Katovica e librit! Tiranë, qershor 1992 / Nga Rezart Palluqi

Katovica e librit! Tiranë, qershor 1992

 

Nga Rezart Palluqi

Të pranishëm: botues, politikanë dhe shkrimtarë oborrtarë

Zonja dhe zotërinj!  Katovica e librit! Tiranë, qershor 1992

Sot do të piketojmë ecurinë e librit në të ardhmen e afërt dhe atë të largët. Po fillojmë me rrugëtimin që do të bëjë libri shqiptar në të ardhmen e afërt. Në vijim do të hidhemi tek e ardhmja e tij e largët.

1.Hyjnizo shkrimtarin oborrtar. Tek ai gjejmë sigurinë dhe gjumin përjetësisht të qetë. Ai nuk e kërkon të keqen nga brënda-jasht por jasht-brënda, çka përkon me politikën tonë që armikun e kërkon gjithnjë jasht.

2.Nëse benzina del prej naftës, edhe letërsia e vërtetë buron prej shpirtit intelektual. Shkrimtarët e vërtetë janë në radhë të parë intelektualë. Prandaj, ky lloj shkrimtari duhet përjashtuar egërsisht dhe në raste të nevojshme edhe eliminuar!

3.Dhjetëvjeçarin e parë do të ngrihet lart shkrimtari disident. Nuk e kam fjalën për ata që janë gjallë, por ata të vdekurit. Atyre do t’iu botohet vepra, në fillim do t’iu bëhet reklamë e madhe, mbas disa muajsh libri do t’iu bëhet karton. Do të hiqet urgjentisht nga tekstet shkollore dhe prej çdo librarie. Pa harruar edhe arkivat e bibliotekave kombëtare.

3.Me librat e shkrimtarëve disidentë që jetojnë ende, do të veprohet në dy mënyra. Shkrimtari që bën kompromise me ne, do të përkrahet me kufizime. Atij do t’i kërkojmë që të mos i sulmojë Kurrë shkrimtarët oborrtarë enveristë. Sepse po u godit shkrimtarët e vjetër oborrtarë, goditet jo vetëm shkrimtari i mvarur prej nesh, por lind mundësia që të dalin në pah shkrimtarë kokëfortë, që interesin kombëtar dhe lirinë artistike e vënë mbi interesin e tyre të ngushtë personal. Nëse shkrimtari e mban premtimin, ne do t’i ofrojmë punë shtetërore, çmime letrare dhe përkthime në gjuhë të huaja.

4.Librat e shkrimtarëve disidentë që janë gjallë nuk do t’i botojmë. Do të bëjmë përjashtime botuese vetëm kur do të rrethohemi prej presionit publik që do të na bëjnë kryesisht ata shqiptarw që jetojnë jashtë Shqipërisë, ose prej një pakice që jeton brenda vendit dhe që ne ende nuk i kemi shtënë në rrjetat tona.

Strategjia afatgjatë e librit

Siç e thashë qysh në fillim sytë dhe zemrën e kemi tek shkrimtari oborrtar.

1.Botues do të bëhen ish oficerët, kapterrët, gazetarët komunistë. Do të ndjekim shembullin e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila na ka premtuar që do të punësojë ish sigurimsat tanë, për t’i pasur ata nën kontroll në të ardhmen dhe përdorur ata sipas interesave të saj.

2.Ata do të financohen kryesisht nga shteti nën kushtin që ata të bllokojnë çdo botim të librave që nxjerrin në dritë krimet tona enveriste, tentojnë të nxjerrin shqiptarin nga mitologjitë ballkanike, dashuria e tepruar nacionaliste dhe mbrojtjen me çdo kusht të tabuve patriarkale dhe seksuale.

3.Letërsia shqipe nuk duhet të bëhet kurrë fitimprurëse për autorin shqiptar, përveçse atij oborrtar. Kurrë! Ajo duhet të shndërrohet në një industri mafioze që funksionon me paratë e vetbotimeve të shkrimtarit shqiptar mediokër.

4.Botuesi duhet të stimulojnë në maksimum përkthimin e letërsisë së huaj. Këtë duhet ta bëjë duke botuar paralelisht mijëra libra mjaft të dobët të autorëve shqiptarë. Sepse pastaj del në pah disniveli letrar i letërsisë së re, postkomuniste, me atë të huaj. Kështu ngrihet edhe më lart letërsia oborrtare komuniste.

5.Botuesi duhet të bëjë të pamundurën që letërsia e dobët post-komuniste të reklamohet në kulm. Të recensohet sikur të ish letërsi e gjenive botërore. Kështu lexuesi shqiptar brenda një periudhe të shkurtër do ta humbasë besimin në shkrimtarin shqiptar post-komunist. Shkurt, ai shkrimtar/poet që në Perëndim konsiderohet poet/shkrimtar shtëpiak/familjar, tek ne duhet të fluturojë përkohësisht shumë lart. Kritikët duhet të jenë njerëzit tanë. Duhet të jenë të varfër dhe ne t’i përkrahim që të pasurohen fort duke e shitur fjalën dhe kritikën kundrejt parave. Shkurt, niveli i letërsisë së tyre duhet të jetë zero dhe niveli i kritikës 10-të. Sepse kështu, lexuesi shqiptar post-komunist do ta Ri-kthejë kokën tek letërsia e shkrimtarëve tanë oborrtarë, të cilët duhet të mos vdesin kurrë.

6.Botuesi post-enverist duhet t’i bllokojë në dy rrugë prurjet e reja disidente, kontraverse.

a)Duke mos e botuar fare atë.

b)Duke e botuar shumë shtrenjtë librin. Kështu varfërohet shkrimtari kopuk, që në realitet është i varfër prej natyrës së tij anti-konformiste. Në vazhdim libri do të bëhet direkt karton. Ose në rastin më fatlum, libri nuk do të shpërndahet rregullisht nëpër librari, nuk do të përmendet në rubrikat e librit në televizone dhe mediat e shkruara.

7.Duhet të ushqehet fryma e letërsisë masive. Suksesi i shkrimtarit duhet të matet pra jo tek cilësia, por sasia e librave të shkruar.

8.Duhet ta frenojmë vetreflektimin shpirtëror dhe historik. Shpirti i letërsisë duhet të jetë VETËM zejtaria gjuhësore. Parësore të jetë bukuria e fjalës që nuk DUHET TË PËRCOJË mesazhe përpaqësimi dhe dashuri njerëzore, apo të zhbirojë sytë gjakatarë të botës sonë, përkundrazi të krijojë hutim dhe qorrsokak, Letërsia duhet përdorur për të falsifikuar çdo epokë historike që na njollos ne dhe të frenojë frymën iluministe të disa vendeve evropiane.

Çmimet letrare

Ato duhet të fluturojnë një mijë herë më lart se vetë letërsia. Çmimi si fenomen duhet të jetë më i rëndësishëm se teksti letrar. Ai duhet propaganduar me frymë Gebëlsiane, saqë kur të vijë momenti, shkrimtarët të grinden si qen rrugesh për të. Çmimi letrar, duhet të funksionojë pra si një narkozë që mban gjallë letërsinë e tyre te vdekur, të dobët dhe driteshkurtër. Dhe kjo mund të arrihet fare lehtë ngaqë shkrimtari oborrtar nuk ka vizion, as ideale. Për të fama dhe medaljet e çmimit janë gjithçka.

Përkthyesit dhe albanologët

Siç e dimë të gjithë ata i ka përzgjedhur deri dje Sigurimi ynë. Këtë duhet ta bëjmë edhe në të ardhmen. Ata duhet t’i mbajmë në pëllëmbë të dorës. T’u japim dhjetë herë më shumë se sa i bën haku i punës së tyre. Atyre do të vazhdojmë t’ua bëjmë të qartë se ata nuk duhet kurrë të përkthejnë ose vlerësojnë letërsinë e shkrimtarëve antikonformistë. Përndryshe do t’i përjashtojmë egërsisht dhe presim çdo lloj financimi dhe përkrahje. Ata duhet të mbeten besnikë dhe adhurues të shkrimtarëve tanë oborrtarë.

Krijuesit e mërgatës

Siç e dimë rreziku më i madh na vjen prej tyre. Ata janë mendërisht më të hapur. Por janë edhe ekonomikisht totalisht të pavarur. Atyre nuk mund t’iu themi; rri urtë se të presim llokmën e bukës. Prandaj ata do të përjashtohen në dy rrugë.

1.Në mërgatë do të përfillim dhe vlerësojnë lart ish shkrimtarët tanë oborrtarë. Ata do të bëhen përfaqësuesit e letërsisë së mërgatës.

2.Të pagdhendurve do t’ju bllokojmë botimet, vlerësimin total kritik dhe reklamën. Në raste të veçanta do t’i kërcënojmë në rrugë të ndryshme. Nuk duhet ta pësojmë siç e pësuam me Bilalin.

2.Ish spiunët tanë që punësohen nëpër ambasadat tona duhet që të sabotojnë çdo lloj tentative që shkrimtarët e mërgatës të bashkohen dhe krijojnë revista letrare. Ajo që arriti Bilali dhe Camaj e disa të tjerë duke themeluar revista letrare, nuk duhet të ndodhë më.

3.Shkrimtarët e diasporës nuk janë të rrezikshëm vetëm ideologjikisht por edhe estetikisht. Ata i mbrujnë veprat e tyre me stile moderne, dhe kjo zhvlerëson prozën dhe poezinë e shkrimtarëve të brezit tonë vjetër oborrtar enverist.

4.Shkrimtari i mërgatës reflekton humanizëm. Humanizmi është kanceri i artit oborrtar. Shkrimtari oborrtar duhet të merret vetëm me anën estetike, ose siç e kemi quajtur prej kohesh: “letërsia e sejlonit gjuhësor”.

Këtë letërsi e përmblodhi shumë bukur një poet i huaj: “ajo i ngjan një këmishe të bukur që e vesh një grua e përdalë, pa vlera, ose një burrë kriminel…!”

Kategoritë e shkrimtarit oborrtar

1.Shkrimtari oborrtar, dembel dhe krijues i dobët. Këtë e uzurpojmë fare lehtë. Ky do të ndërsehet gjatë fushatave masive.

2.Shkrimtari oborrtar i talentuar por oportunist. Dembel dhe qylxhi. Ai vuan prej dobësisë së ofiqeve shtetërore dhe famës personale. Këtë do ta mbajnë nën rrogoz me pozitë pune dhe famë.

3.Shkrimtari oborrtar që as nuk leh, as nuk të kafshon. Ky është tipi më i vështirë për t’u telekomanduar. Kjo vjen ngaqë ai ka edhe talent por është në dijeni edhe për shumë pisllëqe që kanë  bërë të gjithë ata që e drejtojnë këtë vend. Këta tipa krijojnë në heshtje. Kur ne tentojmë t’i mobilizojmë ata na kundërpërgjigjen duke i përkrahur përkohësisht shkrimtarët kopukë si mjet shantazhi ndaj nesh. E vetmja leverdi që kemi prej tyre është se ata nuk do të na kafshojnë kurrë. Veçse ne nuk do të mundemi kurrë që t’i mobilizojmë. Shkurt, ata gëzojnë privilegjin e të heshturit, ndërsa ne gëzojmë fatin që nuk do të na kafshojnë kurrë.

Pozicioni dhe e ardhmja e shkrimtarit oborrtar

Tek ai/ajo i kemi sytë. Ai nuk duhet të merret kurrë me problemet morale dhe plagët e hapura të shoqërisë. Ai duhet të fokusohet tek interesi dhe fama e tij personale. Tabutë ballkanike, si mitizimin, pazëvendësueshmërinë, fobinë rracore, historinë e falsifikuar, të gjitha këto kollona që mbajnë mbi shpatulla edhe ngrehinën tonë, ai nuk duhet t’i godasë, përkundrazi t’i mbrojë duke ruajtur të njëjtën linjë krijuese.

Siç e thamë edhe më lart ne do ta mbrojmë atë duke mbajtur para sysh këto 5 udhëzime.

1.Plotësoja Atij nevojat materiale në maksimum. Foli si tregtar: çfarë do dhe sa do? Nën kushtin që ai të mos na i nxjerrë sytë dhe mbrojë ato vlera primitive që edhe e mbajnë peng mendjen shqiptare e atë ballkanike më gjerë.

2.Botuesit duhet të jenë njerëzit tanë, ish oficerë, gazetarë ose spiunë.

3.Ta përkrahim financiarisht botuesin post-komunist. Atij duhet që t’i krijojmë kushtet që të vjedhë shkrimtarin e ri mediokër. Të stimulohet sasia botuese, sepse kështu banalizohet letërsia e dobët, dëshpërohet shkrimtari, zhgënjehet lexuesi shqiptar dhe denigrohet letërsia post-komuniste. Atëherë nuk zbehet shkëlqimi i shkrimtarëve tanë oborrtarë. Kështu betonizohet ideja e “shkrimtarit gjen” që lind një herë në 500 vjet, ashtu si shoku Enver.

4.Të krijojmë një brez të ri sekretaresh partie për letërsinë, kryesisht femra dhe dashnoret e bijve tanë njëkohësisht. Ato do të vigjilojnë podiumet letrare dhe skarcojnë menjëherë çdo lloj shkrimtari a poeti të pakompromentueshëm.

5.T’u ruhemi botuesve të vegjël, sidomos atyre që nuk pranojnë gjilpërat tona financiare. Sepse ata do të botojnë letërsi kontraversale. Botues të tillë duhet t’i shkatërrojmë me sulme ekonomike dhe bllokojmë çdo dritare komerciale apo televizive.

6.Të bllokohet shkrimtari kopuk duke mos e botuar, botuar shumë shtrenjtë, kthyer librin direkt në karton ose duke mos e shpërndarë apo reklamuar.

7.Të stimulohet dhe financohet përkthimi i letërsisë së huaj. Të stimulohet botimi i letërsisë së dobët shqipe. Të bllokohet jashtë Shqipërisë përkthimi dhe botimi i letërsisë kontraverse. Krimet enveriste nuk duhet të letrarizohen kurrë. Edhe e kaluara më e hershme historike duhet letrarizuar në mënyrë të atillë që të mos dëmtojnë mitet tona kombëtare. As tabutë ballkanike nuk duhen zhveshur lakuriq kurrën e kurrës.

8.Hipokrizia, moskokëçarja ndaj plagëve të kohës, vitrina gjuhësore/artificialja, bota bardhë e zi duhet të jenë mbushja e artit të Letërsisë.

Nxjerrë nga Arkivat e Shtetit, më shtator 2017

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s