Poezi nga Petrit Sulaj
DUAR MË TË VOGLA SE LOTI
Do të doja të isha
pranë teje
e të shihja
pa ma parë ti
se si i fshin lotët
e i ngre flokët
që të mos qullen,
me ata duar
më të vockla se loti.
Pastaj,
si të shoh me sytë e mi
se si i kam katandisur
sytë e tu
që deri dje më çelnin
si çel mëngjesi i majit
trëndafilin
petal për petal
ai gjë pa e kuptuar;
një herë e mirë të bindem
se jam njeri koti.
Ç’ të keqe ka
nëse një herë në jetë
dhe njeriu më kot në botë
(i tillë ndjehem sot)
lë pas dore veten
për t’u bërë i padobishëm
për njeriun që do më shumë
e që shkaku pse fshin lotët
e ngre flokët
që të mos i qullen,
me duart
më të vockla se loti
e ka bërë
të dobët?
Nuk kam kohë të mendoj
për ty
gjithë ditën,
as të fshihem
sepse kam filluar të bëj mizorira
me veten
për humanizëm;
e kushdo qoftë rezultati
kjo punë që po bëj
më kënaq pa masë,
ka aromë dashurie.
petrit sulaj
Shkëputur nga libri – OAZET LUAJNË POKER.