Irina Hysi, si poete e iluzioneve dhe mendimit të absorguar ( Referim rreth vëllimit poetik “ Zonjëzemra” / Nga: Agron Shele

Irina Hysi, si poete e iluzioneve dhe mendimit të absorguar
Referim rreth vëllimit poetik “ Zonjëzemra”
 
Nga: Agron Shele
 
 
“ Me forcë do soditim botën ngushëllimit t’ brendshëm. 
Dhe gjithë të vërtetën e pavdekësisë!!!”
 
E gjithë bota është një pikë referimi, një koncept që parafytyrohet përmes imazhit, vizionit dhe percepetimit dhe si e tillë ajo lakonizohet përmes shumë këndveshtrimeve duke filluar nga ai pamor, pastaj mendimit filozofik e psikologjik dhe besimit për atë çfarë përfaqëson e çfarë gjurmësh do mbartësh tek e nesërmja. Kështu nis gjithë ideimi poetik i autores Irina Hysi, e cila vjen përherë befasuese përmes vargjeve të saj, me frymën metafizike dhe mesazhin e thellë njerëzor, që varion nocionet më bashkohore e derivim drejt absurdit, kufijve më të fundit të njohjes, për të sjellë ato detaje të padukshme, gati fluide përmes shumë dimesioneve, si formë apriori dhe plan që has shumë debat dhe diskutim rreth asaj se çfarë përfaqësojmë ne në raport me veten e më pas me vetë kohën dhe hapësirën. E kështu depërtuar pas këtyre shtjellave, labirintheve më të errëta kërkohet ajo shkëndijë e zbehtë drite që do tejçojë më pas ndjesitë më të holla, të  kapshme e ndjerë nga vetëm shqisa të tilla shumëdimesionale, të cilat dhe grimcimin më të hijëzuar e shpërbërë në trajta mjegullnajash do e qendërzojnë në atë univers të pafund ngjyrash e gjendjesh, si mishërim i  egzistencializmit dhe përsosjes së qenies. Kaq thellë derivon mendimi poetik sa deshifrimi i kuptimeve vetëm përbrenda disa vargëzimeve prek dhe takon gamat e gjera të një diapazoni në përmbledhje të gjithë përvojave, dijes dhe formimit ideo-artistik dhe kjo e shtrirë e zhvilluar përbrenda dy koneksioneve, atij të konceptit imazh dhe konceptit fjalë, ngritur e ndërthurur mes tyre produkton një koherencë që ravijëzon kuptimin ngjyrë, ngjyrën kuptim, si përqasje por dhe refleksion i atij modaliteti që njeriun mund dhe duhet ta përafrojë. Tedencat e mendimeve të autores shkojnë shumë më larg, drejt fonemave dhe dualizmit gjendje (asertim i përjetimeve shpirtërore) dhe qenësi (trup në lëvizje e përherë në rendje drejt kufijve të jetës) të integruara këto me vizualitetin por dhe në raport me ndërgjegjien, si psikologji dhe proçes i përhershëm, që e shtyn të fragmentizojë idetë, dhe pse në kontradiksion me mentalitetin dhe  raportin  kohë. Imagjinata krijuese shtrin krahë të tillë, që përfshin mbështjelljen e jashtme të sipërfaqësores rrethuese, por dhe kate të tjera poshtë nëntokës, aty ku prehja e trupave ka mbetur e shkëputur nga përjetësia, tretjes dhe njehësimit një me natyrën, ndërsa shpirtrat enden nëpër qiell, atij lloj qielli që kap përmasa të tjera të syve dhe memories, e cila  jeton bashkë me konfuzionin tonë. Jeta është konfigurim ngjyrash, bindjesh e qëllimesh, por është dhe përgjegjësi e mundësi  për atë mision që të caktohet dhe e gjithë kjo në fokus të manifestimin të virtytit më të mirë, humanizmit dhe dashurisë njerëzore. Autorja Hysi dhe pse në artin e saj vjen përbrenda strukturave poetike me shumë dritëhije, nënide të thella dhe simbolikën e fjalës, ka larminë e kohezionit përjetues, ka telajon e hapur që e përmbush me ngjyra optimiste, ka hijëzimet e tyre si botëkuptim dhe shprehishmëri e emocioneve të forta dhe përherë depërtuese gjer në skajshmëri, ka përthyerjen e mendimeve dhe atë hapësirë të gjerë, e cila pas çdo shtegtim muze takon një tjetër muzë të re, që e rilexon dhe e bën përherë më tërheqëse e lançuese me prurjen autentike të vet.
 
 
Irina Hysi
 
Gjithçka që autorja kërkon të shpalosë dhe sjell si një risi përmes vëllimit poetik “ Zonjëzemra” është editim i impulseve të brendshme kronizuar me mendësinë dhe variacionet e grafikës jetë, që në aborgim me përjetimet, gati në përplasje dhe  konfrontizëm të plotë mistizon, por dhe rrebelon,  semantikë kjo me përbërje dhe formë nga ajo eksperimentalja drejt paradoksit ( ironizim dhe shpërfillje e aktualitetit përmes dykuptimësive ), stilistikë që shtrin kufijtë e mendimeve por dhe i dualizon ato.
 
Le të ndalemi në disa poezi dhe të ndjekim varjimin e kuptimeve por dhe mesazhit që përcillet.
 
“Fuqia, që hap kodin e shpirtit”
 
Vetëm përbrenda këtij vargu autorja kërkon të përkufizojë imagjinatën, jo si parafytyrim, por si fuqi që di të depërtojë asaj murnaje trupi, të kapërcejë gjer në më të fundit ind e të deshifrojë kodet e shpirtit. Fjala fuqi vjen dhe si forcë intuitive, besimi që shpesh njeriu i inkuadron vetes, për të mbjellë nota optimiste, për të dalë nga kurthet apo qerthullet e jetës, e cila jo rrallë e vendos në sprova të vështira dhe ngatërron rebuseve të saj të pafundme.
 
“Tani do të jemi një shpërbërje substancash
Do flasim me letra aeroplanësh
Do komunikojmë me njëri tjetrin nga burimi i qenies”
 
Tek poezia “Pavdekësia” kemi një seri komponetesh të ndërlidhura, duke filluar me elemintin lirik të ndërthurur me vetë posesionin egzistencial që dhe në shpërbërje apo transformim do të ketë rilindje të madhe metafizike, e cila në vizualitet me burimin e qenies ngre komunikime egzigjente, gati qiellore përmes aeroplanëve që mbajnë gjurmë letrash, ngjyra shkrimi që do mbeten përherë shenja e fjalëve të shpirtit. Mendimi agravon shumë më tej, gati drejt absolutes, për vetë motivin se si e përkufizon këtë lloj pavdekësie, sensuale dhe përtejndjeshmërisë që di të bashkojë dy rrugë, të mjegullojë muzgut të ardhur e kthjellojë mëngjesit të ri, të prekë me frymën e zotave e të mbetet ashtu në përjetësi.
 
“ Mi numuron të gjitha, ngjyrat e  spektrit
shi…,  paskohe dashuruar me ajrin…
uni i bardhë, kërcej, i zi errësirës, notëtakash!!!
 
Sigurisht që motivi lirik kalon përmes ngjyrash, të kuqes së takës, romantizmit shi, paskohës kthyer në formë nostalgjie, e ndjekur përherë si kumbim, i asaj kërcitje të ndjekur pas vetes,  si në vallëzim të tangos jetë. Por tek kjo poezi kemi dhe aspektin paradoksal (uni i bardhë, kërcej, i zi errësirës, notëtakash!!! ) pra vetëm përbrenda një vargu kemi kaq shumë konfrontizëm, “uni i bardhë”, që në referimin psikologjik uni mbetet një uni që shpesh derivon drejt egos, ndërsa “ i zi errësirës “ bëhët supersticioz e mistizon gjendjen edhe më shumë, ndërsa në kuptimin analog hapësira përmes gjendjes elokuohet nga kërcimi, simbok i lirisë që valëzon delikatesës dhe elegancës notëtakash.
 
Leximi i vëllimit poetik “ Zonjëzemra” është ftesë për të depërtuar në letërsinë postmoderne, është një mundësi për të komunikuar me gjuhën e imazheve dhe përfyturuar skajshmërinë e shformësimeve të tyre në raport me kohën, është një debat i hapur për subjektivizmin e sjellur, kufijtë e ideimit, caqet e absurdit, kontradiksionin shoqëror dhe mendimit filozofik e psikologjik përherë në ndryshim e përherë e më bashkëkohor.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s