fishtës të recituara prej të atit dhe burrave të tjerë, e pikërisht ky moment ka qenë dhe njohja e parë e autorit me veprën e At Gjergj Fishtës, i cili ka depërtuar thellë në shpirtin e shqiptarëve duke i ushqyer me dashuri, respekt dhe krenari për atdheun, kombin dhe gjuhën shqipe.
Sabri Maxhuni, në vitin 2013 u vlerësua me titullin e mirënjohjes nga PEN Qendra e Shqipërisë, për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe veçanërisht për përpjekjet e tij për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, e cila ende edhe sot ka mbetur në harresë nga qeveritë shqiptare të tranzicionit, sa herë që diskutohet për At Fishtën na sjell në vëmendje vargjet emblematike të poetit tonë kombëtar;
 
Edhe hana do ta dije,
Edhe dielli do t’ketë pa,
Se për qark kësaj rrokullie,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ka!
 
• Disa shënime për Demir Belhulin autorin e librit” Sabri Maxhuni zbërthyes i kodeve”
Demir Behluli, u lind më 10 shkurt 1938, në fshatin Ranatoc në Karadakun e Preshevës. U diplomua për artet figurative Prishtinë në vitin 1964. Në vitin 1975 u specializua për dizajnin- tekstil në Austri. Po ashtu është marrë me krijimtari letrare, ndërsa njihet si piktor. Është autori i 18 librave për fëmijë dhe për të rritur, botuar në Shkup, Prishtinë, Gjilan, e Ferizaj. Është autori i 12 ekspozitave personale në Preshevë, Shkup, Prishtinë, Gjilan dhe Durrës. Ajo që vlen për tu theksuar janë pikturat murale në Kishën e Bincës, titulluar; Martirët e Karadakut’ me një sipërfaqe prej 550 metra katrorë. Po ashtu është dekoruesi i 43 xhamive edhe një teqeje, me arabeska origjinale. Ka krijuar mbi 1570 portrete me teknika të ndryshme. Rreth 1024 punë të tij në fushën e pikturës u janë dhuruar miqve e dashamirësve të tij. Njerëz të pasionuar pas artit por edhe studiues janë shprehur për veprat e Demir Behlulit, por ajo që bie në sy është pikërisht dominimi i rezistencës shqiptare përmes elementeve surrealiste, ku piktori guxon në pikturat e tij murale të kishës së Bin/ës të na drejtojë kah elementet e rëndësishme dhe kyçe të rezistencës së popullit shqiptar përgjatë luftërave të tij shekullore për të ekzistuar.
Këto shënime janë shkëputur nga biografia dhe përcaktimet që gjenden lehtësisht në librat e Demir Behlulit, libra që përcillen edhe me shënime të admiruesve dhe studiuesve të punëve të tij.
Demir Belhuli, kohët e fundit sapo ka botuar një libër studimor, me titullin: “Sabri Maxhuni zbërthyes i kodeve”. Libri është botuar në Prishtinë. Redaktor i librit është Ekrem Kryeziu, ndërsa pasthënia është shkruar nga Hysen Këqiku.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s