Këngëtare e ndjenjave rinore (Meditim për vëllimin poetik “Kaos shpirtëror”) / Nga: Istref Haxhillari 

Këngëtare e ndjenjave rinore

(Meditim për vëllimin poetik “Kaos shpirtëror”)

Nga: Istref Haxhillari 

 

Një vajzë e bukur dhe po aq nazelie sa Eltona, e pyeti dikur Lasgush Poradecin:

-Ç’është poezia?

Poeti vështroi bustin e përsosur, fytyrën e hijshme, sytë e perënduar me sqimë dhe u përgjigj:

-Po ja, një vajzë e bukur, tekanjoze kështu si ty.

Përgjigja lakonike i pëlqeu çupës si kompliment, të tjerëve iu duk shaka me kripë. Por në thelbin e vet fjalët e poetit ishin absolutisht të vërteta dhe absolutisht serioze. Poezia i ngjan një vajze të bukur, që, për ta bërë tënden, duhet shumë mund, pasion, vullnet. Dhe në qëlloftë ajo e bukura e dheut, e arrijnë fare pak.

Lasgushi e kishte arritur…

M’u kujtua kjo bisedë teksa shijoja vëllimin poetik “Kaos shpirtëror”, një tog poezish rinore si vetë mosha e poetes. Personazhet femra të Etona Lakuriqit nuk janë ndoca vajza të turpshme që druajnë të hedhin sytë mbi djemtë, ato nuk i mbajnë ndrydhur ndjenjat, as druhen të dashurojë, guximi është virtyt i tyre sot si paja e qëmotshme dje, ndaj ata duhet të mendohen mirë para se t’u drejtohen. Një puthje nën dritare, një shikim i zjarrtë, ca fjalë të hedhura kuturu, ca lot të qelibartë e shtyjnë të meditojë.

Dhe të gjitha i hedh në letër.

Kështu lindin poezitë, të pafajshme, të çiltra…

Me pulsin e kohës luaj
si rëra në gishtërinj,
më pëlqen të mos humbas

mes gjurmësh që lënë pas vetminë.

Ose:

Kam një sekret, që s’e kam thënë,
një kaos shpirtëror,
që më ther e më zhvesh

deri në këmishë të qenies sime…

Meditimet e Eltonës ngërthejnë në vargje ndjesi pikante për dashurinë, kurmin e femrës, magjinë e linjave dhe formave. Rrëzëllen femra, e drejtpërdrejtë, e sinqertë, çapkëne gjer në paturpësi, flatron shpirti i saj, univers i pa eksploruar kurrë për një mashkull.

E kudogjendur në faqet e librit, ajo nuk i fsheh hiret.

As feminitetin e saj.

A ke një fjalë të re?

Një fjalë nga fjalori i shpirtit,

të pa jetuar, të paprekur nga vitet që lashë pas…

Më dhuro një fjalë të re,

të më bëhet frymë

e të shëtis me të kudo…

Teksa trokasin mbi lëvozhgën e ashpër të kohës që ik aq shpejt, si pa kuptuar, poezitë nuk të bëjnë të skuqesh apo të ulësh sytë. Ato të shtyjnë ta duash jetën, ta shijosh gjer në pikën e fundi, të kapesh me thonj e dhëmbë pas çdo rasti.

Në çdo kohë.

Dhe çdo moshë.

S’e di as vetë,

si u bëra xheloze për ty…

Të prisja në të parin takim,
por ti nuk erdhe…

Përse brengosesh?

Më mbaj nën pendët e tua prej engjëlli,

më merr kudo me vete.

E atëherë bota do të nisë

me ne të dy…

Dhimbja vjen e freskët, me ngjyresa të llojllojshme, tingëllima të spikatura. Nëna, ish i dashuri, kujtimi i një dashurie të humbur, lotët e shoqeve zemër dridhura, mbushin me prush të përshkënditur vargun e tjerrë me mall.

 

Eltona Lakuriqi

Sidomos me dhembshuri të pa matë.

Nënë,

e bukura ime

me ty nisa të flas që kur isha në barkun tënd.

Njerëzve u dukej sikur ti flisje me vete,

si mund të dëgjonin ata vibrimet e zërit tim…

Ose:

Sonte je hipnotizuar nga trishtimi,

shpirtin ta trazon mendimi që pranë teje… s’jam…

Por kur u takuam herën e fundit,

premtuam se bota jonë nuk do qajë kurrë,

ndaj sonte…sonte mos u trishto.

Vargu luhatet në trajtë sinusoide me ngritje dhe ulje, plotësisht të pranueshme për një poete në zefillje të krijimtarisë letrare, por në çdo paraqitje ruhet si konstante matematikore stili vetjak i të shkruarit. Gjatë leximit dhe rileximit të krijohet përshtypja se i hedh me nxitim vargjet. E trembur mos i kalon frymëzimi i çastit, vetëm shkruan e shkruan për të derdhur shpirtin e mbushur plot. Personalisht do të dëshiroja t’i rikthehej vargut, ta krihte e zbukuronte për të arritur kulme poetike që i meriton…

Figuracioni i rastësishëm, ndjenjat e buta plot finesë, nën thënia e brishtë e grup fjalëve apo vargjeve, plotësojnë kontinumin e saj poetik. Eltona vjen poete dhe fotografe, piktore dhe psikologe, sidomos këngëtare e ndjenjave rinore.

15 shtator 2017

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s