Vargu që shëron plagë e shtron tryezën e shpresës / Nga: Safet Hyseni

Vargu që shëron plagë e shtron tryezën e shpresës
 
 
Nga: Safet Hyseni
 
Ramije Ajdini ka hedhura hapa të sigurt në krijimtarinë e saj poetike, vargu i së cilës të bënë të ndihesh pjesë e momentit, të lehtësohesh nga lodhja, në mbushë me shpresë, të jep motiv për të ecur rrugës së dashurisë, krenarisë dhe për të lënë gjurmë në jetën e jetuar.
 
Mërgimi është dhimbje, dhimbje e mall, dashuri e shpresë, kështu ka qenë dhe do jetë në penën e shkrimtarëve që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Po në këtë drejtim na bart edhe fjala e bukur e shkruar nga poetja Ramije Ajdini. Të ndalesh pak në vargun që krijon autorja do ndjesh mall, dashuri e mall, mall e shpresë dhe do mbetesh aty, do vazhdosh të kërkosh atë që të mungon, do përsëriten kujtimet dhe do të vije e kaluara dhe vendlindja më të gjithë tryezën e gëzimit, haresë, mallit e trishtimit. . . Poetja Ramije në vargun e saj vije me një sinqeritet ku ndjenja e ka hequr këmishën e shpirtit dhe ashtu e pastër e kulluar nga uji i bjeshkëve të vendlindjes të freskon e të fal po aq dashuri e mall, por ajo çka është dhe motivi i saj ushqen shpresën për një të ardhme të përbashkët e lumtur e të begatshme. Poetja është një ëndërrimtare si të gjithë të tjerët, artin e saj i krijon nga çastet, kujtimet dhe ëndrrat për të zënë shtigjet e jetës së lumtur. Si të gjithë poetët e me këtë rast poetja në poezitë e saj shpalos shpirtin e saj, na drejton udhës së dashurisë, mallit e shpresës atje nga e bart ndjenja në netët e vona të pa gjumë. Vargjet të zhveshura nga kompleksi e hija e natës komunikojnë mes veti çiltër, bisedojnë zëshëm e ëmbël, përqafohen e puthen më dëshirat, duke nxjerr kujtimet e çasteve që të tjerët të marrin e thithin nektarin e dëshiruar. Te poezia përse autorja ka arrit që me vargun artistik të sjell ato elemente që e rrënojnë një dashuri dhe ajo këtë e bënë me shumë mjeshtëri. Pafajësia e ndenjës së pastër pëson në saje të mospasjes durim, guxim dhe ajo çka e krijon ndarjen dhe shtron dhimbjen e vuajtjen është xhelozia.
 
 
Ramije Ajdini
 
Është një poezi tejet e bukur që kërkon vëmendjen mbase vije edhe si një ilaç shërues për të jetuar e mbetur e përjetshme “Lulishtja e dashurisë” që është qëllimi dhe motivi i saj. Ajo në këto vargje kërkon mbetjen e një shtegu që dashuria edhe pse e lagur nga lotët e gëzimit, e dhimbjes dhe trishtimit të arrij ashtu e patër të bëjë gjumin në shtratin e amshimit. Poezia e dytë “Unë dhe Ti” është ndërtuar bukur dhe sjell një durim për të ngadhënjyer ndaj largësisë dhe heshtjes. Autorja e vetëdijshme për largësinë që krijon edhe heshtjen dhe dyshimin arrin në vargun “do të mbërrij ajo ditë/ që ta pimë bashkë/ heshtjen dhe etjen e blertë/ të DY: / UNË dhe TI!/ . Poezia “Për një puthje” ka për qëllim dritësimin, kthjellimin e burimit të dashurisë që është shpirti ku ruhet kujtimet me të rrahurat e zemrës. Duke e quajtur dhe “shpirtqiellor” ajo i lutet edhe për një puthje që të rikujtojnë bastet e lumtura me një erotikë të lehtë ku poetja i ka hedhur jashtë vetes komplekset e gjinisë dhe krenarin, se vetëm në dashuri s’ka krenari andaj dhe vargun na e bënë të bukur dhe me shumë ngjyra. E vetdijëshme se cka e dëmton dhe e varros një dashuri autorja na e sjell në poezinë “NË DJALL SHPATNDRYSHKURA FJALË”, një gjetje e bukur dhe me plot art për shpifjet, e atyre që me përgojime ku pëson dashuria. Ajo mallkon fjalët që në lirikat e popullit ndodhen si “munafikë” por këte e bënë në mënyrën më të bukur të mundur poetike; “Në djall le të vejë shpatndryshkura fjalë,/ Që shkakton ikje dhe mbyll shtigje.” Autorja ka arrit nivelin e fjalës së bukur që vargun ta bëjë të ndjeshme, emocional dhe estetik. Këtë cikël të poezive ku për motiv janë lirikat do e mbyllë me poezinë “I panjohur”. A thua ka poet epo poete që t’i thur vargje të panjohurit?! Unë mendoj që jo, por këtu është aftësia e autores për të mos e ndotur dashurin se ajo është hyjnore, jeton në ne dhe nuk merret me njollosje, fyerje e sharje, por të gjitha rrugët ia le të hapura, duke e ruajt si kujtim të çmuar, por e godet me atë që ai apo ajo mundohet të bëhet si i panjohur. Në brendësi të poezisë ajo shumë çart na e rrëfen ndjenjën, ëndrrën, shpresën që e ushqejnë dhe e mbajnë gjallë dritën e dashurisë.
Tek poetët/et që jetojnë jashtë vendlindjes, atdheut të tyre përherë është një mall, një dëshirë e madhe për ta shprehur atdhedashurinë që kanë, apo që duan ta ruajnë si traditë e rilindësve tanë, ky motiv dashurie ekziston dhe kultivohet edhe te poetja Ramije Ajdini. Ajo ka një cikël të pasur të poezive me frymë atdhetare duke filluar nga ngjyrat tona kombëtare, kryeheroi ynë dhe deri tek ideali ynë i përbashkët “Bashkimi kombëtar”. E them këte se poetja nëpërmjet vargut të saj dëshmon për identitetin e saj duke shpalos dhe krenarin në mesin ku jeton se ndihet mirë që është shqiptare, që mendon dhe krijon shqip. Duke filluar nga poezia “Shkabë” që është një thurje magjike poetja dëshmon se vargu rrjedhë bukur, mirë, me shumë motiv aty ku të bren një dashuri dhe një mall i pashuar.
SHKABË// Shkabë dykrerëshe!//Flamur n’gjergjef,/Të kemi fole…/Ku jemi le!/Rinohesh…/Ndër brezni,/Mbretëreshë!/Me peshë…/E n’shpatë t’Kastriotit…!/Koha flet shqip!/I bekohesh Zotit!/Për Shqipërinë e Motit!/ Me nja varg të shkurtër ajo tregon se ku është ruajt Flamuri, ku e ka folën, në shpatën e kujt është ngritur, për kohën që flet e do flas shqip, si ka rrjedh e është ruajt ndër brezni, dhe duke ecur varg pas vargu me dashuri kërkon që ajo tokë të bekohet për Shqipërin e Motit. Kjo dëshmon se autorja edhe pse ka jetuar dhe jeton jashtë e njeh dhe ia di palgët atdheut të vet. Poezia “Djepi dhe varri im” është një perlë tjetër atdhedashurie.
DJEPI DHE VARRI IM// Unë që në fushëbetejë u rilinda,/Dhe vetëm këngë lirie këndova, /Shqipëri: Djepi dhe Varri im!/Edhe lotin e kam si predhë!!! /Edhe dashurinë lavë,të zjarrtë!/Shqipëri: Djepi dhe Varri im i mëndafshtë!/E besës, bijë e Jutbinës jam, /Çdo muaj-vit është i zjarrtë /Dhe Trimave u sjell risi!/Djepi dhe Varri im?/Ti, e ëmbla Shqipëri!”. Poezi që mund të përjetohet me një lexim. Ajo shihet çartë se nuk bije në patetizëm por e shpalos bukur dashurinë, idenë, besën, gatishmërinë për të bërë të pamundurën për atdheun e saj. Janë vargje që lartësojnë identitetin e autores. Nuk ka poet pa identitet, ky është edhe motivi i saj, andaj ajo në poezinë tjetër dëshmon edhe idealizmin për të cilën kanë sakrifikuar gjeneratë pas gjenerate. Ideali dhe idealistët jetojnë, prandaj ajo në mënyrën me të mirë iu përgjigjet me poezinë “PAVDEKSHMËRIA E SHPRESËS”. Në këtë poezi autorja rrëfen jetën e saj jashtë atdheut por e përfundon me vargun e bukur “Me shpresën se nesër do të kemi një Shqipëri”.
Në poezitë në vazhdim “TI PERLË – KËRKUES…”, “DUKE LEXUAR VARGUN TËND” dhe “Malësores”, pena e saj dëshmon për komunikimin poetik si dhe fatin e malësores dhe sfidat nëpër të cilat ajo kalon. Duke kërkuar që komunikimi të rrjedh ndjeshëm më dashuri e mall dhe me fjalë të bukura që e bëjnë artin t’i mbijetojë kohës autorja në sjell edhe portretin e malësores e cila ka qenë edhe motiv i shume poetëve dhe shkrimtarëve. Ramije Ajdini ka hedhura hapa të sigurt në krijimtarinë e saj poetike, vargu i së cilës të bënë të ndihesh pjesë e momentit, të lehtësohesh nga lodhja, në mbushë me shpresë, të jep motiv për të ecur rrugës së dashurisë, krenarisë dhe për të lënë gjurmë në jetën e jetuar.
 
 
PËRSE..?
 
Përse nuk më dhe edhe pak kohë?!
Përse nuk pate më durim?
Ti më thoshe: “Ku je drita e shpirtit tim?”…
E di, te unë banon pafajësia,
Te ty sundon mosguximi.
Mua më shqetëson droja,
Ty t’i zë sytë xhelozia
Dashurinë tonë e lamë të luajë me hidhërimin…
Sonte sërish pyes veten,
përse, për ne të dy nuk mbet një shteg,
që në “Lulishten e Dashurisë “
të lumturoheshim si kur ishim të rinj
gjer n’amshim?!…
 
 
 
UNË DHE TI
 
E kështu
do ta duroj
heshtjen dhe etjen e blertë
që ma shton largësia juaj
e
do ta kthejmë
së bashku
në poezi.
Unë jam nisur
drejt teje
dhe
do të mbërrij ajo ditë
që ta pimë bashkë
heshtjen dhe etjen e blertë
të DY:
UNË dhe TI!
 
PËR NJË PUTHJE…
 
Kuptoje si thirrje që zërin çon në qiell!
Eja sërish siç më erdhe plot dashuri e zell,
Për një puthje gjithë afsh që përsëri të pret.
Me buzët prush që e ruajnë atë dashuri
Si ta dhashë e si ma dhe; kur vije gjithë gëzim,
Nuk ka më, o shpirtqiellor, këtë e di mirë edhe ti,
Tash mbetem në shkrime, për një varg të ri.
Unë me ty çdo çast kuvendoj,
Beso, edhe kur fle, unë TY të kam në kokë,
Them, më mbetën buzët zjarr e flakë,
E ti, më duket, sikur më puth çdo natë,
Veç atëherë, e lodhur, e qetë marr gjumë në sy,
Në ëndërr më shfaqesh sikur flemë të dy…
 
 
 
NË DJALL SHPATNDRYSHKURA FJALË
 
A s’më thua, si të nisemi sërish,
Atje ku mbërritën pa dritën e diellit?
Të përqafohemi ethshëm-marrëzisht
Dashurisë t’i falim kaltërsinë e qiellit.
Më thuaj, përse ne të dy vallë
Ngulim helmshikime që largojnë brigje?
Në djall le të vejë shpatndryshkura fjalë,
Që shkakton ikje dhe mbyll shtigje.
 
 
 
I PANJOHUR
 
Këndoj ninulla për ty…
Që t’ mos më zë gjumi!
E sytë e mi blerojnë sërish takimet,
Kur lëshohet muzgu në pragun e ëndrrës.
Po deshe, kalle kandilin e shpresës!
Se natën e mirë i thash vjeshtës…
A thua në agun e ftohtë do të më presësh?!
Që t’mos na marrë vesa e vjeshtës së vonë.
 
 
 
SHKABË
 
Shkabë dykrerëshe!
Flamur n’gjergjef,
Të kemi fole…
Ku jemi le!
Rinohesh…
Ndër brezni,
Mbretëreshë!
Me peshë…
E n’shpatë t’Kastriotit…!
Koha flet shqip!
I bekohesh Zotit!
Për Shqipërinë e Motit!
 
 
 
DJEPI DHE VARRI IM
 
Unë që në fushëbetejë u rilinda,
Dhe vetëm këngë lirie këndova,
Shqipëri: Djepi dhe Varri im!
Edhe lotin e kam si predhë!!!
Edhe dashurinë lavë,të zjarrtë!
Shqipëri: Djepi dhe Varri im i mëndafshtë!
E besës, bijë e Jutbinës jam,
Çdo muaj-vit është i zjarrtë
Dhe Trimave u sjell risi!
Djepi dhe Varri im?
Ti, e ëmbla Shqipëri!
 
 
 
PAVDEKSHMËRIA E SHPRESËS
 
Larg gjeografisë, që më pagëzoi
U zgjova nga gjumi, të bëjë rrugë shqip
Më kishte marr mall, të shoh rrugëve burrat
Që kishin ndezur kandilat e shpresës
Që të mos vdesë kurrë lindja që lartëson kullat
Për gjuhën e gjakut e djersën e ballit
Shkruar nëpër rrudhat nën plisin krenar
Që mi shëron plagët e dhimbjet e mallit
Të lumturohem si dukur, kur jetoja shqip
Brenda kullës, të rrahur nga motet plot stuhi
Kur hapat i bëja, nën flamurin që ndrit
Me shpresën se nesër do të kemi një Shqipëri
 
 
TI PERLË – KËRKUES…
 
Kur qetësisht të pllakosë nata,
Mbi të sheshtin det me hënën lart,
Ku vijnë mendimet si dallgë të larta,
E heshtja jonë kthehet në art,
Kur delfinisht të kridhesh brenda,
Ti perlë-kërkues me hënën – sy,
Do gjesh aty me mijëra muza,
Dhe penën time do gjesh, aty!
 
 
 
DUKE LEXUAR VARGUN TËND
Poet, ta kam zili, vargun që e gatuan me brumë dashurie
Me guxim, si ngjyra piktori, që i derdh mbi pëlhurë
Kur prek, me gjuhën e plisit, ngjyrat e truallit, me nur lirie
Shtatoret krenari, shqiponjën që valëvitet në flamur
Kur mbetem mes vargut tënd, si gërmat që rreshtohen
Sytë shikimet i lënë, mes poezive plot e përplot trimëri
Faqe historie, shkruar ndër shekuj, në shpirt më kalohen
Sikur në lëkurën time, tatuazhe mbetet, e jona Shqipëri
Nuk e di pse, nga shpirti me del një ngjyrë gjaku, që vlon
Me gjuhën e vendlindjes time, kur Pollog e Sharr thonë
Është Pena e Artë, që shqip gjithmonë, zemra i këndon
Për ty, për mua, e të tjerë, që shqiptarë, toka na pagëzon
Ah, poet i gjakut tim, që liri e Shqipëri i ke shikime, gjithmonë
Ti, Penë e Artë, e malësisë së Sharrit, plis i lidhur me ballëkuqe
Që ecën nëpër teh shpate, edhe atje ku harresa tinëzisht na kafshon
Ti, krenari e të sotmes, që Shqipërinë me lulëkuqe lulëzon.
 
 
 
MALËSORES
Në botën e kujtimeve, si gur i rëndë u zhyte,
Ti e përvuajtura Malësore, që më turbullove mendjen,
Në botën e kujtimeve të zbehta,
Ku zure vend si mjegull e zezë dhe e rëndë.
Por, ti Malësore je e mirëseardhur përherë!
Me krenarinë tënde dhe ballin plot rrudha
Që rrallëkush, si ti noton në ato thellësi…
Ku jetojnë botëra të lëmshuara para dikujt,
Me sytë e tu, që shohin më larg se largësitë…
Që s’i preku kurrë dora e zgjimit mbi vuajtjen tënde të hidhur,
Udhështigjeve e lotëve, që shëmtojnë dashurinë…
Kërkoi, kërkoi gjurmët prej nga burojnë hallet tua!
Që me lot humbje shpërlan pranverat e shëmtuara pa gjelbërim.
E në shpirt të piqet dashuria, që kurrë nuk e nxjerr në shesh
Për ta gatuar brumin intim me tharm dashurie!
Ki besim, se mua më detyroi brenga jote e pezmatuar
Që rri e varur në prangat e së kaluarës…
Po-Po! Brenga jote Malësore vret e djeg pa mëshirë!
Përse prapë shkon e ulesh atje mbi Gurin e Kënakecit?
Harroje pra atë ditë pranvere, që treti me vdekjen e burrit tënd!
Ndoshta enda ka shpresa se Malësori syshkruar…
Do të kthehet me vrap të shpejtë
Që ty të ti përlyejë duart me kënakec,
Kot e ke! Loti yt trishtues më frymëzon pikëllim e zi!
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s