Poezi nga Ekrem Ajruli
RRUGËTIM YLLI
Një rrugëtim ylli unë kam vonesë
Vijë nga legjendat shpirtin mbush furtunë
Atje ku më syrgjynose n’katakomb-harresë
Ti shpirtbardha zemërakullta Ajkunë
Unë jam kalorës ndaj s’më mposht gurrnia
Ti mbyllma dritaren me forcë e tërsëllimë
Me buzëqeshjen tënde do shëroj plagët e mia
Ti zapto dhe ajrin unë prapë do marr frymë
Do vijë ballëlart përmbi Vraç kalëruar
Lugjeve të Verdha nëpër ato dhiare
Do vijë këtë fillimvjeshte etjen për të shuar
Aromën larg ia ndjej mollës TETOVARE
Nëse pret të vijë në këto ditë shtatori
Mos më prit në ëndërr më prit në çdo kohë
Do vijë me shpejtësi si flakë meteori
Rrugën nuk ma ndal as shtrëngatë as llohë.
NE
Këmbyem të qeshura përzier me fjalë
Iku një orë s’të kujtohet dot
Biseda jonë s’ishte gjellë e shpëlarë
Ishte fondament miqësie për jetë e mot.
JAM ATY
Jam aty, kur TI merr frymë
Jam ajër, jam rruazë djerse
TI mrrolesh unë bëhem brimë
TI buzëqesh unë tretem si pikë vese.
Mos u hamend më fshi
Dorës tënde s’i kam drojë
Shtyp pikëdjersën sa t’kesh fuqi
Në çdo pore tënden të depërtojë.
KAM ATDHE
më quani si të doni
ateist me e pafe
s’më bëhet vonë aspak
unë kam ATDHE
nderoj njerëzisht
kryq hënë e yll
mbi të gjithë
e dua SHQIPTARINË
ajo më ngroh Si DIELL
Ju kambana-minare
që shurdhoni-shponi
Tokën-qiellin
Ikni ikni në Tartar
Mos e zini DIELLIN
Aullimat që vijnë
nga Moska-Bagdadi
Athina apo Vatikani
janë zëra mafiozësh
janë shurrë shejtani.
MIQ
Si duket edhe vdekjes
Nuk i pëlqej
Andaj nuk më qaset
Ju betohem
Po të afrohet
T’më buzëqesh
Nuk druaj
Do i shpreh
DASHURINË.
Është besnike
Ajo mban fjalën e dhënë.