Teatri i “Varietesë”: përkimet me Migjenin / Nga: Xheni Shehaj

Teatri i “Varietesë”:  përkimet me Migjenin

Futurizmi glorifikoi, ngriti lart Teatrin e Varietesë për disa motive: sepse ishte i lirë nga dogmat, ishte praktik, zbaviste spektatorin, gjeje aty të gjithë tipat, karakteret, ballerinë, kllounë, gjimnastë, xhonglerë, përfshinte publikun në lojë, prodhonte atë që quhej ‘mrekullia futuriste’ e që kishte elemente të tilla si; karikatura të fuqishme, tallje të thellë, ironi, cinizëm, gjëza, simbole, të qeshura të pakontrolluara, analogji mes humanëve, kafshëve, bimëve.

“Il Teatro di Varietà, essendo una vetrina rimuneratrice d’innumerevoli sforzi inventivi, genera naturalmente ciò che io chiamo il meraviglioso futurista, prodotto dal meccanismo moderno. Ecco alcuni elementi di questo meraviglioso: 1. caricature possenti; 2. abissi di ridicolo; 3. ironie impalpabili e deliziose; 4. simboli; 5. cascate d’ilarità irrefrenabili; 6. analogie profonde fra l’umanità, il mondo animale, il mondo vegetale, e il mondo mecanico; 7. scorci di cinismo rivelatore; 8. intrecci di motti spiritosi, di bisticci e d’indovinelli che servono ad aerare gradevolmente l’intelligenza”.[1]

Disa nga këto karakteristika të futurizmit i hasim dhe në poetikën e Migjenit. Figurën e kllounit e gjejmë në skicat Tragjedi apo komedi, Novelë mbi krizë dhe në poezinë Pesha e fatit.

“Me çalue n’anë të djathtë, me çalue n’anë të majtë…

si paljaço i gjorë që kah t’ia mbajë s’di”.[2]

 

“E kur zbardhi mëngjesi, një nga një, porsi Sharli Shaplini tragjiko – komik, çohen nga gjini i monumentave, hapin gojën, shtrijnë duert e kambët, dhe ulen në podium për ta çue gjith ditën në inerci të plogët”.[3]

Migjeni përdor figurën e kllounit, e cila e ndihmon të krijojë paradoksin. Nga jashtë plot ngjyra, i qeshur, gazmor, nga brenda i trishtuar, me zemrën plot hidhërim. Charlie Chaplin, kjo figurë tragjikomike bëhet pjesë e repertorit letrar të Migjenit.

Përveç kllounëve, poeti ka përdorur dhe simbole të sferës fetare, simbole të zakonshme, klasike, të cilat i gjejmë dhe në Teatrin e Varietesë. Simbolet me karakter fetar i gjejmë në disa poezi të tij si; Kulla Babelit, Zoti, te(Parathania e parathanieve), Hyu, Dreqi, te (Zgjimi), xhamia, kisha, engjejt te (Blasfemi); tek Trajtat e Mbinjeriut gjejmë simbolin klasik të sfinksit; ka dhe simbole të zakonshme, nga jeta e përditshme si; dielli, lugati, yjet, etj.

Një tjetër dukuri futuriste janë dhe të qeshurat e pakontrolluara. Mjafton të përmendim prozën Pak poezi dhe Historia e njenës nga ato për të kuptuar se dhe Migjeni e ka përdorur këtë element. Të qeshurat e pakontrolluara mund të vijnë si pasojë e çmendurisë, dehjes.

Lukja në mes të xhandarve qesh e qesh pa të keq.

“E ajo, shikonte me at shikim të marrit dhe buzëqeshte:

Hi – hi – hi… Po pse m’i kanë lidhë duert… hi – hi – hi”.[4]

E qeshura e saj pakontroll është tregues i gjendjes së saj mendore. Po kështu ndodh dhe me Lilin. Edhe ai teksa kritikon veten për dashurinë që ka hedhur me të kushërirën, qesh herë – herë në mënyrë absurde e të pakontrolluar.

“Sa i marrë jam… Sa i marrë jam… Ha – ha – ha, – qeshej me vete me një gëzim të ndrydhyn n’intimitet ma të thellë.

Ha – ha –ha… i poshtm, i poshtm… – qeshej me vete nervozisht e ndërgjegja e tij vazhdonte, – çë të baj?”.[5]

“E qeshura, forcuar kuptimisht në karakterin absurd të saj, nëpërmjet onomatopesë ‘kikiki – kakaka’ është një mjet – reagim që shoqëron gjithnjë gati patologjik, histerik, shfaqjet e bashkëkohësisë”.[6]

Në Teatrin e Varietesë, një nga tiparet përbërëse ishte dhe analogjia mes humanëve, kafshëve, bimëve dhe mekanikës. Në disa prej shkrimeve të Migjenit gjejmë dhe këtë tipar futurist. Në poezinë Trajtat e Mbinjeriut  poeti ka krijuar analogji mes Mbinjeriut dhe sfinksit. Sfinksi është qenie mitologjike, me trup luani, kokë gruaje, bisht gjarpri, krahë shpendi, i cili u jepte udhëtarëve kalimtarë gjëza për t’i zgjidhur dhe kur s’i gjenin, i hante. Në mënyrë të figurshme, sfiksi është njeriu që s’kuptohet, që nuk dëshifrohet. Mbinjeriu, dëshira e kohës moderne, do ishte një qenie pa mendime, i pakuptueshëm, njësoj si sfinksi. Kemi të bëjmë me analogji mes një qenieje humane dhe një kafshe.

“Një sfinks i madhnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm,

pa zemër, pa ndjenja…”.[7]

Edhe te Ekstaza pranverore përdoret e njëjta analogji, ajo mes një zogu dhe një miti, mitit të Orfeut. Orfeu ishte këngëtar në mitologjinë greke, me këngën e tij ai zbuste dhe bishat e malit. Migjeni e lidh këngën e bilbilit me këngën e Orfeut.

“… triumfon bylbyli…

kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,

“E kanga kumbuese, kang’ e tij pa fre,

asht si kangë e Orfeji ndër telat e lirës”.[8]

 

Në prozën Të korrunat analogjia ndodh mes grurit dhe topave të hekurit, mes botës bimore dhe asaj mekanike.

“Na kemi mbjellë farë gruni, ndërsa këtu na kanë bimë topa hekurit”.

Apo te proza Gogoli ku Migjeni e përafron gogolin e përrallave shqiptare me King – Kong –un e tmerrshëm. Në përfundim të çështjes, mund të themi se vërehet te poetika e Migjenit një ndikim prej futuristëve megjithëse duhet theksuar se ndikimi nuk është aq i madh sa të thuhet se poetika e tij i përket rrymës futuriste. Ka tipare, elemente të veçuara, që shkojnë paralel me këtë rrymë por mbeten këtu. Tani do të bëjmë një kapërcim nga futurizmi italian në atë sovjetik. Do të ndalemi te Majakovski dhe vepra e tij. Fillimsht do ishte me vend të flisnim diçka rreth futurizmit rus, dallimin mes tij dhe atij italian, për t’u ndalur në fund në veprën e Majakovskit dhe Migjenit.

 

– Futurizmi rus, Majakovski dhe Migjeni

Futurizmi u përhap dhe u zhvillua edhe në Bashkimin Sovjetik. Në thelb, si futurizmi italian dhe ai rus kishin si synim shkatërrimin e botës së vjetër dhe ndërtimin e së resë.

“Il futurismo è decisamente più vicino al bolscevismo per lo slancio col quale ambisce a distruggere il vecchio mondo e a costruire il nuovo”.[9]

“Il futurismo e Marinetti sono anzitutto una rivolta contro la vecchia Italia. Contro Dante, Michelangelo, contro la bisnonna Monna Lisa, contro il tradizionale marasma dello storicismo, contro il romanticismo lombardo, contro l’umanesimo di Carducci e il decorativismo di D’Annunzio”.[10]

Pra, thelbi mbetet i njëjtë por ka një dallim mes futurizmit italian dhe atij rus. Dallimi qëndronte te shkatërrimi i objekteve me vlerë historike, te ekstremizmi italian, të cilin rusët nuk e kishin aq të theksuar.

“Noi vogliamo combattere accanitamente la religion fanatica, incosciente e snobistica del passato, alimentata dall’esistenza nefasta dei musei. Ci ribelliamo alla supina ammirazione delle vecchie tele, delle vecchie statue, degli oggetti vecchi e all’entusiasmo per tutto ciò che è tarlato, sudicio, corroso dal tempo, e giudichiamo ingiusto, delittuoso, l’abituale disdegno per tutto ciò che è giovane, nuovo e palpitante di vita”.[11]

“L’attacco dei futuristi russi appare, certo, assai meno motivato nella sua radicalità dell’appello marinettiano a ‘distruggere i musei, le biblioteche, le accademie d’ogni specie’.”[12]

Ky ishte futurizmi italian, i cili bënte thirrje për shkatërrim total të objekteve historike, bibliotekat, muzetë, statujat, monumentet. Ndërsa futurizmi rus ishte më i butë, nuk e shkatërroi trashëgiminë kulturore e historike.

“Ma la dittatura del proletariato si è mostrata troppo rispettosa e conservatrice verso i momumenti dell’oscuro passato, giudicando che la vecchia cultura e la vecchia arte devono essere conservate e forse prese a modello nonostante siano veramente cadaveri maleodoranti”.[13]

Dallimi fondamental mes tyre ishte se futurizmi italian gjeneronte në dhunë ekstremiste, ai rus jo.

“Pikëpamjet estetike të futuristëve rusë ishin të lidhura ngushtë me qëndrimet e tyre politike. Pavarësia kulturore e Rusisë përballë perëndimit duhej të shoqërohej në të njëjtën kohë  me një koncept të ri të artit dhe të letërsisë. Ndryshe nga italianët, rusët u kthyen kah tradita letrare e së shkuarës; arti i fjalës, për ta, gjendet në të folurën popullore, tek arketipi”.[14]

Kjo ishte një pasqyrë mes dy tipeve të futurizmit, që mund të na ndihmojë për të kuptuar se afër kujt mund të qëndrojë më mirë vepra e Migjenit. Si përfaqësues të futurizmit rus kemi marrë Majakovskin, poeti  më i talentuar i epokës sovjetike, siç do ta cilësonte Stalini. Majakovski theu traditën letrare ruse njësoj siç bëri Migjeni në letërsinë tonë. Por ç’kanë të përbashkët dy poetët? Nëse do citonim Arshi Pipën, përgjigjia e pyetjes së mësipërme do ishte e menjëhershme: asgjë s’i bashkon.

“Por vepra e tij nuk mban gjurmë të poetëve sovjetikë, madje as të Majakovskit. Nëse Migjeni do ta kish lexuar këtë poet do ish e pamundur që ai ta kish humbur shpërthimin e Mirë e bukur:

Koha është një gjë jashtëzakonisht e gjatë.

Na ishte seç na ishte, por poemat – përralla kaluan.

As legjendat, as epikat, as epopetë s’këndojnë.

Strofat tani si telegrame fluturojnë.

Migjeni shkroi në një prej poezive të veta përfaqësuese: Të lindet një njeri, të ndërtojë një epokë të re, le të krijojë një epikë, le të këndohet jeta e re në lahutat tona. Për Majakovskin, epika është një formë e vjetëruar letrare, të cilën një poet revolucinar nuk duhet ta përdorë. Majakovski e di se një strukturë e re sociale kërkon formën e saj; mesazhi dhe forma e tij duhet të jenë të dyja të reja. Poezia e Majakovskit do të jetë një poezi – telegram. Stili i Migjenit nga ana tjetër, vazhdon të jetë epik, sepse koncepti i tij për historinë mbetet thellësisht epik.Sipas një koncepti të tillë janë heronjtë ata që e bëjnë historinë”.[15]

Këtë mendim shpreh Pipa kur flet për Migjenin dhe Majakovskin. Ne jemi deri diku dakort me këtë mendim, pasi po të vërejmë poezitë e poetit rus, do konstatojmë një thyerje totale të kanonit, qoftë në stilin ligjërimor (një formë krejt e re e shkrimit të vargjeve, përdorimi i emrave të përveçëm, etj) qoftë në tematikën sociale. Në krahasim me Majakovskin, Migjeni është më afër traditës. Në disa poezi, ndjehet e njëjta frymë revolucionare por te Majakovski ka më shumë patos, më tepër dëshirë rebelimi. Për të sjellë shembuj ne kemi bërë krahasimin mes dy – tri poezive. Përafrimi mes tyre është kryesisht në tematikë. Në poezinë e Majakovskit E diela jonë fare lehtë vërehen tematika që i gjejmë dhe te Migjeni.

 

 “Plakat krrusur

luten ende

ndënë zgjedhën dhëmbshurishte,

porse marshi triumfal

i rinisë komuniste

buçet për besën e re”.[16]

Të birtë e shekullit të ri

“Na të birtë e shekullit të ri

që plakun e lamë në ‘shejtnin’ e tij

e çuem grushtin për me luftue

ndër lufta të reja

dhe me fitue…”.[17]

Shihet, se tematika është e njëjta, rinia buçet, kërkon një botë të re, pleqtë kapen fort pas të vjetrës. Rinia e Migjenit ashtu si dhe ajo e Majakovskit, i lënë të vjetrit në shtëpi të luten, ndërkohë që ata vetë nisen për të ndërtuar botën. Ateizmi, hedhja poshtë e fesë së vjetëruar tashmë është pjesë e rinisë socialiste.

“Zoti plak

më s’ia cakton

rrymën fatit njerëzisë;

Tashti

vetë njerëzia

me ritme këngësh motorësh,

botën do ta qeverisë”.[18]

Edhe Migjeni thuajse me të njëjtën atmosferë e jep braktisjen e religjionit.

“Përditë perëndojnë zotat

dhe rrëshqasin trajtat e tyne

mbi vjet dhe shekuj

dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri”.[19]

Majakovski e quan zotin, plak, sikur kërkon të thotë se ka ardhur koha të vdesë. Migjeni, thotë të njëjtën gjë por më butë, duke e krahasuar zotin me diellin që perëndon. Besimi te rinia, te forca njerëzore është e vetmja pikë që bashkon dy poetët. Edhe në poezinë Ne ecim, shihet i njëjti besim tek rinia.

“Ne jemi

përçuesit e besimit të ri,

në qiej ne hedhim … – beton.

Fitimtarë, nëpër botë marshojmë

përmes ulërimave të pleqve plot inat”.[20]

Paralelizma të tilla mund të gjejmë plot. Problemi qëndron gjetkë, të dy poetët kanë pika bashkimi përsa i përket rrafshit tematik por në këto pika qëndron dhe dallimi; Majakovski ka nerv, ka grusht të fortë, rebelim, Migjeni është i vakët, i mungon potenca, agresiviteti. Ai nuk e ka grushtin e punëtorit të Majakovskit, vetëm e ëndërron atë. Vetë poeti rus do të shprehej për gjuhën poetike si për një gjuhë të fuqishme, një gjuhë që të shprehë gjithçka.

“Vogliamo – esclama Majakovskij – che la parola esploda nel discorso come una mina e urli come il dolore di una ferita e sghignazzi come un urrà di vittoria”.[21]

Jo se gjuha e Migjenit nuk i ka këto karaktersitika. Gjuha e tij është shprehëse, e pasur, e re. Por duke e përqasur me Majakovskin, gjuha e Migjenit ka nuanca më sublime, është më delikate. Edhe përsa i përket urbanistikës, zhvillimit industrial, tek të dy mund të shihet dëshira për modernitet, zhvillim, por përsëri te Majakovski është më e theksuar. Migjeni flet për kafene, kabare, kinema, reklama; Majakovski flet për objekte të mëdha, industri të rëndë.

“Tutto il mondo civile del nostro tempo – avverte Majakovskij nel gennaio del 1914 – si sta trasformando in una immensa, gigantesca città. La città sostituisce la natura e le sue forze. La città stessa diventa una forza naturale, nel cui seno nasce il nuovo uomo di città. I telefoni, gli aeroplani, i rapidi, gli ascensori, le rotative, i marciapiedi, le ciminiere, le moli di pietra delle case, la fuliggine, il fumo: ecco gli elementi della bellezza della nuova natura urbana”.[22]

Si përfundim, mund të themi se poetikat e dy poetëve nuk ndjekin të njëjtën trajektore. Takohen në disa pika për t’u ndarë sërishmi menjëherë. S’duhet lënë mënjanë fakti se Rusia ishte atdheu i socializmit dhe fryma revolucionare ka ndikuar mjaft në poetikën e Majakovskit.

[1] po aty, f. 112.

[2]Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 33.

[3] po aty, f. 71.

[4]  po aty, f. 139.

[5] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 140 – 141.

[6] Blerina Suta, Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2004, f. 138.

[7] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 139.

[8] po aty, f. 39.

[9] Karel Teige, Arte e ideologia 1922 – 1933, Torino, Einaudi Paperbacks 130, 1982, f. 50.

[10] po aty, f. 98.

[11] Silvana Cirillo, Per conoscere Marinetti e il futurismo, Milano, Arnoldo Mondadori Editore, f. 20.

[12] Vladimir Majakovskij, Opere, a cura di Ignazio Ambrogio, Poesie 1912 – 1923, Roma, Editori Riuniti, 1972, f. XIII.

[13] Karel Teige, Arte e ideologia 1922 – 1933, Torino, Einaudi Paperbacks 130, 1982, f. 52.

[14] Blerina Suta, Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2004, f. 159.

 

[15] Arshi Pipa, Miti i perëndimit në poezinë e Migjenit, në; Për Migjenin, Tri esse, Tiranë, Shtëpia botuese “Princi”, 2006, f. 91 – 92.

[16] Vladimir Majakovski, Vjersha dhe poema, Tiranë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1966, f. 39.

[17] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 5.

[18] Vladimir Majakovski, Vjersha dhe poema, Tiranë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1966, f. 39.

[19] Millosh Gjergj Nikolla, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2009, f. 3.

[20] Vladimir Majakovski, Poezi, Tiranë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1972, f. 32.

[21]Vladimir Majakovskij, Opere, a cura di Ignazio Ambrogio, Poesie 1912 – 1923, Roma, Editori Riuniti, 1972, f. XXVIII.

[22] po aty, f. XV.

 

Nga: Xheni Shehaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s