Vizatim udhëkryqesh / Nga: Sabina Darova

Vizatim udhëkryqesh
 
 
Nga: Sabina Darova
 
“Rregullisht, një palë shkallë çdo mëngjez nxjerr dhëmbët e saja të metalta e bashkohet në puthje me lartësitë e mureve. Ngre hopa një nga një këpucët e rënda të punëtorëve, që kapen si sqepa dallëndyshesh për të kapur lartësitë. Janë pesë mirëmbajtësit e çative. Janë pesë si cepat e një ylli. I shoh tek ngjiten e vendosin tjegullat si rruazat në kraharor të nuses. Janë Tommy, Adri, Jack, Huan e Moan. Emrat jua kam mësuar ndërsa thirren nga njëri cep në tjetrin të çatisë. I vështroj nga dritarja e katit të tretë të pallatit ku banoj,ndërsa lëvizin me hapa të menduar si në një valle ku koreografi i qëron lëvizjet me laps të mprehtë e të vazhdueshëm. Flasin sejcili në gjuhët e tyre e bëjnë shenja me lëvizje duarsh për tu kuptuar.
 
Edhe kjo bën pjesë në koreografi. Kur bëjnë pushimin e drekës nuk zbresin poshtë. Qëndrojnë lart. I sheh tek nxjerrin ushqimin nga trastat dhe e shijojnë me buzëqeshjen drejt qiellit. Edhe atë e kanë ndryshe nga nëri-tjetri, si pesë cepat e kontinenteve që përfaqësojnë. Aromat përzihen e bëhen bisht komete që gjarpëron drejt horizontit.
Ndërsa i ruaj mbrapa perdes, kureshtare, ndjej një guralec që përplaset mbi xham. E trembur tërheq perden dhe syri më kap njërin prej tyre që bëhet gati të gjuajë guralecin e dytë. Vështrimet kryqëzohen e një rrymë e nxehtë përshkon lëkurën që ndizet nga koka në këmbë. Largohem vrikthi .Po tani? Kalojnë 10 minuta e i riqasem me pak ndrojtje dritares. Ai që gjuajti guralecët qëndron i ulur me këmbët që i varen poshtë çatisë përballë dritares nga i vëzhgoj Pret rishfaqjen e hijes time mbas perdes. Filloj ta zhbirçoj me kujdes. Flokët ngjyrë gruri e të shpupurisura, sy bojëqielli, hundën e drejtë, buzë hollë e lëkurë pjekur si plloçë. Buzëqesh i kënaqur me vetëveten, i sigurt që guraleci ka shënuar në shenjë.
Hap dritaren e i ngre zërin:
– Ç’do?
– Pse përgjon?
– Kush, unë?
– Ti! Të kam vënë re çdo mbasdreke kur qëndron mbas perdes. Përse na përgjon?
– Nga je?
– Nga Rumania.
– Ehmm. Pak a shumë kështu të kisha menduar, mënyra si i shqipton fjalët.
– Na paske pëgjuar edhe fjalët. Nuk të pëlqejmë?
– Jo, pse? Nuk keni frikë që punoni mbi çati? – ndërroj bisedë.
– Ç’është frika?- e vë buzën në gaz.
– Këtu lart ke qytetin në pëllëmbë të dorës.- përgjigjet.- Gjithçka ridimensionohet. Majat e pemëve bëhen si mollë që këputen për tu kafshuar dhe pallatet sikur shënojnë vijëzat e bardha, për të hedhur hapin mbi urë. Por mbi të gjitha, njerëzit me ngjyrë apo pa ngjyrë, me përgjegjësi apo jo, të njohur apo të panjohur, të vegjël apo të mëdhenj, zvogëlohen aq shumë, sikur i mbështjell si fara kungulli në garuzhdë. Kjo më gëzon sepse i shoh të barabartë. Se beson eee? Ngjitu këtu lart dhe e vërteton.
Provoj të buzëqesh e të imagjinoj njerëzit në fara kungulli. Më merr gazi.
– Ku e gjete?- e pyes. Ku e ke lexuar? E përse njerëzit duhet të jenë të barabartë?
Ai më vështron një çast në sy dhe ul kokën duke vështruar rrugën si për ta rifotografuar më saktë.
– Po ja, – vazhdon. – Përse në pyetjen e parë që më bëre, kërkove të dish nga jam? Çfarë rëndësie ka për ty të jesh nga ky vend apo tjetër? Nuk është kjo një shënjë evidencimi i pabarabartë?
Një i kuq i lehtë më skuq faqet duke më bërë të ndjehem në faj. Kuptova që kishte të drejtë. Çdo gjë qe kisha vënë re deri në atë çast, kish qënë një kërkim të një dallimi. Djaloshi nuk më tha që lartësia i pëlqente që të dukej më i madh se njerëzit poshtë tij, por që i shihte njerëzit të barabartë. Shikonte pallatet si viza të bardha ku kryqezoheshin lidhje urash, ndërsa unë kisha vendosur përrenj të rrenbyeshëm midis.
Hyj në guzhinë dhe dora shkon tek kapaku i frigoriferit. Tërheq një qese me qershi dhe më pas këmbët tek ashensori për zbritje.
 
Buzë rrugës, djaloshi me sytë bojëqielli pret ardhjen time. I zgjas qershitë duke i thënë qe duhet të jetë shumë bukur të hahen mbi çati.
Ai nxjerr një garuzhdë e duke më parë ëmbël në sy, më tregon se aty hidhen farat.

One thought on “Vizatim udhëkryqesh / Nga: Sabina Darova

  1. Nje proze poetike e bukur ku vendin kryesor e zene ndjenjat dhe pershkrimet vertet te vecanta Kjo e ben me te te ndrojte Me te ndjeshme lidhjen me lexuesin qe vertet shijon nje stil te vecante Urime

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s