“Një natë në Lisbonë” ( roman) – ERIH MARIA REMARK / Shqipëroi nga orgjinali Aristidh Ristani

“Një natë në Lisbonë” – ERIH MARIA REMARK
Roman

– Është çudi me dëshpërimin, – tha Shvarci. – Sa fort është ngulitur brenda qenies sonë ajo diçka që nuk thotë më Unë, por vetëm jetëdashje, në gjëllim, në vetëmgjëllim! Këtu njeriu bie nganjëherë në atë gjendjen që përshkruajnë detarët në rast cikloni: si në një bunacë mu në zemër të vorbullës. Njeriu nuk dorëzohet, ai bëhet si një krimb që shtiret sikur ka ngordhur, por ky njeri nuk ka vdekur, vetëm se ka hequr dorë nga çdo përpjekje, përveç mbijetesës, përveç synimit që të mbetet gjallë. Njeriu rri zgjuar, është i përqendruar mes një pasiviteti të skajshëm. Nuk i ka mbetur më asgjë për të shkapërderdhur. Bunacë. Ndërsa cikloni, si një mur i rrumbullakët, shungullon me rrapëllimë rreth e qark. Befas nuk ka më frikë, nuk ka më dëshpërim; edhe këto do të ishin një luks që s’mund t’ia lejojë vetes. Përpjekja që do t’i duhej të harxhonte për to, do t’i merrej patjetër esencës së mbijetesës dhe do ta dobësonte, prandaj hiqet dorë nga një përpjekje e tillë. Në këtë rast njeriu s’është më asgjë tjetër veçse sy dhe gatishmëri e lirë e krejt pasive. Njeriu pushtohet nga një qartësi e qetë dhe e çuditshme. Këto ditë kam pasur nganjëherë ndjesinë që duket se i ngjan asaj ndjesisë së një jogisti indian, i cili po ashtu lë mënjanë çdo gjë që ka të bëjë me Unin e vetëdijshëm, me qëllim që… – tha Shvarci dhe i ngeci fjala në gojë.
– Të kërkojë Zotin?
Shvarci pohoi me kokë.
– … të gjejë Zotin. Njeriu e kërkon gjithnjë, por e kërkon si një që dëshiron të notojë dhe hidhet në ujë i veshur trashë e duke mbartur me vete armatimin e pajisjet e tjera që ka. Për të notuar, njeriu duhet të jetë lakuriq. Po aq lakuriq sa edhe atë natë që lashë të huajin vend të sigurt dhe u hodha në të rrezikshmin atdheun tim duke kaluar nëpër Rin si nëpër një lumë të fatit, si nëpër një copëz jete të ndriçuar nga hëna. Kur isha në kamp, mendoja nganjëherë për atë natë. Kujtimi i saj nuk më ligështonte, përkundrazi, më jepte forcë. Pata bërë atë që më kishte kërkuar jeta ime dhe nuk kisha dështuar; jetova me Helenën një jetë të dytë, si të pikuar nga qielli…, dhe dëshpërimi që më kaplonte e, kur e kur, ma turbullonte gjumin si një fantazmë, vinte vetëm ngaqë kishte qenë edhe ajo gjëja tjetër: Parisi, Helena dhe ajo ndjesia e pakapshme e të mosqenit vetëm. Helena rronte diku, mbase rronte me ndonjë burrë tjetër, por ama ishte gjallë. Ç’gjë e madhe në një kohë si kjo jona, kur njeriu vlen më pak se një milingonë nën thundrën e një çizmeje!

(ERICH MARIA REMARQUE: “Një natë në Lisbonë”,
Titulli i origjinalit: “Die Nacht von Lissabon”,
Roman, Shtëpia botuese “FAN NOLI”, 258 faqe.)

 

Shqipëroi nga orgjinali Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s