Fjala e Kolonel Muharrem Bajraktarit në varrimin e gjeneral Prenk Pervizit ( Shtator 1977 ) / Shkëputur nga Revista ” Koha Jonë”

Të nderuar  bashkatdhetarë,

Me rastin e 40 vjetorit të vdekjës së prinfit, Prenk Pervizit,

ju përciellim  lajmin që u dha në revistën « Koha e Jonë » , dhe fjalën e  Kolonel Muharrem Bajraktarit, koleg e mik ngusht i tij, mbajtur në ditën e varrimit, para bashkatdhetarëve  shqiptarë të mbeldhur në atë cerimoni mortore, per  të nderuar kujtimin e tij.

 

Revista  “KOHA E JONE”shtator 1977,

botues Lec Shkreli

 

 

VDIQ GJENERAL PRENK PERVIZI

 

Me 6 shtator 1977 në JOLlIMONT (Belgjikë) vdiq Gjeneral PRENK PREVIZI, ku ishte strehue nga Caritas Catholica që në vi­tin 1966, kur emigroi nga Greqija.

Gjeneral Prenk Pervizi leu me 4 Mai 1997, në SKURAJ (Krujë), dhe mësimet e para i kreu në Shkodër. Me 1914-18 dërgohet në shkollën e oficerave (Kadetten­schule) në Vienë. Me 1918 kthe­het në Shqipni dhe si oficer i ri merr pjesë me forcat vullnetare të ELEZ ISUF NDREUT e të ALUSH AGE LUMES, të cilat aso kohe luftojshin kundra invazionit serb.

Me 1924 Gjeneral Pervizi largo­het nga Shqipnija bashkë me ZOGUN në Jugosllavi dhe kthehet në dhjetor të atij vjeti në Tiranë me graden Major. Tue qenë se Shqipnia ishte nda në katër zona ushtarake, Gjeneral Pervizit i be­sohet zona ushtarake e Tiranës (1924-1929) e ma vonë e Korçës (1936-1939 me graden Kolonel. Prej vjetit 1939 deri 1943 me gradat suksesive Kolonel e Gjeneral asht në dispozicion të Komandës së Për­gjithshme. Prej vitit 1943 deri në tetor 1944, Gjeneral Pervizi asht Komandant i Mbrojtjes Kom­bëtare. Trupi i Gjeneral Pervizit u varros me 7 shtator në Jolimont, në Kishën e Institutit ku ishte strehue. Frati Shqiptar, At Ambroz MARTINI, kreu funksionet fetare dhe e përkujtoi të ndjerin me fjalë e shprehje prekëse tue vue në pah cilësinat dhe meritat e tija. Trupi i Gjeneral Pervizit u për­cuell prej ma se 300 shqiptarve dhe mbajtën fjalime: shoku i tij i armëve, Kolonel Muharrem Bajra­ktari dhe patrioti Rifat Kolgjini. Arkivolin të mbuluem me flamurin kombëtar e stolisnin dy kunora: ajo e Kol. Bajraktarit dhe e Bllokut Kombëtar Indipendent.

Redaksija e të përkohëshmes Koha e Jonë, familjes e fare e fisit në Shqipni u paraqet ngushllimet e veta.

 

 

PRENK PERVIZI                                            

Nё mёrgim nё Belgjikё  dy kolegët e miq të pandamë të një jetë të tanë kushtue  Atdheut e Kombit Shqiptar

 

Fjala e Kolonel Muharrem Bajraktarit

në varrimin e Prenk Pervizit

Saint Pierre de Lahay, më 7 shtator 1977

 

Të nderuem bashkatdhetarë,

Po përcjellim sot për në banesën e fundit një nga figurat ma të shqueme të patrioizmit shqiptar dhe figurën ma të naltë ushtarake që ka pasun ushtria shqiptare, si edhe mikun ma të shtrejtë timin, dhe bashkatdhetarin e nderuem e të dashun të mërgatës sonë, gjeneralin Prenk Pervizi.

E kam pasun mik të ngushtë, koleg e bashkëluftëtar të disa betejave, kundër forcave serbe, kundër banditizmit, kundër  rebelizmit të nxitun nga armiqtë e huaj, serbë, grekë dhe italianë, për të copëtue vendin tonë edhe ma tepër nga ç’e kishin copëtue.

E kam njohun në detyrat ma të vështira të përbashkëta, për afirmimin e shtetit të ri shqiptar, të sapodalë nga Kongresi i Lushnjës më 1920, duke përballue operacione të vështira, për të vendosun rendin e qetësinë kudo.  E kam admirue për cilësitë e rralla dhe për pregatitjen e naltë ushtarake. Ai ishte pajisun edhe me virtytet më të mira shqiptare, si: besa, burrnia, trimnia, bujaria, urtësia, fisnikëria dhe dashunija për Atdhe e Komb. I doli zot Atdheut në ma shumë se nji çast të vështirë e të rrezikshëm, duke zgjidhun situata kritike, për vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Ndërhymjet e tij qenë vendimtare për fatet e  Atdheut dhe koha e historia kanë për të nxjerrë në pah e në dritë veprimtarinë e tij patriotike në dobi të çështjes kombëtare.  Duhet të përmendim këtu,  datën  e 8 marsit 1922, kur ai me trimni të pashoqe shpartalloi grushtin e shtetit për përmbysjen e qeverisë së ligjshme.  Por njё vepёr e madhe e tij, asht mposhtja  e Kryengritjes antikombёtare tё Dukagjinit, e organizueme  nga Jugosllavia me disa tradhtarё e renegatё, ku ai tregoi aftёsi tё nalta ushtarake si strateg, duke e shpёtue vendin nga njё krizё tё madhe destabilizuese, e krijueme nga serbet e italianёt. Ky sukses i dha famё si njё oficer me pregatitje e  aftёsi tё nalta

Si në Shqipni, ashtu edhe në mërgim, ai qëndroi i pavarun nga partitë politike, tue ba thirrje e tue na frymëzue vazhdimisht për bashkim.Veçanërisht mbas ardhjes në fuqi të komunizmit, ai u

përpoq, bashkë me patriotët e tjerë, për të arritë atë bashkim të nevojshëm që t’i bante ballë gjendjes së pushtimit të sllavo- komunistëve.  Me Prenkën më ka lidhё një jetë e tanë dhe asnjë çast nuk qëndruem pa qenë në marrëveshje me njeni-tjetrin, si në kohën e  mbretnisë, po edhe gjatë pushtimit të huej italo-gjerman dhe ma vonë në mal, në qëndresën kundër komunizmit. U detyruem të largohemi nga Shqipnia, sepse  komunizmi po bahej gati për t’u bashkue me Federatën Jugosllave e s’kishte vend ma për ne. Aleatët na lanë në baltë dhe ne vendosëm të krijojmë qëndresën jashtë kufijve. U përpoqëm, por gjithmonë na sabotuen të huejt. Prenka, siç dihet u arratis nga Shqipnia në një  mënyrë tepër të guximshme, që e bani Sigurimin të luej menç dhe kjo ishte një meritë e aftësive dhe trimnisë së tij të pashoqe.  Fjalimet e tij mbeten të paharrueshëm, për thellësinë e  trajtimit për të nxitun bashkimin e të gjitha forcave politike në mërgim, si e vetmja mënyrë për të arritun nji sukses në luftën kundër komunizmit, që në Shqipni po bante namin mbi  atdhetarët e mbi famijet tona.

Duke përcjellun mikun e madh dhe bashkatdhetarin e shquem, patriot e burrë shteti, gjeneralin Prenk Pervizi, ne përcjellim një pjesë të randësishme të historisë së Shqipnisë që lidhet me emrin e tij, ku ai luejti gjithmonë një rol qendror e vendimtar! Deri në çastin e fundit ai qëndroi si burrë fisnik e nuk e dha kurrë veten, me pikëllimin e vetëm që nuk po vdiste në truellin e shejtë të atdheut të shtrejtë  e nuk do të varrosej atje ku janë varrosun prej shekujsh të parët e tij. Një pikëllim që mbetet për të gjithë mërgatën. Asnjë njeri i familjes së tij nuk gjendet këtu sot. Ata janë të mbyllun atje, ndër burgjet e kampet e internimit të diktaturës komuniste. Prandaj e ndjej për nder e detyrë t’ia bajmë varrimin edhe në emën të familjes së tij të martirizueme. Na takon t’u përcjellim amanetet e mikut e bashkatdhetarit tonë, djemve dhe nipave të Prenkës, kur të vijë koha e lirisë për Shqipninë.

Qoftë i përjetshëm dhe i nderuem kujtimi yt, or mik i shtrejtë, Prenk Pervizi !

 

                       

 Fotografi nga koha e mërgut nga Greqia në  Belgjikë 

ku kaloi 11 vjetët e fundit, 1966-1977,

e ku vdiq me 6 shtator 1977 në moshën 80 vjeç

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s