GOTFRID KELER : “Mashtrim me letra dashurie” – Tri novela / Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

“Mashtrim me letra dashurie” – GOTFRID KELER
Tri novela

Dhe kështu mbërriti ajo dita e madhe e procesit gjyqësor, ku Vigi lexoi një aktakuzë të rreptë e mbresëlënëse. Përshkroi me zhdërvjelltësinë më të madhe synimet e veta fisnike e intelektuale dhe se si qe përpjekur me zell të madh që e shoqja të bashkëpunonte me të, për të arritur atë harmoni intelektuale pa të cilën nuk është e mundur një lidhje fatlume bashkëshortore, por sa shumë ia kishte helmuar jetën e shoqja, së pari duke ngulmuar me kryeneçësi në injorancën e në plogështinë intelektuale, më vonë duke e mashtruar me shtirje dhelparake, ndërsa më në fund, në kohën e udhëtimeve të tij të mundimshme për çështje pune, të cilat ai donte t’i lehtësonte e t’i gazmonte nëpërmjet një letërkëmbimi intim e të kulturuar me të shoqen, ajo kaloi në besëshkeljen më të mirëfilltë që mund të bëhej, duke luajtur komendinë më indinjuese me bashkëshortin sylesh! Shtoi se ua linte me besim të plotë gjykatësve të vendosnin nëse do të ishte e mundur në të ardhmen bashkëjetesa me një patë të tillë që kishte kthetra prej skifteri!

Dhe kësisoj e mbylli fjalën e vet me këtë shprehje njollosëse, nga e cila s’mund të hiqte dorë. Pasoi një e qeshur e përgjithshme me zë të ulët. Gruaja e fyer e mbuloi fytyrën me duar për disa çaste dhe qau. Por pastaj u ngrit dhe e mbrojti veten me një indinjatë e me një elokuencë të tillë që e bënë burrin e saj sqimatar të mbetej sakaq gojëhapur e të mbulohej me turp.

Ajo tha që s’mund ta gjykonte vetë nëse ishte vërtet kryeneçe dhe injorante, por lidhur me këtë theksoi se rronin akoma të gjithë mësuesit e priftërinjtë që e patën edukuar, sepse nuk kishte kaluar ndonjë periudhë dhe aq e gjatë qysh nga koha kur ishte akoma fëmijë. I shoqi qe martuar me të kur ajo ishte një vajzë e thjeshtë qytetare, dhe ajo qe martuar me të kur ai ishte tregtar e jo njeri i ditur ose intelektual. S’kishte ndërruar ajo karakter, por ai; deri atëherë ajo pati jetuar besnikërisht e lumtësisht me të, po ashtu, me sa dukej, edhe ai me të. Madje edhe kur ai pati nisur të merrej me ato çuditëritë e tij të reja, sikurse e dinin të gjithë, ajo s’e kishte përqeshur bashkë me njerëzinë, përkundrazi, kur e pa se aty bëhej fjalë për harmoninë familjare, ajo qe treguar e zellshme me gjithë shpirt për t’iu përshtatur ideve të tij, natyrisht gjersa kishte qenë e mundur një gjë e tillë, pavarësisht nga gjendja e sëkëlldisur dhe jo fort e lavdishme ku arriti të ndodhej. Por më në fund ai kishte kërkuar të pamundurën prej saj, domethënë t’i shprehte ndjenjat e veta prej gruaje në një gjuhë bombastike e artificiale dhe në letra të gjata që do të botoheshin më pas, e pati detyruar kësisoj ta kalonte kohën e saj të bukur në një veprimtari të huaj për të, të neveritshme e të kotë, në vend që t’i përkushtohej jetës familjare. Për pasojë, mashtrimin s’e pati përdorur ajo, përkundrazi, bash ai kishte mashtruar, sepse, duke qenë nga natyra njeri i ftohtë e aspak ndjesihollë, pati detyruar veten, po ashtu edhe atë, të luanin nëpërmjet letërkëmbimit një komedi tejet qesharake. Megjithatë, e frikësuar prej tij dhe me shpresë se tërë ajo punë e bezdisshme do të merrte fund sa më parë, ajo ishte përpjekur ta kënaqte të shoqin, qoftë edhe duke zgjedhur, nga halli e nga hutimi, një rrugë të gabuar, që ajo e pranonte haptazi.

Çdo grua në Seldvilë, vazhdoi ajo, e dinte që mësuesi riosh ishte një njeri sa i dashur aq edhe i thjeshtë, i druajtur e i nderuar, me të cilin mund të bëje në rast nevoje një shaka mitare, pa u vënë në pozitë të vështirë. Për më tepër, kishte menduar se ishte diçka e lejueshme të përdorte një dredhi të padëmshme, duke e ngarkuar me detyrën për t’u dhënë përgjigje letrave të burrit të saj, madje duke ia bërë këtë si porosi zyrtare, ashtu siç veprohet shpesh duke ua dhënë mësuesve për të hartuar punime të ndryshme me shkrim, sidomos letra dashurie. Këtu ajo i referohej përvojës së mjaft shërbëtoreve kuturiare. Letrat që prisnin përgjigje s’i pati shkruar ajo, ato i kishte shkruar Shtërtleri, dhe kësisoj binte plotësisht akuza e tradhtisë bashkëshortore. Sipas mendimit të saj dhe sipas koncepteve të saj modeste, tërë ajo çështje i takonte më fort një gjyqi letrar sesa një gjyqi martesor. Megjithatë, ajo i qe nënshtruar këtij të fundit, sepse gjërat që patën ndodhur kishin hedhur dritë ashtu befas mbi gjendjen e brendshme të asaj martese. Ajo tha se nuk ndiente më asnjë simpati ndaj zotit Shtërtler dhe shtoi se, meqë gjërat kishin shkuar aq larg, e quante këtë një arsye të mjaftueshme për të kërkuar edhe ajo me ngulm një ndarje përfundimtare.

(Gottfried Keller: “Mashtrim me letra dashurie”, 
Titulli i origjinalit: “Die missbrauchten Liebesbriefe”, 
Tri novela, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2016, 280 faqe.)

 

Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s