Ankthi ekzistencialist mes dyzimit të personazheve ( Analizë kritike për romanin “Polakja” të shkrimtarit Xhevat Mustafa ) / Nga Fatmir Minguli

Ankthi ekzistencialist mes dyzimit të personazheve
 
( Analizë kritike për romanin “Polakja” të shkrimtarit Xhevat Mustafa )
 
 
Nga Fatmir Minguli
 
Ndërmarja e të shkruarit të një romani të tejmbushur me ngjarje, patjetër që lakmohet nga shumë autorë, sepse është një lëndë e parë e bollshme e ku shkrimtari do vepronte i qetë.
Edhe në romanin ” Polakja” i cili është i pari në llojin e vet, subjektet janë në gjithë spektrin e mundshëm, subjekte që lundrojnë midis detrave që lidhin Durrësin dhe Gdanskun e Polonisë.
Këto subjekte me personazhet e pakta të romanit, janë ndërtuar me syun e shkrimtarit- arkitekt të kohës sonë por duke risjellë dekada të hershme të historive të shqiptarëve me polakët si popuj.
Por, nuk është aq i rëndësishëm subjekti për Xhevat Mustafën se sa personazhet e tij, personazhe që ndriçojnë çdo faqe të romanit. Rëndësia dhe fuqia e subjektit për autorin është çelësi për të hyrë në dhomat e psikologjisë duke e kthyer çdo faqe të romanit në seanca psiko-analitike. Ndryshe mund të them se subjekti është sebepi i një loje narrative ku bën sy pikërisht psiqika, shpirti dhe emocionet e personazheve.
Xhevat Mustafa “rrëmbeu ” historitë durrsake dhe i solli në një roman tjetër lloj ashtu si nuk i ka sjellë asnjë shkrimtar shqiptar apo polak gjer më tani.
Durrësi dhe polakët kanë histori tepër të plotë në kohë dhe në probleme. Nuk dua të filloj me poetin prift Ndre Mjedën, që kreu studimet e para në Krakov të Polonisë, as poezitë e mëdha të poetit polak Adam Mickieviç që u njoh kaq shumë në Shqipëri, po do të përmend marinarët polakë që “bënë ligjin” në restorant “Vollga” të Durrësit, restorantin legjendar në të gjithë Shqipërinë. Aty, pikërisht aty, konajku “Skënderbeu” mori vlerat e shkëmbimit valutor dhe shqiptarët ishin krenarë. Por nuk ishin vetëm kontigjentet e marinarëve polakë por dhe studentët e shumtë që shkuan për studime në Poloni, kryesisht për inxhineri navale dhe navigatorë. e shumica e tyre shkuan në Gdansk e shumica ishin nga Durrësi, por dhe shumë teknikë durrsakë të industrisë mekanike shkuan në qytete të ndryshme të Polonisë për specializim. Por edhe pse u ndërprenë marëdhëniet shtetërore me vendet e kampit socialist, vende – vende, lidhjet vazhdonin herë ato të kontrabandës së vogël e shumë më tepër edhe lidhjet që shkrimtari Xhevat Mustafa na i sjell të freskëta dhe bindëse në romanin e tij” Polakja”.
Edhe fakti që mbas viteve ’90 u krijua dhe funksionoi shoqëria e përbashkët e kantjerit detar Durrës- Gdansk është shumë domethënës, por edhe sot kjo lloj marëdhënie me popullin polak paraqitet me ardhjen masive e të organizuar të shumë turistëve polakë në bregdetin e Durrësit dhe të Golemit, ardhje që shtohet nga viti në vit.
Këto argumenta që po sjell përforcojnë idetë që shkrimtari Xhevat Mustafa ka marrë përsipër t’i shtjellojë, ndonëse për një periudhë të kaluar por që nuk harrohet lehtë nga të dy popujt. Ai e nis romanin me çiftin Andon- Anna ku ndërtimi i mardhënieve dashurore midis polakes së martuar me muzikantin Marek dhe shqiptarit student është bërë me mjeshtri narrative dhe në dukje sikur është normale por që kjo marëdhënie ndonëse mbyllet si një pranverë në brendësi ishte gjithmonë dimri, bubullimat e të cilit lexuesi i dëgjon nga fundi i romanit.
Nga pjesa e dytë e romanit autori na njeh si papritur me çiftin tjetër tashmë të martuar në Shqipëri, çiftin Jani – Jadwiga, ku jeta e tyre sulmohet ashpër nga zëdhënësi i Partisë së Punës, njeriu i Sigurimit të shtetit, demoni Qemal.
Kështu ndërtohet subjekti i këtij romani dhe kapitujt vinë përpara lexuesit të çregullt, një herë për çiftin e parë dhe një herë për çiftin e dytë sikur do të theksojë atë parregullësi njerëzore që krijuan politikat çnjerëzore të komunizmit shqiptar.
Por Xhevat Mustafa nuk bie pre e subjektit, për të mjafton rrjedha e ngjarjeve, ndërsa diku tjetër shfaqet synimi i tij, ai i analizës së shpirtrave njerëzorë për ato vite të errta jo vetëm për dy çiftet shqiptaro- polakë. Në tërë faqet e romanit lexuesi ndeshet me një personazh virtual, që është ankthi, i cili shoqëron jetët e atyre njerëzve në ato kohë të turbullta. Vetë dashuria e Andonit me Annën, në dukje jo normale, është si një prelud i kontradikatave që pasojnë këtë dashuri. Martesa e Agronit në Shqipëri me Lizën shqiptare, krijimi i një familje të plotë nuk ishte aspak qetësim i tij, por përkundrazi një brejte psikologjike e pafund. Mëkati i tij që mund të mos quhej mëkat përsëri vepron në të gjithë romanin deria sa në fund shpërthen.
Këtu është dhe merita e parë e Xhevat Mustafës që zbërthen psikologjikisht jo vetëm mardhëniet dashurore me Annën e martuar por edhe për një vendosmëri mistike për ta pasur Annën ai vetë dhe jo Mareku burri polak i Annës. Kjo meritë shfaqet edhe në jetën e Jadwigës, gruas së bukur polake, që bëri bujë në ato kohë në Durrës dhe sulmeve të pështira të demonit të sigurimit të shtetit, Qemalit për të cilin nevoja për seks ishte shtazarake.
Shqetësimet psikologjike të sjella në këtë roman, besnike ndaj teorisë frojdiane dhe dialogjet tepër njerëzore të këtij romani na japin një vepër të veantë, një vepër me të cilën kritika e specializuar mendoj se duhet të merret seriozisht. Xhevat Mustafa është një shkrimtar që nuk ka bërë bujë mediatike e as është dyndur nëpër stendat e panaireve të librave. Sikur në kopertinë të mos ishte emri i tij, ndoshta do mendohej se është shkruar nga ndonjë emër shkrimtari që lakohet shumë nëpër televizione dhe gazeta!
Ankthi ekzistensialist i përqëndruar në heronjtë e tij, është një kohësisht dhe i dyzuar. Ky dyzim shfaqet gjërësisht në marëdhëniet e Annës me Marekun, kur ajo dashuronte edhe Andonin, por shfaqet dhe te Mareku që flirtonte me këngëtaren cigane. Ky dyzim është shumë i dukshëm në personin e Qemalit i cili luante dy role, atë të njeriut të poshtër dhe atë të mbrojtësit të vijës së Partisë së Punës. Edhe te Jadwiga duken shfaqje të këtij dyzimi, në momente të caktuar ajo pëlqen një kompozitor shqiptar etj.
Vetë futja e kapitujve të romanit pa rregullsinë e zakonshme është artificë e autorit në dobi të këtij dyzimi. Edhe Jani është i dyzuar ashtu si shumë intelektualë të asaj kohe që silleshin sikur e donin sistemin komunist e që në fakt mendonin krejt ndryshe.” Dashuria për Annën ishte tesera e Partisë”- thuhet diku në këtë roman. Por edhe skenat e dhëna me mjeshtri nga Xhevat Mustafa, në Durrës dhe në Gdansk, nuk janë gjë tjetër veçse mizanskena që forcojnë idenë e dyzimit të personazheve.
E mbi të gjitha mbizotëron frika te të gjithë ata intelektualë që u martuan me gra të huaja dhe që jeta e tyre u kthye në tragjedi për shkak të regjimit totalitar e që nuk pyeste për jetët e njerëzve. Ky është qëllimi kryesor i romanit, por i sjellur artistikisht me frymën frojdiane ku ankthi i vazhdueshëm, frika dhe dyzimi ekzistencial i personazheve dhoqëron lexuesin në çdo kohë.
Nëse do kërkonim një kritikë për romanin “ Polakja”, mund të ishte fakti se autori ndoshta duhej t’i fuste në lojë më parë çiftin Jani- Jadwiga, vuajtja e të cilëve i tejkalon edhe fantazitë më të shfrenuara nën presionin konkret dhe të egër të njerëzve të Partisë.
Gjithsesi ky roman që sapo e ka filluar udhëtimin e tij të gjatë, udhëtim që do të kalojë e ndalojë në shumë stacione e do marrë përshëndetjet e lexuesve dhe kritikës së specializuar. Ndryshe nga romanet e tjerë me këtë temë, romani “Polakja” është një roman me plot vlera që i përket një letërsie të re në letrat shqipe ku ekzistencializmi i njerëzve në ato kohë është dhënë në nivelet më të larta. Ky roman hap dhe shtigje të reja në marëdhëniet e sotme me popullin polak dhe ndoshta skenari i përgatitur nga vetë Xhevat Mustafa për një film me metrazh të gjatë do të jetë ftesa tjetër që ky roman të lexohet nga më shumë njerëz.
 
Durrës 2 shtator 2017
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s