Grua e lirë…. / Poezi nga Adriatike XH. Lami

Poezi nga Adriatike XH. Lami
 
 
Grua e lirë….
 
Mos më shiko në sy!
Unë jam femër e lirë miku im,
Vetëm zgjohem krah dritares, ku fryjnë
Dhe bien gjethet e një peme të butë…
Vetë ruaj sa të fiket zjarri në vatër, deri pas mesnate,
Të cilin prej një viti ka mësuar ta ndezë im bir.
Vetë e blej fustanin gazmor e po ashtu të thjeshtë,
për dasmat që ma sjellin fillesën e jetës aq pranë…
anë më anë lumturinë e saj kërkoj
dhe në fund e gjej vetëm brenda grigjës trime.
Krejt vetëm mendoj për të dielën time.
Po ashtu vetë ulem dhe shkruaj gjërat që duhet të bëj,
Catinë e shtëpisë vetë e ndërroj
Dhe celësin që prishet, ia lë me shumë lutje ustait në prehër,
Që shpejt të ma mbarojë e pa mallkime.
Po ashtu vetëm qaj të dashurit e mi,
Kur festat rrethojnë oborret e i kthejnë ato në përrallore,
Dhe mallin e fsheh prej çdo burri në një oaz,
Si mall i fshehtë e i ngrohtë dëbore.
Frikën nga fundi i botës e blej shtrenjtë,
Që vetëm në atë çast të mos jem…
Përdore vetëm i mbaj fëmijët e mi,
Të mos bien asnjëherë, në asnjë derë…
Dhe ëndrrat miku im vetëm i shoh,
Sikur lumit gjithmonë vozis dhe ia dal, të dal në breg…
Eh mik i dashur, mos më shiko ashtu,
Jam femër, fryt i freskët i lirisë sime,
Por i zë besë, besën së një burri…
Po aq sa edhe dridhjes së tij në skaj
Sodit sa dritë ka në lirinë time…
Rri në mes të kësaj drite, miku im
Dhe fatit mos iu ndaj…
Bëzaj heshtjeve, që thurin kurora ullinjsh të vjetër
Dhe dëgjomë mbrëmjeve, kur lexoj
historinë e mahnitshme të babës tim, burrit tim, vëllait tim;
E më pas marr, marr një libër në dorë,
E shfletoj, rënkon syri im mbi historinë time të pashkruar deri në fund,
Dhe befas shoh larg, aq sa xixa e shikimit tim shkëlqen,
Prarohet prej lirisë që zapton,
Gjithherë horizontet e burrave në prag…
Mos ki frikë nga një grua që mban në dorë një libër…
As nga shporta e kujtimeve që shpirti i saj mbledh…..
Je larg? Nuk të ftoj të afrohesh. As mos ik më tej.
Njihe lirinë time, ta njohësh është pak…
Preke si zemër
Zbuloji supet e mia prej fustanit që blej vetë
Ma vër karrigen shumë pranë që të mos anohem nga përgjumja…
Dhe të ulem plot delikatesë mbi shtrojën e mirënjohjes time për ty.
Mbushma kujdesshëm gotën me verë,
Në një natë me hënë.
Dhe, Po qe se të papirë e lë,
Mos bëj më asnjë hap…as zë…
Jam grua aq e lirë,
Sa di të adhuroj zemrën dhe mendjen e një burri…
Ik prej meje,
Ke trembur lirinë time.
Miku im s’është faji yt,
As im. Ose mëso e rri.
Për ç’ka rrokullinë kjo natë,
Natë gushti, natë e mbrame gushti,
në flakë liria ime!
Fike atë zjarr, po gacat lëri të ndriçojnë
Natën e pashuar të lirisë sime.
 
adriatikelami@
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s