Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
NATA PA YJE
 
Mbrëmja,
kapur në brirët e hënës
zbret shkallët nga honet qiellore
dhe mbulon përflakjen e trëndafiltë
të perëndimit të thyer.
 
Zogjtë,
hapin siparin e muzgut të simfonive.
 
E mbështetur mbi sup të natës
tufa ëndrrash derdhen
nga foleja e kujtesës sime
e treten nëpër flokët e erës.
 
U shuan dhe yjet e syve të mi
si dy perëndi të rrëzuara nga froni.
 
Nata pa yje më mbeti në sy.
 
E ulur mbi dhimbjen pikëloti
shigjetuar në hark,
në zemër e ndjeva puthjen e fatit
prej shtizash.
 
Pikëllimi u gdhend në gravúrë
në pragun e mermertë të portës sime.
 
@seti pezaku vladi
31/7/2017
 
 
 
VAJTIM
 
Vajton kitara
ëndrrat e pyllit,
flaka qiellin përcëllon,
vajtojnë yjet
dhe hënë e shqyer
syri ç’ju shikon!
 
Ulërijnë bilbilat
me krahë djegur,
marrin arratinë,
rënkojnë lisat
me trishtim mbështjellur,
kërrusur në lëndinë.
 
Digjet lulja e tërfili
shkëmbi lot thërmon,
zhuritet zalli, mallkon mali,
kush kët’ mort lëshon!
 
@seti pezaku vladi
12/8/2017
 
 
 
LAPIDAR
 
Mbrëmja u mbulua me krisma bataréshë
rrethuar me psherëtimat e hënës,
nga kreshtat të zbritën supet e maleve
me orteqe elegjish’ e lotët e nënës.
 
Me këngën e maliherit hedhur mbi supe,
me shqipen e gdhendur në gjoksin zjarr,
të dyja së bashku me ty përqafuar
dhe terrin e natës do ndrisësh në varr.
 
Lapidar të larë me vesë ujëvarash
të ktheu atdheu në simbol trimërie,
si lisi vigan mes flakësh e zjarresh
mbi shkëmbin meteor promete lirie.
 
Logu i thau krojet e lotëve,
pranvera kurorë lidh lulet mbuluar,
sa herë mëngjeset tek porta trokasin
del e të puth nëna nga lotët verbuar.
 
Kur dielli shkrep mbi maja malesh
mbi ballin tënd flamur ai bjen,
për dore të merr me rrezet ngarkuar
mbi fushat grunore lulëkuqe të kthen.
 
@seti pezaku vladi
15/7/2017
 
 
 
URA
 
Në dy brigje lumi, me valët mbështjell,
në dy shpate malesh larton,
në tupin e skalitur, harqet hedh mantel,
malin me mal bashkon.
 
Poshtë lumi rrjedh me valët shkumuar,
lugina pjellore me hënëza si përrall’,
një copë buke jona në sofrën e bekuar,
me ujë e grurë, me shelqe e zall.
 
Kur vellon ta hoqën, pushka hodhi zënë,
ndizej lugina, e vetmja krenari,
i pari medaljon, atdheut gjoksit vënë
në trupin e leckosur nga një mbretëri.
 
Kaluan mbi ty male, prite e përcolle,
kalorës pushtetarë e popull i rrënuar,
aty kaloi nëntoka jonë mrekullore,
pasuri e artë, ditë e natë ngarkuar.
 
Karvane mizorishë me tanke na ndoqën,
baloza përtej detesh të veshur në hekur,
aty poshtë teje të gjithë u shkërmoqën,
nën këmbët e tua kanë mbetur.
 
Kaluan dhe kanune, zakone që kish jeta,
dasma me daulle e nuse me duvakë,
gjallonin dhe relike mbjellur nga mesjeta,
gjëmonin pushkët e zakonit anadollak.
 
Psherëtima vitesh çelur në një urë,
një këngë e buzëqeshje,shpresë në largësi,
një dallëndyshe ishe për vrapin tonë dikur,
nga fleta në fletë, në një histori.
 
Me shirat e vjeshtës ti lagesh e tretesh
dhe era e dimrit trupin t’akullon,
një fletë historie dhe ti do të mbetesh,
ndër breza mbi valë do jetosh gjithmonë.
 
@seti pezaku vladi
5/8/2017
 
 
 
GJURMËT
 
Nuk i shikoj më gjurmët e mia
viteve që kam lënë
në rërën e ngrohtë të detit me valë,
varur si yllka mbi degë pishash
ditëve me diell, mbrëmjeve me hënë.
 
Nuk i shikoj as pishat e larta
ku mrizonte vetë dashuria
me romantikën e këngës së valëve,
përzier me cicërima pulëbardhash,
pushtuar nga gjallëria.
 
T’ju shoh unë dua, o gjurmët e mia,
në djep ninullash mbetur kudo,
sa shumë të tjera mbi ju kanë shkelur,
zjarr të ndezura
ardhur ngado!
 
Ju gjurmët e mia të trembura,
era e mallit seç po ju ndjek
rërës së nxehtë e valëve të bardha,
hijeve të prera,
t’ju puth e t’ju prek!
 
@seti pezaku vladi
31/8/2017
 
 
 
S’E DI
 
Nëpër ëndrra
shpesh udhëtoj me tramvaje,
nëpër diga
shirit ylberi tretem,
flamuj ngre
oxhaqesh të larta,
s’e di
sa kohë
ëndrrave do mbetem.
 
 
 
QYTETI MI
 
Qyteti im
ndizet netëve verore.
Me hënë lyer
trupi i xixëllon,
yjet përkunden në krelat e valëve,
TEUTËS i shkel syrin
n’altarin ku pushon.
 
@seti pezaku vladi
4/9/2017
 
 
 
 
REKUIEM SANDËR PROSIT
 
Heshti melodia e gurgullimës së kroit
që rridhte në shqipen që këndonte,
u tha vesa në ballin e bulëzuar
kur si vigan skenat pushtonte.
 
Në aromë trëndafilash e lulesh nga jeta,
në kurora u kthyen figurat që dha,
dhe ra ky shkëmb, ky mal në heshtje,
ante i skenës, emrin e ka.
 
@seti pezaku vladi
6/9/2017
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s