SOS, libri ! / Nga: Namik Selmani

SOS, libri !

 

Nga: Namik Selmani

Për forcë të traditës publicistike, por edhe për ta futur sa më shpejt lexuesin në hullinë e këtij problemi madhor sa social e politik ,sa kulturor e aq pedagogjik, do ta nisja me një citim nga shkrimtari i madh francez Marsel Prust .
Duke dashur të meditojë për vlerën e librit e të leximit, ai shkruan ndër të tjera:”Libri është një mik , ndërsa leximi është miqësia më e sinqertë njerëzore . Librat janë miq, ndaj të cilëve nuk shfaqim asnjëherë mirësjellje të rreme .Kur kalojmë netë të tëra në libra, e bëjmë këtë e bëjmë duke u nisur vetëm nga dëshira e vërtetë.”
Interesante ideja e tij, po jo e vetme . Mund të bësh libra të tërë për të treguar se sa i duhet libri individit e shoqërisë sot e në të gjitha kohërat.Jo më kot fatkeqësitë më të mëdha të botës që kur njeriu nisi të hedhë mendimet e veta në një pllakë e më tej në letër janë konsideruar ato të bibliotekave.Ky peng mbetet jo pak trishtues edhe nga njerëz të veçantë kur atyre iu ndodh një fatkeqësi natyrore në shtëpinë e tyre.
Në prishjen e ekulibrave socialë të shoqërisë LIBRI shpesh është shkak, po dhe viktimë. Porta e hyrjes dhe e mbylljes.Mjeku dhe pacienti i një shoqërie.Dhe më naivi e kupton se për të prej kohësh duhet dhënë sinjali SOS.Një SOS në një det të madh indiferentizmi ku të gjithë gënjejmë vetveten me heshtjen e mosveprimin. Më saktë, për leximin që ka një rënie të jashtazakonshme. Të dhimbshme para një horizonti evropian. Para një etjeje prometejane të kombit tonë që sot është pjesa e nostalgjisë së futur në Muzeun e Kujtesës.
Fakte, imzot fakte !
Në vende publike e kemi të vështirë që të shohësh edhe për be një njeri me libra në duar.Teknika bashkëkohore dhe iniciativa e lirë e mjaft botuesve i ka mbushur supersirtarët e librarive ende të pakta me aq libra sa nuk mund të reklamohen të tëra. Po duket se këtu ndodh divorci i paralajmëruar .Në shpërndarjen e librit nuk ka akoma një Agjenci Kombëtare të Shpërndarjes së Librit, private apo shteërore, që të qarkullojë vlerat kulturore që krijohen në Tiranë e në rrethe. Pa folur për botimet shqiptare që botohen në Kosovë , Maqedoni e Mal të Zi nga autorët shqiptarë që nuk njihen as nga lexuesit e metropolit pa le më për provincat e largëta
Si do të njihen apo pak lexues që kanë mbetur me këto botime në një kohë që Panairet e Librit nuk bëhen në të gjithë qytetet e në çdo kohë? Debate pa fund. Pak zgjidhje. Në se ka ,janë të ngadalta , të milingonta.Një strategji ende në letër pa objektiva konkretë .Ribotimet, përkthimet, vetë shpërndarja , për të cilëm e prekëm më lart, janë probleme që mund të zgjidhen një ditë , por rritja e interesit për të lexuar kërkon pak kohë dhe lëvizjen e shumë mekanizmave socialë, pedagogjikë, financiarë, organizativë.
Po shkollat? Në këtë ‘llogore” të parë të leximit të librit prej kohësh janë grumbulluar shumë probleme.Motivimi i nxënësve, pse jo dhe i mësuesve , është ende i vakët. Mungojnë takimet më shkrimtarë që mund të ishin informuese, debatuese, nxitëse për talentet e reja në shkolla të mesme .Librat e rinj që botohen në qytetet jasht Tiranës kanë një auditor tepër të kufizuar . Është krijuar një “Klimë provinciale” e detyruar në shkrimin e botimin e librave , pavarësisht vlerave që ka secili prej tyre.Shpesh në diskutimet , ose promovimet si quhen rëndom ka një natyrë ceremoniale, akademike . Mungon lexuesi- nxënës, edhe pse libri në fjalë mund të ketë tepër interes për formimin e tij kulturor.Ky promovim a nuk do të ishte mirë që të bëhej edhe në shkolla me një grup libërdashësish të afirmuar.
Ende nxënësi i shkollës së mesme nuk ka krijuar masivisht traditën e shfrytëzimit të literaturës për lëndë të caktuara me botime të tjera alternative.Edhe për botimet në fushën e programit të letërsisë ai e ndjen veten të pafuqishëm . Biblioteka nuk i ka qoftë edhe për disa kopje me gishta dore.Bibliotekat e Rretheve këto i ka vetëm me pak kopje gjë që nuk i mjaftojnë me qindra nxënësve të një viti.Në librari nuk i gjen se librarët privatë kanë një tjetrë kriter përzgjedhjeje për librat që blejnë për t’i shitur tek të tjerët.Mungojnë konkurset e ndryshme rreth leximit të librave midis shkollave qoftë edhe brenda një shkolle.
Vështirë që të shohësh qoftë edhe në shkolla me traditë cilësore një vetrinë aktuale të informimit për librat e rinj që do t’iu duhen dhe janë botuar të paktën para një muaji.Madje edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës prej vitesh nuk ka gjetur mekanizmin e duhur për ta përshirë lëndën e letërsisë në Olimpiadën vjetore kombëtare që zhvillohet mes shkollave të mesme . Në ndonjë rast ajo e ka zëvendësuar vetëm me një Konkurs Krijuesish që janë të pakët në një shkollë në raport me lexuesin e gjërë.Në shumë shkolla prej vitesh mungojnë invetimet për furnizimin me libra që ka programi mësimor.Problemi i fondeve kthehet shpesh në lojë “kungulleshkash ‘ mes pushtetit qëndror e atij lokal.A nuk do të ishte mirë që përballë mungesës së besueshme të fondeve nga shteti të futet në këtë lojë edhe biznesi privat apo Fondacionet e shumta që janë në këtë vend?
Ata financojnë programe për Drogën, Sidën,për Konfliktet në një kohë që libri në duart e viktimave mund të jetë parandaluesi më i mirë i së keqes..A nuk do të ishte mirë që të gjendej gjuha me këto organizma financiare private dhe joqeveritare që në bashkëpunim me industrinë tashmë gjigande të botimit të librave në vendin tonë të gjendej mundësia e uljes së çmimit vetëm për moshën shkollore ( siç bën gazeta “Shekulli” me lexuesit e saj në fundjavë, ose gazeta e revista të tjera në Shqipëri e vendet e tjera) dhe këto të jepeshin në fillim të vitit çka do ta bënte pak më lehtë e më të programuar punën mësuesve të letersisë.?
A e kemi “ aleat’ familjen shqiptare në këtë betejë të vërtetë për dijen e Shqipërisë së nesërme?Për fat të keq, JO.JO.Kur dëshira për lexim e për përtëritjen e bibliotekave familjare e moshës së dytë e të tretë ,për arsye të ndryshme, nuk njeh ngritje, por vetëm rënie , nuk mund ta kemi atë aleat pa le të mendojmë se me atë mund ta fitojmë të vetëm luftën.Më konkretisht në mbledhjet e zakonshme të prindërve në shkollën e mesme as që futet si temë bisede se çfarë librash artistikë apo shkencorë ka lexuar ose duhet të lexojë fëmija e tyre.Edhe ata pak prindër që bëjnë pjesë tek bordet e shkollave vështirë se mbajnë në supe diskutimin dhe zgjidhjen e këtij problemi.
Dikush do të më kërkonte që t’i drejtohesha komunitetit për ta zbutur këtë dhimbje me kuptimin e plotë të fjalës Edhe ky nuk është mendim i keq. Po kam droje se edhe këtu do të bëhem një lloj Diogjeni që edhe në mes të ditës me aq diell sërish mbaj në duar Qiririn e Kërkimit të Kolombit.
Në fushatat e shumta elektorale do të ishte çudi dhe utopi që një kandidat i mundshëm të hidhte në tryezën e debatit elektoral (pa folur për ndihmën e tij konkrete) problemin e varfërimit të intelektit si pasojë e mungesës së librit e leximit.Përballë rinisë së shkollës parauniverisitare , por edhe studentore, të gjithë vrapojnë që të bëjnë realitet “parcelizimin politik”të tyre për t’i aneksuar në oborrin e partive të shumta.Vrapojnë që ta bëjnë këtë pjesë kaq vitale , por ende të pauritur për leximin e librit artistik e shkencor, pjesë të paragrafeve të Statutit të tyre apo të konferencave të panumërta të shtypit me pranimet e reja në këtë apo atë parti .
Sa mirë do të ishte që ata të nxisnin me idetë e tyre politike NISMËN KOMBËTARE PËR LIBRIN që do të ishte pjesa më fisnike e misionit të tyre politik në shërbim të Shqipërisë që ata e lakojnë në të gjitha rasat e numrat këtë emër me mijëra herë në ditë.
Objekt i këtij ndërgjegjësimi mund të bëheshim edhe nga forumet rinore.Në shkollat e mesme ka një farë qeverisje të nxënësve nëpërmjet Senateve . Asnjëherë në protokollet e tyre ata nuk e diskutojnë këtë problem.Natyrisht edhe nuk japin alternativa për zbutjen e kësaj drame kombëtare.Rutina e ka bërë punën e vet edhe në këtë drejtim. Lëvizjet Rinore në shkallë kombëtare shpesh janë kthyer në leva të instrumentalizmit politik e nuk e ngrejnë këtë problem me format e tyre shumë interesante që do të ngrinte opinionin.
Përballë lojërave elektronike, basteve të panumërt për futbollin e lloj lloj sportesh,përballë internetit, diskove,duhanit,horoskopëve të shumëllojshëm,televizorit, duket se hendeku me librin është thelluar shumë.
Libri ka kohë që e ka humbur betejën.Trishtimi më i madh i kësaj humbjeje shtohet kur mendon se drita e fundit të tunelit është tepër e zbehtë.Që sot , por më shumë në vitet që do të vijnë, shkenca botërore e ka hedhur mendimin e saj në “sirtaret” e faqeve elektronike. Kjo do të bëhet shumë shpejt edhe për librat e të gjithë gjuhëve.Natyrisht për vendin tonë kjo gjë është disi e largët , po është një realitet që pritet.Shkrimtarë të të gjitha vendeve e të të gjithë gjuhëve të botës , pavarësisht pengesave që mund të krijohen në një vend apo kohë të caktuar,do të vazhdojnë të kuvendojnë me brezat nëpërmjet veprave të tyre…..Si për ironi mund të shfaqet një prrullë e përbotshme :”Shkrimtarë të të gjithë vendeve e gjuhëve, bashkohuni!”
Megjithatë emocioni i miliona fletëve të diturisë që vijnë nga shekujt ,ende mbetet i virgjër për brezat e rinj Duke pritur NDRYSHIMIN në mentalitetin e komunitetit shqiptar si dhe dashamirësinë e një tjetër praktikë punë e atyre që e kanë për detyrë një gjë të tillë, na gëzon një fakt i thënë kohët e fundit.

Mbase është kthesa e dëshiruar për të gjithë…….
Mbase shpresa rilind filizë të rinj besimi……
Dhe SHPRESA vdes e fundit.
Amen!!!!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s