HARROVA URINË / Tregim nga Gjenovefa Myrtaj

HARROVA URINË

 

Tregim nga Gjenovefa Myrtaj

Po më gërryente stomaku. Si ta duroja?! Mora librat dhe nisa mësimet. Dëshira për të studiuar nuk mungonte, por uria nuk po më linte rehat. Dita në klasë kishte qenë e mërzitshme. Profesoresha e algjebrës, Duda, na kishte pyetur një për një, se me çfarë mesatare do ta mbyllninm vitin shkollor?
Ishte fundi i prillit. Mungonte dhe një muaj akoma, por ajo donte ta dinte. Jo vetëm ta dinte, por këmëngulte që mesatarja duhet të ishte e lartë. Sikur do punonim në fabrikë ne dhe do bënim normën. Nuk dija shumë se ç’ishte “norma”, por shpesh, ime më, që punonte në buqësi, na fliste për “normën” ditore.
-Fol Alma! -m’u drejtua profesoreshë Duda. -Ç’mendim ke?
-E, ç’ti thosha? Alglebra nuk ishte lënda ime e preferuar. Ndenja pak dhe i thashë:
-Tetë, do jetë!
Më pa me dyshim duke folur:
-Do ta mbash fjalën?
-Po. -fola me kokën poshtë.
Këto mendoja, ndërsa shikoja timvëlla, dy vjeç më i vogël se unë, që kryente detyrat pa u ndierë.
Eh, kjo algjebra, sikur të ishte lënda e gjuhës shqipe do ta kisha më të lehtë. Do mësoja ndonjë poezi të Naimit përmendësh, një komentim dhe mbaronte gjithçka. Ndonjëherë hartimet e mia ishin në tabelë të nderit. Po sot? Pak uria dhe algjebra, po bënin të mos përqëndrohesha në detyrat e mija.
-Pse nuk studion? -më pyeti im vëlla.
-Po studioj!
-Po fletoret e tua janë të mbyllura.
-Ke të drejtë, po nuk di, sikur kam pak uri.
-Të besoj, po mos harro se ti hëngre drekën në pushimin e madh. Të pashë kur dole nga oborri i shkollës me shoqet e tua dhe more drejtimin për nga shtëpia.
-Jo, -e kundërshtova, -nuk është e vërtetë…
-Po, pse, nuk hëngre kur u kthyem nga shkolla? Unë e pashë që tek bufeja ku mami kishte lenë bukën, mungonte racioni yt.
-Racioni im! -ky ishte problemi. Të haje me racion.
Mami punonte në buqësi. Ishte koha e eksportit të domateve, mbjellë nëpër sera. Nisej shpejt në mëngjes, por edhe vinte vonë. “Maunet” që mbusheshin me arkat e domateve donin që brenda ditës të ishin të mbushura. Rroptohej mami im. Shtatë fëmijë. Dy vëllezërit, që ishin më të mëdhenj se unë, punonin. Motra, edhe ajo më e madhe se mua, nuk kishte vazhduar të mesmen, edhe ajo punonte. Katër të tjerët, me mua në krye, shkonim në shkollën 8-vjeçare, jo shumë larg nga shtëpia. Im vëlla që studionte me mua ishte në klasë të pestë, unë në klasë të shtatë. Dy motrat e tjera, shkonin në shkollën fillore pasdite. Kjo puna e urisë nuk më linte të qetë.
-Sa është ora, Gimo?
-Porsa jemi ulur dhe pyet për orën, ç’të ka gjetur sot?
Zëri i tij ishte i butë, përkëdhelës, por edhe qortues.
Ai e dinte që racionin e drekës e kisha ngrënë në pushin, ndaj, nga racioni i tij kishte mbajtur një copë bukë me pak marmallat molle. Djathin e kishte ngrënë të gjithë. Nuk e prisja, kur nga një gazetë nxorri bukën dhe ma dha.
-Mos u habit, edhe unë kam uri. Në orën e pushimit, merremi me lojrat me shokët dhe heq mendjen nga buka.
E kisha të vështirë të rezistoja deri në darkë. Racioni i mëngjesit ishte njësoj sa ky i drekës. Një fetë buke, një copë marmallatë dhe një copë djathë, e njëjta menu edhe për drekë.
Ç’të bënte mami im? Shtatë fëmijë, me rrogat e buqësisë. Tani që vëllezërit punonin ishte pak ndryshe, por mami mundohej të hiqte pak nga rrogat e tyre, t’i kursente për martesat. Një ditë do krijonin familje dhe lekët duheshin. Ne nuk na u hoq racioni, pavarësisht nga punësimi i i tyre.
-Ej, Gimo, kush ta jep algjebrën ty?
-Profesoreshë Duda!
-Edhe mua. Po si duket me ju? Me ne është shumë e rreptë.
-Me ne është normale, të paktën mua kështu më duket. Po pse më pyet?
-Kot! Po sot donte të dinte se me ç’mesatare do mbarojmë shkollën, e kishte fjalën për lëndët e saj.
-E ti, si ju përgjigje?
-Tetë, i thashë.
-Nuk më besohet. Je më e mira në klasë, si mund të dalësh me notën tetë?
-Nuk e di, po kjo algjebra, më duket si puna e stomakut, që nuk ngopet kurrë.
-Tregomi pak ushtrimet që ke.
-Po ti je më i vogël! -u habita nga pyetja e tij.
I hapa librin tek faqja e mësimeve dhe ja dhashë.
-Po këto janë shumë të thjeshta, përqëndrohu pak më shumë, meqënse algjebra të duket kaq e vështirë.
E pashë gjithë habi. Mendova se do më ndihmonte. E kuptoi mendimin tim, ndaj më zgjati librin duke më thënë:
-Numra janë, bëj ca prova dhe do kuptosh që është më e lehtë se ato hartimet që shkruan.
-Mos u tall. Për ty duken numra, mua më duken male që si kapërxej dot.
Qeshi, mbylli çantën dhe u largua.
-Nga po shkon zemër?
-Po dal këtej nga fusha, ndoshta janë edhe shokët, duke luajtur harroj urinë.

Kishte uri. Hoqa librat, nuk më bëhej të studioja. Mami duhej të kthehej pas orës pesë të pasdites. Po në atë orë ktheheshin edhe motrat nga shkolla. Doja ta prisja, një copë bukë, por ajo do ta kishte mbajtur në trastën që merrte në punë. E bënte shpesh, por si gjithmonë ua jepte motrave më të vogla. Konçidenca donte që t’i takonte rrugës, kur ktheheshin nga shkolla.
Mendoja tim vëlla. Shkoi të luante vetëm për të harruar urinë. Dhe kjo ishte e përditshmja. Shpesh, pasi lahej kur kthehesh nga loja e tij, nga lodhja, e zinte gjumi, por kur darka ishte gati mami e zgjuante.
-Ej, gjumash, ngriu të hash darkë!
Sa herë e kisha dëgjuar këtë frazë. Ai ngrihej hante dhe merrte librat përsëri.

Nuk shtyhet kjo pasdite, flisja me vete. Një fetë bukë, edhe pa gjë, vetëm ta kisha tani këtu, do thërrisja vëllain tim ta ndanim bashkë. Nuk kishte nisur ende vapa. Prilli kishte ardhur me shume shira, por jo sot. Mora rrugën të prisja mamin para se motrat e mija të dilnin nga shkolla. Me një fustan fanellatë qepur nga duart e mamit dhe një triko, bërë po nga duart e saj, po rrija e fshehur tek cepi një pallati. E dija që mami do kalonte aty. Intuita nuk më gënjeu.
Mami, sa më pa, u bë merak.
-Pse ke dale? -më pyeti.
-Gimi ka uri, moj mami. Mos të ka mbetur ndonjë copë bukë, t’ja jap, para se të hamë darkën?!
-Jo, moj bijë, sot kam ngrënë vetëm domate me kripë, nuk kisha bukë. Ajo që ishte e lashë për ju!
M’u mbushën sytë me lotë. Të gjithë kishim uri. Po pse mami hiqte lek për martesat e më të rriturve?!
-Nxito! -më tha mami, -kemi miell në shtëpi. Do bëjmë nja dy makarona me dorë.
-Po s’kemi gjalpë, o mà.
-Do t’i bëjmë me pak lëng mishi. Ndaloi tek dyqani i mishit dhe diç i tha shitësit, i cili i mblodhi nja dy kocka në një gazetë.
Motrat kishin mbërritur në shtëpi para nesh. Asnjëra nuk kërkoi gjë për të ngrënë. Hoqën përparsen e shkollës, u lanë dhe morën kukullat e tyre të luanin. I shikoja, humbën pas lojës, ashtu siç kishte bërë Gimi, luante të harronte urinë.
Darka na mblodhi të gjithëve. Nëntë veta në një sofër në mes të shtëpisë. Ulur mbi jastëk, asnjëri nuk hante rehat, por asnjëri nuk mendonte komoditetin, por të mbushnim barkun. Atë mbrëmje, një nga vëllezërit na tregoi se kishte njohur një vajzë, mendonte të fejohej.
-Prit dhe ca, -i tha mami, -të mbedhim dhe ca lekë.
-Jo, mà, edhe ato lekë që ke hequr mënjanë, është më mirë t’i përdorësh për ushqime. Nuk e shikon sa të uritur jemi të gjithë? E di që sot nuk kishte bukë, as për ty, as për babin? Nuk bëj as fejesë, as martesë. Nuk dua ta shoh familjen time të vuajë për bukë.
Prindërit e mi punonin, por rroga e tyre ishte shumë e vogël. Të gjithë aprovuam fjalët e tim vëllai. Ndoshta e nesërmja do të ishte ndryshe për të gjithë. Edhe algjebra do më dukej më e lehtë. Nuk ushqeheshim sa duhej dhe nuk përqëndrohesha dot në mësime. Jo vetëm unë, edhe vëllai dhe motrat. Shkolla po mbaronte, profesoreshë Duda ishte e kënaqur nga mesatarja ime. Kisha kaluar mesataren e premtuar. Kjo, ndoshta meritë e ushqimit më të bollshëm. Nuk shkoja më në pushimin e madh në shtëpi, ndiqja lojën që bënte im vëlla me shokët e klasës.
-Alma, topin! Duhej t’u merrja topin sa herë e gjuanin larg. Më mirë kështu. Po harroja urinë. Po mësoja të fshehtat dhe hilet e lojës së futbollit. Isha vetëm trembëdhjetë vjeçe. Jeta ishte e bukur, edhe pse stomaku nuk harronte të bënte demonstratë me veten e tij, jo me mua. Unë ishe në paqe me të dhe me vetveten. Falenderoj vëllan tim që më mësoi të harroj urinë.
Oh, më duket se ndiej stomakun të “ flasë”, por jo, është nostalgia për ato vite ku “uria” ishte e pranishme, por… ishim bashkë të gjithë!
Vefi Myrtaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s