Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

ËNDËRR ME TESTIM PASURIE

Më kërkuan në gjumë, deklarimin e pasurisë. 
Deklarova dy kompjutera, për punë çdo orë,
tryezë katërkëndëshe, fiksuar të mos lëvizë,
bibliotekë me vepra, të shkrimtarëve cilësorë.

Shtrat tek, për pushim mesdite në behar,
krevat dopio, për çiftim të lodhur paqësor,
dollap rrobash dykanat, me rafte të ndarë.
“Grundig” për kanale të digitalit televizor.

Lavatriçe heroinë, tridhjetë vjet duke larë,
Buljer, për ujë të rrjedhshëm, një orë në ditë,
Frigorifer i pangopur, me kapacitet mesatar,
Celular “Samsung” të dhuruar nga një mik.

Dy kostume, tre palë këpucë, kapele stinore,
dy palë rrobe banje, për kur braktiset deti,
një pasqyrë, ku shpesh rrafshoj mjekrën ditore.
Syze, ku duken shtatë ngjyra ylberi, madje i teti.

Regjistruesi më pa me dyshim, si fshehës të pasurisë.
Ke të drejtë, i thashë, lash në fund pasurinë e shpirtit:
Mbi çdo gjë të çmuar, kam gruan e shtrenjtë të shtëpisë,
që më mban gjallë, mos shkoj pas moshatarëve që ikin…

Regjistruesi u inatos: Shporru, ti s’bën për zyrtar të lartë!
Brofa nga shtrati, duke fërkuar një çast sytë e fjetur.
Kur u kthjellova, që ishte ëndërr, jo testim burokrat,
u ndjeva i lumtur, që s’isha i përshtatshëm për të vjedhur.

 

VAJZA ENGJËLLORE E UNAZËS

Mbaj mbi shpinë dhjetëra dimra me acare, 
me rrokullisje shkëmbinjsh nëpër lumin tim.
Te stacioni i unazës një bukuri njëzetvjeçare,
nguli sytë tek unë, me vështrimin intim…

Nuk ishte nga “ato” që u lexohet te balli,
kur hipi në autobus tregoi abone studenti.
Te mbajtëset m’u ngjit, si në gjoksin e një djali,
avullonte ngrohtësi, me përndezje momenti.

Vajza nënqeshi ëmbël, shkoi dorën në gushë,
kafshoi buzën dhe shtjekëzat njomi disa herë.
Me bisht të syrit, druhesha mos i dukem pusht
dhe u stepa përballë saj, si një trung i prerë.

Vura re tinëz linjat e hajthme të trupin lozonjar,
gjoksin, ku plapuriteshin dy zogj nën këmishë,
cipën e hollë të ballit, ku pluskonte një damar,
dhe përsosmëritë e Zotit, si skulptor mrekullish.

Më shigjetoi gjatë me sy zjarrmëtarë të ndezur,
tek mbeta ngurosur, si manekini mes një vitrine…
Kur zbritëm, u ndamë me një buzagaz të heshtur,
por gozhda e saj, u ngul thellë në mendjen time.

Nuk kuptova pse u magjeps ajo vajzë prej meje,
dhe ndoshta s’kam për ta kuptuar asnjëherë.
Ç’farë priste nga një fytyrë dimri, me flokë reje,
ajo fytyrë engjëlli, me trupin lastar në pranverë?…

 

ENGJËLLUSHJA DHE DJALLI

Ai dukej një djalë i hijshëm,
pas femrash, duke u lëpirë…
Por biçimsëz i pamëshirshëm,
nga shpirti një djall me brirë.

Ajo ishte Engjëllushe drite,
nga retë e qiellit kishte rënë.
Ai djallëzisht e pikoi në vithe,
ajo befas mbeti shtatzënë.

Ai deshi t’ia mbathte fshehur,
para se ajo të bëhej nënë.
Por nga halli, kishte mbetur,
brenda derës, në lak i zënë.

Ajo, më pas pranoi nga turpi
me një djall, të bëhej nënë…
Por ai i hoqi kokën nga trupi
dhe u zhduk një natë pa hënë.

Eh, sa engjëllushe drite,
trupin pa kokë, kanë lënë,
pasi djajtë i pikuan në vithe
dhe ato mbetën shtatzënë!…

 

MENDJA E ËMBËL

Ndoshta dy prindërit e dashur
pasionin m’a vunë veç në zemër,
për t’u bërë në jetën e ashpër,
një poet me mendje të ëmbël.

Ndaj zemra pati ndjesi shpirtërore,
për dije e njohuri voluminoze,
larg pasurisë me fitime përrallore,
larg relaksit, me dëfrime luksoze.

Jetova me konsumin më minimal,
si në stomak dhe në gjumin e trurit,
brodha shtigje, shkëmbinj e moçal,
për të arritur thjeshtësinë e burrit;

Për të arritur dëlirësinë Tolstoiane,
të shpirtit human, ndaj të mjerëve,
që durojnë varfërinë migjeniane,
derisa përqafojnë eshtrat e të tjerëve.

Pasi shkova kudo, duke u endur,
me mendjen e ëmbël të poetikës,
kam përfunduar, si një i çmendur,
që humba gjithçka, përveç logjikës…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s