Apoliner: “Si mund të vdes tani?”…   (Në vazhdë të “Impresione parisiane”) / Nga: Luan Rama

Apoliner: “Si mund të vdes tani?”…
 
(Në vazhdë të “Impresione parisiane”)
 
 
« Si mund të vdes tani ? – kishte klithur me zërin e ngjirur Guillaume Apollinaire ? Si mund që tani ?… Tani që jeta ime e vërtetë po nis me kaq gëzim ? Tani që dua të vazhdoj veprën time të pafund. O zot ! Mos më lini të vdes kaq shpejt!… Mos i lë dorëshkrimet e mia të pambaruara pa zotin e tyre… pa krijuesin e tyre të mjerë që po përpëlitet në këtë shtrat nga ky grip i kobshëm që po ndjell kaq shumë zi ngado, nga Atlantiku në Spanjë, nga Franca në Itali e Orient … Ah, Jacqueline-a ime e dashur, të paktën ti je mirë, ty po t’i le të gjitha, dashurinë dhe shkrimet e mia… kujdesu për to… për veprën time dhe shkrimet që nuk arrita t’i mbaroj… »
 
Apollinaire sapo kishte ardhur nga Bretagne ku kishte marrë gruan e tij të re, të cilën e kishte larguar që të mos e kapte ai grip i mallkuar i mbiquajtur « spanjoll » nga i cili kishte frikë mbarë bota. Ishte nëntori i vitit 1918. Rrugët e Parisit ishin gjithë zhurmë e hare. Që poshtë dritares, atje në nr.202 të bulevardit Saint-Germaine-dès-Près, dëgjohej gëzimi i njerëzve që pinin e deheshin për të harruar plagët dhe vdekjet e të afërmve të tyre. Gëzonin fundin e luftës, prisnin ditën e fitores nga çasti në çast, ditën e kapitullimit të Gjermanisë. « O zot ! Lemë të shijoj ditën e fitores, ditën kur dhe unë dua të dal të festoj me gruan time të dashur. Sa është ora ? Thomëni, mos më rrini kështu të ngrysur. Ja, doktori po vjen të më shpëtojë. Duhet festuar e nesërmja, lufta po mbaron… »
 
 
Blaise Cendras, miku i tij i hershëm, i cili kishte humbur një krah në llogoret e frontit, po vinte gjithë gëzim t’i tregon librin e ti poetik që sapo ishte botuar… Shërbyesja e ndërtesës, atje në bulevard e ndaloi menjëherë duke i thënë se zotëria ishte me një grip të keq dhe se nuk duhej të shkonte, se ky grip i mallkuar po bënte kërdinë. Por Cendras ishte hedhur përpara dhe kishte ngjitur shkallët me vrap i ndjekur nga thirrjet e shërbyeses. Donte të shikonte mikun e tij të ëmbël që e takonte shpesh në «Café de Flore», bashkë me Max Jacob dhe Picasso. Por tashmë ai u step para asaj skene të zymtë, ku Apollinaire mezi merrte frymë dhe pranë kokës së tij ishte doktori dhe Jacqueline. Pas pak erdhi Max Jacob dhe Jean Cocteau, miqtë e tij që sapo i kishin lajmëruar se Apollinaire po jepte shpirt. Në mbrëmje vonë erdhi dhe Picasso, i cili sapo kishte lënë Hotel Lutetia dhe po merrte tablonë Njeriu me kitarrë që sapo e kishte mbaruar dhe që i kishte premtuar se do t’ia dhuronte. Dhe ja, duke ngjitur shkallët dhe shtyrë portën e lënë pak hapur, ai pa Apollinaire-in me trupin e shtrirë që dergjej në agoni. Apollinaire e ndjeu se dikush sapo hyri dhe dalloi fytyrën e trishtë të Picasso-s. Një lot i rrodhi nga sytë dhe ra i nxehtë mbi faqet e tij. « O zot, si mund të vdes tani ? Si vallë ?…
 
 
 
Pas dashurive të tij, pas letrave dhe poezive të shumta dërguar Lou-së nga fronti (Louise), tani ai sapo kishte filluar t’i këndonte Jacqueline-s, gruas së tij. Ata sapo ishin martuar dhe dëshmitarët e tij në kishën Saint Thomas d’Aquin dy hapa pranë ishin Picasso dhe Max Jacob.
 
Vdekjen e mikut të tij Apollinaire, Faik Konica do ta merrte vesh në Amerikë, nga ku i kishte shkruar dhe letrën e fundit. Padyshim kishte keqardhje për poetin e madh, të cilin ai e vlerësonte shumë. Për më tepër ai i kujtonte vitet e rinisë së hershme ku si dy dashnorë të rinj, që bridhnin nga Parisi në Këln apo në Londër, ku shkonin të takonin të dashurat e tyre.
 
Tre emigrantë të mëdhenj
 
 
 
Jean Moréas, Guillaume Apollinaire (Apoliner) dhe Faik Konica ishin tre emigrantë të mëdhenj që kishin zbarkuar në Paris në periudha të ndryshme: njëri i ardhur nga Hidra e Moresë së greqisë, tjetri nga Italia ku kishte lindur dhe i treti nga Shqipëria. Moréas ishte më i hershmi dhe nga kafenetë letrare të Montmartre-snë fundin e shekullit XIX ai kishte zbritur më së fundi drejt Montparnasse dhe Porte d’Orleans. Pikërisht në atë kohë e kishte njohur Apolinerin, i cili e shikonte arvanitasin Moreas, themeluesin e shkollës së simbolizmit francez, si një ndër poetët më të mëdhenj të asaj kohe si dhe një at të tij shpirtëror, çka do ta tregonte me shkrimet e tij për Moréas-in, kur ky i fundit do të ikte nga kjo botë. Emigranti i tretë ishte Faik Konica i cili e kishte njohur poetin e ri në vitet e para të shekullit XX kur Konica ndiqte „College de France“ në Paris, një nga qendrat intelektuale më prestigjioze të Francës dhe të mbarë Europës. Që të dy ishin njerëz me kulturë të gjerë, poliglotë dhe me njohje të shumta në rrethet letrare artistike. Pikëtakimet e para ishin në vitet 1903 dhe 1904 gjatë udhëtimeve që Apolineri bëri në Londër, i dashuruar pas Annie Playden, kur kishin qenë bashkë në brigjet e Rinit. U njohën në një kohë kur Konica luftonte me forcë për çështjen shqiptare dhe identitetin nacional. Apolineri ende në atë kohë nuk e kishte shpalosur tërë personalitetin e vet artistik. Emri i tij i vërtetë ishte Guillaume Kastrovitzky dhe kishte lindur me 1880. E ëma e tij ishte polake, vajzë e një emigranti, ndërsa për të dihej se kishte lindur në Romë gjatë një aventure të nënës së tij me një aristokrat italian. Apolineri studjoi ne Canes, Nicë, Monaco dhe në vitin 1899 erdhi në Paris për të punuar për bukën e gojës, edhe pse në orët e lira mbyllej në bibliotekat e kryeqytetit francez.
 
Konica dhe Apolineri u njohën në një kohë kur në Francë zhvillohej një aktivitet i gjerë letrar e artistik. „Që më 1902, – shkruan historiani i artit Pierre Marcel Adema, studjuesi më i njohur i krejt veprës së Apolinerit, – botohej revista e përjavshme Europiani, ku në dhjetor 1903, nën pseudonimin Thrank SpiroBeg ishte botuar shkrimi i Konicës Skicë e një metode për tu duartrokitur borgjezëve, (Esquisse d’une methode pour se faire applaudir des bourgeois). Bashkëpunimi i Apolinerit me këtë revistë ishte më shumë politik sesa letrar. Ai interesohej për popujt e shtypur si bullgarët, maqedonët, shqiptarët. Adema boton gjithashtu edhe një letër të Apolinerit ku ai ka shkruar për Konicën : « Ai banonte në “Oakley Cressent City Road. Nuk e kisha parë kurrë. Më ftoi të rrija disa ditë tek ai dhe do vinte të më merrte në stacion.” Atë ditë të 7 nëntorit të vitit 1903, ata ishin ngatërruar, por në kthim, e gjeti pranë shtëpisë së tij. Apolineri i kishte shkruar për vuajtejet e tij në dashurinë për Anin. „Dashuria, Zotëri, është një dhimbje e padurueshme e zemrës, nëse guzoj t’ua them. Faiku nga ana e tij i kishte shkruar: „“Shekspiri ka vënë re se asnjë filozof që ka shkruar ne stilin e Zotave nuk do ta mposhtëte me kaq durim këtu dhimbje të jashtëzakonshme“. Ai e këshillonte që të përdorte „homeopatinë“. „ Pak vuajtje dashurie tek një 23 vjeçar madje dhe më shumë qëndron dhe i shërben atij për një pjekuri të shpirtit. Ndërsa unë që jam pranë të tridhjetave, aventurat e shpirtit veç më kanë forcuar përmes eksperiencave dhe mund të them se ndjehem në dyfishin e moshës…“
 
Duke vijuar në studimin e tij për Apolinerin, Adema shkruan se “Dy të dashuruarit, atë dhe Anin, Konica i priti me përzëmërsi“. Më 1904 Apolineri ishte përsëri mik tek Konica, kësaj rradhe në Chingford, (duke qenë se Faiku ishte i martuar, e kishte lënë banesën e mëparshme). Gjatë këtyre kohëve, Apolineri e Konica u afruan shumë. Prindërit e Anit nuk donin që ajo të lidhej me një poet, kështu e larguan në Amerikë. Dhimbjen të dy miqtë e ndanë së bashku. Faiku e mori me vete në një udhëtim në Gjermani, ku ngjarje të kësaj periudhe Apolineri do t‘i dëshmojë në tregimin e shkurtër „Shqiptari“, ku në qendër është një ngjarje që lidhet pak e shumë me Konicën.
 
Në një letër që i dërgon nga Londra, me një frëngjishte të përsosur, Konica i zbulon Apolinerit pseudonimin e tij: “Mon veritable nom est Faik beg Konitza, ku „beg“ është forma arkaike e „bej“. (Emri im i vërtetë është Faik Konica, ku „beg“ është forma arkaike e fjalës bej“). Në këtë kohë Konica filloi të botojë disa artikuj në revistën e Apolinerit Festin d’Esope. Më 1904 botoi shkrimin “Mistifikimi më i madh në historinë njerëzore“. Ndërsa Apolineri botoi më janar të vitit 1905, në numurin 7 të revistës Albania, artikullin “Një profeci bashkëkohore lidhur me Shqipërinë” ( «Une prophètie contemporaine touchant l’Albanie »). Kur Apollinaire botoi librin erotik „Njëmbëdhjetë mijë vaginat“ në fillim të vitit 1907, ai u dërgoi miqve të vet të afërt këtë libër duke ua dedikuar. Konica priti derisa vëllait i Apolinerit t’ia sillte në Londër në ditët e para të shkurtit të vitit 1908.
 
 
Më 1909 Konica botoi në revistën Pan , studimin e tij të famshëm Studim mbi gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale, ( Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles ) me pseudonimin Pyrrhus Bardyli, studim që do të hapte një debat ndër linguistët e njohur të asaj kohe, të cilët ishin trembur nga dalja e gjuhës « esperanto » dhe rreziku që u kërcënohej gjuhëve natyrale. Me këtë studim Konica dëshmoi se ishte një intelektual i rrallë dhe i nivelit europian, madje një njohës i thellë i gjuhës frënge. Ja pse në faqen e parë të këtij libri të botuar në Bruksel, Apollinaire ka shkruar : « L’auteur de cet essai : Faik beg Konitza. C’est l’Albanais le plus érudit de l’Europe ».[1] Në atë kohë Konica i dërgoi Apolinerit librat e albanologëve të njohur si Holger Pedersen apo Gustave Mayer, të cilët kishin vlerësuar shumë autoktoninë shqiptare dhe vlerat e një populli me histori të lashtë. Tregimi Shqiptari, (L’Albanais) botuar fillimisht në revistën Messidor, ndërthuret më pas me ngjarjet në romanin e Apolinerit “Gruaja që rri ulur“, botuar me 1920, pas vdekjes së poetit. Në këtë roman të bije në sy personazhi i Picasso-s dhe Konicës, që të dy miq të ngushtë të Apolinerit, që siç e përshkruan vetë ai “Pablo Canouris, piktor me duar blu e që ka sy si të zogut, është me prejardhje shqiptare, i lindur në Malaga të Spanjës. Në karakterin e Canouris përziheshin kështu Spanja dhe Shqipëria. Në dukje ai ishte i tillë, siç janë shqiptarët, njerëz të bukur, fisnikë e trima ». Pas largimit për herë të dytë nga Londra, Konica dhe Apolineri e ruajtën miqësinë e tyre, duke shkëmbyer letra (letra e fundit e Konicës është e vitit 1913) dhe shkrime për t’i botuar në revistat e njëri-tjetrit. Njohja me Konicën e shtyu Apolinerin të njihej me historinë e kombit shqiptar dhe të prononcohej ndaj kësaj historie. Fillimisht ai lexoi me interes numrat e revistës “Albania”. Veçanërisht e tërhoqi ne atë kohë dhe studimi për Shqipërinë e Eliza Obri (Aubry). “Zonjusha Obri, – shkruante Apollinaire, – dallon mirë karakterin nacional të shqiptarëve, gjenia e të cilëve zotëron në të gjithë botën otomane“. “Çështja shqiptare, – shkruan më tej ai, – diplomatëve të mëdhenj që rregullojnë fatet e botës u duket tepër e vogël, përballë këtij universi kaq të trazuar. Ndoshta një ditë, tepër të shqetësuar do të shkojnë në Janinë ose në Krujë, kryeqytetin e vjetër të Skënderbeut, për të vendosur me një dorë të pasigurtë themelet e një Europë të re… Bëhet fjalë padyshim për një racë të ndershme, të denjë për tu mbrojtur dhe që vështron me shpresë Francën, e cila tashmë e kupton se çdo të thotë mosinteresimi i saj“.
 
Duke shfletuar korrespondencën e të vëllait të Apolinerit, gjen të flitet aty dhe për Konicën. Ishte dhjetor i vitit 1907 kur Alberti, vëllai i Apolinerit, ka shkuar të punojë në një bankë të Londrës dhe sipas porosisë së vëllait duhet të takohet me Spiro Beg, për ti dhënë gjithashtu një libër të sapo botuar të Apolinerit. “Të shtunën isha tek Spiro Beg, i cili ishte mjaftë i dashur, – shkruan Alberti. – Ai më pyeti se cili është ai autor, të cilin ju e kini lexuar së bashku dhe që është bërë i famshëm nga vargjet “oh sa e gjatë është nata në këtë dhimbje që nuk shuhet“… Në një letër tjetër ai shkruan se “Konica ka tmerr të madh nga mishi i ngrirë dhe trembet ta hajë“… Në mars të vitit 1908 ai i pohonte Apolinerit se “meqë nuk e njoh gruan e Konicës nuk kisha si ta pyesja për gruan e tij. Por duket qartë se tani ai jeton vetëm…”Të shtunën e kaluar e kaluam darkën bashkë dhe i thashë se ti më kishe pyetur për gruan e tij. Ai më tha se ishin zënë dhe se ajo kishte shkuar tek nëna e saj, por ai shpreson se ajo do të kthehet pas tri muajsh, megjithese faji ishte i saj.” Në korrik 1908, nga Londra, Alberti i shkruante përsëri të vëllait se “Konica banon në Hampstead, një lagje ku banojnë shumë gjermane dhe që sipas shprehjes së Konicës ishte një lagje “shik” por me një pazar jo dhe aq të shtrenjtë. Shumë aktorë banojnë fare pranë tij“. Nga fundi i gushtit, pra një muaj më vonë ai e njoftonte Apolinerin se nga Konica s’kishte më asnjë lajm. Në fakt ishte koha kur Konica nisi udhëtimin e tij drejt Amerikës, në Boston, ku takohet me Nolin, i cili çuditet kur e sheh veshur me fustanellën shqiptare…
 
Në 9 nëntor të vitit 1918, kur Apolineri ishte veçse 38 vjeç, Parisi letrar shoqëronte në zi arkivolin e tij drejt varrezave të « Père Lachaise », ndërkohë që lajmi për vdekjen e tij Konicës i erdhi vonë. Moreasi kishte gati tetë vjet që kishte vdekur dhe kurrë nuk e kishte imagjinuar se pinjolli i tij, ai me të cilin rrihnin rrugët e kafenetë e Parisit, nga «La Vachette» në «Closerie de Lilas», autori i vëllimit poetik « Poeti i vrarë », etj, si dhe i poezisë së famshme « Le Pont Mirabeau »do të vdiste në një kohë që kishte ndërmarrë një punë krijuese të jashtëzakonshme. E sidoqoftë, dhe aq sa kishte shkruar, Apolineri mbeti poeti më i madh i Francës së shekullit XX dhe prekursori i surrealistëve dhe poezisë moderne botërore…
 
 
Nga: Luan Rama
 
[1] – “Eshtë shqiptari më erudit i Evropës”.
3 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s