Poezi nga Juljana Mehmeti
Eh, unë…
Sa shumë shkruajta për dashurinë
shumë tinguj, vargje e fjalë,
që u mekën përballë imazhit tënd të ngrirë,
heshtur nëpër natë
e unë …
një shkëndijë e ndezur
dritëhijesh përhumbur hapësirës
yjesh ngjitur lart
djegur
diku në një cep të qiellit tënd.
Eh, unë …,
pishtare dashurie mbeta
fijëzuar në një ngjyrë ylberi
kthyer në pluhur yjesh për më të bukurën mbrëmje,
që bota të shndriste si më parë
ëndrrave valëzuar
shtëgtuar sot kaq larg.
Eh, unë…,
lotëve dhimbje derdha shpirtin,
për tu shkrirë tek ty,
e humbur
gjurmëve njohje pas xhamave blu
me shenja bulëzimesh
grryer në të hidhurën kripë
kratereve të ndryshkura universit tim të dlirë…
Eh, unë…,
ndoshta kam zbritur njëmijë kate më poshtë,
ku sytë rëndohen pas mjegullave gri
tek kjo errëti ngatërruar kaq keq
e kthyer në pluhur resh të përhimta
pleksur pas flokëve dredhëzuar ajrit bosh
në të thellën frymë
gjumit letargjik,
pritjes së vetme
të atij çasti
zgjuar beftas
përqafimit me dritën.
@ Julja
***
Ëndërr e grisur kjo ndjenjë…
shpupurisur ndër gishta vrastare
hedhur tej, si një letër e zhubrosur
errësirave të lodhura të natës,
që dritën kurrë nuk e panë.
@Julja