Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

EJA, PSE VONOHESH

Po ti përse vonohesh kaq shumë,
nuk i dëgjon zilet e orëve të mbrëmjeve?
Natën edhe urat verbohen mbi lum
yjet orkestrojnë uverturat e këngëve.

Në odën e pritjes janë shtruar pikëpyetjet,
vonesa si një dritare e thyer në dimër.
Po ti eja, eja, duhet të nisesh patjetër,
nuk dua të vish siç erdhi Doruntina.

Pemët s’po marrin frymë, zogjtë në koma
po ti përse vonohesh kaq shumë?
Eja sa mjegulla nuk ka pushtuar botën
dhe bota s’është përmbytur në gjumë.

Mos pi ujë nëpër burimet shtegëtare,
ku ujqët synxehtë padisin qengjat.
Eja, të pres nën vesën e luleve të majit
bashkë me zjarrin e violinës së bilibilave.

Po ti përse mendohesh kaq gjatë?
Eja se u lodhën akrepat e orëve.
Dhe hënën e zuri nata jashtë
me dritën xheloze të meteorëve.

Eja, siç vijnë dallgët e nxehta drejt bregut
dhe hakmerren me puthje kanibale.
Eja, se edhe të duam nuk kemi jetë tjetër,
madje, atë tjetrën, unë nuk e besoj fare!

 

VETËM TI I MUNGON KËTIJ QYTETI

Nëpër rrugët e qytetit tim
gra dhe vajza si në sfilatë,
njëra më e bukur se tjetra!

Duken si pemë plotë flutura,
shkëndia që ndjellin flakë
herë dhe si lule të etura.

Kjo nuk ndodh vetëm në verë,
qyteti im është vëlla me diellin
edhe në vjeshtë e dimër buzëqesh.

Motivet e këngëve dhe poezive,
edhe të dashurive
të gjitha i gjeni në këtë qytet!

Nxito, çfarë pret? Nxito!
vetëm për këtu s’është kurrë vonë,
qyteti im ka zemër të madhe!

Oh, kur të vish dhe ti
ylberet do bëhen më dy harqe
dhe palmat si pishtar me zjarre!

Mundohem të ndërtoj portretin tënd
me copëza të ngjashme imazhi
por më del një bust i tëri prej qelqi!

Mbytem në djersën e psherëtimës,
sytë verbohen nga malli…
Vetëm ti i mungon këtij qyteti!

 

HORIZONTE TË RRËZUARA

Janë shtuar korbat dhe krimbat zvarritës,
S’ushqehen me kërma, kanë pretendime
Vetëshpallen gjeni poshtë fronave të elitës
Si retë e thata që shurdhojnë gjëmimet.

Litarët e kambanave këputur, s’ka tinguj,
Erërat fishkëllejnë melodinë e ortekëve.
Më parë i vdesim se sa i lindim idhujt
Pastaj, zijuar, psallim himnet e vdekjeve.

Tradhëtitë vishen bukur, vezullim mëkati
Gjymtyrët-ferra. Si s’gjendet një zemër!?
Pikëpyetje të krrusura mbi eshtrat e fatit
Përkthejnë heroglifet e plagëve pa emër.

Nën strehën e mallkimit pikon dhembja,
Trualli gropëzohet nga plumbat e lotëve
Ku thahen rrënjët nuk mbinë më bima
Aty ndryshken meridianët e dy botëve.

Ret’e trishtimit në shtegun e lamtumirës,
Por bravat e ndryshkura kuisin si shpellë
Gjëmojnë dinosaurët në oda të greminës
Dhe ajri dhe drita ngjyrsen me të zezë.

Klithmojnë malet në humnera varrosur
Legjenda të vrara mbi lisat pa rrënjë.
Horizonte të rrëzuara, shpres’ e plagosur
Kjo botë invalide, pa kokë e pa këmbë!

NJË GJË ËSHTË E VËRTETË

Unë çuditem me shinat e fatit,
Me ortekët e fjalëve të thëna e pathëna
Më vjen të pëllcas prej inatit
Kur korbat thonë: U ngjirrëm nga kënga!

Më vjen çudi dhe për të gjitha çuditë
Fati s’ecën mbi shina, kush e ka thënë?
Kam pyetur kaq herë qiellin, perënditë
Askush përgjigje nuk na ka dhënë!

Më çudit ujku kur ankohet për drejtësi,
Dhelprat stolisur diploma dhe master
E mbushur kjo botë vetëm me çudi
Gërxhet të pasur, gjithë fusha e varfër!

Jeta është luftë-kështu është shkruar,
Përse nuk është paqe edhe dashuri?
Lindim nga dashuria duke vajtuar
Ndaj ngre supet dhe përsëris: Çudi!

Çuditem me udhëkryqet, trillet lozonjare
Çuditem dhe me ty, o fati im i shkruar
Gjithë jetën rendur në zjarret polare
Mes psherëtimave duke lundruar!

Unë i çuditur do iki nga kjo jetë
Dhe ndoshta çudinë do le trashëgimi,
Por një gjë di se është e vërtetë
Vetëm dashuritë dinë të lindin dashuri!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s