Moderniteti i Migjenit përmes poetikave avangardiste / Nga: Xheni Shehaj

Moderniteti i Migjenit përmes poetikave avangardiste

 

Hyrje

Për Migjenin dhe krijimtarinë e tij është folur e shkruar shumë. Vepra e tij ka marrë nuanca nga më të ndryshmet, herë revolucionare, herë moderniste, herë realiste, etj. Qëllimi i këtij studimi përveçse ta shkëpusë veprën nga etiketimet që lidhen me ideologji të caktuara është të fokusohet tek teksti, të depërtojë në të për ta dekodifikuar në mënyrë që të marrë vlerën dhe domethënien e duhur: të tregojë se Migjeni është i pari poet avangard në letërsinë shqipe. Ai është poeti që hodhi hapat e para drejt modernitetit.

“Ai është poet novator, mjeshtër i përsosur i ndërthurjes së mendimeve të mëdha politike, shoqërore, me imazhe artistike që të ngjallin mbresa të pashlyeshme”.[1]

Ndërthurja formale e përmbajtjes me substancën e shprehjes  në poetikën e tij, simbolet, metaforat, alegoria janë tregues të frymës moderne. Gjithë punimi do të rrotullohet rreth modernitetit të veprës së Migjenit,  risi në atë kohë për letërsinë shqipe. Letërsia shqipe deri me ardhjen e Migjenit kishte njohur poetë të mëdhenj, vepra të mëdha për kohën  por të gjithë poetët dhe veprat i përmbaheshin një kanoni të caktuar. Migjeni ishte i pari që theu këtë kanon, dhe kjo e bën atë avangardist.Migjeni ashtu si artistët e mëdhenj ka patur vetëdijen kritike për artin e tij, ka qenë i vetëdijshëm për mënyrën se si krijonte, për idealin estetik. Për ta parë më nga afër dhe për ta njohur më gjerësisht poetikën migjeniane do shfletojmë studiues e kritikë që janë marrë me të. Kemi bërë një ndarje të punës në mënyrë të atillë që të japim jo vetëm një pasqyrë të asaj që është thënë në lidhje me poetikën e tij por dhe të kemi mundësi të shprehim mendimin tonë. Po japim fillimisht një klasifikim të përgjithshëm që kritikët kanë bërë për krijimtarinë e Migjenit.

 

Përpjekjet e kritikës për klasifikimin e poetikës së Migjenit

Arti i Migjenit u çmua dhe u vlerësua së tepërmi nga kritika e kohës dhe jo vetëm. Studiues të shumtë i kthyen sytë nga vepra e tij duke tentuar ta klasifikonin, t’i jepnin një vend në letrat shqipe. Është detyra e studiuesve, artdashësve të merren me poetët, artistët, por kur poetin e mbulon një vel i hollë misteri puna e studiuesve vështirësohet. Kështu ka ndodhur dhe me Migjenin dhe poetikën e tij. Krijimtaria migjeniane mban hedhur mbi supe velin e hollë, misterioz e të errët. Ndoshta “veli” i saj është starti nga i cili nisen kritikët duke tentuar t’a heqin tashmë por është dhe bukuria e krijimtarisë së poetit, është ajo që i jep kuptim poetikës së tij.

Pa këtë “vel mbulues” ndoshta krijimtaria e Migjenit nuk do të ishte kaq e pëlqyer. Të shumta janë pikëvështrimet nga ku është parë vepra e poetit. Të gjithë studiuesit e veprës së tij pranojnë modernitetin, risitë që solli në letrat shqipe përmes artit të tij por këtë modernitet e lidhin me faktorë të ndryshëm letrarë dhe joletrarë. Jemi munduar të bëjmë një klasifikim të këtyre pikëvështrimeve duke i ndarë në disa nënçështje.

 

– Migjeni, pararendës i realizmit socialist

“Për poetikën e krijimtarisë së Migjenit është folur shumë. Gjatë periudhës komuniste vepra e Migjenit është quajtur edhe si pararendëse e “realizmit socialist”.[2]

Kritikët që e klasifikojnë veprën e Migjenit në letërsinë e realizmit socialist janë fokusuar veçanërisht te substanca e përmbajtjes, idetë që përshkojnë veprën , ‘revolta’, ‘rebelimi’.

“Vepra e Migjenit  u lexua, interpretua dhe për habi u paragjykua dhe u keqkuptua. Një pjesë e kritikëve sidomos në fazën e realizmit socialist te Migjeni shpikën pararendësin e metodës së tyre krijuese”.[3]

Realiteti i hidhur që poeti pasqyronte, mjerimi, skamja, dëshira për të ndryshuar botën, rebelimi, mohimi i fesë, Zotit, të gjitha këto elemente të pranishme në prozën dhe poezinë e poetit i kanë orientuar studiuesit drejt etiketimit “pararendës i realizmit socialist” të Migjenit dhe veprës së tij. Por kritikët nuk janë mbështetur vetëm tek vepra për të arritur në këtë përfundim. Ka dhe studiues që kanë parë përtej testamentit letrar, kanë marrë në konsideratë lidhjet e poetit me komunistët e rinj, grupet e tyre. Një nga studiuesit që përveç veprës është marrë dhe me kontekstin është Perikli Jorgoni.

Ai e afron Migjenin me poetët komunistë rusë por duke i lidhur përmes substancës së përmbajtjes, pra, përmes temave që trajtonin ata në shkrimet e tyre duke lënë anash procedimet teknike pa të cilat vepra nuk mund mund të quhet vepër. Temat janë të rëndësishme por akoma dhe më e rëndësishme është mënyra se si është sjellë, si është manovruar në tekst për të përçuar idetë.

“Migjeni nuk është as romantik, as poet surrealist e as poet simbolist, siç është cilësuar, është poet realist kritik. Për këtë na bind  e gjithë vepra e tij”.[4]

Kështu shprehet P. Jorgoni në parathënien e librit Poezia e Migjenit dhe realiteti. Por kjo nuk është pikëpamja e vetme e Jorgonit, ai e zgjeron spektrin duke sjellë frymën e viteve ’30-të.

“Ngjarjet politike që po ndodhnin në Evropë e Ballkan, ekzistenca e një letërsie të fuqishme të realizmit socialist me potenciale të tillë artistikë si; Gorki, Majakovski nuk kishin si të mos i mprehnin vëzhgimin në vrojtimin e realitetit. Nga ana tjetër, afrimi me anëtarët e grupeve komuniste, fryma e protestës, Demostrata e Bukës në Korçë dhe ajo e punëtorëve në Kuçovë e ndihmuan të kuptonte kohën që jetonte e të vihej në shërbim të një poezie e arti revolucionar. Ai pati pikëpamje të avancuara për kohën dhe s’u pajtua as me letërsinë zyrtare, as me letërsinë dekadente evropiane”.[5]

Një tjetër studiues që e vendos Migjenin në radhën e poetëve sociorealist është dhe Adriatik Kallulli. Edhe ai njësoj si P. Jorgoni lë mënjanë substancën e shprehjes dhe përqëndrohet tek temat, motivet, idetë që poeti përçonte.

“Vepra letrare e Migjenit është para së gjithash një tribunë e idealeve revolucionare të viteve tridhjetë, është një parathënie, një prelud i madhërishëm i Luftës Nacionalçlirimtare, i revolucionit tonë të ardhshëm”.[6]

Është e dukshme se klasifikimi i krijimtarisë së poetit  në radhët e letërsisë socialiste është i mangët. Është dashur të shihet jo vetëm njëra  anë e medaljes por dhe tjetra. Duket se kritikët që e kanë pagëzuar poetin si ‘pararendës të realizmit socialist’ e kanë lidhur më së shumti veprën me kontekstin politik duke anashkaluar atë çka është letrare në tekst.

“Migjeni nuk ishte poet socialist as revolucionar në kuptimin politik, me gjithë indinjatën dhe grushtin e shtrënguar që na tregon herë pas here. Ai nuk kishte as optimizmin e as besnikërinë e përkushtimin politik për të qenë i tillë”.[7]

Kjo ishte vetëm një nga tentativat për klasifikimin e veprës së Migjenit. Të tjerë studiues u përqëndruan në tipare më thelbësore, më pak të dukshme duke nxjerrë kështu në pah një tufë rrezesh fosforishente.

1.2. Shpirti sllav që flet shqip

Një tjetër studiues që është marrë me Migjenin, është dhe Arshi Pipa. Ai ka prekur tema pikante duke hequr dhe paralele me autorë të huaj por edhe duke studiuar më thellësisht temperamentin e poetit. Në esenë e tij Miti i Perëndimit në poezinë e Migjenit, Pipa do të shkruante:

“Ai nuk e dinte shqipen mirë. Tekstet e tij janë të mbushura me gabime ortografike, madje elementare, dhe sintaksa e tij është larg të qenit shqipe tipike. Prandaj, mund të pohohet se nëse Migjeni i takon letërsisë shqipe në sajë të gjuhës në të cilën ai shkruan, stili dhe skeleti i mendjes  së tij janë thelbësisht sllavë”.[8]

Pohimi i Arshi Pipës është tejet i fortë. Ai jep disa argumente për të mbështetur tezën e tij.

“Ajo çka e shquan Migjenin prej çdo shkrimtari tjetër shqiptar është shija e tij për metaforën, e cila në veprën e tij është hiperbolike dhe eksentrike. Metafora është themeli i gjuhës poetike, nuk ka letërsi pa të. Por metafora në poezinë shqipe është zakonisht shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët, që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella. Përkundrazi, Migjeni nuk procedon shkallë – shkallë, por me hapa viganë dhe metafora i shërben si trampolinë. Mund të thuhet se metafora është forma e tij natyrore e shprehjes”.[9]

Nga citimi i mësipërm, rezulton se Pipa vëren te poetika migjeniane lidhjen mes substancës së shprehjes (metafora mbulon këtë pjesë) me formën e shprehjes dhe formën e përmbajtjes, pra me shenjuesin dhe të shenjuarin të cilët jepen përmes metaforës. Ndryshe nga kritikët e kahut sociorealist që mbanin parasysh substancën e përmbajtjes (tematikat, idetë), Pipa e vë në dukje këtë të fundit kur flet për frymën mesianike në veprën e Migjenit dhe krepuskolarizmin.

“Një karakteristikë tjetër e Migjenit, mesianizmi, është e huaj për psikologjinë shqiptare, por është familjare për mendjen sllave. Poetët shqiptarë, kur duan të idealizojnë një hero mendojnë për Skënderbeun. Mund të kërkohet më kot në letërsinë shqipe për motive si ato të “gjeniut të ri” që vjen të shpëtojë atdheun, apo të “mbinjeriut”, të përcaktuar për të rigjeneruar njerëzimin”.[10]

Mesianizmi ishte një drejtim kulturor i cili kishte në thelb idenë e një misioni madhor, shpëtimin shpirtëror. Po të vërejmë me kujdes në krijimtarinë e Migjenit motivi i mbinjeriut apo gjeniut nuk është gjë tjetër veçse produkt i mesianizmit. Në pamje të parë duket sikur gjithçka që lidhet me substancën e përmbajtjes arrin deri këtu pa shkuar më tej.

Por në një tjetër shkrim të Arshi Pipës, Historija e dhimbshme e shpirtit të ri, rezulton se studiuesi ka hedhur dritë dhe në tematikat e përdorura nga Migjeni. Dhe nuk është aspak për t’u habitur pasi të dyja kahet e medaljes (substanca e shprehjes dhe substanca e përmbajtjes) lidhen fort mes tyre duke dhënë formën e veprës. Mund të studiohen veçmas, për qëllime studimi por në fund duhen parë në bashkëveprim me njëra – tjetrën. Pipa e zgjeron mendimin mbi tematikat e marra nga poeti kur flet për ndarjen e poezive.

“Kjo ndamje mund të vrehet lehtë, nuk asht kronologjike por logjike. Edhe rendimi i ktyne asht ba mbas nji plani. Poet qi rrëfen ndër vargje historin e jetës së vet, Migjeni ka pasë kujdes t’u api ktyne kangëvet nji zhvillim logjik nëpërmjet të cilit jeta merr kuptim”.[11]

Është pikërisht ky fill logjik që vendos shenjën e barazisë mes substancës së shprehjes dhe substancës së përmbajtjes. Logjika sipas së cilës janë renditur poezitë bart në vetvete idenë e zhvillimit të kurbës poetike e cila shkon paralel me atë jetësore. Studiuesi i kthen sytë nga substanca përmbajtësore duke piketuar idetë dhe temat më pikante të poezisë së Migjenit:

“Ndër skutat e qelbta të rrugavet, mes poteravet të tymosuna të mejhanavet, mbi shtratet e zhyeme të prostitutavet, ndër burgje, ndër kësolla edhe ma t’errta se burgjet, lohet nji tragjedi (apo nji komedi e përhershme. Njerëzit qi e losin (njerëz a maska?): lavira, rrugaça, dobiça, hajna, pijanecë, të burgosun, të sëmundë, të çmendun, sillen në nji valle fantasmagorike turpi e uje të pa – fund”.[12]

Renditja logjike e poezive nuk do të jetë mesa duket e vetmja rrugë e cila na çon tek substanca e përmbajtjes. Pipa e vazhdon studimin duke sjellë dhe një tjetër emërtim për poezinë e Migjenit. Ai e quan këtë poezi krepuskolare.

“Termin ‘krepuskolare’ dhe natyrën dekadente të krepuskolarizmit, e përdori Pipa për të karakterizuar poezinë e Migjenit, në botimin e parë të veprës së tij (pas vdekjes) në 1944”.[13]

Mund të themi që trajektorja e përshkruar nga Pipa në studimin për Migjenin arrin pikën kulmore pikërisht në çastin kur ai flet për natyrën krepuskolare të poezisë. Kjo i barazpeshon idetë dhe mjetet e shprehjes duke dhënë formën përfundimtare të poetikës migjeniane (gjithmonë sipas Pipës).

Notat e ulëta, tonet e zbehta, shqetësimi melankolik që vinte si pasojë e mosbesimit në idealin fetar, politik, social, leksiku i thjeshtë, i përditshëm, thyerja e traditës, përdorimi i hapësirave të tilla si; parqet, kopshtet e shtëpijave, konventat, të gjitha këto elemente të krepuskolarizmit i hasim dhe në poetikën e Migjenit. Prandaj dhe themi se Pipa jo vetëm ka marrë në shqyrtim të dy rrafshet por ka treguar ekuivalencën, barazvlefshmërinë e të dyve.

 

– Krepuskolarizmi Corazzinian dhe Migjeni

Natyrën krepuskolare të poetikës së Migjenit nuk e ka vënë në dukje vetëm Arshi Pipa. Një tjetër poet dhe studiues që është marrë me Migjenin është dhe Ernest Koliqi. Ashtu si dhe Pipa, Koliqi ngre lart poezitë e poetit ku mbizotërojnë notat e ulëta, tonet e zbehta. Koliqi e vendos Migjenin përballë poetit italian Corazzini. Sipas tij, të dy poetët i bashkojnë notat e ulëta intime krepuskolare.

“Nelle opere di questo poeta, di origine slava, risuonano frenetici accenti di riscossa sociall’ nei quali si avverte l’influsso della poesia messianica russa”.[14]

“Ernest Koliqi, në një arsyetim konciz dhe të pailustruar, shpreh mendimin se pjesa më origjinale e Migjenit, që mund t’i japë një vend në letërsinë mikpritëse shqiptare, nuk qëndron aq në poezinë e tij të vrullshme me sfond social, sesa për disa ritme të ulëta (intime), të cilat të kujtojnë Corazzinin, ku shprehet ankthi për shkrirjen e ngadaltë të linfave vitale që, duke i holluar ndjesitë, zbulohet bukuria shkëlqyese, e paparë më parë, e botës nga e cila është e dënuar të shkëputet shpejt”.[15]

“Oh, io sono, veramente malato!               “Oh, unë jam, vërtet i sëmurë!

E muoio, un poco, ogni giorno”.               E vdes pak nga pak, çdo ditë”.

Këto vargje të Corazzini-t, afrojnë me vargjet e poezisë Vuejtja të Migjenit.

“Dalëngadalë po shof

si jeta një nga një

secilin ndjesi

me tradhti

po ma vulos…”.

Por pavarësisht kësaj afërsie, Migjenin se lidh asgjë me krepuskolarizmin, të paktën kështu mendon Alfred Uçi.

“Por qysh kur u botuan krijimet e tij të para letrare në poezi e prozë artistike, krahas vlerësimeve pozitive dhe entuziaste, pati edhe cilësime të gabuara, midis të cilave pati letrarë si Ernest Koliqi etj, që shpejtuan ta përfshijnë si ithtar të ndonjë drejtimi të ri krijues artistik dhe e karakerizuan cektësisht si përfaqësues të dekadentizmit”.[16]

Megjithatë ka një fill të hollë që i lidh, përsa i përket një pjese të krijimtarisë së poetit. Është fjala për poezitë intime, me tone të ulëta.

 

[1] Adriatik Kallulli, “Migjeni poet revolucionar” në;  Në frontin e letërsisë, Tiranë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1974, f. 34.

[2] Blerina Suta, Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2004, f. 113.

[3] Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe, Tiranë, Shtypshkronja “Maluka”, 2009, f. 388.

[4] Perikli Jorgoni, parathënia në; Poezia e Migjenit dhe realiteti, Tiranë,  1979, f. 19.

[5] po aty, f. 5 – 6.

[6] Adriatik Kallulli, Migjeni poet revolucionar; Në frontin e letërsisë, Tiranë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1974, f. 27.

[7] Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare,  Pejë, Shtëpia botuese “Dukagjini”, 2001, f. 135.

[8] Arshi Pipa, Miti i perëndimit në poezinë e Migjenit, në; Për Migjenin, Tri esse, Tiranë, Shtëpia botuese “Princi”, 2006, f. 60 – 61.

[9] po aty, f. 55.

[10] po aty, f. 57.

[11]Arshi Pipa, Historija e dhimbshme e shpirtit të ri, “Kritika”, 1944, n. 4. f. 113.

[12] po aty, f. 113.

[13] Blerina Suta, Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2004, f. 115 – 116.

[14] Ernesto Koliqi, Evoluzione storica della lirica albanese, Roma, Editoriali Urbinati, f. 12.

[15] Blerina Suta, Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2004, f.115.

[16] Alfred Uçi, Estetika migjeniane, fryma moderne në lerërsinë shqipe, Tiranë, Shtypshkronja “Kristalina – KH”, 2013, f. 482 – 483.

 

Nga: Xheni Shehaj

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s