Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

I NGROHIN HIJET E MYKURA

Çdo gjë përreth nesh
Ka nga një kuptim alegorik
Ndonjëherë stilolapsat me duken
Si qirinj të ndezur funerali

Ndizen aq shumë sa që
I ngrohin hijet e mykura
Nëpër labirintet e heshtjes
Duken si pyka të ngulura në tru

Por gjithsesi janë stilolapsa
Me një bojë që ngjan
Rruazave të kuqe të mështeknës
Ngjan me djersët e milingonave

Ne herë i shikojmë të frikësuar
E herë ato na shikojnë neve
Por gjithsesi janë stilolapsa
Me ngjyrën e gjakut të amebës.

 

PËRPOS FRYMËMARRJES SIME

Mes kësaj heshtjeje
S’dëgjohet as zëzëllima e erës
Një borë e zezë pjalmon
Mbi flokët e thinjura të drurit

Gjethet s’marrin frymë
U ngjajnë peshqve të verbër
Një diell i zi në qiellin katran
Po i ngrinë fluturat e plagosura

Përpos frymëmarrjes sime
Dhe lopatës së varrtarit
Asnjë zë njeriu përreth
Këtu heshtja e paska vulosur kujtesën

Dimri i sivjetmë po i kafshon drurët
Nga shpirti i gjetheve
Trishtueshëm pikojnë ditët
Derdhen nëpër rrugë zërat e drurëve;

 

ATË DITË BINTE NJË SHI I HIDH

Të lutem
Mbani sa më larg duart
Nga kjo dhembje
Dita paska ikur tej maleve

Nuk galopojnë më kuajt e egër
Nëpër luadhet e imagjinatës
Asnjë flutur e verdhë
S’ndalet më në kujtesën e lumit

Ku ishe ti kur s’binte pikë shiu
Në kujtesën e pemëve
Atë ditë fluturat i kyçën
Të gjitha llambat e pritjeve

Kurse ti si një oazë në shkretëtirë
I ledhatoje devetë e lodhura
Nga degët e kaktusit të vetmuar
Si rrëshirë binte një shi i hidhur.

 

MBI SYPRINËN E DETIT TË SHTERUR

Ti sonte po ngjan
Me zërin e fishkur të barit
Në qenien tënde po rritet si uragan
Pema e pikëllimit të trishtuar

Asnjëherë s’je dukur kështu
Përse i shkunde pemët e stinëve
Ky diell i lodhur
I paska grisur të gjitha ëndrrat

Më duket se edhe njerëzit
Paskan mbetur pa asnjë ëndërr
Parakalojnë të vetmuar shëtitoreve
Ecin si kukullat e drunjta

Kjo rrugë e pafundme
S’paska të ndalur askund
Mbi syprinën e detit të shterur
Rrokullisje gurësh tatëpjetë e tërmal!

 

KJO SHIJE E UJIT TË AKULLT

Nga buzëqeshja e jote e thartë
Qenkan shterur të gjitha krojet
Asnjë lumë më nuk buron
Nga sytë e kristaltë të fjalëve

Më duket se paskan vdekur
Edhe parathëniet e bozhureve
Luledielli për herë të parë
Po konvertohet në një tjetër lule

Zërat më s’dëgjohen nëpër rrugë
Heshtja e vdekur
Po i ngjan varrit të vithisur
Nëpër gryka lumenjsh vërshojnë milingonat

Kjo shije e ujit të akullt
Për herë të parë sivjet i hapi sytë
Po i hapin edhe drurët portat e shikimeve
Diku larg dëgjohej zëri kryengritës i malit.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s