Biletë vetem për kthim / Tregim nga Sabina Darova

Biletë vetem për kthim
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Pesë djem, pesë nuse dhe një qivur…
Gjithësej njëmbëdhjetë vetë mbi një traget të vogël e të vjetër që çan dallgët e tërbuara të janarit, pa marrë parasysh kërcënimin e dhëmbëve të detit plak në stinën dimërore. Në mes të sallës së ndenjes së pasagjerëve, qëndron qivuri i zi dhe në krahët e tij, përballë njëri-tjetrit, burrat dhe gratë të heshtur, mbështjellë me pallto të zeza e të gjata, duar kryq, të mbledhura përpara. Dallgët përplasen me forcë dhe lëkundjet bëhen akoma dhe më të pranishme gjatë udhës. Udhëtimi nga Ancona në Durrës duhet të jetë rreth 15 orë. Gratë të trembura, ju hedhin shikime akuzuese burrave, për vendimin e çmëndur, pa i pyetur, për kryerjen e varrimit me te gjitha nderet në Atdhe. Nuk marrin parasysh motin e lig dhe parashikimet aspak shpresëdhënëse, për një përmirësim të mundshëm. Dhe jo vetëm, parashikohen reshje të shpeshta dëbore për 48 orë në vijim. Burrat, bëjnë sikur nuk kuptojnë domethënien e atyre vështrimeve dhe këmbejnë tymin e cigareve që i dredhin me kujdes. Mbi duart e trasha dhe plot kallo vendosin fletushkën e bardhë që e mbushin me duhanin e prerë nga bahçja e verës së fundit, këtë gusht. Vëllai i mesëm, ai që ka kaluar i fundit në shtëpi, për të cilën kujdesen djemtë e xhaxhait, e kish sjellë me vete kur u kthye nga pushimet. Katër të tjerët, kishin fërkuar duart nga kënaqësia dhe i patën lëshuar edhe një urim ,” t’u bëftë gjak e dhjamë”, mbasi kishin marrë pakon e duhanit të sjellë me valixhe.
Pasi e shtrijnë duhanin uniform me gishtat lëkurë vrazhdë, mbi fletushkën trasparente, vendosin në majë filtrin, e me flegrat e hundës që ju zgjerohen nga kënaqësia, kur e sjellin mbi buzë, për ta ngjitur me bështymë, shoqërojnë këtë puthje si një thirrje ekstaze, që shkëputet nga kafazi i kraharorit për të nxjerrë mbas pak sekondash shtëllungat e tymit të duhanit që digjet.
Thithin, mbushen me frymë dhe përpara grave, sipër qivurit të zi, shpërndahet mjegulla e bardhë ku humbet kontakti direkt i syve midis tyre. Të kënaqur, kruajnë grykën dhe nxjerrin një kollë të thatë…
Nuk kolliten vetëm ata. I ndjek kollitja e grave. Një kor kollitjesh që kërcet mbi kapakun e qivurit. Të trembur, shohin njëri-tjetrin sepse ju bëhet sikur diçka lëviz aty brënda. Ju duket sikur personi i mbyllur ju a ka zili pirjen e duhanit. E dijnë fort mirë që numri i cigareve që thithte çdo ditë, i kalonte të 30-tat. Pra, ishte fumator si ata. Si thotë ajo shprehja e vjetër” Bëmë baba të të ngjaj”, por në rastin e tyre emri baba, duhej zëvëndësuar me emrin mama.
Nëna e pesë djemve, e pesë nuseve dhe e nëntë nipërve, kishte mbyllur sytë nga një infarkt i papritur pesë ditë më parë. Kish mbyllur sytë afër mëngjezit, në të gdhirë, nga ora pesë, tek shtëpia e djalit të katërt dhe jo e atij të fundit, siç e donte zakoni. Jetonte prej pak kohësh tek djali i vogël, simbas rregullave të caktuara nga kodi familjar i vendit. I pa shkruar, por transmetuar me gojë nga brezi në brez. Nuk kishte nevojë për tu shkruar. Disa gjëra ti ngulit më mirë kujtesa, sesa fleta e shkruar me bojë. Kish bërë fjalë me nusen. Nuk ishte dakort me të, sepse ajo në vend që të merrej me të birin, që nuk kishte më shumë se dy vjeç, vazhdonte studimet natën në një shkollë për tu bërë stiliste. Për turp, darkave, kujdesej i biri i saj, i shoqi i nuses, ai që kthehej i lodhur e i dërrmuar nga puna në ndërtim. Kishin guxuar, të dy, burrë e grua, ti kërkonin ndihmë. Sytë i kishin dalë kokërdhok nga zgavrat, sepse nuk i besohej. Si ishte e mundur, që ajo, nëna e pesë fëmijëve të rritur jetim ( babai i tyre e kish lënë të ve kur ai, djali i fundit nuk kish qënë më shumë se tre vjeç), e lodhur dhe e rroptuar, duhej të vazhdonte akoma të punonte; të bënte dadon. Domethënë të vazhdonte të përgatiste supërat dhe frutat e shtypura, ta ndërronte e ti shkonte mbrapa një çamarroku, kur në një kohë, kur nusja e fundit shkeli pragun e shtëpisë 4 vjet më parë, ajo e lumtur me zë brenda vetes kish thënë : ” Ja arrite kësaj dite, tani do gëzosh nuset e do jesh mbretëreshë! Të gjitha vuajtjet e strapacimet e tua po shpërblehen. Një të trokitur të gishtit dhe fjala jote do jetë urdhër!”
Por nuk kishte qënë e thënë. Zhgënjimi i saj kish marrë krahët e detit. Ajo, nusja më e vogël e shtëpisë, kish guxuar ti thoshte që nuk ishte plakë, ish akoma e re, dhe moshataret e saja italiane, vazhdonin të punonin ende. Si mund t’i thuhej e re një gruaje 65 vjeçare?! Ajo, “plaka “, e zemëruar tund gishtin tregues të birit, hyn në dhomë, mbledh plaçkat në një valixhe dhe bën me nxitim numrin e telefonit të djalit të parë.
” Hajde më merr! Nuk dua të qëndroj as edhe një minutë këtu, në shtëpinë e kësaj që nuk di gjë tjetër, veçse te vizatojë fustane e të ndërrojë ngjyrat e flokëve.”
Ndërsa pret që ti përgjigjen, ndjek me bisht të syrit të rinjtë për të kontrolluar reagimin, por asgjë e mirë punonte për interesin e saj. Gjakftohtë, ndjekin një film në televizion.
Nga ana tjetër e receptorit, djali i madh, kërkon ta qetësojë e ta bindi të qëndrojë aty, sepse nuk ka vënd në shtëpi. Ustallarët po shtrojnë me parket dyshemenë, dhe e gjithë familja, ashtu të katërt, janë duke fjetur në një dhomë. Pastaj, ngre zërin: ” ti mama, edhe me Florën ( gruan), nuk është se shkon aq mirë. Harrove që para një viti, e akuzove që e le shumë të lirë Blertën, vajzën? Ç’nuk i the, që do ma bësh vajzën si motrat e tua, ato të përdalat, si italiankat…!
” Mirë ja bëra”, përgjigjet e inatosur. “Të vërtetën kam thënë. Këtë e thotë gjithë Durrësi, nuk e them vetëm unë.”
Nga krahu tjetër receptori ulet.
Ashtu e inatosur, merr rubrikën e telefonave dhe kërkon numrin e djalit të dytë.
” Alo, jam nëna që mos qoftë! Do vish të më marrësh, sepse këtu më duan për hyzmetqare, jo për nënë që qëndron në krye të vendit”!
Nga ana tjetër e receptorit dëgjohen zërat e çiftit që këmbejnë midis tyre fjalë, dhe mbas pak sekondash dëgjohet zëri i nuses:
” Mami, me shumë dëshirë do të të mirrnim, por pardje, ka ardhur mamaja ime e nuk kemi vend ku të të vendosim”
” Ajo ka vendin e saj, e unë timin. Unë jam nëna e djalit”! përgjigjet gjithë zemërim dhe përplas sërish telefonin.
” Prit se kam akoma dy djem të tjerë”, i hakërrehet nuses, dhe provon të telefonojë numrin e djalit të tretë.
Nga ana tjetër asnjë përgjigje. Sinjali i lirë, dhe mbas pak sekondash sekretaria e telefonit që përgjigjet në italisht “la persona non é raggiungibile”…
” Çfarë thotë kjo” i drejtohet të birit, i cili e shikon i zbardhur në fytyrë.
” Nuk ndodhet në shtëpi, thotë. Ke dhjetë vjet në Itali, dhe nuk mësove dy fjalë”.
” Ç’më duhet” , e ngre supet.” Se mos do shkoj në shkollë unë. Ja kemi një këtu që do na ndrisi” dhe kthen sytë zjarr nga nusja.
Rimerr përsëri në dorë receptorin, ngjesh gjyslykët mbi kurrizin e hundës dhe kërkon numrin e djalit të katërt.
Për fatin e saj, përgjigjet duke u treguar i gatshëm për ta pritur në shtëpinë e tij.
Mbas 30 minutash, shfaqet në derë duke tundur kokën.
” Këtë herë po të marr mami, por kije të qartë, që duhet të rrish e qetë, si një mysafir, e të mos bezdisësh djemtë me ato vërejtjet e tua, mos këtu e mos atje, se janë rritur e nuk na durojnë dot neve, e jo më ty”.
” pse, çfarë ju kam bërë unë atyre”, pyet.
” Jua nxin jetën ti atyre, janë adoleshentë mama, dhe muzikë do dëgjojnë me zë të lartë, do dalin me shoqe, do i presin flokët si të duan, do qëndrojnë jashte, natën vonë. Ti mos fol, na e ler neve.
E pakënaqur, tund kokën dhe ngre valixhen e këmbët zvarrë drejt makinës.
Ndërsa hipin në makinë, i biri kujtohet ti japë porosinë e fundit: ” duhani brenda shtëpisë është i ndaluar. Do e thithim të dy në ballkon. Ndryshe Mira na ze me dru”.( nuk guxon ti shqiptojë fjalën “përze”).
Ajo ul kokën pa nxjerrë më asnjë fjalë nga goja, duke i dhënë besë vetes se nuk do të nxirrte më as edhe një oh nga goja, deri kur ata, të pestë djemtë e saj, ti gjunjëzoheshin dhe ti kërkojnë të falur. Ditët i kalon duke dredhur cigaret me kujdes. I vendos radhë me nga pesë një mbi një në kutinë e argjendit, kujtim i të shoqit. Përgatit racionin e tymit për të gënjyer mendimet që e vrasin. Në kocka i ftohti i thërret vetmi. Kur familja nuk ndodhet në shtëpi, hap dritaret dhe thith nikotinën ulur mbi kolltuk. Shoqëri i jep telenovela turke që aq shumë e tërheq. Mendon të kopjojë skenat, dialogjet. Fundi, njësoj janë të gjithë, si nga Turqia e deri në Itali. Luftë vjehrrat me nuset! Luftë me shekuj. I kujtohet se edhe ajo në të ri nuk kish patur raporte të mira me të vjehrrën. Merr një copë letër, e zhgarravit tek tuk ndonjë shprehje që dëgjon. Por, kur i kthehet më pas për ta rilexuar, nuk kupton asgjë se ç’ka shkruar, e fillon të mallkojë vetëveten me mallkimet nga më të rënda:” shkofsh me të shumtit; hapu varr të futem; ti mos gezofsh edhe një ditë më shumë etj, etj…
Mallkimet sikur të kenë veshë dhe zemër, i binden dhe mbas pesë netëve të kaluara tek djali i katërt, dy nipërit e gjejnë pa jetë në krevat. Mjeku i urgjencës stabilizon orën e frymëmarrjes së fundit, pesë e pesë minuta, në të gdhirë. Duhani i kish thithur shpirtin për të tymosur qiellin përgjithmonë…
 
Bie dëborë, temperaturat janë nga më të ultat në pesë vitet e fundit. Familja mblidhet për të vendosur organizimin e ceremonisë funebre. Dikush shprehet për ti kryer në qytetin ku ndodhen. Kështu, mundet ta vizitojnë herë pas here e të vendosin lule. Dikush tjetër, dhe këta janë zëri unik i pesë djemve, e kundërshtojnë: Nëna duhet vendosur pranë babait, në dheun ku ka lindur!
Nusja e fundit merr guximin dhe shprehet që i vdekuri nuk e di se ku do vendoset, është i vdekur. Duhet të mendojnë për jetën e tyre.Të gjallët ngaterrojnë këmbët e tyre e rrëzohen. Rëndësi ka, të gjejnë një rrugë që nuk ju vështirëson atyre ekzistencën. Kanë fëmijët, punën…
Kunatat, gati sa nuk i hidhen në grykë për këtë guxim të saj, tashmë të ditur prej kohësh. Shtojnë, që shkaku i vdekjes ishte ajo. Ngrejnë zërat e askush nuk kupton se ç’bëhet. Djali i madh, merr situatën në dorë: “mjaft”, bërtet. ” Këtu kemi zi, jo fjalë grash” !
Nusja e tretë, kujton që spostimi i eshtrave është shumë i shtrenjtë. Ngrenë receptorin, pyesin, informohen. Me avion as që bëhet fjalë. Koha e keqe ka pezulluar të gjitha fluturimet. Zgjidhja mbetet me traget.
 
Pesë vëllezër dhe pesë gra me një qivur në mes dallgësh të çmëndura. Anija ndjen gjuhët e tyre të kripura që e godasin pa mëshirë dhe lëkundet si gruaja në vaj nga dhimbjet e lindjes. Por gruaja “shtatëzënë”, nuk është asnjëra nga këto pesë nuset e lodhura e të çoroditura nga jeta e shfrenuar në mërgim. Është një tjetër. Është ajo gruaja që dikur duronte çdo dhimbje, çdo vuajtje, për hir të familjes së bashkuar. Ajo grua ndodhet në bregun tjetër të detit, aty ku dallgët bëhen valë nga mendja e dashurisë.
” Çfarë do ju themi njerëzve”, pyet gruaja e vëllait të katërt, ajo që në ditët kur ndodhi mënxyra, ndodhej me pushime në Kubë.
Familja kish vendosur të largohej me pushime, pa treguar destinacionin. Vendimi ishte marrë për të evituar komentet ziliqare të të afërmëve, ashtu dhe për të njohurit.
Kunati, vëllai i dytë, e sheh drejt e në sy me shpoti. ” Po ja, e morët në Kubë për tu nxirë, dhe aty nga dieli i fortë i ndali zemra…. “
” Nuk ka vend për tu tallur” , tund kokën vëllai i katërt. Vdiq nga pleqëria do themi.”
” pse, pleqëri i thua ti moshës 65 vjeçare? Këtu njërëzia punon deri në moshën 67 dhe nuk guxon njeri t’ju thotë që jeni të plakur.” Ofendohen.”- hidhet vëllai i pestë.
” Ti rri urte, mos u ndje!- urdhëron vëllai i parë. “I gjithë faji është i yti! Nëse do ta dish mirë, mamaja vdiq prej teje. Ti nuk e mbajte. Do kishim qënë rehat tani. Shkaktari i vdekjes së saj je ti! Dhe, më pas ne të tjerët. Jo shtëpia, jo fëmijët, të rritur, të parritur, shkolla, pushimet, puna…po harrojmë se cilët jemi. Edhe ajo, ndjesë pastë, ishte karakter i vështirë, por ne çfarë bëmë për atë? U mjaftuam duke e sjellë nga Durrësi këtu dhe na pëlqeu të ndaleshim me kaq. Detyra u krye. Përtuam ti mundësonim një jetë të sajën.” Kush e ndihmoi prej nesh? Sejcili i zënë me vetëveten.”
Pllakos heshtja dhe sytë ulen përtokë. Ndjehen të gjithë në faj. Edhe ajo brënda qivurit ndjehet në faj për ta dhe për vetëveten.
Ndërkohë, nga jashtë degjohet një zhurmë e fortë dallge që përplaset mbi anije. Më pas një tjetër akoma. Të dhjetë rrëzohen nga ndenjëset e karrigeve duke rrëshqitur mbi dysheme në drejtime të ndryshme. Ulërimat e grave shtojnë frikën e anijes që lufton me egërsinë e ujrave të tërbuara. Nga kapiteneria dëgjohet një zë që lajmëron avari dhe fton pasagjerët të fryjnë gomardaret që përdoren për shpëtim në rast rreziku. Paniku nxin fytyrat e të gjithëve që nuk guxojnë të ngrihen nga dyshemeja, e cila lëkundet pa lodhje. Mbas disa sekondash, perceptojnë një tjetër përplasje të fortë. Degjohet zëri nga kapiteneria që anija do bëjë një devijim. Do zbresi në portin më të afërt. Familja e madhe duket si një grusht, ku pesë gishtrinjtë janë cunguar e nga dhimbja lëshojnë pasthirrma frikërash të cilat thyhen si copra shkëmbinjsh. Gratë fillojnë të lenë amanetet burrave për fëmijët nëse dalin gjallë nga ai ferr. Çuditërisht, ndjehet vetëm një ” më fal o zot” nga nusja e vogël, e më pas asgjë.
 
Kalojnë orë, dhe që të dhjetë zbulojnë që ndodhen në spitalin e Barit. Janë të gjithë në jetë. Një dorë apo këmbë e thyer, një gërvishtje në fytyrë, mbi kokë, por marrin frymë.
Ndërsa qivuri, ai udhëton i vetëm mbi një tjetër anije drejt ujrave të vendit të tij. Deti është qetësuar. Sikur nuk eshtë më ai i ca orëve më parë.
Në port e presin të afërmit. Tani po, ndjehet i lehtë, sepse e di se si do qahet njeriu që ndodhet brënda tij. Asnjë vend i botës nuk di ta qajë më mirë se ky vend. Dy lotë të kripura uji i rrëshqasin nga emocioni dhe në atë çast, eshtë gati. I gatshëm të rivdesë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s