Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

At Zef*

At Zef,
kur do të kthehesh përsëri?
(Me mallin për ty kjo zemër m’u ngi).
Dua të ta prek zemrën,
të më mësojë të rezistoj,
të më thotë dy fjalë nga ti.
Për flamujtë, At Zef,
sepse asgjë s’ka ndryshuar në këtë Shqipëri:
Flamuj ndër xhepa, flamuj ndën xhaketa,
flamuj lidhur ndën jaka si kravata,
flamuj tregtarësh, me yll, me yje, me sopata…
Në histori çfarë nuk ndesh…
Për t’ na vrarë shpirtin
dhe ti, me dhimbje, qesh, qesh,
për t’ mos qarë, vetëm qesh.

At Zef,
ku shkoi flamuri mbi kambanore
ditën e parë të “lirisë”?
E kuqja, ku u zbeh?
Shqiponja pse fluturoi mbi Cukal?…
Më mëso si të rezistoj, si të bëhem mal
dhe vetëm një flamuri, vetëm njërit, At Zef,
atij tëndit, valëvitjen mos t’ia ndal.

Kur do të kthehesh përsëri, At Zef
të më thuash:
Bir, kjofsh bekue!
Mos tash është koha t’i valëvitim në dritë,
ata që gjer dje i valëvitëm në shpirt?

Të pres, At Zef.
E kam mësuar lodhjen tënde nga ai rrëfim i gjatë.
Po qeshja jote më bën dhe mua të qesh.
Udhëtimi i Atdheut nuk mbaron me kaq.

At Zef!
Ndaj ti do të kthehesh një ditë
dhe shpirtin tënd në shpirtin tim do ta ndjesh.
Forca jote e dashurisë është një mit.
Forcën time do ta rilindë,
përpara do t’i shpjerë liritë.

He pra, më thuaj,
kur do të kthehesh?
Ta rigjejmë të ardhmen e humbur, të dy,
siç e rigjeti e mira jote mbi të keqen.
Po të thërras, At i shenjtë…
Po të thërras ty!…
Eja edhe pse, asnjë dyshkë nuk ke patur kurrë
dhe nuk do të kesh.
Sill shpirtin, At Zef.
Drita e tij do ta verbojë të keqen
e do të ndrij midis nesh.

• At Zef Pllumit që “rrnoi për me tregue”

 

Parfumi

Ndonjëherë parfumin ndiej.
I sigurt… Je ti.
Me erën më vjen këtej, 
më bën shoqëri.

Por qëllon edhe pendohem.
Ç’të bëj…, Xhelozi.
Era vjen dhe pse s’dorëzohem,
të merr përsëri.

Mbrëmjeve të majit, gëzimet
s’i harroj aspak.
Me guxim rrëmoj kujtimet,
kur kam qenë çunak.

Po shpesh herë, ja, edhe tutem,
mos shoh ëndrra kot.
Në dëshpërim, prapë mund të futem,
pas fitores së plotë.

Dhe atëherë e ndiej të keqen.
Dhimbja triumfon.
Një arsye gjej…, të ndreqem.
Zemra ma kërkon.

Ndaj përsëri, përsëri të ndiej.
I sigurtë… Je ti.
Bashkë me erën vjen këtej.
Rrotull meje rri.

 

Si shiu

Si shiu qeshë përherë,
Mbi jetën tënde rrodha
E zemrës veç pranverë, 
Një jetë të tërë i solla.
Në ëndrrën tënde piva,
Shijova e shije fala.
Në buzën tënde mbiva,
Furinë e erës ndala.

 

Agustin

Agustin!
Katër mure, mik me hiçin, në një odë me lagështinë,
Bora hesht, bora rëndon, mbi pullaz zgërlaq çatinë.
Nga poshtë dheu e rrëmben, po e çon nëpër rrëpinë,
Agustin.

Agustin!
Një e çarë aty në mur, nga lart poshtë si zhgarravinë,
Muri pis, si dërrasë e zezë dhe ti vetëm psherëtin,
Por mbi kryq Krisht i gozhduar sikur të largon vetminë,
Agustin.

Agustin!
Sonte ma rrëmbeve gjumin, ma afrove Perëndinë,
Kur e the me sy të shuar: “E lashë shkollën”, malet nxinë,
Qiellin zura me duar e gozhdët duke kërkuar, shpalla zinë,
Agustin.

Agustin!
Pse në fshat rri i gozhduar, si një Krisht në Dukagjin.
Kush aq fort të ka ngujuar, humbur librat, dashurinë?
As trumcakë s’kanë cicëruar, ngrirë e tharë përmbi qershinë,
Agustin.

Agustin!
I harruar në shpat mali, një qen vetëm angullin.
Çantën sheh me sytë e shkruar,në gozhdë varur, Krishtin fqinj.
Gozhdë që kurrë nuk u mbaruan, duar shpuan, zemra ngrinë,
Agustin.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s