EDHE I VDEKUR HAVZI NELA I MBAN SYTË NGA JUGOSLLAVIA / Fragmente nga libri i autorit Rexhep Shahu në proces për Havzi Nelën

 

EDHE I VDEKUR HAVZI NELA I MBAN SYTË NGA JUGOSLLAVIA
 
 
Fragmente nga libri i autorit Rexhep Shahu në proces për Havzi Nelën
 
Natën e 10 gushtit 1988, pa zbardhë drita për datën 10 gusht e varën Havzi Nelën me litar në dalje të Kukësit, pranë sheshit të axhensisë së udhëtarëve, në vendin më të populluar me njerëz. E kishin çuar me ziz të Degës së Punëve të Brendëshme, e kishin varë dhe zizi kishte ikë në punë të vet duke e lënë Havzinë duke u lëkundë. Akoma Havzi Nela lëkundet sa andej këndej, sa në një anë politike në tjetrën, sa në një kohë në një tjetër, ende lëkundet si një lavjerrës i pakohë, lëkundet si fati ynë. Varësit kishin qëndruar aty sikur po i bënin roje nderi Enver Hoxhës, ishte shprehur një pëshpëritës që e quante burrnor Havzi Nelën dhe qëndrimin e tij. Të nesërmen në mëngjes të 10 gushtit 1988 shokët e partisë e të pushtetit të Kukësit si triumfatorë dhe shembull frymëzimi për gjithë vendin, duke ëndërruar dekorata në supe, gradime në funksione të larta, shkojnë ta shohin armikun e varur. Nuk pipëtinte asgjë rrotull. Qetësi. Pëshpëritje nuk dëgjohen aty rrotull. Ndoshta dy Drinat, i Bardhi e i Ziu, fëshfërijnë, qajnë, vajtojnë. Ndoshta edhe lumi Luma që vinte nga fshati i tij ngashëren me gulshe. Ndoshta Gjalica e Pikëllima anojnë krejnat nga njëri-tjetri për këtë gjamë. Bidat në kohë të re me varë njerin si berr, ishte një pëshpërimë. Vraje e bani çfarë të duash po pse po çudit miletin, për çfarë, vazhdonte pëshpërima… E shihni, edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia, tha njëri nga shokët e partisë, si për ta bindë veten e tij dhe të tjerët se është bërë mirë që partia e vari këtë armik të popullit.
 
 
Havzi Nela
 
Këtë fjalë e mori era dhe ma ruajti mua gjithmonë. E dëgjoi ndonjë zog i trishtuar këtë fjalë dhe edhe zogu iku larg, sa më larg armikut dhe shokut të partisë. Havzi Nela i varur në litar, me këmishë të zbërthyer e me bark jashtë, nuk e dëgjonte dot shokun e udhëheqjes së partisë. Havziun që lëkundej në litar era e kishte sjellë nga kishte dashtë ajo. Era, ajo e liga erë që frynte fllad, fllad gushti, fllad natë gushti, ia kishte kthye fytyrën nga Kosova, të cilën shoku i udhëheqjes së partisë e quante Jugosllavi. Se shoku i udhëheqjes së partisë nuk e dinte as donte ta dinte as ta pranonte as ta ndjente Kosovën, e cila ishte e huaj për shokët e udhëheqjes së partisë, ishte Jugosllavi për shokët e partisë. Havziu nuk i përgjigjej dot e ti thoshte se era më ka lëkundë dhe më ka kthye nga Kosova dhe ndoshta kjo është piktura a skulptura më e bukur e Havzi Nelës që era e zoti kishte bërë atë mëngjes, duke e kthye të varurin me fytyrë nga Kosova. Aq afër armikut të varur sa iu afruan shokët e partisë e të pushtetit nuk i ishte afruar askush Havziut pos policëve që e kishin varë. I njejti polic qe u gjend prane tij kur u var, u gjend edhe castin kur u shplue prej gropes se shtylles elektrike ku e kishin varrose Havziun ne kembe, i ulur pak ne stomin e gropes se shtylles… Nuk guxonte askush të afrohej. As të fliste ndonjë fjalë. Jo t’i fliste Havziut, por as zogjve nuk u drejtoi askush asnjë fjalë atë ditë që u gjet i varur Havzi Nela prej shtetit te sheshi pranë axhensisë së udhëtarëve në Kukës. Askush nuk ia la vetit të thoshte ndonjë fjalë, siç ia la vetit ai shoku i partisë që tha se “edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia”. Pëshpëritje a pëshpërima pati, por pëshpërima periferike, siç raportonin njerzit e sigurimit të shtetit. Aty pranë të varurit asnjë pëshpëritje, asnjë lutje, asnjë fjalë veç mallkimit në formë konstatimi të shokut të udhëheqjes që tha se edhe i vdekur armiku Havzi Nela i mbante sytë nga Jugosllavia. Hetimi për Havzi Nelën që plagosi policin me pistoletë ndoshta është hetimi më i shpejtë e më i rrufeshmi që ka ndodhë ndonjëherë në historinë e hetimeve në dekadën e fundit të diktaturës komuniste. Gojë më gojë e vesh më vesh ia përcillnin njëri – tjetrit punonjësit e Degës së Punëve të Brendëshme, të hetuesisë e prokurosisë, herë si përkrahje për mirë e herë si frikë apo si kundërshtim, thëniet e ndonjë hetuesi të Havziut, të cilët të ndodhur para presionit që ta hetonin urgjent çeshtjen, ishin shprehur pa kujdes duke thënë, çfarë ka bërë mor vëlla ky Havzi ziu, çfarë ka bërë mer jahu ky njeri që duan ta gjykojnë kaq shpejt. Ku e ka rrezikshmërinë aman Havziu në hekura… Është skandaloze që po na nxitojnë kështu. Ka plagosë një polic mer vëlla. E çfarë ka që nxitohet kaq shumë, ai nuk po na shpërthen burgun, nuk po na ikën askund…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s