Cikël poetik nga Safet HYSENI

Cikël poetik nga Safet HYSENI
 
 
MË MERR
 
Hapi krahët
Më deh me aromë i imi mëngjes
Jam dëshira e paluar thellë
Ëndërr e shpaluar aq cekët
 
Më shtrëngo
Etje kam dhe malli me përpin
Është koha të ma bësh një vend
Aty ku pulsi rrah në gji
 
Më puth
Të ndej shijen më shih në sy
Në shpirt më le një shenjë
Që të jem çdoherë me ty
 
Më merr
Udhës së dritës eca kah ti
Më mbështill me tënden freski
Ngjyrat që i mblodha t’i ruaj vetëm ty.
 
 
 
E GRISA TERRIN
 
Në thellësi të natës futem symbyllur
Do e grisë terrin të më hapë një të vetme udhë
Do e marr natën do e shtroj si pëlhurë
Të derdh ngjyrat e t’i bëj dëshirat pikturë
Buzëqeshjen tënde do e bëj rreze dielli
Njërin sy do e bëj valë lumi të qetësoj detin
Tjetrin kaltërsi t’ia fal qiellit
Ballin tënd do e bëj hënë të plotë
Vetullat dy horizonte ëndrrash me krah
Flokun erë të ledhatojnë tingujt e gjetheve
Njërin gji do e bëj majë bjeshke si borë
Të më shuajë zjarrin që kam në buzë
Tjetrin do e marr në shtratin e bërë nga retë
Të më ruajë nga bubullima dhe rrufetë…
Kur të zgjohesh do ma shohësh shkëlqimin në sy
E grisa terrin, e grisa vetëm që të jem më ty!
 
 
 
NË UDHËN E SHPRESËS
 
Në udhën e shpresës ishte rrëzuar errësira
Ëndrra më ishte varur në muret e bardha
E kaluara më lidhej si hallka zinxhiri
Nata përkundej në mëkatin e saj
E dashura vonohej në kopshtin me lule
Një trishtim bridhte muzgut
Me ngulm desha të gris perden e tij
Më vrisnin mijëra kujtime të lodhura
Gërvishta me thonj membranën e territ
Për të shijuar vijat e saj të bukura
Vështrimin e zbrita përtej ëndrrës
Mblidhja kujtimet si lecka të lagura shprese
Të shkruara nëpër copa letre të braktisura
Vargje të mbështjella nga heshtja
Në netët shtatzëna nga fjalët e thëna
Të lëna shkret në orët e vona.
 
 
 
KUR TË MOS JEM
 
Mos më kërko nëpër libra
As këtu e as atje
Në asnjë dhe
Se nuk bëra atdhe,
S’do jem as ku kam le
Po deshe të më gjesh
Jam në trupin tënd si flutur
Që lind çdo mëngjes
 
Në mëngjesin pranveror
Mos më kërko nëpër kopsht
As në këngën e vajin e bilbilit
Por më gjen në një fije bari
Madje edhe në një lule bliri
Që mban aromë gjiri.
 
E në verë
Mos më kërko në hijen e shelgut
Po merre rrugën kah ecën lumi
Jam vala brenda tij
Që kurrë s’më zuri gjumi
E kur të mbërrish në det
Do më takosh në valën e nxehtë
Që të përkëdhelë
Të përkundë trupin
E të ledhaton lehtë.
 
E në vjeshtë
Mos më kërko në gjethet që bien
Po merre dhe mbaje afër një shegë
Puthe fort me buzët tua
Aty në atë ngjyrë
Do më gjesh mua
 
Në dimër kur acari të trokasë
Mos më kërko në dritare apo në akull
Nuk ngrij
E as nuk thahem si fije bari
S’më bën gjë acari
Më gjen në një thëngjill zjarri
Që të ngroh trupin perri
E frymën ta lë në gji
 
Kur të mos jem
Mos më kërko nëpër libra
Dhe në asnjë dhe
Jam aty ku ti vë kokën
Jam fryma dhe me Ty fle.
 
 
 
MË FAL E DASHUR, MË FAL!
 
Ti je e mirë e këndshme e njomë e bukur
Si vetë natyra me tokë dritë qiell e re
Ti je një lule ku luan e mëngjesit flutur
Që petalet të dua s’të dua i numëronim ne
Ti je një varg që lind si drita çdo mëngjes
Je një këngë që buza pa zë e pëshpërit
Ti je një lot që e dua si bari atë pikë vesë
Je fryma me aromë malesh për sy je dritë
Edhe kësaj nate pa zhurmë të mora në sy
Kur ta pash shpinën zhvesha hijen time
Shpirt e zemër i bëra bashkë vetëm për ty
Më fal them kur ti lëndon e bën gabime
Mëngjesin e prita siç pret lulja një flutur
I mblodha gjithë gjethet u mbulova me mall
Të duket shtrati si më parë i butë e i bukur
Më fal e dashur më fal dhe kur me vret ngadalë!
 
 
 
“JAM ÇAME!” – MË THA
 
ajo erdhi papritur e bukur si Zanë
me buzëqeshje të ngrirë shikimin kah deti
flokët lëshuar e krehur nga era
buzëshpërthyer me etjen shtrënguar
shqetësohej nga tërbimi i dallgës
nga rëra që kthehej diku në thellësi
frymëmarrja i brofte në të bukurin gji
ajo erdhi,
erdhi me erën dhe valën
mbi shkëmb hapte krahët me shikim kah qielli
shtatin përkulte tej Orakullit të Dodonës
më bëhej shqiponjë që sogjeton nga lartësi
i bukuri peizazh shkrihej në timin sy
nuk folëm
por s’isha vetëm
nuk e lash të ikte
gjuha e syve vinte nga lashtësia
malli shtrihej si era mbi Jon
që është shpirt i valës
me njërën dorë numëronte gishtat e tjetrës
dukej si nuse në oborr të Teutës
ajo erdhi papritur e bukur si Zanë
buzëshpërthyer e etur me shenjë në ballë
më mori në sy dhe një fjalë me erën ma la
s’je vetëm i veshur me mall
jam çame më tha…
 
 
 
MË FAL ATDHE
 
Ty dhimbje e pambarim
Atdhe
Njërin gji ta thithë jugu tjetrin veriu
Mjegulla me furtunë të rrahën gjoksin
Sa hile, mashtrime
Gjak njeriu.
Ti më fal Atdhe
Unë asnjë plagë s’ta arnova
Sot
Të kafshojnë zagarxhinjtë bishtdredhur
E unë…
Shpirtin te ti e lashë edhe pse u largova
 
 
 
UDHËS PA ADRESË
 
E lash shtratin me hijen e trupit
Eca rrugës pa numra pa emra
Shtëpinë e gjeta mes lulesh kthyer nga dielli
Pranë burimit shelgjet me shtat të hedhur
Ta hap derën… kam frikë nga malli
Era e lehtë m’i ledhaton plagët e shpresës
Mjegullat duan të zbrazin peshën e tyre
Hija e luleve loz me erën
Trishtimi dridhet nën çatinë e qiellit
Pika shiu vargëzon në faqe
Dashuria laget bëhet vesë
Dëshira puthë muzgun në agim
Unë luaj me fytyrën tënde
Të vizatuar në dritare
Ah!
Nuk po mundem me t’i mbyllë sytë
Në kopsht paska mbirë një ankth prej resh
Gjurmët paskan ndarë dy shekuj
Sikur janë ndeshur qytetërimet
Shpirti shtrihet lakuriq mbi bar e rrënjë të moçme
Çka na mungoi që u ndamë në kohë të humbur
Unë udhëtoj pa biletë
Shoh thëngjij të ndezur në vatër
Mbyllë sytë mendimi bëhet rreze
Shtëpia me mure të tejdukshme
Brenda vera e vjetër mbi tavolinë
Librat shpërndarë me fjalët e derdhura qosheve
Disa të zverdhura
Nata i paska mbështjellë me tesha të ngrohta
Milingonat lëvizin dhe ndalen në çdo faqe
Kthej shikimin shoh lulen e Teutës kryelartë
Nëna e pati mbjellë në themel të shtëpisë në anën e djathtë
Një bletë lazdrohet në petalet e hapura të saj
Zë i ëmbël si melodi blete më futet në brendësi
Merru erë o bir, se malli jeton në dashuri
 
 
 
JAM UNË
 
… valë e trazuar e një lumi
Sonte i arratisur në thellësi të qiellit
Më dërgo pak frymë buzësh
Edhe një fije floku pas erës
Të lidh rrezet me valët
Jam unë…
Një llavë që rrjedh nëpër deje
Ku takohen puthjet e qiellit e detit
Pasqyrë e syve ku ruhen buzëqeshjet
Më nis vetëm pak rrahje zemre
Çelësin e derës e bëjë nga gjethet
Jam unë…
Shtrat lundrues prej resh
Me pika shiu e vesë mëngjesi
Më dërgo ngjyrat e shpirtit
Ta varë pikturën në sy
Gjithë jeta buzëqeshje aty të rri
Jam unë… pëlhurë e bardhë
Pres të tretem në ngjyrën tënde.
 
 
 
TE KËRKOJ
 
… mbrëmjeve në netët e gjata pa gjumë
Në puthjen e valëve të lumenjve të shkrumbëzuar
Melodinë e tyre hareshëm e dëgjoje shumë
Edhe kur shpirti ndihej i lodhur i trazuar
Të kërkoj në qiellin shpuzë nga yjet
Ti që mbete kujtim i një nate me shi
Të kërkoj në faqet e romaneve të hershme
Atje ku si zjarr u fute në gji e si drita në sy
E kërkoj pas mjegullës së bardhë trupin perri
Kur çdo ditë më shkrihej si pikë vese me rrezen e parë
Bashkë me erën më sillje vargje, u bëre poezi
Asgjë, asgjë me shumë se shpirtin s’arrita me të falë!…
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s