Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

KUSH TË THA

Kush tha të trokisje në zemrën time,
Si një ëndërr e ndezur në mesantë.
Nuk më pëlqen zjarri i vetëtimës
Sepse ai zgjat vetëm një çast.

Dhe le plagë që s’mbyllen kurrë,
Nuk mbeten as degë të ulen zogjtë
Pema e blertë kthehet në trung
Dhe hija zijon si të jetë një korb.

Kush tha të vije në ishullin tim
Ishulli si një varkë mes dallgëve.
Kam kohë të çmallem me vetminë
Me penelin e diellit pikturoj imazhe.

Pse erdhe? Ishulli im është një varkë
Me të udhëtoj në gjithë portet e botës
Me erën e deteve kam lidhur kontratë
Po erdhe tek unë do jesh larg tokës.

Mendohu mirë, sepse nuk ka kthim,
Më mirë herët se sa shumë vonë
S’të dëgjon kush po kërkove ndihmë
Vark’e shpirtit lundron si jehonë.

Kush tha të trokisje në jetën time,
Si ëndërr e ndezur në mesantë?!
Më dogje me zjarrn e një vetëtime,
Falkë ylberi dhe ishulli ynë varkë.

 

TI BËN SIKUR…

Ti bën sikur s’i lexon poezit e mia
Ashtu si dikur “s’dëgjoje” fishkëllimën
E njihje që larg si zjarrin-dashuria
Siç njohin zogjtë në pyll cicërimën.

Dhe grisje perden të dilje në dritare
Të më dërgoje një tufë me luleputhje
Unë digjesha në ajër si fishekzjarre
Me diellin e syve të postoja një lutje.

Por unë s’do rresht, mos harro kurrë
Jam pika e ujit mbi gjoksin e shkëmbit
Për ty do shkruaj në tokë e në gurë
Për ty do bëhem i tëri një dhembje.

Dhe në mos ardhtë vërtet ajo ditë,
Apo me ditën sikur edhe një çast,
Unë do të shkruaj e flas me shpirt
Vargjet për ty s’do të njohin natë.

I mbledh për ty të gjitha motivet
Në kopshtin e ashpër të Muzës
Si herën e parë dora më dridhet
Si herën e fundit ndjej mjaltin e buzës.

E di që lexon edhe në mes rreshtave
Atje ku e fshehin kodin poetët
Edhe zemra në strehë, mes eshtrave
Por mban e rrit rrënjët e jetëve.

Ti bën sikur s’i lexon poezit e mia,
Ashtu si dikur “s’dëgjoje” fishkëllimën
E njihje që larg si zjarrin dashuria
E njeh dhe tani, si zogjtë cicërimën.

 

ASKUSH VEÇ TEJE S’E DI…

Në ëndërr, mbrëmë, kam parë një varr
Pllaka e mermerit kishte emrin tim.
Çudi-thashë me vete, ndihem i gjallë
Ndoshta, ndoshta e lexova gabim.

Dhe fshiva syzet e u largova pak,
Gabimi uli kokën i turpëruar
Emër e mbiemër mbi atë pllakë
S’ishte nevoja për ta rilexuar.

U hoqa mënjanë, doja të shihja
Kush do të afrohej me përmallim
Prita gjatë ku bënte hijen selvia
Kënga e një zogu erdhi në ndihmë.

Tek buza e varrit u afrove në heshtje
Një karafil të verdhë në dorë mbaje
Fotos së mermerit i fale buzëqeshje
Por unë e dija që nuk do të qaje.

Pasi u binde që vërtet kisha vdekur,
U përkule të hedhësh një dorë dhe’
Siç e hodhe ashtu edhe ka mbetur
Askush, veç teje, s’e di që jam atje.

Dorës së fatit kurrë s’i kam besuar,
Sepse edhe fati-thonë-është i verbër
Kur mendova se kam për të jetuar
Atëhere m’i rrëzuan gjithë urat e jetës.

Ike e qetë, hija të ndiqte pas
Kokën nuk e ktheve më kurrë
Ndenjta tek pema sa u bë natë …
Hapa sytë…kisha qenë në gjumë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s