Poezi nga Fatma Jasimi
PËRBALLË PASQYRËS
Sytë e mi kanë nisur të perëndojnë,
Por jo, ky perëndim nuk mund të vijë,
Jo tani…
Duhet të arrij…atje…
Mirëse të gjej Bota e Çudirave,
Erdha, por të kërkoj ndjesë!
Bota ku jam mysafire nuk më lejoi të vij,
Mbase u tregova tepër e vërtetë,
E nuk më besuan kur u thashë,
Se unë vij nga një tjetër botë,
Nga një tjetër jetë…
Kafeneja përballë si duket po më fton,
Ja, e sheh?
Edhe një kafene,
E kupton lodhjen time,
Më mire se një tufë dykëmbëshash pa mend…
Zoti kamarier,
A mund të më sjellësh veç një pasqyrë?
Le të jetë e ftuara ime,
E për të pirë,
Na sill një shishe sinqeritet…
Përballë meje qëndron një pasqyrë,
Sa e sjellshme!
Pranoi të ulet me mua jo për interes,
Ndjej t’i flas nja dy fjalë,
Asaj zonjushës përballë:
“Ej, nuk ke pse i ul sytë,
E di që guximi yt është më kokëfortë se ti,
Ndaj vështromë,
Merr forcë,
Jam unë, ajo që s’ta lëshoi dorën asnjë ditë…”
…dhe kamerieri flet:
“Zonjushë, u bë vonë,
Duhet të mbyllim kafenenë,”
Por i lutem pa fjalë,
Se kam nevojë të rri edhe pak.
Vazhdoj,
Pasqyrëportretit tim i flas:
Vajzë, paske sy të bukur, të vërtetë,
Kujdes, fshihe buzëqeshjen e çiltër,
Ç’do të bësh nëse dielli ta merr?
Ta paskan stampuar shpirtin në fytyrë,
Por kujdes, vajzë, kujdes,
Ruaje shpirtin, se atë,
E meriton veç një qiell…
….por një zë ndërpret:
-Zonjushë, tani duhet ta mbyllim vërtet!