Poezi nga Agron Shele

Poezi nga Agron Shele

 

Mos e pyet një poet…?!

Mos e pyet një poet për ditën, si lind
herët agimit, shpërgajve të diellit
me shkopin zvarritur zhurmshëm, trotuarit jetë
ashtu gjysëm gjurmësh mbetur pas atje…,
tek ai vegim, ku sytë marrin dritë
shtegut të thiktë kalëruar mbi re.

Mos e pyet një poet, as për ditën si shkoi
zbritur nga muzgjet e thella perëndim
larë zbehtësisë, së një hëne të vetmuar
e mbytur në të kthjelltat liqene turfullim
djegur për së gjalli flakëve të një ylli
hije e përhershme e pengut të një gruaje.

Mos e pyet një poet për botën e trishtë,
se dhimbja e tij ka emrin “vjeshtë”
është dert i derdhur blerimit të humbur
për gjethet zverdhur e flakur këtij trilli
shpërndarë gjithëandej kujtesës klithmë
e gdhendur epitaf në fletët e një libri.

Për dashurinë mos pyet kurrësesi
është gjaku i shprishur, pikuar mëkatit
ngjyrë përmbi ngjyra në harkun e ylberit
ngritur kupës qiellit, e flijuar gjithë stinët
altarit përndritur nga shpirtrat pafajësi
e zotat gjunjëzuar gjer në përjetësi.

 

 

Unë e di…!

Unë e di,
se një ditë do kuptosh,
pendët mbetur shenjë të zogut fluturim
rrahur krahët fort
e humbur tutje verdhësisë horizont,
pa kthim,
pa fole
zemërimit nga përtejretë,
rendur sa më larg
ankthit të hijes ndjekur.

Unë e di,
se ky shtegëtim nuk ngjan me atë të stinës së shirave,
as me rikthimin e luleve në lëndinë
është një ikje e pazakontë,
kohës, kur ajri si në eter mbytës
kundërmon dhimbjen e tokës
vdekjes, së gjetheve pafajësi poshtë këmbëve të thëllimit
dhe zhveshjes së pemëve kufomë, gjer në marrëzi.

Unë e di,
se kufijtë e errëtisë mbjellin natë
pa shkëlqim,
pa dritën, që lahet syve të shpresës
me ëndrra të plagosura lirie,
pa të nesërme,
por me një agim varur hijeve të jetës
në kaos,
dejeve të helmatisur
nga pesha e vullneteve të ndrydhur.

Unë e di,
se klithma e egër do i shembë muret e ngritur
kufizimit memorie
dhe gërmadhat e mbetura do kthehen në relike,
të asaj që blatuan mërisë më të thellë
në rrjeta merimage
turmat e etura herezi,
dhe mbretrit e vetëshpallur, pa kurorë!

 

Si një DEA!

Ai shikim i zgjatur zbret mjegullim
nga i pari ag, që botën përshfaq
vjen bashkë me diellin skuqur gjak
plagëve heshta marrë nëpër natë
… e derdhet kurmit jetë
veshur bardhësi,
për koncertin e stinës luajtur në Butrint.

Ai shikim i zgjatur vijëzuar larg
pret shirita të padukshëm
velit të trishtë kohë,
ngre shtjella të copëzuara shpirti
përthyer në ngjyrime drite
e rikthehet sërish shkëlqim,
si portret i një DEA!

©sheleagron

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s